Kreu Intervista Ridvan Dibra: Romanin “Don Kishoti”, e rilexoj thuajse çdo verë

Ridvan Dibra: Romanin “Don Kishoti”, e rilexoj thuajse çdo verë

Pyetësori “Librat e jetës sime”

Libri që po lexoj ndërkohë

– Në fakt, po rilexoj romanin “CING” të David Albaharit, një shkrimtar bashkëkohor me  ndjeshmëri të pazakontë.

 Libri që më ka ndryshuar jetën

– Ndoshta “Manastiri i Parmës”, roman të cilin e kam “lexuar” tinzash tim’ eti, kur sapo kisha mësuar shkrim e këndim, jo më shumë se pesë – gjashtë vjeç.  Këtë përvojë dhe aventurë leximi e kam rrëfyer në librin “Në kërkim të fëmijës së humbur”. Ndoshta qysh atëherë, me naivitetin e pavetëdijen fëmijërore, kishte me lindë te unë ëndrra e shkrimtarit.  Dy – tre vite më vonë, me t’i botuar vjershat e para, do ta quaja veten (me zë të lartë) shkrimtar.  Kurse sot, pas pesëdhjetë vitesh dhe tridhjetë veprash të botuara, një pohim të tillë e bëj me zë të ulët.

 Libri që do të doja të kisha lexuar

– Me siguri ndonjërin prej atyre librave të mrekullueshëm (ka gjithmonë të tillë), të shkruar bukur e ndershëm, që i ka shpëtuar vëmendjes së pavëmendshme të kritikës dhe bujës mediatike.

 Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia

– Janë tekstet e Kafkës dhe romani “Shkretëtira e tartarëve” i Buzzatit.  Më mësuan se motivet për një Letërsi të vërtetë mund t’i gjesh edhe brenda vetes tënde, pa pasur nevojë të kërkosh jashtë e të bredhësh gjithandej.

 Libri që më ndryshoi mendjen

– Nuk di ta përcaktoj një libër të tillë.  Por janë disa libra, përgjatë viteve, që kanë tronditur bindjet dhe siguritë e mia.

 Libri i fundit që më bëri të qaj

– Ndoshta romani “Ishulli i mundshëm” i shkrimtarit francez Michel Houellebecq.  Pikërisht pjesa kur personazhit kryesor, me gjasë vetë autorit, ia vrasin qenin, mikun e tij më besnik.

 Libri i fundit që më bëri të qesh

– Romani tragjik i një autori shqiptar, nderuar me çmim këto vitet e fundit.

 Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende 

– Janë dy – tre libra me poezi të botuar nga studentët e mi dhe që më janë dhuruar plot besim e mirënjohje.  Kurse unë nuk kam gjetur kohën e duhur për t’i lexuar, ose i kam paragjykuar.  Ky fakt më jep, herë – herë, një ndjesi të lehtë turpi e faji.

 Librat që kam dhuruar 

– Zakonisht nuk dhuroj libra.  Por sugjeroj dhe jap.  Domethënë, i jap librat me të drejtë kthimi.  Studentëve dhe kolegëve të mi.  Edhe pse kjo praktikë ka sjellë mungesën e jo pak titujve cilësorë në bibliotekën time.  Porse tashmë jam vonë që të ndërroj mendje e sjellje.

 Libri me të cilin dua të mbahem mend

– Ndoshta me romanin e fundit, “Gruaja që deshe”. Por druaj se në vëmendjen e lexuesit kanë për të mbetur libra të tillë, si: “Prostituta e virgjër”, “Nudo”, apo “Legjenda e vetmisë”.

Ku me e ditë?

 Libri që me bën të ndihem mirë

– Nga librat e mi “Në kërkim të fëmijës së humbur”.  Kurse nga Letërsia Botërore “Don Kishoti”, të cilin e rilexoj thuajse çdo verë.

 Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar

– Nuk di të veçoj një titull konkret.  Por besoj se të tillë janë ata libra të mirë, që nuk e kanë aftësinë të bërtasin e të lypin vëmendje (si shumëçka bosh) por, në heshtje e me përunjtësi, presin fatin e tyre.   

Exit mobile version