Kreu Teatër Xhoina Salaj: Një mbrëmje me “Kërkohet një tenor”

Xhoina Salaj: Një mbrëmje me “Kërkohet një tenor”

Pas suksesit në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër, komedia “Kërkohet një tenor” zbarkoi edhe në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e Armand Boras. Shfaqja, një bashkëprodhim mes dy teatrove, solli në Tiranë një humor brilant, që prej shumë dekadash ka shkrirë gazit publikun amerikan.

“Kërkohet një tenor” është krijuar nga dramaturgu amerikan Ken Ludwig, mjeshtër i komedisë bashkëkohore, i njohur për aftësinë e gërshetimit të ritmit të shpejtë, rrethanave absurde dhe personazheve plot jetë. Vepra origjinale u vu në skenë në teatrin “West End” në vitin 1986 dhe më pas në “Broadway” në 1989, duke marrë nëntë kandidatura për Çmimin Tony dhe duke fituar çmimet për aktorin më të mirë dhe regjisorin më të mirë. Suksesi i kësaj komedie nuk është korrur vetëm nga humori, por pa dyshim edhe nga struktura e përkryer e farsës, ku çdo keqkuptim dhe çdo ngatërresë shërben për të zbuluar absurdin dhe thellësinë e natyrës njerëzore.

Ludwig-u ka arritur të krijojë personazhe të pabesueshëm dhe njëkohësisht të prekshëm; komikë në skenë, por që në brendësi ruajnë copëza pasigurie, ambicieje dhe dëshirash njerëzore. Pikërisht ky kombinim e ka bërë veprën të mbijetojë dhe të triumfojë në skena të ndryshme të botës, duke u shndërruar në një klasik bashkëkohor të humorit dhe farsës, i cili edhe sot na fton të qeshim, por edhe të reflektojmë për absurditetin e famës, njohjes dhe perceptimit që kemi për talentin.

Ngjarjet zhvillohen në vitin 1934, në një suitë hoteli ku gjithçka duket thuajse gati dhe e përsosur për një mbrëmje të madhe: tenori i famshëm italian, Tito Mereli, pritet të ngjitet në skenë si Otello. Por, siç ndodh shpesh nëpër komedi, planet shkojnë ters: një sërë keqkuptimesh, aksidentesh dhe pasionesh të ndaluara vënë në rrezik gjithë shfaqjen. Maksi, një djalë i turpshëm që ëndërron të këndojë, papritmas përballet me mundësinë për t’u shndërruar si dikush tjetër, qoftë edhe për një natë të vetme.

Regjia e Boras i jep ritmin e duhur e të shpejtë kësaj vepre klasike, skenografia e Dvini Gushtës dhe kostumet e Laedia Jahdarit krijojnë atmosferën e një komedie elegante, por edhe satirike, ndërsa skenari i përkthyer nga Durim Taçi i qëndron stoik origjinalitetit të veprës duke e ndërthurur fjalën artistike me copëza italiane dhe shqiptare, por edhe me një shije të hollë ironie. Aktorët Helidon Fino, Pjerin Vlashi, Genti Deçka, Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Flaura Kureta, Niada Saliasi dhe Fritz Selmani përmbushin plot energji personazhet komplekse, ku secili është një hallkë e rëndësishme e gjithë farsës.

Si spektatore, mes të qeshurave të pandërprera dhe kaosit ritmik të aktorëve, më mbeti në mend një pyetje, që shkon përtej humorit: çfarë do të thotë të jesh artist dhe si e kupton shoqëria madhështinë e artit tënd? Nuk mund të mos e krahasoj me romanin “Martin Iden”ngaJack London. Edhe atje kemi një protagonist të ndjeshëm si Maksi, i cili ka talent të jashtëzakonshëm në fushën e letërsisë, por fillimisht, askush nuk e merr seriozisht. Ai punon, shkruan dhe krijon gjithë pasion, por vepra e tij mbetet e panjohur, madje shndërrohet në tabelë qitjeje. Kur më në fund arrin të çajë në ajkën e shoqërisë, njerëzit duartrokasin emrin e tij dhe jo mjeshtërinë e veprës. Adhurimi që fiton nuk i takon talentit të vërtetë, por statusit social që shoqëria i njeh pas suksesit.

