Në kuadrin e vitit të Aleksandër Moisiut,
me rastin e 90-vjetorit të vdekjes
Në vend të hyrjes
Rreth një shekull më parë (1927), publicisti Hans Bëm botoi një vëllim me dyzetë artikuj të botës akademike ndërkombëtare, 104 fotografi e vizatime kushtuar Aleksandër Moisiut, si dhe tri tekste të tij. Vëllimi me titull “Moisiu – njeriu dhe artisti me fjalë dhe foto” (mbledhur nga Hans Bërmi), qe botuar nga shtëpia botuese “Herusgegeben von hans Böhn”, në kuadër të serisë së veprave “Arti i skenës”[1] dhe kishte një përkushtim jo shumë të zakonshëm: Maks Rajnardit, i cili i ka sjellë teatrit gjerman Aleksandër Moisiun[2].
Megjithëse as botimi i parë rreth një shekull më parë, në gjuhën gjermane, as botimi i dytë në gjuhën gjermane dhe e në gjuhën shqipe pesë vjet më parë, nuk shoqërohet me shënime dhe të dhëna për autorët e teksteve, sikur shënohen pak a shumë të dhënat për fotografitë, fakti se vëllimi hapet me shënimin për artikuj të botës akademike ndërkombëtare, të jep të kuptosh se fjala është për personalitete të shquara dhe me biografi artistike, intelektuale e krijuese të kohës. Një krijues i mveshur me kulturë dhe dije për zhvillimet në botën teatrore, kulturore e letrare, nuk e ka të vështirë të dallojë disa nga autorët e shquar të këtyre teksteve. Gjejmë këtu esetë, kujtimet, vlerësimet dhe nderimet e autorëve: Feliks Zalten, kritikun austriak dhe autorin e lavdishëm të veprës së përbotshme letrare “Bambi”, veprën e të cilit në gjuhën shqipe e ka përkthyer gjuhëtari ynë i madh Eqrem Çabej; Maksimilian Harden, artistin e rinisë së hershme, një prej publicistëve dhe kritikëve të shkëlqyer të mendimit politik të dy dekadave të para të shekullit XX; Feliks Holenderin, kritikun, regjisorin e dramaturgun austriak të kohës; Hajnrih Eduard Jakob, gazetarin amerikano-gjerman, kritikun dhe publicistin e shquar, biografin e dëshmitarin e madh të kampeve naziste; Gerhart Hauptmann, dramaturgun e romancierin gjerman, i cili krijoi majat e letërsisë natyraliste, si dhe fituesin e Çmimit Nobel (1912); Luigji Pirandelo, dramaturgun, romancierin, poetin e shkrimtarin italianë, si dhe fituesin e Çmimit Nobel, pikërisht në fushë të dramaturgjisë dhe teatrit; Stefan Cvajg, tregimtarin e novelistin e pazakonshëm, autorin e shumë biografive dhe njërin prej shkrimtarëve më të mëdhenj e më të popullarizuar të gjysmës së parë të shekullit XX[3]; Georg Kajzer, njërin prej dramaturgëve më të mëdhenj të Republikës së Vajmarit; Tatjana Tolstoi, shkrimtaren dhe bijen e shkrimtarit të madh planetar Lev Tolstoi; Konstantin Stanislavski, aktorin, regjisorin e sidomos teoricienin e lavdishëm të teatrit rus dhe europian; Franc Molnar, regjisorin, dramaturgun e poetin me origjinë hungareze etj.[4]
Tekstet e tyre janë dëshmi, vlerësime, konsiderata, kujtime dhe ese me theks dokumentaritetin e bashkëkohësve, kritikëve, artistëve, shkrimtarëve, regjisorëve, dramaturgëve, poetëve e personaliteteve të shquara të kohës, prej të cilëve, sigurisht për shkak se janë porositur nga editori, ato i kanë shkruar në forma, trajta dhe mënyra të ndryshme dhe si të tilla ato kanë në thelbin e tyre, dëshminë, dokumentin dhe perceptimin e tyre e të tjerëve për Aleksandër Moisiun dhe artin e tij.
Në këtë rast, para se të merremi me përbërësit shpirtërorë, kulturorë, intelektualë e historikë të këtyre teksteve, le të kujtojmë se ato janë shkruar në kohën kur Aleksandër Moisiu kishte arritur kulmin e sukseseve të tij dhe vlerësimi i takon periudhës së zhvillimeve jashtëzakonisht dramatike në shoqërinë gjermane, periudhës së formimit nacionalist të saj, kohës së kristalizimit të ndjenjave të forta nacionale të rinisë së shoqërisë gjermane, baza e së cilës ishte pikërisht gjuha, kultura/teatri dhe filozofia.
Vëllimi mbyllet me një tekst përmbyllës me një biografi të shkurtër mbi shkallët e ngjitjes jo të lehtë të Aleksandër Moisiut në Teatrin gjerman, si dhe me një shënim hyrës të botuesit: Nga ishte dhe si u bë:
“Aleksandër Moisiu lindi në Trieste. Baba i tij Kostandini ishte shqiptar nga qyteti portual i Durrësit. E ëma italiane, gjuha amtare italishtja. Kur ishte gjashtë vjeç, ai shkoi në Durrës, në vendlindjen e të atit, atje ndoqi shkollën e parë. Në fillim shkrimin dhe këndimin i mësoi në gjuhën greke dhe shqiptare. (1950). Tetëmbëdhjetë vjeç shkoi në Vjenë pa e zotëruar aspak gjuhën gjermane”. (195)
Të tjerat pastaj thuhen më gjerësisht dhe më përmbajtjesisht prej autorëve të teksteve. Ndonëse në dukje të parë në formë shumë fragmentare, ato, në të vërtetë përplotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë komplementare, qoftë me individualitetin e atyre që flasin, qoftë me mozaikun e imazheve me të cilat e ndërtojnë, qoftë me kohën historike të cilën e përmbushin. Kjo është arsyeja pse ky tekst është krijuar kronologjikisht duke e plotësuar jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut si një mozaik kujtimesh, vlerësimesh, nderimesh e diskutimet, qofshin ato ndonjëherë edhe krejt arbotrare.
