Kreu Letërsi Shënime mbi libra Dr. Mimoza Hysa: Poshtërimi dhe dinjiteti – historia mes fjalës dhe kujtesës

Dr. Mimoza Hysa: Poshtërimi dhe dinjiteti – historia mes fjalës dhe kujtesës

Pas suksesit ndërkombëtar me librin Të lirë, Lea Ypi rikthehet me një libër të dytë që tashmë ka ngjallur interesin e kritikës botërore. Indignity: A Life Reimagined është komentuar nga mediat më të mëdha ndërkombëtare si një rrëfim i guximshëm mbi kujtesën, historinë dhe dinjitetin, një vepër ku arkivat dhe përjetimet personale ndërthuren për të ndërtuar një panoramë të gjerë të shekullit të kaluar. Ndërsa jashtë vendit është pritur me jehonë dhe vlerësime të shumta, në kritikën letrare shqiptare libri ende nuk ka hapur një debat të mirëfilltë. Por çfarë është ky libër dhe si mund të lexohet në shqip?

Titulli si kompromis gjuhësor, kuptimor dhe kulturor

Titulli është gjithmonë porta e parë që hap një libër. Dhe jo rastësisht, tek Lea Ypi kjo portë ndryshon kur kalojmë nga anglishtja në shqip, si në librin e parë ashtu edhe në të dytin. Këtë e vërej edhe për shkak të “deformimit” tim profesional: si përkthyese e kam të vështirë të lexoj një vepër të shkruar në dy gjuhë pa e menduar menjëherë në termat e përkthimit. Në fakt, këtu nuk kemi të bëjmë mirëfilli me një përkthim, por me një shkrim, apo rishkrim, në dy gjuhë nga e njëjta autore. Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi i titullit bëhet edhe më domethënës: afërmendsh që një autore me formim të thellë filozofik nuk i lë vend rastësisë, çdo zgjedhje është e situr mirë.

Libri i dytë i Lea Ypit titullohet në anglisht: Indignity: A Life Reimagined. Në shqip, më natyrshëm dhe më saktë, do të tingëllonte: “Poshtërim: Një jetë e rikrijuar”. Në anglisht, titulli është i thjeshtë dhe konceptual: Indignity: poshtërim, përdhosje; A Life Reimagined: një jetë e rikrijuar, e rindërtuar, e ripërfytyruar. Është një lakonizëm tipik i anglishtes letrare bashkëkohore, ku një fjalë e vetme bart një ngarkesë filozofike dhe ku nëntitulli udhëzon drejt përmbajtjes. Për lexuesin perëndimor kjo mjafton: duket si një premtim reflektimi mbi dinjitetin e humbur, mbi jetën e rindërtuar apo rikrijuar të një personazhi nga fragmentet e kujtesës dhe dokumenteve arkivore.

Ndërsa në shqip titulli është zgjeruar ndjeshëm: Të poshtëruarit: Të jetosh në epokën e ekstremeve. Nuk kemi më vetëm një kalim nga njëjës në shumës, por një zhvendosje thelbësore nga abstraksioni në konkretizim. Indignity është një emër abstrakt, që emërton një koncept e shenjon një gjendje, një emërtim i patrupëzuar. Të poshtëruarit, përkundrazi, është një etiketim: jo më një gjendje, por njerëz të gjallë që mbajnë damkën e poshtërimit. Fjalës i jepet trup, sy, fytyrë. Titulli në shqip nuk rri më në rrafshin filozofik, por të drejton menjëherë drejt përvojës konkrete, drejt atyre që e kanë provuar historinë në kurriz. Konkretizimi duket si një akt i qëllimshëm qartësimi, një mënyrë për t’ia bërë lexuesit vendas dramën më të prekshme e më të afërt. Zgjedhja lidhet ndoshta edhe me pritshmërinë e lexuesit shqiptar. Një titull i shkurtër e abstrakt si: Poshtërim ose Përdhosje do të tingëllonte me gjasa i ftohtë, disi i padepërtueshëm që në nisje. Një titull i zgjeruar, që lidhet drejtpërdrejt me historinë kombëtare, ngjan më komunikues, më shpjegues. Është një dritare që hapet menjëherë mbi panoramën e epokës, pa lënë vend për dykuptueshmëri. Ndërhyrja vërehet edhe më dukshëm te nëntitulli: në anglisht shpjegon konceptin e kryetitullit, ndërsa në shqip ndjen nevojën ta vendosë jetën personale në një kornizë historike, në “epokën e ekstremeve”.