Njësoj ndodh edhe në “Kërkohet një tenor”. Maksi, portieri i thjeshtë, papritur përballet me mundësinë që të interpretojë një rol madhor: një rrethanë që teston aftësitë e tij, shpirtin artistik, por edhe problemet me policinë. Publiku mahnitet nga shfaqja që ai jep, por entuziazmi nuk lidhet me talentin; ata e duartrokasin sepse mendojnë se rolin e ka interpretuar ylli i famshëm, Tito Mereli. Duartrokitjet, admirimi, ndjenja e madhështisë janë të bazuara tek iluzioni mbi perceptimin e publikut, dhe jo te meritat e vërteta të individit.

Ky krahasim thekson një të vërtetë universale dhe pothuajse tragjike: shpesh shoqëria nuk vlerëson atë që është, por atë që duket. Fama, mirënjohja dhe vlerësimi publik shpesh janë konstruksione që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me aftësinë, talentin apo përkushtimin e artistit. Në këtë kuptim, farsat e Ken Ludwig-ut, përtej humorit, transmodelohen në një pasqyrë të absurditetit njerëzor: ne qeshim me zëvendësimin e portierit dhe tenorit, por njëkohësisht kuptojmë se si emrat dhe perceptimet mbulojnë thelbin e talentit të vërtetë. Një temë që përkon me përjetimet e Martin Idenit dhe me pyetjen universale: sa vlen talenti në një botë ku fama shpesh është më e rëndësishme se vetë vepra?

Në zemër të “Kërkohet një tenor” fshihet një univers i vogël dhe dinamik personazhesh, ku secili hyn në skenë me ngjyrën e vet, duke e bërë komedinë një mozaik të gjallë dhe ku sharmi i farsës lidhet ngushtë me fragmente shumë njerëzore.

* * *

Tito Mereli është tenori i famshëm italian, një figurë e veshur me lavdi, por edhe me plasaritje intime. Ai është njeriu që i jep frymë mitit të yllit të skenës, i paprekshëm për publikun, por krejtësisht i prekshëm në dhomën e hotelit. Mbërritja e tij ndez gjithë zinxhirin e ngjarjeve që pasojnë. Në këtë shfaqje, rolin e tij e sjell me energji dhe finesë Helidon Fino, i cili i jep personazhit një përzierje të veçantë humori dhe tragjikomedie.

Xhoina: Tito Mereli është yll ndërkombëtar dhe pika kyçe e gjithë shfaqjes, por njëkohësisht shumë i pambrojtur dhe kaotik në jetën personale. Si e keni përjetuar këtë kontrast midis madhështisë së operës dhe absurditetit të situatave ku përfshihet Titoja?

Helidoni: Jam përpjekur ta përjetoj dhe realizoj sipas udhëzimeve të autorit, i cili mbivendos ngjarjet aksidentale që ndikojnë në mosrealizimin e të kënduarit të tenorit, që vjen dhe si shkak i pakujdesisë për veten, veseve dhe neglizhencës nga i ashtuquajturi il stupendo. Nuk është paradoks që fati t’i kthejë krahët të madhit, kur ky i fundit injoron marrëveshjet.

Përballë Titos qëndron Maksi, portieri i turpshëm dhe i përulur, një njeri që ëndërron artin, por që është mësuar të qëndrojë në hije. Rrethanat e çojnë përballë një mundësie absurde: të ngjitet në skenë në vend të një tenori të madh. Ky kontrast mes ëndrrës dhe realitetit e bën Maksin figurën më të afërt me publikun. Ai vjen në skenë i interpretuar nga Genti Deçka, i cili arrin ta kthejë këtë figurë të thjeshtë në një personazh plot dinamizëm dhe të dashur për publikun.

Xhoina: Maksi është zemra dhe lezeti i komedisë: një njeri i thjeshtë, i pasigurt, por që papritur merr rolin madhështor. Si e keni përjetuar këtë transformim komik të personazhit? A është një “ëndërr e fshehtë” e çdo artisti që, dashur pa dashur, ndodhet në vendin e tij?

Genti: Patjetër që roli i Maksit është një sfidë e madhe profesionale për çdo aktor, pasi kalon përmes disa transformimeve gjatë gjithë veprës, gjë që e bën shumë sfidues, si teknikisht, ashtu edhe emocionalisht. Çdo artist ëndërron që t’i jepet mundësia për të jetuar një rol të tillë, por duhet që përgatitja të takojë fatin, dhe ky është pikërisht momenti që kap Maksin. I kushtëzuar nga rrethanat, ai gjithsesi ia del mbanë më së miri.