Fillimet dhe përpjekjet e tij prej Sizifi
Në mesin e shumë bashkëkohësve që kanë shkruar për fillimet e punës prej artisti të Aleksandër Moisiut është edhe publicisti Julius Bab, i cili në tekstin e tij përkujtues merret me “ngjitjen berlineze”(55) të Moisiut. Ai kujton se si në vitin 1904 Aleksandër Moisiut erdhi në Teatrin e vjetër të Berlinit. Atëbotë, kujton Julius Bab, menjëherë pas paraqitjeve të tij kritika dhe shikuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj Teatrit dhe Moisiut, në dy rrafshe: për shqiptimin jogjerman të gjuhës (theksit) dhe për lëvizjen e panjohura të duarve (57). Do të duhet të kalojë shumë kohë, rreth dy vjet, që gjuha e tij të përmirësohet dhe lëvizjet e tij të pranohen. Në të vërtetë, kujton Julius Bab, vetëm në vitin 1906, kur Moisiu luajti Kreonin e pjesës së Hofmanstalit “Edipi dhe Sfinksi”, ata, “shikuesit, kritikët dhe jokritikët të kuptuan sensin artistik të këtij organi melankolik pasionant, të këtyre lëvizjeve butësisht rrëshqitëse dhe të ethshme. Që nga kjo mbrëmje, – kujtohet Julius Bab, – Moisiu u bë një aktor i famshëm. (57)
I kësaj natyre është edhe teksti i Albert Basermanit, i cili kujtonte vuajtjet e përbashkëta dhe gëzimet. Rrëfimin e tij, në të vërtetë dëshminë e tij, ai e ndërton edhe në një pamje tjetër pak a shumë teatrore. “Kush, si unë, e përjetoi fillimin e tij, -shkruan Basermani, – kujt, ashtu si mua, iu bënë pengesë pas pengese” (173). Por, në sytë dhe në kujtesën e Basermanit, Aleksandër Moisiu diti ta tejkalonte këtë gjendje, prandaj ai e admiroi energjinë e tij prej pasionanti, Moisiun, i cili “nuk e lëshoi veten asnjëherë edhe në kushtet më të vështira”(173). Nderimi për të dhe për raportet mes tij ai do t’i dëshmoj edhe me faktin se në biografinë personale ai dëshmoi edhe për harmoninë në lojën e përbashkët dhe marrëdhëniet komplementare gjatë angazhimeve të përbashkëta në teatër. Këto marrëdhënie dhe kjo lojë për bashkëkohësin e tij, artistin, Albert Baserman shprehnin “një harmoni të jashtëzakonshme”.(173)
Pasionin e tij prej artisti dhe energjinë e tij do ta theksojë edhe Hajnrih Eduard Jakob, në tekstin e tij Moisiu luftëtar. Këtë kohë kur “këtij njeriu i është dashur të luftojë… (67), përkatësisht këtë situatë të fillimeve të tij, autori i tekstit e ka shpjeguar në kontekst të zhvillimeve historike, sociale, politike dhe kulturore të një brezi të popullit gjerman, e kjo ishte betejë e madhe e tij me “publikun gjerman jashtëzakonisht të njështresëzuar në pikëpamjen kombëtare”. (67) Sigurisht kjo nuk ishte betejë politike, kulturore, ideologjike, individuale e Aleksandër Mosiut, me secilin prej kritikëve, shkrimtarëve, regjisorëve, publicistëve, shikuesve. Kjo ishte betejë unike e të gjitha referencave politike, kulturore e ideologjike, ishte betejë individuale me të gjithë një nga një dhe me të gjithë bashkërisht, sepse ishte “fitore të artistit, i cili i dhuroi pikërisht këtij publiku një vesh drejt Lindjes dhe një sy drejt Jugut”.(67)
Në këtë fillim të tij prej artisti, kritiku Zigrid Trebiç, do të nxjerr në pah një situatë posaçërisht të veçantë dhe veçanërisht mbamendëse. Kohën kur artistët, përkatësisht bashkëkohësit e tij nuk dëshironin të luanin përkrah Aleksandër Moisiut, Praninë e tij në një rol të caktuar përkrah tyre e konsideronin nënçmues për arritjet e tyre në teatrin gjerman. Ai sjell shembullin model të aktores së njohur Sorma, të cilës, me gjithë përpjekjet e tij personale dhe përkrahjes së drejtuesit të teatrit Rajnhardit, nuk arrit t’ja mbushte mendjen. (69)
Prejardhja etnike apo hapësinore
Një prej përbërësve posaçërisht të shpeshtë e kjo do të thotë edhe të rëndësishëm, të theksuar në biografinë prej artisti, është gjuha dhe prejardhja e tij, në të vërtetë theksi i gjuhës së tij dhe hapësira kulturore e prejardhjes dhe formimit të tij. Ndoshta nuk është e rastit pse në fund të vëllimit të vlerësimeve dhe kujtimeve (ndonëse Moisiu ishte gjallë dhe madje në kulmin e aktiviteteve të tij) është botuar edhe një tekst i redaksisë, në të cilin është saktësuar gjuha dhe origjina familjare e prindërve (babait shqiptarë dhe nënës italiane) e Aleksandër Moisiut, vendlindja, shkollimi i tij fillestar (në gjuhën shqipe e greke) dhe italian më tej.
Origjina e tij është theksuar e ngatërruar aq shumë sa mediat shqiptare, pothuajse edhe një shekull më vonë vazhdojnë ta shquajnë këtë përbërës të origjinës shqiptare, të cilat sikur do të shprehet më vonë Profesor Qosja, në një mënyrë a një tjetër më shumë të krijojnë huti për vërtetësinë e kësaj ane sa sa e saktësojnë atë. Prej teksteve të botuara në këtë vëllim, ndërkaq nuk është e vështirë të kuptohet se, janë mediat e kohës ato, që e përcaktojnë edhe besueshmërinë e përkatësisë së origjinës së tij për autorët që kanë shkruar tekstet e këtij vëllimi.
Ai që posaçërisht i bie këtij elementi është aktori holandez Maksimilian Harden duke e parë atë në tri rrafshe: e para “theksin gjerman” (47) të Moisiut; e dyta, prejardhjen, njëherë “nga zona ku gjaku italian shpesh përzihej me atë jugosllav”(53) dhe herën tjetër “një talent krejtësisht mesdhetar (…) para syve të skandinavëve (53). Në tekstin e tij vetëm elementi i etnisë, përkatësisht prejardhjes shqiptare mungon, por fakti se e shquan talentin e tij krejt mesdhetar, na bën me dije se autori kishte të dhëna edhe për gjakun, përkatësisht prejardhjen shqiptare të tij, të cilin sigurisht Mosiu si mik i tij nuk besoj të ja ketë fshehur. Po në këtë prizëm do ta ketë parë edhe Hajnrih Eduard Jakob, i cili duke e parë kontributin e Moisiut në hapësirën gjermane dhe më gjerë, e përshkoi atë si një frymë që solli dy dimensione artistike: “një vesh drejt Lindjes dhe një sy drejt Jugut”. (67)
Ndryshe, ndërkaq, Aleksandër Moisiun e falënderoi shkrimtari e dramaturgu italian Luixhi Pirandelo. Përkatësia etnike e Mosiut në përshëndetjen e Pirandelos ka vetëm njërën anë “patria-s”, (atë të nënës) italiane, prandaj në përshëndetjen e tij e theksonte veçanërisht përkatësinë patriotike të tij në raport me artistin: “Përshëndes patriotin tim të madh Aleksandër Moisiu, interpretues i shumë personazheve të mia”, shkruan Luigji Pirandelo(103)
Përkatësinë, rendësin dhe universin e emrit të tij ndërkaq e kanë theksuar dy autorë Asta Nilzen dhe Idas Roland. Duket se përkatësia etnike e tij nuk ishte e patheksuar dhe e parëndësishme në botën artistike dhe në biografinë e tij. Do të ishte e pakuptimt të ishte e përjashtuar origjina e tij në kohën kur përkatësia racore, gjuhësore, etnike dhe kulturore ishin përbërësit më të rëndësishme të ngritjes së nacionalizmave në europën e gjysmës së parë të shekullit XX. Pak e a shumë këtë e thekson edhe Asta Nilzen, kur shkruan se “Mbi rëndësinë e emrit të Aleksandër Moisiut të gjitha kombet janë në një mendje. Përse? Ky është sekreti i gjeniut”. (164); ndërsa universin e këtij personaliteti kompleks dhe universal e shpreh edhe më saktë Ida Roland, kur thekson faktin se: “Moisiu është një artist vërtet evropian. Në artin e tij mëshirohej “hyjnorja dhe njerëzorja”(184).