Ky titull më i gjatë e më shpjegues në shqip, përtej ndryshimeve gjuhësore apo zgjedhjeve editoriale, hamendësoj se lidhet edhe me rrethanat nga të cilat ka lindur vetë romani. Shkëndija e parë qe një akt fyerjeje publike në shqip: një fotografi e gjyshes së autores, e shpërndarë në rrjetet sociale dhe e shoqëruar me akuza politike. Poshtërimi, pra, nuk erdhi nga jashtë, por nga bashkëkombësit e saj. Pikërisht për këtë arsye, kur Ypi ia drejton librin lexuesit shqiptar, ajo ndjen nevojën të jetë më e qartë, më e drejtpërdrejtë: jo thjesht histori personale e një gruaje, por dëshmi e një epoke ekstremesh, ku breza të tërë kanë përjetuar poshtërimin. Kështu, titulli në shqip kthehet në një gjest të vetëdijshëm komunikimi: një mesazh i hapur se ky libër nuk është vetëm për gjyshen e saj; por është për të gjithë ata që kanë mbajtur dhe mbajnë mbi vete këtë peshë, këtë baltë që shpesh hidhet dendur, vend e pa vend, në zullumtinë e rrjeteve sociale.

Nga këndvështrimi i përkthimit, ky mund të quhet një rast tipik kompromisi: humbet eleganca e lakonizmit të origjinalit, por fitohet më shumë qartësi dhe një hapësirë më universale. Në anglisht romani duket si reflektim mbi dinjitetin, në shqip bëhet dëshmi për poshtërimin kolektiv. Zgjerimi kuptimor këtu nuk është thjesht gjuhësor: është politik, moral dhe emocional.

Dinjiteti si bosht

Por cila është pyetja thelbësore që ngre romani? Çfarë e ka shtyrë një nga studiueset më të njohura bashkëkohore në rrafshin ndërkombëtar të shkruajë jo një ese teorike, por një rrëfim letrar? Në qendër një koncept abstrakt: dinjiteti, një dinjitet i vënë në provë. Autorja, si një studiuese mendjehapur, kërkon të verifikojë nëse idhulli i saj, modeli që e ka formuar – gjyshja Leman Ypi – nuk është thjesht një figurë e mitizuar familjare, por një shembull real që tejkalon çfarë sipërfaqësisht dëshmojnë dokumentet, dosjet, kujtesa e tjetrit dhe akuzat poshtëruese.

Me skrupolozitetin e studiueses, vendos ta kërkojë të vërtetën në arkiva: në dosjet e komunizmit, në arkivat e Selanikut, duke vënë në provë jo vetëm figurën e gjyshes, por edhe vetveten. Një foto e viteve të luftës, ku Leman Ypi shfaqet e qeshur në muaj mjalti në Alpet italiane, shpërndahet në rrjetet sociale dhe interpretohet si provë kolaboracionizmi. Përballë këtij gjykimi të pamëshirshëm, autorja shtron pyetjen: a është ky modeli që kam besuar deri sot, apo pas tij fshihet një histori tjetër? Por arkivat nuk japin gjithnjë përgjigje. Edhe aty, historia njerëzore shfaqet e shtrembëruar, subjektive. Në Selanik, emri i gjyshes nuk figuron askund. Kjo heshtje kthehet në shenjë në vetvete: dëshmi se e vërteta nuk mund të jetë kurrë e plotë dhe përfundimtare.

Atëherë, dëshmitë duhen kërkuar te vetë zgjedhjet e jetës së gjyshes, te sjellja në kthesa të forta dhe vendimet në momente kyçe. Dhe Ypi aty e gjen përgjigjen: Leman Ypi ia ka dhënë këtë mundësi. Më domethënësja ndër to është refuzimi për të ikur, për të lënë vendin. Pas Luftës së Dytë Botërore, në prag të komunizmit, kur i ofrohet mundësia të largohet, pikërisht nga një tregtar gjerman, ajo thotë: “Nuk kam bërë asnjë faj, pse duhet të iki?” Edhe në vitet ’90, kur nis eksodi masiv, ajo jep pot ë njëjtën përgjigje, edhe pse komunizmi i ka shkaktuar vuajtje të mëdha. Po për të, të ikësh do të thotë të pranosh fajin; ndërsa të qëndrosh është forma më e pastër e dinjitetit.