* * *

Ndërkohë, Maria, gruaja pasionante e Titos, mbërrin si stuhia, duke treguar qartë xhelozinë dhe një humor të ndezur që shton tensionin. Përmes saj, farsa merr ngarkesën e një melodrame intime, që shpesh kthehet në burim humori të pakontrolluar. Këtë rol e sjell në skenë Elia Zaharia, e cila e ndërton Marian si një zonjë sensuale, energjike dhe të paqëndrueshme.

Xhoina: Maria është bashkëshortja e fortë, xheloze, karizmatike dhe shumë pasionante. Sa argëtuese ishte të luanit një rol kaq shpërthyes dhe të sillnit këtë energji mesdhetare në skenë?

Elia: Temperamenti i saj, luhatjet e humorit, por edhe stereotipi i bashkëshortes së një legjende, e cila sillet si një diva e vërtetë duke krijuar situata mjaft humoristike, janë të gjitha elemente që më jepej mundësia t’i krijoja për herë të parë në repertorin tim të roleve. Theksi gjithashtu më ka argëtuar dhe i ka dhënë liri dhe identitet tjetër personazhit.

Në krah të Marias qëndron Megi, e dashura e Maksit, një vajzë që endet mes dashurisë për një djalë të thjeshtë dhe tundimit që i ofron shkëlqimi i botës së artit. Me këtë rol, Ilirda Bejleri i jep Megit një dritë të brendshme, duke e shfaqur si naive dhe ëndërrimtare, por edhe si një grua me dëshira të forta.

Xhoina: Megi është vajza e re, ëndërrimtare dhe e magjepsur nga yjet e operas. Si e keni sjellë në skenë këtë naivitet të ëmbël, pa e bërë klishe?

Ilirda: Megi për mua nuk është naive thjesht se ëndërron, por sepse ka guximin të besojë me gjithë shpirt. E kam parë si një dritë të pastër, të sinqertë. Më ka ndihmuar shumë teksti i Ken Ludwig-ut, që të jep hapësirë dhe delikatesë në ndërtimin e personazhit. Kam dashur ta sjell ëmbëlsinë e saj pa e kthyer në klishe, por duke e bazuar te pasioni dhe kurioziteti i saj i pastër.

* * *

Një figurë tjetër kyçe është Henri Sonders, menaxheri i kompanisë operistike. Ai përpiqet me çdo kusht të mbajë në këmbë një shfaqje që kërcënon të shembet, duke shfaqur një lloj ambicieje të shfrenuar, që bëhet sa komike, aq edhe dramatike. Rolin e Sondersit e luan Pjerin Vlashi, i cili i jep personazhit një gravitet të veçantë dhe një ironi të hollë.

Xhoina: Sondersi është menaxheri autoritar, i stresuar dhe i detyruar të mbajë gjithçka nën kontroll. Si ia keni dalë të ndërtoni këtë tension komik, që nga njëra anë është presion i vërtetë dhe nga ana tjetër bën publikun të shkrihet gazit?

Pjerini: Sondersi është një personazh sa autoritar në dukje aq edhe qesharak, nëpërmjet situatave që krijohen. Tragjiken dhe komiken e ndan një fije e hollë. Është detyrë e aktorit që ta ruajë, t’i ndajë dhe t’i përdorë në skenë pa e prishur atë fije, duke qenë i besueshëm në atë që thotë dhe bën, në përputhje dhe me kërkesën e regjisorit.

Xhulia, sopranoja ambicioze që kërkon të përfitojë nga fama e Titos, është një figurë që shfaq etjen e njeriut për famë me çdo kusht. Në skenën shqiptare, ajo merr jetë nga Flaura Kureta, e cila e luan me një energji të mprehtë dhe plot karizëm.

Xhoina: Xhulia është personazhi plot finesë, snobizëm dhe sharm. Si e keni përqafuar këtë karakter high society dhe a keni hasur ndonjëherë Xhulia të vërtetë jashtë skene?

Flaura: Nuk është kusht që aktori t’i hasë në jetë personazhet që interpreton në skenë. Mjeshtëria e aktorit është që me mjetet që disponon, të krijojë një karakter të veçantë, si Xhulia.

Diana, një zonjë e apasionuar pas artit dhe idhujve të skenës, është një personazh i cili shpesh sjell në shfaqje një humor delikat, të kombinuar me një naivitet që zbërthen absurditetin e ngjarjeve. Ky rol i takon Niada Saliasit, e cila i jep Dianës një dimension elegant dhe komik njëkohësisht.

Xhoina: Diana është diva e skenës, që kërkon me çdo kusht famë dhe vëmendje. Si e keni ndërtuar këtë figurë ambicioze, e cila është njëkohësisht qesharake dhe shumë e besueshme në realitetin e sotëm?