Po kështu vepron edhe Herbert Ojlenberg, në esenë e tij Nga një siluetë. Në radhë të parë ai shihte lëvizjen e dorës së tij “të trashëguar nga Italia” (123), ndërsa në radhë të dytë ai shihte lehtësinë e mënyrës së të jetuarit të tij në atë periudhë ngritjesh personale: “Shtëpia” e tij ishte në ndonjërin nga hotelet e para. Herë në Berlin, si tani, herë në Vjenë, apo Hambur ose Budapest. (123). Sigurisht ai nuk mendonte këtu për jetën josedentare, si veçori e lëvizjes etnike shqiptare të tij, fjalën e kishte besojmë për natyrën përkatësisht lehtësinë e të jetuarit të tij në një botë nacionalizmash e refuzimesh etnike.
Rinia dhe pritja e tij
Me kulturën e Aleksandër Moisiut dhe sidomos me rrethanat historike të kohës e të përvojës së tij, janë të lidhura edhe fillimet e tij në teatër. Ky raport ndërmjet tetarit, rolit të tij dhe horizontit të pritjes në hapësirën gjermane mendoj se identifikohet më së miri me tekstin e shkrimtarit të lavdishëm Feliks Zalten, “Rinia ishte gjithashtu, ajo, e cila në fillim buçiti me entuziasëm për Aleksandër Moisiun (35) …ai përmbushi pasionin e rinisë, ndërkohë që përmbushi vetveten (35); …në personalitetin e fortë të Moisiut, pashë rininë bashkëkohore(37).
Dhe, pse të mos e theksonte.
Aty, në Teatër, si askund tjetër, para brezit të ri të gjermanëve përkatësisht botës gjermanofolëse, paraqitej bota universale e interesave individuale dhe kërkesave kolektive, bota e edukimit personal dhe çoroditjes kolektive, bota e të vërtetave universale dhe gënjeshtrave individuale e klanore, bota e synimeve të larta planetare dhe vorbulla e intrigave nëntokësore, bota e respektit si trashëgimi tradicionale dhe mentaliteti i përbuzjes etnike, bota e dashurisë qiellore dhe urrejtjes përbaltuese, bota e sukseseve njerëzore dhe disfatave lakmuese, bota dinjitoze e heroit dhe bota lapërdhare e të shtirit, bota ngadhënjimtare e Sizifit dhe bota humbëse e lakmitarit, bota e lumturisë hyjnore dhe dëshpërimit total, bota e devotshmërisë shpirtërore dhe stërkeqjes postmoderne, bota e guximit intelektual dhe e frikës qytetare, bota e burrërisë si vetëdije etnokulturore dhe e shkretnisë tragjike, bota e dëshirave dhe përvojave reale dhe bota e kënaqësive lirike të çastit, bota edonomike dhe plangprishëse, bota ndërtimtare dhe shkatërrimtare, bota e bëmirësisë shpirtërore dhe etika e keqbërjes, bota veprimtare e pragmatike dhe bota fjalëtare në hapësirë, bota atdhetare si mision dhe bota tradhtare si vizion prapavajtës.
Ku më shumë dhe ku më mirë mund të formohej një rini krenare për gjakun, gjuhën dhe shpirtin e racës gjermane të kësaj kohe më mirë se sa në teatër, në një teatër ku shpërthenin zëri dhe loja e një artisti, si ai i Aleksandër Moisiut, të cilin kaq fuqishëm e përshkruan Osip Dymov:“Në kujtimin tim Aleksandër Moisiu mbetet gjithmonë si një mëshirim i mrekullueshëm i rinisë, forcës dhe magjisë mashkullore, i pakrahasueshëm në shkujdesjen e tij mizore”. (77)
Në këtë rrjedhë dhe vlerësim të shkrimtarit Feliks Zalten formohet pak a shumë edhe mendimi i shkrimtarit e dramaturgut Hugo fon Hofmanstal, veç se tani në një përmasë tjetër, të personifikimit dhe ndikimit të tij: “Nëpërmjet veçorisë së kësaj natyre të aktorit, ai ka ndikuar në mënyrë shumë të fuqishme te një brez i tërë aktorësh dhe e ka detyruar publikun që figurat e dramaturgut t’i shohë në një mënyrë të re”.(113)
Raul Auernhajmer: Moxart i fjalës
Në qoftë se në fillimet e tij prej artisti, gjuha, tingulli melankolik dhe lëvizjet do të bëhen shkaktare të kritikës së bashkëkohësve, kritikëve e artistëve kundër tij, më tej, falë dhuntisë së tij prej artisti, pikërisht këto vlera do të bëhen referenca përfaqësuese, shenjë individuale dhe kulturë e komunikimit në jetën teatrore. Jo rastësisht Feliks Zalten, do ta shquaj pikërisht këtë veçori në tekstin e tij: “me tonin e tij të hapur të zanoreve, që dridhej kumbueshëm, ai i jepte gjuhës gjermane një melodi italiane. (33) Dhe më tej vlerësimi engjëllor i Maksimilian Hardenit “Ai i këndonte ato vargje vërtetë si psalme (47); … nga ky këngëtar i vuajtjes që sheh trishtueshëm (47); apo ai i Bjërn Bjërnsonit “Moisiu është incizuar në zemrat tona (…) sepse zëri i tij tingëllon si muzika e bukur në vuajtje dhe në gëzim.(101) Zëri i tij tingullor apo engjëllor, qoftë në mendjet, qoftë edhe në tekstet e autorëve, marrin konotacione artistike dhe bukurtingëlluese: “zë-këngë”, “zë-arie” etj. Nëse Herbert Ojlenberg mund të thotë se vargjet “i këndonte si një arie”(125) dhe ato vargje ai i mbindërtonte si gjuhë epike të gjermanishtes, ne mund të themi se gjuha e Aleksandër Moisiut ishte bashkim i arieve italiane dhe nostalgji e gjuhës lirike të shqipes së jugut. Përtej zërit të tij muzikor, tingullit të tij muzikor, ligjërimit të tij muzikor, muzikën Franc Serves e shihte edhe te emri i tij, në ndërgjegjen personale të tij. “Moisiu është violinë lektisëse apo violonçel përmallues, – theksonte ai, – apo viola e dashurisë(171), ai është “zëri që thërret në shkretëtirë”.(171)

Përmasën e vlerave artistike dhe kulturore e historike, zërit të tij i jep Raul Auernhajmer, me vlerësimet e tij shumëdimensionale dhe historikisht të krahasueshme, si asnjë tjetër. Auernhajmer, kësaj dhuntie të natyrës në botën artiske të Aleksandër Moisiut mund të themi se i jep edhe një konotacion tjetër, të cilin rrallë e gjejmë edhe te autorë të tjerë që kanë diskutuar për vlerat artistike dhe muzikale të zërit të tij. Vlerat e kësaj dhuntie sipas kritikut Raul Auernhajmer i shërbenin mallit të artistit “për një botë më të bukur, më të pastër, më të lirë, për akordimin e së cilës roli i shërben vetëm si pretekst”.(157); ndërsa mundësinë e tij për të shndërruar talentin në muzikë, e konsideronte të pashembullt jo vetëm në skenën gjermane po edhe më tej në artin e përbotshëm. Në këtë rrjedhë ai e ka parë Aleksandër Moisiun më mirë se askush tjetër “një Moxart të fjalës së folur (…), e cila e bën atë aktorin më të dashur gjerman.(157)
Një përmasë tjetër këtij vlerësimi ndërkaq i ka dhënë shkrimtari brilant, ndoshta më i madhi i letërsisë moderne në hapësirën austriake, Stefan Cvajg, i cili prejardhjes jugore i ka mëshuar fortë: “… jugor, jugor i pashërueshëm, ai sjell gjithmonë me vete, për të mos ngrirë, diellin e atdheut të tij (…) qenie salamandrike, e cila ndihet mirë vetëm në nxehtësi (…) me tonin grykor të vetëm e megjithatë dridhës. (127)
Rrjedhën e teksteve të kësaj teme mund të themi e përmbyllë më së mirë një rrëfim i jashtëzakonshëm i shkrimtarit Franc Molnar, brenda të cilit përbashkohen të gjitha vlerësimet, të gjitha nderimet dhe të gjitha referencat për artin e tij, për zërin e tij, për prejardhjen e tij, për shtegtimin e tij, për të gjitha dhuntitë e tij dhe për të gjitha përpjekjet e tij: “Kur mendoj se si zogjtë shtegtarë në Itali përdorin trenat për shtegtimin e tyre, -shkruan Molnari, – mendja më shkon te Moisiu (191), “i cili me temperamentin e ngrohtë të tingujve këndues, me poezinë e ëmbël, të shkujdesur të Jugut, shtegton në drejtim të Jugut – i cili bartë seriozitetin, gjakftohtësinë dhe disiplinën e veriut drejt Jugut – përherë në shtegtim, përherë në tren, përherë rrugëve (…) Zogu shtegtar, më i dashuri, më fisniku i historisë së teatrit të kohës sonë”, – përfundon Molnar.(187)
Hijeshia e tij
Ashtu si me zërin dhe lëvizjet dramatike të tij, Aleksandër Moisiu, në jetën kulturore dhe sidomos teatrore, është shquar edhe për hijeshinë e tij, prandaj nuk është e rastit që ai u veçua disa herë edhe në këtë rrash kulturor, material e shpirtëror, në të vërtetë në rrafshin etik dhe estetik, të cilat në tekstet e bashkëkohësve të tij pothuajse nuk ndahen.
