Kreu Letërsi Bibliotekë Prof. Fabio Levi: “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” – libri dhe ngjizja...

Prof. Fabio Levi: “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” – libri dhe ngjizja e tij

Përktheu: Aida Baro

Fabio Levi (1949), është profesor nderi i Historisë Bashkëkohore në Universitetin e Torinos. Aktualisht është president i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Primo Levi. Ka qenë një ndër nismëtarët e themelimit të kësaj qendre në vitin 2009 dhe e ka drejtuar atë për tri mandate. Në fazën e parë të karrierës së tij shkencore, ai është marrë me historinë shoqërore dhe atë të industrisë. Qysh nga fundi i viteve ‘80, duke ndihmuar në fillimin e një linje të re kërkimi që deri atëherë ishte lënë plotësisht pas dore, ai studioi veçanërisht ngjarjet e persekutimit anti-hebre në Itali, duke botuar libra të ndryshëm mbi këtë temë.


Me vëllimin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, botuar 40 vjet pas “A është, vallë, njeri…?”, Primo Levi përmbush dëshminë dhe reflektimet që kishin nxitur e frymëzuar librin e tij të parë. Ky vëllim me ese, për shkrimin e të cilit iu deshën dhjetë vjet, u botua nga shtëpia botuese Einaudi në pranverën e 1986-ës; ai është përkthyer në të gjithë botën dhe tashmë njihet si një vepër e jashtëzakonshme mbi natyrën e së keqes dhe atë të njeriut. Tashmë, më së fundi, është botuar edhe në gjuhën shqipe falë përkthimit të Aida Baros.

Në faqet e këtij libri zënë vend shqetësimet e shumta, të lindura nga ndryshimet që Levi vërente në botë dhe që i kishin pushtuar mendjen në periudhën e fundit të jetës, peshën e së cilave mund ta kuptojmë sot fare mirë: zbehja e kujtimit të Aushvicit; mosnjohja dhe mungesa e kujtesës historike te nxënësit dhe studentët që Levi ka takuar nëpër shkolla, të cilët e presin me skepticizëm thjeshtëzues dëshminë e tij, sikur shfarosja e hebrenjve të ishte diçka që i përket një kohe tejet të largët; dalja e historianëve negacionistë dhe revizionistë, që vënë në dyshim ekzistencën dhe veçoritë e gjenocidit hebre dhe të Lager-ëve; së fundi, irritimin e tij ndaj retorikës që përpiqet t’i ngurtësojë figurat e viktimave dhe të xhelatëve në rolet e tyre respektive.

“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” është shkruar si ese, gjë që nxjerr në pah distancën me të cilën autori përpiqet ta trajtojë këtë çështje, e cila, ndonëse ka kaluar shumë kohë, mbetet sërish plot tensione dhe tepër aktuale; por nuk mungojnë pjesë rrëfimesh me ndjeshmëri të lartë, që vetëm një shkrimtar i madh si Levi mund t’ua ofronte lexuesve. Sa i përket idesë përmbledhëse të librit, mjafton të rikujtojmë pasazhin e shkruar në kopertinën e librit, në botimin e parë: “Ka ndodhur, ndaj mund të ndodhë sërish: ky është thelbi i gjithë asaj çka mund të themi”. Por mund të shtojmë: “Primo Levi i rikthehet përvojës së Lager-it nazist për ta analizuar jo si një fakt të kryer tashmë, një ngjarje të paparashikueshme e të kufizuar, domethënë si një aksident të Historisë, por si një ngjarje shembullore përmes së cilës mund të kuptojmë deri ku mund të arrijë njeriu në rolin e xhelatit dhe në atë të viktimës. Levi, me një ekuilibër dhe kthjelltësi të jashtëzakonshme, u përgjigjet pyetjeve që përballen me problematikat e sotme, por edhe ju flasin brezave të ardhshëm, për të cilët parabola naziste sa vjen e bëhet më e largët. Cilat janë strukturat hierarkike të një sistemi autoritar dhe çfarë teknikash përdorin për të asgjësuar personalitetin e një individi? Çfarë raporti krijohet mes dhunuesve dhe të dhunuarve? Cilat janë qeniet që enden në “zonën gri” të bashkëpunimit (me persekutuesit)? Si formohet një përbindësh? A ishte e mundur të kuptohej nga brenda logjika e makinerisë së shfarosjes? Kishte gjasa që të ngrije krye ndaj saj? Dhe sërish: si funksionon kujtesa gjatë një përvoje kaq të skajshme? Çfarë dinin, apo donin të dinin, gjermanët?