Niada: Diana më ka tërhequr shumë, sepse është një personazh që kombinon elegancën me një lloj distance snobiste, por që në thelb është shumë njerëzore. E kam përqafuar duke u mbështetur mbi vëzhgime të vërteta; kam njohur gra që janë pjesë e asaj bote të lartë, të cilat në mënyrën si flasin, si hyjnë në një ambient apo si të shikojnë, mbajnë atë finesë që të lë mbresa. Në njëfarë mënyre, çdo Dianë e vërtetë që kam hasur më ka dhënë elemente të vogla për ta bërë personazhin më të besueshëm në skenë.

Nuk mund të mungojë as portieri i hotelit, një figurë që duket periferike, por që pa e kuptuar bëhet pjesë e gjithë vorbullës komike. Ky rol luhet nga Fritz Selmani, i cili arrin ta kthejë këtë personazh të vogël në një prani të paharrueshme në skenë.

Xhoina: Personazhi juaj ka qenë i zhurmshëm, energjik dhe vendimtar për ritmin e shfaqjes, në ato pak çaste kur dilte në skenë. Si ka qenë të jeni motori komik që ndez publikun sa herë keni qenë përballë tij?

Fritzi: Që në momentin e parë kur kam lexuar veprën, e pashë që personazhet e saj kanë energji dhe ritëm. Në këtë rast, edhe personazhi që luaj unë, pra portieri, është shumë i veçantë edhe për faktin se ndërhyrjet e tij në histori ndodhin në momentin që askush nuk e pret. Siç e thatë edhe ju, ka pak momente, por shpresoj që me ndihmën e regjisorit Armand Bora dhe kolegëve të tjerë, të ketë lënë gjurmë dhe shije të mirë te publiku.

* * *

Nën regjinë e Armand Boras, “Kërkohet një tenor” merr një ritëm të gjallë dhe të saktë, duke u shndërruar në një farsë elegante që nuk bie kurrë në banalitet. Bora arrin të balancojë me mjeshtëri elementet klasike të komedisë me një lehtësi bashkëkohore, duke i dhënë publikut një përvojë që është njëkohësisht argëtuese dhe reflektuese. Vizioni i tij regjisorial i lejon aktorët të shkëlqejnë, duke krijuar një harmoni mes energjisë së trupës dhe strukturës precize të tekstit.

Xhoina: Si ka qenë për ju çelja e sezonit të ri të Teatrit Kombëtar me këtë komedi?

Armandi: Çelja e sezonit është një moment i rëndësishëm për çdo institucion kulturor. Nuk është vetëm çasti kur nisin përpjekjet për të rikthyer interesin e publikut drejt teatrit, por edhe kur i tregohet atij se çfarë do t’i ofrosh këtë sezon. Në këtë kuptim, shfaqja që hap sezonin, e ka këtë ngarkesë të dyfishtë.

Xhoina: Kur zgjodhët “Kërkohet një tenor”, a menduat më shumë për të qeshurat e publikut, apo për mesazhin që fshihet pas kësaj komedie?

Armandi: Teatri i ka të dyja funksionet; atë argëtues, por edhe edukues; një vend nga ku lindin diskutime dhe debate. Kjo komedi, parësor ka funksionin argëtues, por gjatë realizimit të saj, jemi përpjekur të tërheqim vëmendjen edhe te disa mesazhe që lidhen me raportin midis shoqërive elitare me ato periferike.

Xhoina: A ka çaste ku e keni ndier se kjo komedi flet edhe për ne sot, jo vetëm për një provincë imagjinare amerikane?

Armandi: Pikërisht kjo ishte edhe ajo që më përforcoi idenë për të punuar me këtë tekst, pasi personazhet provinciale amerikane kanë pikëtakime me shoqërinë shqiptare, në lidhje me disa komplekse apo stereotipa që janë të ngulitura për tjetrin e huaj, shpesh si më të realizuar apo më të aftë sesa ne. Shpresoj të ketë ardhur te publiku edhe kjo ide.

Xhoina: Ka qenë më sfiduese të ndërtoni kaosin komik apo të mbani ritmin e vazhdueshëm të shfaqjes?

Armandi: Kjo vepër ka një ritëm specifik, që vjen jo vetëm nga teksti i autorit, me shumë skena dhe hyrje-dalje personazhesh, por edhe nga fakti që trajtimi im është i theksuar muzikor. Në shfaqje ka disa numra muzikorë që luajnë rolin e tyre në përcaktimin e ritmit të shfaqjes.