Do të fillonim këtu me shembullin e vlerësimit të shkrimtarit Feliks Zalten, i cili në artikullin e tij theksonte me përkushtim disa përbërës të artit të tij, të cilin, sipas tij, e përbënin: “hijeshia e frymëzuar dhe gojëtaria dramatike bindëse”. (…) Për autorin e këtij teksti këto veçori materiale e shpirtërore janë “karakteristika italiane” (44), gjë që nuk përjashtohen, sado më parë se sa vetëm italiane, ato janë veçori mesdhetare, prandaj edhe shqiptare. Zalten shkon edhe më tej, duke i dhënë kësaj fytyre një dimension edhe më universal “…është fytyra e një artisti të madh, i cili nuhatë gjithçka njerëzore”,(41) përfundonte ai.
Këtë karakteristikë estetike, të pandarë nga vlerat etike dhe njerëzore e ka vënë re dhe e ka diskutuar në esenë e tij brilante Gertrud Eysoldt, me titull simbolik Përshëndetje shtegtimi. “… Unë e shoh Moisiun si shtegtarin e ri, si atë që kërkon Zotin, (…) i cili ngrihet në krijim (105); Në këtë pëlhurë të gëzimit pranveror në kujtim të Moisiut para se gjithash përshëndet hijeshia e tij, hiri i lëvizjes së tij, melodia e zërit të tij. Ai është një tingull i vogël, i cili i përkëdhel lulet…” (105). Pamja e tij plotë dritë dhe me rrezatim kontinental e qytetërues shfaqet edhe në vlerësimin e kritikut Herman Bar, i cili në tekstin e tij veç tjerash thekson faktin se “figura e tij e shndritshme kujdeset që në Perëndim të mos shuhet koncepti i hijeshisë”(111); ndërsa Stefan Cvajg, tek Mosiu shihte një “shkëndijë drite në syrin e errët, hijeshi në çdo gjest të trupit melodioz, gjithnjë ende i ri për shkak të zjarrit komunikues”(127) etj.
Majat e një vlerësimi të rrallë, e një përshkrimi personal, si rrallë dikur tjetër, i përshkruan Franc Serves, tek thekson anë të fizikut të tij “sy”, “duar”, “gojë”, “rrudha”, të cilat “duken”, “veprojnë”, “flasin”, “ankohen”, “vajtojnë” dhe madje ndjehen “epshore”, “bekojnë”, “dashurojnë” etj. Tek ai unë shoh, shkruan Franc Server “sytë e mëdhenj, ankues, të entusiasmuar të një apostulli, rrudhat e thella vajtuese rreth gojës së hajthme, megjithëse kaq epshore e të plota (…) duart prej asketi (…) që flasin gjuhën e dashurisë”. (171)
Rolet e tij
Nëse kritikat e hershme dhe vlerësimet e mëvonshme për zërin, gjuhën, tingullin dhe madje lëvizjet skenike ishin përbërës fragmentarë të kritikës a respektit për artin e Aleksandër Moisiut, vlerësimet për rolet e tij janë koherente dhe shkojnë drejt majës. Për më tej ato janë tekste që paraqesin majat e arritjeve të Moisiut në skenat e teatrit tani jo vetëm austro-gjerman po edhe europian.
Le të theksojmë këtu referencat përfaqësuese të shkrimtarit Feliks Zalten, me të cilat e përshkruante pamjen e tij artistike, lojën e tij teatrore, nxjerrjen e tij të afshit shpirtëror, shpirtësisë së tij, emocionet e tij, transformimin e tij artistik, në raport me personazhin dhe publikun: “ecjen e tij, qëndrimin i tij, gjestet e tij…”(33); “…pasurinë e dhuntinë…”(33), në kërkim të shkëlqimit të tij, të bukurisë së tij, përmes të cilave Aleksandër Moisiu “…zbuloi shpirtin e Fedijas deri në fshehtësinë e tij të fundit” (37); përmes të cilave ai interpretoi Hamletin “kaq thjesht e kaq njerëzisht” (39); për të përfunduar me një mesazh sa personal e individual aq edhe social e njerëzor, sa individual e kolektiv aq edhe aktual e historik, sa etik e estetik, aq edhe human e reflektues: “Qenia e Moisiut bashkon proletaren me mbretëroren. Ai mund të jetë në skenë, me të njëjtën besueshmëri mposhtëse: Princin e Danimarkës dhe lypësin më të varfër. (41)
Po kaq të madhërishme estetikisht dhe artistikisht janë kryerolet e Aleksandër Moisiut te “Fedja” e Tolstoit dhe “Hamleti” i Shekspirit në syrin e Maksimilian Hardenit, i cili për rolin te “Fedja” e Tolstoit konsideronte se ishte “roli i të gjitha roleve”.(53), ndërsa për Hamletin konsideronte se e pati shndërruar në “greatest attraction” të Berlinit (47). Në të dy rastet ai shihte një “interpretim të karakterit” (53), në të cilët prej pamjes së fotografive të dala nga skenat e kohës nuk është vështirë të lexohet jo vetëm karakteri po edhe shembëllesa artistike e hijeshisë së dhuruar nga natyra dhe karakterit shpirtëror të trashëguar nga kultura tipike etnike. E vërteta, vështirë të gjendej një popull a një shoqëri e kohës, e cila po i krijonte institucionet shtetërore mbretërore me kaq shumë dilema, me kaq shumë tradhti të brendshme e të jashtme, familjare e shoqërore, sa shoqëria shqiptare e kohës, e cila po përpiqej të dilte nga sistemi feudal e oriental në sistemin kapitalist e oksidental.