 Levi nuk kufizohet vetëm në sqarimin e aspekteve të dukurisë “Lager”, që deri më sot kanë mbetur të errëta. Ky është edhe një libër “militant”, që lufton kundër çdo falsifikimi dhe mohimi të realitetit, kundër përbaltjes së sensit etik dhe faktit që njerëzit mësohen me atë lloj degradimi njerëzor, që mbush kronikat e këtyre dekadave. “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” përbën një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një ndërgjegjeje të re kritike».

“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” ndahet në tetë kapituj, plus një parathënie e shkurtër dhe një përfundim. I pari i kushtohet “Kujtesës së poshtërimit”, shtrembërimeve dhe mangësive të saj. Levi duket se do të vërë në provë atë mjet – pra, pikërisht kujtesën – që, më shumë se kujtdo tjetër, i ka shërbyer atij, dhe pak të mbijetuarve si ai, për të përcjellë te të tjerët përvojën e internimit nazist. Përmes fjalëve të tij, ai na lë të kuptojmë se ndërgjegjësimi për kufizimet e kujtesës mund të na ndihmojë të zbulojmë edhe më mirë potencialin e saj të jashtëzakonshëm dhe tepër vendimtar krahas fakteve.

Por strumbullari i librit përbëhet nga kapitujt e dytë dhe të tretë, të titulluar respektivisht “Zona gri” dhe “Turpi”. Levi argumenton që hapësira mes kategorisë së viktimave dhe të xhelatëve nuk është bosh, por “aty ka figura të poshtra ose mjerane (ndonjëherë i zotërojnë të dyja cilësitë njëkohësisht), që është e domosdoshme t’i njohim nëse duam të njohim specien njerëzore”. Është një temë e vështirë kjo e formave të bashkëpunimit të fshehtë apo të pranimeve të heshtura mes viktimave dhe dhunuesve: Kapot, Prominenten-ët dhe të gjitha figurat e tjera groteske të privilegjuara në Lager dhe në getot hebraike, por edhe gjestet e rralla të mëshirës, shoqëruar me frikë, nga ana e popullsisë civile gjermane. Levi heton dhe përshkruan, por nuk gjykon; me bisturinë e tij verbale, rrëmon në mishin e gjallë të fakteve. Dhe arrin ta bëjë vetëm pas shumë vjetësh, sepse distanca e largët tashmë nuk do të prekte dhe aq ndjeshmërinë e shokëve që i mbijetuan shfarosjes.

Në kapitullin e tretë, hetimi i tij nxjerr në dritë një ndjenjë paradoksale: “turpin e të mbijetuarit”, ndjenjën e fajit të “të shpëtuarit”, i cili arrin deri aty sa të besojë që ka mbetur gjallë në vend të një tjetri, më të dobëti, më fatkeqi e më të ndershmi se ai, të cilit me sa duket, i ka marrë diçka. Ose turpi që nuk i ka dhënë ndihmë shokut përbri në momente të skajshme rreziku. Apo edhe turpi që i përket një race si ajo njerëzorja, që është përlyer në krimet më të tmerrshme, faji i të cilave bie mbi të gjithë e mbi secilin. Levi heton ndjenjat e veta dhe ato të të mbijetuarve të tjerë, duke u dhënë atyre ndjenjave një trajtë konkrete, të destinuar për t’i shtyrë lexuesit të reflektojnë për pasojat e pashlyeshme të tragjedisë së Lager-it.

Nuk mund të përmbledh me pak fjalë pasurinë e një reflektimi të gjerë, të saktë dhe me origjinalitet të madh, që shkon përtej dy kapitujve që përmenda. Por ndoshta ia vlen të shtojmë dy gjëra për të tërhequr vëmendjen tuaj. Në kapitullin me titull “Komunikimi”, ndër të tjera, autori tregon që në Auschwitz ishin mbyllur mijëra e mijëra të burgosur të ardhur nga vende të ndryshme, atje flitej në gjuhë të pakuptueshme me tyre, prandaj dhe ishte e pamundur të flisnin dhe të merreshin vesh. Dhe në një vend, ku mungonin fjalët për të komunikuar, thahej edhe aftësia e të menduarit dhe në këtë rrugë, rëndohej procesi i asgjësimit të të internuarve i shkaktuar nga persekutuesit.