Xhoina: Si e shihni rolin e komedisë në repertorin e Teatrit Kombëtar? A i shërben vetëm argëtimit, apo edhe reflektimit shoqëror?

Armandi: Mendoj se komedia është e pranishme në masën e duhur në repertorin e Teatrit Kombëtar. Krahas komedive, sezoni i kaluar pati disa shfaqje të suksesshme, që kryesisht ishin drama. Gjithashtu, edhe ky sezon që kemi përpara, paralajmëron jo vetëm komedi, por edhe shumë vepra të fuqishme dramaturgjike.

* * *

Një element i rëndësishëm i suksesit të shfaqjes është edhe përkthimi nga Durim Taçi, i cili ka arritur të sjellë në shqip humorin e mprehtë të autorit, duke i ruajtur nuancat e farsës dhe lojërat e fjalëve pa humbur asgjë nga finesa e origjinalit. Përkthimi i tij ndërthur fjalën e pastër shqipe me thërrime italiane e shije ironie, duke krijuar një tekst që rrjedh natyrshëm dhe flet me gjuhën e publikut shqiptar. Kjo e bën të duket sikur vepra është shkruar posaçërisht për skenën tonë.

Xhoina: Përkthimi i një komedie të atillë kërkon të ruash ritmin, tensionin komik dhe nuancat kulturore të autorit amerikan. Si e konceptuat procesin e përkthimit: si një akt teknik, apo si një lloj krijimi artistik që i jep tekstit jetë të re në shqip?

Durimi: Përkthimi i një vepre teatrore shkon përtej një përkthimi letrar, sepse letrarizmi është pikërisht ai që duhet të lësh pas dore. Vepra teatrore ka gjuhë aktive, shpesh flet me nëntekste, nuk ka kohë për përshkrime, se edhe ne kur përshkruajmë diçka në përditshmëri, jemi shumë aktivë në atë që tregojmë, për të mbajtur vëmendjen dhe dëgjimin e tjetrit. Kjo është ajo që mbahet parasysh kur përkthen teatër: gjuhë më e thjeshtë, bisedore, me qëllim për të shkuar diku tjetër. Natyrisht që mbetet një krijim artistik, por këtë herë shumë më aktiv sesa krijimi artistik i një proze narrative.

Xhoina: Humori i amerikanëve shpesh mbështetet te referenca kulturore, lojë fjalësh dhe situata absurde që mund të jenë të huaja për publikun shqiptar. Për më tepër që personazhet shpeshherë kanë edhe bisedime në italisht. Si e gjetët balancën midis besnikërisë ndaj tekstit origjinal dhe kuptueshmërisë për publikun tonë? A ke pasur bashkëpunim me regjisorin apo trupën gjatë procesit, për të përshtatur elementet gjuhësore?

Durimi: Këtë ekuilibër nuk ta mëson dot kush, nuk ka receta. Ajo që ta dikton është pikërisht ndryshimi mes lexuesit të ngeshëm në shtëpi dhe një publiku aktiv, ndërsa aktorët flasin në skenë. Ka pasur çaste që kam bërë përshtatje për lokalizim, si për shembull, kur hyn një personazh i veshur me fustan ngjyrargjendi dhe në origjinal i thonë: “Qenke bërë si ndërtesa ‘Chrysler’”; në këtë rast, sugjerova për trupën që ajo të vishej me flori dhe t’i thoshin: “Qenke veshur si shtesa e 15-katëshit”. Po zgjedhja e kostumografisë ishte ndryshe dhe personazhit i thonë: “Qenke veshur si trekëndëshi i Bermudës”, se regjisori donte që ta mbante në frymën origjinale, pa përshtatje lokale. Pra, vepra skenike i lejon edhe një hapësirë improvizimi aktorëve, që shkon përtej përshtatjes së përkthyesit. Por përgjithësisht përshtatjet m’i kanë pranuar dhe në përkthimin dramaturgjik e shoh si detyrë të sugjeroj përshtatje apo t’u shpjegoj kontekste të caktuara kulturore e historike regjisorit e aktorëve, pasi shpesh ato bartin me vete edhe kuptimin e një batute.

Xhoina: Cila ishte pjesa më e vështirë për t’u përkthyer?