Të kësaj natyre është eseja brilante me autorë Vilhelm Shmidboni, Zëri i Moisiut, në të cilën veç tjerash thuhet se: “Roli i Hektorit te “Zemërimi i Akilit”(79), si dhe dorëzimi i Georg Kajzerit para kërkesës së botuesit, në kujtesën e Aleksandër Moisiu vazhdonte të jetojë vetëm si Fedja e tij.(135)
Përtej kujtesës dhe vlerësimit e nderimit, në një tekst shumë përkushtues vlerësimet e saj i ka përshkruar e bija e shkrimtarit të madh rus, Lev Tolstoit, Tatjana Tolstoi, e cila Aleksandër Moisiun e kishte njohur gjatë kohës që ai po jepte shfaqje në Rusi, duke e shprehur atje talentin me të gjitha elementet që formojnë një artist të madh. Edhe pa zërin e tij, thekson e bija e shkrimtarit të madh, “vetëm shpirti dhe talenti i tij do të na dhuronin momente të mëdha frymëzimi”(139). Duke shkruar për perfeksionimin e artit të tij, ajo e konsideron atë të një “niveli pothuajse të paprecedent” (139); me theks të veçantë rolin e Fedieas. Ai ka dëshmuar si asnjë tjetër, përfundon shkrimtarja e pasardhësit të Tolstoit, se ”arti i vërtetë është universal”(139).
Le të thuhet këtu se me lojën e tij, me zërin e tij, në të vërtetë me artin e tij, Aleksandër Moisiu i ka bërë të popullarizuara edhe veprat e Tolstoit, të Shekspirit e dramaturgëve të tjerë, sado të njohur të kenë qenë disa prej tyre dhe sado historikisht të kenë qenë të lavdishëm disa të tjerë dhe do t’i bëjë historikisht të qëndrueshëm disa të tjerë, sado veprave të tyre kritika letrare nuk jua ka dhënë vendin e merituar në letërsitë kombëtare dhe në teatrin europian.
I preferuari i Berlinit
Në jetën e një krijuese, të një individi, artisti, politikanë, apo tregtari, shpesh identifikohen disa përbërës të caktuar, të lidhur ngushtë me arritjet e tij personifikuese, krijuese apo drejtuese, por jo edhe të shtrira në një hapësirë më të gjerë. Aleksandër Moisiu me jetën dhe me veprën e ka shtrirë identifikimin e tij në përmasa krijuese, nacionale, rajonale, kombëtare dhe madje universale. Është e kuptueshme prandaj pse me punën e tij ai është bërë në mënyrë të veçantë sinonim jo vetëm i teatrit gjerman po edhe i një qyteti, sikur ishte Berlini, e Berlini ishte sinonim i qyteteve të jashtëzakonshme me vlera nacionale, ekonomike, politike, industriale, universale, kulturore e shkencore, në botëkuptimin e ndjenjave gjermane dhe referencë e të gjitha këtyre në jetën europiane e botërore.
Të tillë e pati konceptuar me kohë edhe Maksimilian Hardeni, kur shkroi se teatri, arti dhe ndikimi i tij në botën gjermane atë “…do ta shndërronte në “greatest attraction” të Berlinit..(47), ndërsa Oberoni i “Ëndrrës së një nate vere”, që ëndërron në mënyrë romantike “u bë i preferuari i Berlinit, i cili rrezatoi mbi tërë rininë, që endej rreth e rrotull, shkëlqeu shumë vokalisht.(51) I tillë, i magjishëm skajshmërisht, rrezatues deri në brendinë e zemrës dhe reflektues deri në thellësinë e shpirtit, e tundues në të gjitha shtresat njerëzore, Moisiu, shpërfaqet edhe në përshkrimet e detajuara të Franc Verfelit: “Figurat dhe përmbajtjen e komedisë i kemi harruar prej kohësh”, do të thotë ai, ndonëse veprat e mëdha, klasike, personazhet e të cilave i interpretonte Moisiu, ishin posaçërisht të mëdha dhe nuk harrohen lehtë as sot, por, vazhdon Verfelit, “nuk kam harruar çastin kur një i ri i dobët ecën i veshur me tyrbe dhe me çitjane turke ngadalë mbi “Shtegun e luleve” dhe shkujdesur ulet këmbëkryq në paraskenë”. Dhe kush ishte ai i ri, i dobët, me zë të artikuluar, me pamje të magjishme, ndikues, rrezatues e tundues. Verfeli e përcakton, saktësisht dhe pa nuanca etnike apo rajonale: “Një i ri, birë tregtari – zotëria Aleksandër Moisiu. (65).
Një veçori posaçërisht të rëndësishme berlineze, të cilën nuk e gjemë jo vetëm në këtë vepër, po as në shtypin ditor të kohës, do ta theksoj në tekstin e tij Eric Engëli, kur shkruan se Aleksandër Moisiu ishte një tridhjetëvjeçar atëherë kur u bë “aktori më i shumëpërmendur i Berlinit” të kohës së tij dhe për më tej “aktori më i mirëpaguar (…) autori që mori lule nga ato bija nënash, që adhuronin Jozef Kaincin”(95). Në një mënyrë apo një tjetër Aleksandër Moisu u bë pasardhës i denjë popullor i artistit të madh gjermano-hungarez Josef Gottfried Ignaz Kainz (1858 –1910), me emrin e të cilit Teatri Gjerman pati rilindjen e tij moderne.