Dinjiteti që trajtohet gjerësisht përmes personazheve dhe ngjarjeve shfaqet në roman në disa rrafshe: si rezistencë morale, si qëndresë etike, si reflektim filozofik mbi vetë qenien njerëzore. Jeta e Leman Ypit, jep mundësi për këtë shpërfaqe, si një mozaik i pamëshirshëm i shekullit XX shqiptar: e vetmja vajzë në Liceun Francez të Selanikut, e para grua në administratën shtetërore, këshilltare e Kryeministrit, më pas bashkëshorte e një të burgosuri politik, e internuar, e dëbuar, e përndjekur nga tragjedi familjare. Nga privilegjet në poshtërim, nga shpresa në përmbysje, ajo mishëron fatin e një brezi të tërë. Dhe megjithatë, nga kjo jetë e thyer jep një mësim të thjeshtë: dinjiteti nuk ka lidhje me titujt, pasurinë apo pushtetin, por me aftësinë për të mos u dorëzuar.

Por, si për çdo shkrimtar të mirë, historia personale, e rrëfyer apo e trilluar, është vetëm ngasja, zanafilla e rrugëtimit. Që teksti të marrë kuptim dhe të ngrihet si vepër letrare, ai duhet të kapërcejë shtysën personale. Autorja e bën këtë, jo vetëm sepse ka formim të mirë për të trajtuar koncepte filozofike – gjë që e vendos veprën në një bosht të qartë ku përfshihen vlera dhe antivlera – por edhe sepse ka një penë mjeshtërore: rrëfim të pasur me nuanca ironie e vetëironie, gjetje të këndshme në ndërtimin e karaktereve dhe përshkrimin e situatave, dialog të zhdërvjellët e të gjallë, penelata plot detaje interesante të epokave të ndryshme të historisë së shqiptarëve dhe fqinjëve.

Kështu romani i zgjeron ndjeshëm kufijtë, nga personalja te universalja. Politika e një shekulli të trazuar hyn në kuzhinë, në oborr, në fjalorin e përditshëm. Gjeografia lëviz pa kufij shtetesh: Stamboll-Selanik-Paris-Tiranë. Shembja e perandorisë sjell rishpikje identiteti; luftërat sjellin dilema dhe plagë; diktatura kërkon mbijetesë duke vënë në provë thelbin njerëzor. Vlen të theksohet veçantia e Ypit: ajo shmang viktimizimin edhe kur përballë ka histori thellësisht tragjike, dhe di të gjejë të bukurën, thelbësoren, herë idealisten e madje transcendentalen, përtej vështirësive të së përditshmes. Një humor i hollë shoqëron dramën: jo për ta zbukuruar, por për t’i dhënë ajër, për ta mbrojtur nga poshtërimi i dytë e më dërrmues, ai i dorëzimit.

Kështu libri kapërcen kufijtë e biografisë dhe bëhet testament: dinjiteti si bosht, si fije që nuk këputet, si thelb që mbetet edhe kur historia të tërheq zvarrë.

Veçantia e stilit dhe e rrëfimit

Rrëfimi i Ypit nuk është asnjëherë i rrafshët, linear, por hapet si mozaik i gjerë ku bashkëjetojnë qindra figura, skena, fragmente jete. Një shumësi personazhesh dhe ngjarjesh, të cilat, po të mbeteshin thjesht nën hijen e zymtësisë së kohës – përplasjeve, luftrave, dhunës – do ta bënin tekstin të rëndë e të vështirë për t’u lexuar. Pikërisht për të shmangur këtë rrezik, rrëfimi mbahet mbi dy shtylla kryesore: njohja e mirë e lëndës, e historisë së shqiptarëve në shekullin e kaluar, dhe elementi i humorit. Humori është i hollë, i brendshëm, nuk mohon tragjedinë, por e bën të përballueshme. Ypi nuk e përdor ironinë për të zbukuruar apo për t’i hequr barrën lexuesit, por për të krijuar një distancë të domosdoshme mes rrëfimtarit dhe traumës. Është një teknikë e njohur edhe në letërsinë e Europës Lindore, mjafton të kujtojmë Kunderën apo Slavenka Drakulić-in, por tek Ypi merr një intonacion krejt tjetër: ironia është e butë, e përkorë, shpesh e përshpëritur, si të mos guxonte t’i fliste historisë ballë për ballë.