Durimi: Përshtatja e shqipes-italisht ishte më e vështira. Në çdo fjali që thuhej italisht, ndalja dhe mendoja si e thotë në shqip një italian që jeton në Shqipëri dhe imagjinoja disa njerëz që njoh. Doja t’ua bëja sa më të lehtë aktorëve. Do të kishte qenë kollaj për mua ta përktheja tekstin si tekst, pa ndërhyrje stilistike, por do të ishte e vështirë për aktorët, sepse do të fillonin ta gjenin vetë theksin e italishtes dhe për shkak të ngarkesës së rolit, mund edhe ta humbnin rrugës. Duke e pasur gjithë kohën para syve me këtë përshtatje, u ofrohet një lehtësi për të qëndruar në figurën e tyre. Tekefundit, gjetjet dhe përshtatjet gjuhësore janë shpesh thelbi i një personazhi dhe nëse autori e ka zgjedhur ashtu, kush është përkthyesi që ta ndryshojë?!

Gjatë provave, a ka momente ku as aktorët nuk mund të mbajnë dot të qeshurën?

Helidoni: Ka shumë momente ku nuk përpiqem ta mbaj të qeshurën, ashtu siç e shkaktoj edhe vetë. Më pëlqen procesi drejt premierës dhe e çliroj veten në maksimum. Në komedi, është mirë t’ia nxjerrësh fundin së qeshurës në procesin e provave, qe t’i shpëtosh shfaqjeve.

Genti: Kanë qenë disa momente ku kanë shpërthyer të qeshura midis grupit. Shpesh ndodh që një lapsus të bëhet ngjitës pa e kuptuar. Për shembull, në një nga shfaqjet, një nga kolegët më tha: “Drakord” në vend të “Dakord”, dhe unë, pa e kuptuar, iu përgjigja gjithashtu “Drakord”. Ngjarje të tilla të vogla krijojnë gjithmonë humor midis aktorëve në skenë.

Elia: Ka momente të ndryshme që edhe ne si aktorë përfshihemi nga të qeshurat. Por një moment, ku më vjen të qesh pothuajse në çdo shfaqje, është kur partneri im, Tito Mereli, vendos të kundërpërgjigjet pas një skene xhelozie timen, duke pirë ilaçet. Ai çast kthese është shumë argëtues, kjo edhe për mënyrën si e realizon Helidoni.

Ilirda: Në provat e tavolinës qeshnim pafund me njëri-tjetrin; aty nisi loja jonë e vërtetë. Por një nga momentet më të bukura është kur, gjatë pauzës, unë hyj në derë dhe përballë kam Titon e vërtetë. Ato çaste qetësie ishin të pamundura për t’u kaluar pa qeshur në prova. Më duhej të mbaja seriozitetin, por shpesh ishte e pamundur.

Pjerini: Në prova ka pasur shumë momente kur kemi qeshur, por ajka kanë qenë momentet me tenorin dhe me Maksin, kur Sondersi ngatërrohet.

Flaura: Meqë komedia ka plot situata dhe vepra “Kërkohet Një Tenor” është e tillë, ka pasur shumë momente gazmore gjatë provave mes kolegëve.

Niada: E gjithë shfaqja është komedi, që shoqërohet me humor, situata komike dhe batuta, ku nuk mund të qëndrosh indiferente, dhe po, kam qeshur në të gjithë shfaqjen me personazhet që kanë realizuar kolegët.

Fritzi: Ka pasur shumë momente që edhe sot kur i shoh më bëjnë për të qeshur. Do të veçoja skenën e fundit, kur Maria rikthehet dhe gjen në dhomë Dianën dhe Megin. Me dialogun që zhvillohet në atë skenë, kam qeshur gjithmonë, që nga leximet e para e deri më sot.

Shfaqja “Kërkohet një tenor” e përshkruar vetëm me tri fjalë:

Helidoni: Ejani shihni tenorin.

Genti: Emocionuese, e befasishme, e çmendur.

Elia: Pasion, çmenduri, spektakël.

Ilirda: Energjike, kaotike, plot dashuri.

Pjerini: Amatorizmi kthehet në profesionalizëm.

Flaura: Komedia e vitit 2025.

Niada: Humor, jetë, spontanitet.

Fritzi: Surprizë, zhurmë, keqkuptim.

Shfaqja është e shpejtë, plot lëvizje, këngë e batuta. Si ka qenë për aktorët që t’ia dalin të mbajnë këtë ritëm për 2 orë të mira?

Helidoni: Në përgjithësi jam mësuar dhe e kam më të lehtë të mbaj ritme të tilla, sesa të jem i detyruar të mbaj mosritmet.

Genti: Është një sfidë e madhe vokale dhe emocionale. Ka nevojë për përgatitje të mirë fizike dhe përqendrim të vazhdueshëm, por është shumë shpërblyese në momentin e duartrokitjeve.