Nëse kritikët e teatrit dhe shkrimtarët, si Maksmilian Harden e Franc Verfel, magjinë dhe “greatest attraction”-in e Aleksandër Moisiut e shihnin në raport me qytetin e Berlinit, shkrimtari Gerhart Hauptmann dhe artisti Fedor Shaljapin, atë e shohin në një dimension tjetër, shumë më të hapur, shumë më të madh Gjermaninë. I pari, Gerhart Hauptmann, ridimension atë në raport me aktorët e mëdhenj të Gjermanisë, tek të cilët veçantinë e Moisiut e dallon çartë, si dhe “bazohet te talenti i tij” (97); ndërsa artisti e miku i tij, këtë vlerë e ndërton mbi një rastësi, që në të vërtetë ishte një rastësi e dëshiruar jo vetëm tek ai po te gjithë artistët e brezit të tij, prandaj mund të shihet e të rindimensionohet si një akt dramatik i kohës, në shumë raste dhe në shumë rrafshe: “Në Teatrin Popullor Gjerman, shoh mikun tim në veprën “Konti…”. Ai luante personazhin kryesor. (…) dola krejt i magjepsur nga shfaqja dhe i shastisur nga forca, e cila shpërthente nga trupi thuajse i ëmbël dhe i brishtë. “Bravo, bravissimo, Moissi”! (163)
Shkëlqimi i tij
Janë shumë momente, shumë fragmente dhe shumë dimensione vlerësimi e nderimi për Aleksandër Moisiun në shtypin e kohës. Sigurisht, vlerësime dhe nderime për artistë e krijues të mëdhenj të kohës (shkrimtarin Stefan Cvajg, shkencëtarin Albert Ajnshtajn, gjuhëtarin Sosyri etj.), mund të gjenden gjithashtu, por nuk e besoj që për secilin prej tyre mund të gjenden cilësi të tilla brilante, të cilat janë gjendur për Aleksandër Moisiun, sinonime shumështresore për secilin prej tyre, të cilat janë gjetur për Moisiun dhe krahasime personale në raport me botën, të cilat janë gjetur për Moisiun. Në radhë të parë kemi parasysh sintezën e brendshme, në raport me të tjerë; tipologjinë antologjike brenda artit të tij dhe në raport me institucionet ku punoi; si dhe dhuntinë e tij prej artisti në raport me publikun. I nxitur nga këto arritje të Moisiut, në vlerësimin e tij Feliks Holender, do të shkruaj: “…në figurat e larmishme shfaqen dy dekada të Teatrit Gjerman – të cilëve ky Moisi nëpërmjet hijeshisë së qenies së tij – magjisë së personalitetit të tij – hirit të papërshkrueshëm të lëvizjeve, – nëpërmjet të tingullit të zërit të tij, i dha veçantinë karakteristike”.(59); Ne kujtojmë, shkruan Holender, se si nga një interpretues i vogël, i brishtë episodesh, u shndërrua në një aktor të çmueshëm, i cili përballoi mbrëmje të panumërta dhe publikun e tij e rrëmbeu më vete. Kujtojmë, përfundon Holender, tani duke ju dhënë karakterin historik sukseseve të Aleksandër Moisiut, se “periudha e shkëlqimit të Rajnhardit nuk përfytyrohet pa Aleksandër Moisiun”. (59)
Nëse Feliks Holender artit të Aleksandër Moisiut i dha karakterin historik të zhvillimeve të kohës, autori tjetër Maksimilian Harden, i dha një dimension tjetër, të cilin nuk më ka rënë rasa ta lexoj për një artist, për të mos thënë edhe nëse e kemi lexuar kjo ka pasur të bëj me ndonjë këngëtar opere a muzike të lehtë. Holender, në cilësimin e tij për artikulimin e teksteve a vargjeve të dramave klasike, do të shënoj majat e vlerësimit të tij për Moisiun, duke thënë: “Ai i këndonte ato vargje vërtetë si psalme”(47); ato ledhatojnë zemrat dhe ndjenjat e dëgjuesve dhe shikuesve “…nga ky këngëtar i vuajtjes që sheh trishtueshëm”. (47) Një dimension pak a shumë të ngjashëm, qiellor deri në përmasa të shejtënisë, vetëm tash jo të zërit të tij po të vetjes së tij, të një engjëlli, të një misionari, Moisiut i jep kritiku Rikard Ber – Hofman, kur thekson se “…mbi kokat e figurave të tij shushurinë ajo dija e madhe: “unë jam një mysafir mbi tokë”. (109)
Një anë tjetër të pamjes së brendshme të tij e jep Franc Verfel, kur shkruan se “ai nuk është vetëm zëri i shpirtit dhe syri i shpirtit (…) është shndërruar në stil për qindra imitues”. (65) Gjithashtu edhe Eric Engëli, nxjerr tipare paravajtëse të regjisorit të tij dhe pasvajtëse, të tij: “Aleksandër Moisiu (…) u zbulua nga Mak Rajnhardi, (…) që në fillim u pranua me rezervë (…) tani është i pari, ai është tani bartësi i stolive më të çmuara, i cili është i aftë t’u jap aktorëve më të mëdhenj artin poetik dramatik (…) kordat e tij të plota tingëllojnë ende të plota (…) nga figurat e mëdha, të cilat janë bartëse të një mendimi të madh etik dhe zëdhënëse të një botëkuptimi. (95) (…) një gjeni! (95)
I kësaj natyre, personale dhe universale njëkohësisht, Moisiu shfaqet edhe nga regjisori i madh C. Stanisllavski, në përkushtimin e të cilit qëndrojnë kaq komplementare përkushtimet e tij: miku im/ artisti i botës, pra “Mikut tim të shtrenjtë Aleksandër Moisiut! Njerëzit e mëdhenj dhe artistët si ti i përkasin të gjithë botës. Ja pse unë ju konsideroj si mikun tonë të dashur dhe artistin e teatrit artistik të Moskës”, – shkruan ai.(161)
Do të doja që këtë vlerësim të cilësive më të larta të tij ta përmbylli me disa përbërës të kësaj natyre nga Klabund dhe Konti Rikard N. Coudenhove – Kalergi. I pari, për përmbledhjen kaq të pasur të veçorive të tij fizike, etike e estetike: gjuhën, zërin, trupin, tingullin, artin dhe rrezatimin e tij brenda kulturës gjermane dhe asaj ndërkombëtare. Në tekstin e tij kritiku Klabund, sjell me finesë të gjitha anët e jetës së tij të shtrira në horizontin kombëtar e ndërkombëtar dhe në rrafshin nacional gjerman, si referencë ndërkombëtare, si dhe universal, si përfaqësues i vlerave artistike. “Muzika është brenda tij, -shkruan Klabund. – Gjuha e tij këndon, në sytë e tij ajo zukatë, trupi i tij tingëllon. (131); (…)Ai është një këngëtar. Këngëtari më magjepsës i gjuhës gjermane. Dhe meqenëse muzika flet një gjuhë ndërkombëtare: kështu nuk është asnjë çudi që Moisiu është bërë aktori gjerman më ndërkombëtar dhe pra në botë aktori gjerman më popullor. (131). Një anë tjetër të medaljes artistike të Aleksandër Moisiut e ka sjellë Konti Rikard N. Coudenhove – Kalergi. Jo pse të tjerët nuk e kanë theksuar, po sepse është vënë zakonisht theksi në përbërësit e brendshëm nacional dhe si të themi fryma etnike e prejardhjes së tij, vlerat artistike që ka mundur të sillen nga bota, nuk janë vënë re. Pra, jo me sjelljen e një fryme politike a nacionali, po me sjelljen e një fryme të re ungjillore, në këtë rast, shkruan Konti Rikard, arti i ka dhënë Aleksandër Moisiut një mision fisnik prej artisti: “për të qenë prift i njerëzimit. Moisiu këtë e ka përmbush si krijues gjenial dhe si lajmëtar i Ungjillit të Tolstoit”. (182)
Moisiu i kujtimeve
Vëllimi me titull “Moisiu – njeriu dhe artisti me fjalë dhe foto” (mbledhur nga Hans Bërmi), botuar nga shtëpia botuese “Herusgegeben von hans Böhn” (1927), në shtypin e mëvonshëm, shpesh pa ndonjë arsye e saktësie, më parë se me ndonjë përcaktim tjetër, është quajtur vëllim kujtimesh, e në të vërtetë nuk është i tillë në thelbin e tij, prandaj më parë se botim kujtimesh mund të quhet vepër nderimi e vlerësimi për Aleksandër Moisiun, për faktin se përmbledhja e Hans Bërmit është bërë jo pas largimit të tij prej skenës po në kulmin e sukseseve të tij. E megjithatë, shumë prej teksteve kanë në përbërje të tyre edhe kujtime e përmbyllje të tyre si një masazh vlerësimi e kujtimi. E para, për shkak se ato janë pjesë e vlerësimit të së kaluarës autoriale dhe e dyta, për arsye se shumë prej autorëve të teksteve e kishin përfunduar angazhimin e tyre prej artistësh, kritikësh, shkrimtarësh e personalitetesh të autoritetshëm, në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX.
Në këtë rrjedhë tekstesh, me vlerësime, nderime, e kujtime kritikët e teatrit, shkrimtarët, artistët, kulturologët, regjisorët e teatrit, profesorët e miqtë e Alaksandër Moisiut: Hans Bëmi, Osip Dymov, Elisabet Bergner, Stanisllavski, H. K. Ailif, Louis de Vries, Herbert Ojlenberg, Ernst Lubiç etj., brenda artikujve të tyre kanë sjellë kujtime nga më të ndryshmet, duke filluar me ato të karakterit historik, ndërlidhura me teatrin dhe kritikën, deri tek ato me raportet personale të tyre.