Ky stil i jep tekstit një cilësi të dyfishtë: nga njëra anë, e bën të lexueshëm një material të rëndë historik; nga ana tjetër, i jep thellësi psikologjike. Sepse nën qeshje fshihet gjithmonë trauma. Lexuesi qesh, por qeshja është me vetëdijen e hidhur se çdo batutë mbart një plagë. Pikërisht kjo dykuptimësi e humorit e bën prozën e Ypit të veçantë: ajo ndërton një gjuhë ku tragjikja dhe komikja bashkëjetojnë, pa e zbehur njëra-tjetrën.

Përveç humorit, veçanti e stilit është edhe eleganca e gjuhës. Në prozën e Ypit nuk gjejmë shfryrje patetike, as ekzagjerime të dhimbjes. Ajo ruan gjithmonë një ton të matur, të përmbajtur, çka e bën tragjedinë edhe më të prekshme. Fjalia është e qartë, por kurrë e zhveshur; e mbushur me emocione, por e filtruar nga një ndërgjegje intelektuale.

Në përshkrimin e skenave dhe ngjarjeve, ajo tregohet e kujdesshme të vizatojë detaje që mbeten në kujtesë: 100 kanarinat dhuratë të Sulltanit, pijet apo veshjet dhe parfumet e kohës, pamjet e Tiranës së viteve tridhjetë-dyzet, dasma e mbretit Zog, e shumë të tjera. Edhe titujt e kapitujve janë një gjetje më vete: gjithnjë kanë brenda një element dallues, paksa të çuditshëm, që ngacmon lexuesin për të vazhduar, si: Qepë dhe livando, Një dhomë plot me tym, Çiftet Skanderbeg, Qengjat dhe shqiponjat, etj.

Në këtë mënyrë, romani arrin të mbajë njëkohësisht tri dimensione: dëshmi historike, analizë filozofike dhe krijim letrar.

Përgjigjja ndaj kulturës së poshtërimit

Ky libër, ndër të tjera, është dhe një përgjigje jo vetëm ndaj një fyerjeje publike, por edhe ndaj një kulture të tërë poshtërimi që shoqëria në veçanti e ushqen. Në hapësirën tonë publike, suksesi i “njërit prej nesh” shpesh pritet me dëshirë rrëzimi, aq më shumë kur ai “njëri” është grua. Ndërsa për Kadarenë, emrin më përfaqësues të letrave shqipe në botë, është ndërtuar një konsensus krenarie; për Ypin, emrin që po lakohet tashmë në të njëjtat nivele jashtë vendit, në sheshluftimet tona shqiptare, shpesh kërkohen “vrima” për ta delegjitimuar. Qasja shpesh nuk ka të bëjë me kritikën letrare, por ndodh të jetë vazhdim i së njëjtës logjikë poshtërimi që i ka dhënë jetë edhe këtij libri.

Të poshtëruarit: Të jetosh në epokën e ekstremeve u përgjigjet jo me zhurmë, por me stil; jo me kundërfyerje, por me lartësim. Rikthen dinjitetin e një figure dhe, në mënyrë të padukshme, dinjitetin tonë si lexues: na fton të mos ia heqim tullën nën këmbë tjetrit, por t’i vendosim një tjetër poshtë kur e meriton të ngjitet. Nëse poshtërimi është virusi i epokës digjitale, ky libër është vaksinë estetike: kujtesë, vetëpërmbajtje, humanitet.

Dhe mësimi i fundit, i thjeshtë, por më i vështirë: dinjiteti është një zgjedhje e përditshme, në jetën që bëjmë, në fjalët që themi, në gjurmën që lemë pas për t’u mbajtur mend.

Exit mobile version