Elia: Ne jemi shumë personazhe dhe autori në mënyrën si e ka realizuar shpërndarjen e tyre dhe energjitë në skenë, krijon mundësi për secilin që të ketë çastet e veta skenike, por edhe rekuperimin në prapakuinta. Momentet skenike janë të balancuara, përveç roleve qendrore si Maksi, Sondersi dhe Tito, të cilët janë pothuajse gjatë gjithë kohës në skenë dhe mbajnë një peshë shumë të madhe. Por jemi në një teatër profesionist, ku aktorët janë të stërvitur për pesha të tilla.

Ilirda: Është një sfidë, por edhe një kënaqësi. Puna me trupin, me zërin, provat e gjata dhe trajnimi i vazhdueshëm janë thelbësore. Pastaj, fryma e grupit dhe humori ynë e bëjnë gjithçka më të lehtë. Është si një maratonë ku në fund ndihesh i lodhur, por i lumtur, sepse energjia që merr nga skena është më e fortë se çdo lodhje.

Pjerini: Me punë, përkushtim, dashuri për profesionin dhe të një atmosfere të këndshme me kolegët.

Flaura: Xhulia është një personazh që e kam bërë me shumë dashuri. Si aktore, e përballoj lehtë intensitetin e lartë të një shfaqjeje, si në rastin e kësaj komedie ku përfshihet dhe të kënduarit.

Niada: Ka qenë fare e lehtë, pasi trajnimi i përditshëm të bën të jesh në formë për të përballuar çdo pengesë fizike, e kur bën atë që do, të duket sikur 1 orë e 38 minuta kalojnë si 1 minutë e 38 sekonda.

Fritzi: Më duhet të theksoj se për mua është hera e parë që bashkëpunoj me trupën e Teatrit Kombëtar. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar për këtë mundësi dhe për kolegët, të cilët kanë pasur edhe peshën më të rëndë. Dhe ia kemi dalë ta mbajmë, sepse kam pasur përkrah aktorë të shkëlqyer dhe shumë bashkëpunues. Përfshirë edhe regjisorin, Armand Boran.

A ka diçka te personazhet që aktorët e ndiejnë shumë afër vetes? Apo përkundrazi, janë krejt e kundërta?

Helidoni: Kam gjetur të përbashkët dashurinë për verën e kuqe, veshjet e veçanta dhe hovin për të qenë il stupendo.

Genti: Po, e ndiej goxha pranë vetes. Maksi ka disa luhatje emocionale gjatë këtij rrugëtimi, që ngjasojnë shumë me luhatjet e mia në të përditshmen, të cilat përpiqem t’i fsheh, por ata që më njohin nga afër e dinë që jam goxha i paqëndrueshëm dhe shpesh i rrëmujshëm.

Elia: Maria është shumë ekstroverte, kërkon qendrën e vëmendjes dhe këtë e kërkon me këmbëngulje, ndërsa unë jam natyrë shumë më e tërhequr. Nëse do të ishim ngjyra, Maria do të ishte një e kuqe e flaktë, ndërsa unë, me siguri, ngjyrë neutrale. Por në temperament, ka disa pikëtakime, ndoshta në shfaqjen e impulsivitetit hera- herës. Aktori nëpërmjet roleve jo vetëm krijon, por edhe zbulon brenda vetes tipare të panjohura nga roli në rol. Prandaj edhe profesioni i aktorit është i mrekullueshëm, pasi udhëton në kohë e hapësirë, por mbi të gjitha, brenda vetes.

Ilirda: Po, ka shumë. Dashuria për muzikën klasike dhe për muzikën në përgjithësi është një nga gjërat që na bashkon shumë. Po ashtu, shpirti i saj guximtar. Ashtu si Megi, edhe unë ndonjëherë zgjedh të ndjek zemrën, edhe kur nuk është rruga më e lehtë. Dhe kjo më bën ta ndiej afër.

Pjerini: Edhe po, edhe jo. Po, sepse në situata të vështira apo të tensionuara krijoj pa dashje humor; jo, sepse nuk do të pranoja kurrë që punën e një profesionisti ta bënte një amator, siç ndodh me Sondersin.

Flaura: Personazhi që interpretoj ngjason me mua te dashuria për muzikën klasike dhe atë operistike në veçanti. Kam studiuar 12 vjet piano dhe kjo më ka ndihmuar të krijoj personazhe të tillë, që në themel kanë këngën.