E tillë është sinteza gjithëpërfshirëse për një periudhë gati çerekshekullore e kritikut Hans Bëm, i cili sjell një pasqyrë mjaft të pasur të teksteve për aktivitetet e Moisiut nga shtypi i Pragës (1902) dhe Vjenës, për kritikat e Franc Morit, Artur Erlëserit, Albert Lajtihut, Jakob Minorit, Julius Bauerit, Alfred Klarit, Rikard Nordhauzenit, Eric Engelit etj. Kritiku Hans Bëmi, përmes artikujve të kohës dëshmon se sa i vështirë ishte fillimi i angazhimit të tij prej artisti, se sa të ashpra ishin kritikat asgjësuese etj. Kujton në këtë rrjedhë vitin 1902, kur aktori Aleksandër Mosiu gjendej në Pragë dhe prej tri vjetësh ende nuk e zotëronte gjuhën në atë përmasë sa të aktronte për publikun gjerman (81); e megjithatë regjisorët e teatrit si Zalten, besonin se “Moisiu ndoshta do të bëhet një artist i madh…” (83); për të përfunduar me faktin shumë bindës se “Kur Moisiu sot jep shfaqje në turne në provincë, raporti i financave rritet në shifra fantastike dhe drejtori nuk dëshiron të ndërrojë me asnjë mënyrë kolegë berlinez”.(85)
Në rrjedhë të kujtimeve artisti Elisabet Bergner, do të sjell një ese me theks takimin e tij të parë me Aleksandër Moisiun në vitin 1917/1918 në Curih. “Kjo mbrëmje ka qenë vendimtare dhe drejtimdhënëse për zhvillimin tim artistik, – shkruan në esenë e tij Bergner, – prandaj e falënderoj atë me dashuri”.(159). Në rastin e parë Bergner risjellë ndikimin e tij prej artisti; ndërsa në rastin e dytë, artisti Ernst Lubiç, sjell një ndikim të tij në raport me mishërimin kulturor të tij me personalitetin me shumë ndikimin në botën kulturore të kohës: “Krah për krah bashkuar me ty… (133); Zoti Moisi, më lejoni t’ju përqafoj, me qëllim që njerëzit të mendojnë se edhe unë jam dikushi”.(133). Le të theksojmë këtu se raporte të tilla atë botë dhe sot nuk është vështirë të gjenden ndër qytetarët, tregtarët dhe sidomos politikanët, por është vështirë të gjenden sinonime të tilla ndër artistë të teatrit.
Nuk është i rastit prandaj edhe kujtimi dhe vlerësimi artistit H. K. Ailif, i ndërlidhur tash jo në raportin individual po artistik: “Ushqej kujtime shumë të ngrohta të shoqërisë sime me të gjithë produksionit të “Hamletit” me veshje bashkëkohore në Vjenë…. Trajtimi prej tij i rolit të madh ishte mrekulli.” (183) Sintezën më të ngjeshur të kësaj teme mbase më së miri e ka bërë artisti e kritiku i shquar holandez Louis de Vries, jo vetëm për këtë vëllim po edhe për shumë vëllime artistësh të zgjedhur dhe vlerësime brezash në tekstet e tyre. “Kaq shumë e kanë përshkruar tashmë artin e Moisiut, e kanë analizuar dhe e kanë lavdëruar, saqë unë nuk mund të them më asgjë që nuk ju është thënë prej të tjerëve. (…) Unë kam kontribuar shumë që ta bëj të njohur në Holandë artistin universal të tij. Gëzohem për këtë. Kështu Mosiu nuk do ta harroj Holandën dhe nderin që iu ofrua atij nga vendi im”.(189)
Aleksandër Moisiu: Tri ese dhe tri periudha të saj
Brenda këtij vëllimi janë përfshirë tri tekste të tij: një kujtim a një dëshmi i periudhës së parë Debutimi im në Teatrin Kombëtar Austriak(71-75); një ese Një vajzë (119-121) dhe trajtesa kushtuar Maks Rajnhardit A gënjen aktori? Në shikim të parë ato janë tekste të vendosura ad hoc dhe pa ndonjë kriter. Madje i treti, sikur është marrë nga dorëshkrimi i papërfunduar. Si të tilla dalin edhe për faktin se ato nuk janë vendosur në një vend, kudo qofshin: në fillim, në mes apo në përmbyllje të vëllimit. Por, pasi të lexohen tekstet, nuk është vështirë të shihet se ato janë përzgjedhur me një qëllim të caktuar dhe përfaqësojnë zërin e Aleksandër Moisiut, ëndrrat dhe synimet e tij, zërin e tij, pikëpamjet e tij dhe konceptet estetike të tij për letërsinë, artin dhe teatrin.
Teksti i parë Debutimi im në Teatrin Kombëtar Austriak, sjell përvojën e tij, rrugëtimin e tij, kalimin nëpër “teh të shpatës”, do të thoshin disa, apo përmes “Urës së Xhehenemit”, do të thoshin të tjerë. I shkruar me shumë thjeshtësi, me shumë vërtetësi, nga zemra, me objektivitet dhe dëlirësia, teksti i tij i përshkruar edhe me saktësi të rrallë, bëhet dëshmi e asaj historie të vërtetë të jetës së tij, rrugëtimit të tij, thyerjeve të tij, këmbëngultësisë së tij, bëhet dëshmi edhe e asaj që kanë dëshmuar të tjerët për Aleksandër Moisiun.
Në radhë të parë, përgatitësi i këtij vëllimi Hans Bëmi, ka vendosur një tekst, i cili thotë shumë jo vetëm për këtë vëllim po edhe për botimet tjera dhe sidomos për hulumtuesit e e sotshëm e të ardhshëm të trashëgimisë së tij, në të cilin thuhet:
“Jo shumë e dinë se Moisiu në kohë të lirë është marrë edhe me atë që të hedhë në letër këtë apo atë gjë nga kujtimet e tij apo ecuritë e mendimeve, që e nxitnin atë të skiconte. Portreti i artistit, i cili do të skicohet në këtë libër, nuk do të ishte i plotë, nëse këtu nuk do të gjenin vend dhe disa nga këto shkrime të shkurtra, të thjeshta”. Teksti hyrës dëshmon për një veçori jetësore, për një prirje të përditshme, për një sens të tij, për kulturën e të shkruarit, një informacion, të cilën nuk kemi shumë të njohur, sepse po ta kishim të njohur sigurisht do të kishim edhe shumë skica të tjera të Moisiut për jetën dhe përditshmërinë etj.
Teksti i dytë Një vajzë, një ese brilante, një tregim dhe një rrëfim personal, një perceptim shpirtëror e human i artit. Rrëfimi fillon si një ese dhe si një situatë e zakonshme personale. Le të provojmë që atë tekst ta
Akti i parë:“Pranë meje një vajzë. Shikimi im anash jashtëzakonisht më i shpeshtë me gjithë errësirën mund të vinte re: fytyrën shumë tërheqëse, bjonde e errët. (…) jam i magjepsur në mënyrë të papërshkrueshme nga fqinja ime, dhe kam frikë… me faqe të rrufitura, më shumë se sa i thjeshtë në veshje, jo i gjatë, jo i bukur… si mund të shpresoja…”(119).