Niada: Ka disa gjëra te Diana që i ndiej afër vetes, sidomos dëshirën për të pasur gjithmonë një lloj elegance dhe mënyrën se si di të përdorë humorin edhe në situata serioze. Nga ana tjetër, pjesa e saj snobe dhe e ftohtë është shumë larg meje. Kjo më ka bërë të luaj me kontrastin: të hyj në një botë që nuk është e imja, por që e shijoj shumë në skenë.

Fritzi: Një pikë që më afron me personazhin është se edhe unë e kam pak në natyrë, që kur kam një qëllim, dua ta çoj deri në fund. Njësoj siç ndodh me portierin në skenën ku kërkon me çdo kusht të takojë Tito Merelin.

Sfida më e madhe për ta bërë personazhin sa më të vërtetë brenda kaosit komik:

Helidoni: Sfidë do të quaja intonimin e duhur në fragmentet operistike, edhe pse mjaft të shkurtra. Nëse ky kaos ka qenë komik për ju, spektatorin, atëherë ka qenë i vërtetë.

Genti: Analiza e çdo veprimi dhe kërkesa për vërtetësinë në çdo veprim skenik.

Elia: Nuk mund ta quaj sfidë, por një argëtim nga fillimi deri në fund të shfaqjes. Kjo edhe për fatin e mirë e të të pasurit partnerë krijues dhe shumë të talentuar, me të cilët energjia rrjedh shumë natyrshëm. Pra, përveçse kolegë, ne jemi edhe miq shumë të mirë. Kjo bën që puna të shkojë pa ngërçe. Meritë të veçantë ka regjisori, Armand Bora, i cili me pozitivitetin e tij na ka vendosur në shina shumë të shëndetshme krijimtarie.

Ilirda: Balanca. Komedia është precize dhe ka ritëm të çmendur, por brenda këtij kaosi duhej të mbaja sinqeritetin e Megit. Një sfidë tjetër ishte finalja, sepse aty ndodh një thyerje shumë e ndjeshme, krejt ndryshe nga fillimi i shfaqjes. Transformimi i saj nga vajza naive, ëndërrimtare, në një vajzë që kalon një përvojë të fortë dhe del më me këmbë në tokë, ka qenë një udhëtim i bukur për ta sjellë në skenë.

Pjerini: Që të krijoja një figurë të besueshme dhe që nëpërmjet tragjikes së tij të dilte në pah edhe ana komike. Nuk mund të lë pa thënë, se kjo punë është e përbashkët me kolegët dhe regjisorin, ndaj pa këtë aset, vështirë se mund t’ia dalësh. Falënderoj kolegët dhe regjisorin për këtë punë dhe shfaqje të bukur, por edhe ju për intervistën!

Flaura: Sfida më e madhe për të krijuar personazhin është të gjejmë raportin e drejtë të veprimit skenik me çdo element tjetër, siç janë plastika, muzika, kostumet dhe mjete të tjera shprehëse që i disponon aktori.

Niada: Ruajtja e ekuilibrit midis komikes dhe të vërtetës së personazhit. Në një kaos ku gjithçka duket e ekzagjeruar, rreziku është të biesh në karikaturë. Kam punuar që Diana të mbetet e gjallë, me reagime njerëzore dhe logjikën e saj të brendshme, edhe kur situatat janë qesharake. Pikërisht kjo e bën publikun të qeshë, sepse e sheh një njeri të vërtetë brenda humorit.

Fritzi: Ambientimi me kolegët, me të cilët luaja për herë të parë, dhe kërkesat e regjisorit për personazhin. Pastaj, gjatë procesit të punës, çdo gjë bëhet më e lehtë dhe mbetet periudhë që bashkëjeton me personazhin.

“Kërkohet një tenor” nuk është veç ajo shfaqja elegante e plot humor që mbetet gjatë në kujtesë, por një festë e madhe e teatrit, ku loja e aktorëve, ritmi i skenës dhe humori i mprehtë i japin jetë një çështjeje, që për fat të keq, vazhdon të mbetet e pranishme edhe në ditët e sotme. Një shfaqje që të bën të shkrihesh gazit, por edhe të mendosh për iluzionet e famës dhe vlerësimit shoqëror. Për ata që ende nuk e kanë parë, Teatri Kombëtar ofron mundësinë e fundit këtë fundjavë. Konsiderojeni këtë artikull si një ftesë për një takim të pazakontë ku do të qeshni pafund, por edhe për të ndier atë magjinë e veçantë, që vetëm teatri mund ta dhurojë.

Exit mobile version