Akti i dytë: “Pushimi i madh. Më kot lutja ime të shkonim të shëtisnim pak. Bëhem më këmbëngulës. Ajo më falënderon me vështrim të pashpjegueshëm të druajtur, qëndron e ulur. (…) (119)
Akti i tretë: “Megjithatë, sa bukur do të ishte…” – “Nuk besoj se ju do të ecni me mua” – përgjigjet ajo në mënyrë enigmatike. (119)
Akti i katërt: (…) Unë i marr nga dora kuponin e gardërobës. (…) Sjell mantelin e saj, qëndroj duke pritur me pallton e saj atje dhe ia ngul sytë derës. Dhe pres. Më në fund… një vajzë që çalon me mundim drejt meje (…) nuk mund ta fshihja tmerrin tim, belbëzoj diçka si mirupafshim…(121)
Epilog: Ka kaluar pothuajse një jetë njeriu qysh prej asaj mbrëmjeje. Sa e sa pije më janë ofruar qysh atëherë. Të ëmbla, të tharta, të hidhura… Këtë qenie të mjerë e kam kërkuar gjithë këto vite, si një i syrgjynosur në errësirë që e kërkon dritën, kam kërkuar me sy dhe me zemër. Nuk e takova kurrë sërish më. (…) Sot, pas njëzetepesë vjetësh, unë i them asaj “Më falni” – dhe i puth fajtor duart… (121)
Pa dashur të merrem me transformimin e këtij teksti nga një rrëfim që për kohën kur është shkruar të kujton modelin e prozave të Stefan Cvajgut, dua të kujtoj këtu një prozë po kaq me ndikim me sfond të tillë, atë të Azem Shkrelit, me titull Sytë e Evës (1975), një nga prozat më emblematike të letërsisë shqipe. Nuk mund të thuhet nëse Azem Shkreli e ka njohur më parë këtë tekst apo jo, por mund të themi se është e njëjtë dhe vetëm një transformim emri e vendi.
Teksti i tretë i Aleksandër Moisiut A gënjen aktori?, plotëson jo vetëm dy tekstet e para të tij, po është përgjigje dhe përplotësim i shumë dëshmive dhe vlerësimeve të bashkëkohësve të tij në këtë botim të veçantë. La të shohim vetëm disa përgjigje të tij. E para, një dëshmi tepër personale, të cilin ai e quan monolog: “në shumë vjet të punës sime unë nuk e kam mësuar shtirjen… nuk kam mësuar të bëj sikur të isha dikush tjetër”; e dyta, një përvojë jo vetëm e dhuntisë së tij po edhe një përkushtim i tij ndaj artit, atij arti që kërkon kokrrën e madhe të djersës. “Brenda njeriut (personazhit/personalitetit, – v. b.b.) të një drame nuk rreh zemra ime, atje nuk rreh frymon mushkëria ime, atje nuk jeton gëzimi im, vuajtja ime – shikimi im, marrëzia ime, atje unë nuk njoh bërthamën e qenies sime, kështu duhet të ushtroj përmbajtjen – dhe vazhdoj të kërkoj njeriun, që unë mund të jem dhe nuk duhet të dukem”. (191); dhe e treta, ajo për të cilën flasin të gjithë, kritikët, artistët, regjisorët, shkrimtarët dhe madje shikuesit e teatrit përforcohet e tumiret pikërisht në këtë tekst: “Gjuha, zëri, gjesti nuk duan vetëm të jenë të frymëzuar, ata duan të jenë të zotëruar, të fisnikëruar, të jenë të shkëputur nga rastësia e jetës së përditshme(193). A nuk janë pikërisht këta përbërës, gjuha, zëri, gjestet, ato të cilat i theksuam më lartë duke diskutuar mendimin, kritiken, vlerësimet, diskutimet dhe kujtimet për Aleksandër Moisiun.
Përmbyllje
Vëllimi “Moisiu – njeriu dhe artisti me fjalë dhe foto” (mbledhur nga Hans Bërmi), nuk është as projekti i parë as i fundit, e megjithatë është një projekt i një natyre të rrallë, për faktin se ai nuk është thjesht një përmbledhje e artikujve të zgjedhur, po një vëllim i autorëve të përzgjedhur dhe përtej saj e teksteve të porositura.
Më parë se sa një vëllim i zakonshëm, një antologji, një korpus mendimesh, tekstesh pa paratekst, ky botim mund të quhet zë i veçantë i të ftuarve në një seancë diskutimi, kujtimi e vlerësimi për një periudhë, në të vërtetë për periudhën e parë të angazhimeve të tij në jetën teatrore, dalë nga syri dhe mendja e tyre. Janë autorë të një kohe, të dy shekujve, e të gjithë hapësirës europiane e më gjerë: shkrimtarë europianë, regjisorë që kanë lënë gjurmë të shënuara, artistë me arritje të theksuara, kritikë që nuk kanë falur dobësitë artistike dhe bashkëkohës që e kanë nderuar pafundësisht.
Tekstet e këtij vëllimi nuk pretendojnë të bëjnë një biografi të tij jetësore e megjithatë mund të merren si një biografi artistike, prej të cilëve mund të krijohet një monument i jetës dhe veprës së tij, një biografi me të dhëna konkrete, në të vërtetë, një biografi e mozaikut të bashkëkohësve të tij, të cilat, kritikët, regjisorët, artistët dhe shkrimtarët, me shumë kompetencë e kanë artikuluar, ndërsa Aleksandër Moisiu i ka vulosur me tekstet e tij.
Prishtinë, më 9 shkurt 2025
[1] Ne e kemi konsultuar për referencë tonën botimin dygjuhës gjermanisht-shqip: “Moisiu – njeriu dhe artisti me fjalë e foto” (Mbledhur nga Hans Bëmi), përktheu nga origjinali gjermanisht: dr. Elda Gjani, botoi Argeta – LMG, Tiranë, 2019, ff. 204. Ky botim shoqërohet edhe nga Parathënia e presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Alfred Moisiu 92022-2007), me titull “Për Aleksandër Moisiun, njeriun dhe artistin”, (gjermanisht-shqip), f. 18-23, të cilën nuk e kemi objekt diskutimi brenda këtij teksti, si dhe me dy fotografi në fund të vëllimit (201 dhe 203).
[2] Le të thuhet gjithashtu se në këtë seri vëllimi i parë i kushtohej Aleksandër Moisiut, ndërsa vëllimi i dytë mbante titullin “Dimri i Teatrit Berlinez”. Vëllimi ka edhe një shënim për vëmendje: “250 ekzemplarë nga ky libër u lidhën me kapak me shpinë lëkure, të pajisur me numër serie dhe të nënshkruar me dorë nga Aleksandër Moisiu”.
[3] Sikur shkrimtari Stefan Cvajg, ta shkruante një portret-monografi letrare për Aleksandër Moisiun, sikur i ka shkruar për klasikët e letërsisë dhe të filozofisë: detarin më të lavdishëm të të gjitha kohërave, Magelanin; intelektualin e psikologun e shquar të Europës, Erazmon e Roterdamit; filozofin e madh gjerman të shekulli XIX, Fridrih Niçen; shkrimtarin e madh rus Lev Tolstoin; burrështetasin dhe revolucionarin e padëshirueshëm francez Zhozef Fushe; shkrimtarin e papërsëritshëm Fjodor M. Dostojvskin etj., portreti i Aleksandër Moisiut do të merrte sigurisht një karakter më të plotë dhe më të ndritshëm në të gjitha dimensionet.
[4] Mendoj se ribotimi i këtij vëllimi do të duhej të përcillej jo vetëm me një Parathënie po edhe me biografi të shkurtëra në fusnotë ose në fund të vëllimit, të autorëve të teksteve.