Për sa i përket kapitullit me titull “Dhunë e padobishme”, teksa kujton shtazëritë vrasëse të kryera mbi të burgosurit, Levi thekson teprimin, fyerjet e padrejta, pra rrjedhimisht edhe të padobishme. Ato nuk shërbenin për asnjë qëllim. Kishin vetëm një synim: të shkaktonin vuajtje të pafundme, të poshtëronin dhe të përdhosnin viktimat. Nuk kishte asnjë arsye të përcaktuar qartë. Ose ndoshta kërkimi i arsyes, apo i arsyeve, të atyre sjelljeve çnjerëzore përbën një prej pyetjeve të mbetura ende pa përgjigje që na ka lënë Lager-i dhe që Levi na ndihmon ta formulojmë. Sepse ai ishte i vetëdijshëm se përballë një tragjedie me përmasa të tilla, në vend që të kërkohen përgjigje të mjaftueshme, por të pamundura të gjenden, është më mirë të vazhdojmë të ngremë pyetje. Të ngremë pyetje për Lager-ët nazistë, por edhe për qeniet njerëzore në përgjithësi, pra, për ne vetë.

Ndonëse ka larmi temash, “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” është një libër i thukët stilikisht dhe me një ton tepër të përmbajtur; nga ana tjetër, duket qartë që është i trazuar nga gjendja psikologjike dhe konjitive së cilës i detyrohet forma e tij: është libri i një antropologu që përfshin veten në fushën e hetimeve; është libri i një njeriu që do të donte të dialogonte me indiferentët, me skeptikët, ish-xhelatët, por ndien drojë dhe neveri njëkohësisht (shihni kapitullin e fundit, “Letra gjermanëve”, ku autori tregon dhe komenton letrat e marra nga Gjermania pas botimit atje të librit “A është, vallë, njeri…?”

Është libri i një njeri që për të kuptuar xhelatët e vet, përpiqet të arsyetojë me mendjen e tyre, të shohë thellë në këndvështrimin e tyre dhe kjo lojë e tmerrshme rolesh i shkakton një vuajtje të padurueshme. “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” ia detyron madhështinë e vet edhe kësaj, të qenit një ushtrim çnjerëzor objektiviteti.

Tani që përshkruam veçoritë thelbësore të librit, do të doja të thosha diçka se si lindi dhe u rrit në mendjen e autorit. Bëhet fjalë për një çështje me rëndësi, sepse për “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” shpesh flitet si për një lloj testamenti, të cilit i vënë në dukje një damar pesimist, thuajse si një parashikim i fundit të afërt të autorit. Kur në fakt, duhet vënë në dukje lidhja mes shkrimit të librit dhe një linje mendimi që i ka rrënjët e veta të largëta qysh tek “A është, vallë, njeri…?”, shkruar më 1946 dhe që ndjek një rrugëtim kompleks, të cilin këtu vetëm se mund ta përmend.

Në krye të kapitullit “Letrat e gjermanëve”, i fundit i “Të mbyturve”, Levi shkruan: “A është, vallë, njeri…?” është një libër me përmasa modeste, por si një kafshë nomade, tashmë prej dyzet vjetësh lë pas vetes një gjurmë të gjatë dhe të ndërlikuar.” Kjo frazë, jo rastësisht shfaqet këtu, duke qenë se ai kapitull i tetë dhe i fundit përbën bërthamën më të vjetër të veprës – kujtojmë që botimi gjerman doli më 1961 – ai është pikënisja e një reflektimi të destinuar të shoqërojë autorin gjatë gjithë jetës pas luftës. Por, thënë këtë, lind pyetja se kur apo në çfarë intervali kohor ideja e një post scriptum për “A është, vallë, njeri…?” u shndërrua në idenë e një libri të ri.

Në një shkrim me titullin “Përvjetor”, botuar më 1955, në një revistë jo fort të njohur, atëherë kur për Shoah-në nuk flitej pothuajse fare as në Itali, as në Europë, Levi ngrinte pyetje mbi heshtjen e të mbijetuarve të Lager-it. Me kurajë, Levi vinte gishtin mbi arsyen e asaj heshtjeje: “Është turp. Jemi njerëz. I përkasim së njëjtës familje njerëzore, ku bënin pjesë edhe xhelatët tanë. Përpara tmerrit të fajit të tyre, edhe ne ndihemi qytetarë të Sodomës e të Gomorrës, nuk arrijmë t’i largohemi akuzës që një gjykatës mbitokësor, bazuar në vetë dëshminë tonë, do të ngrinte kundër gjithë njerëzimit.” Ai turp ishte shtysa për një reflektim të ri. Pak më pas do të shtoheshin të tjerë.

Në vitet ’70-të, Levi përkthen në italishte La notte dei girondini, një roman që flet për shfarosjen, shkruar nga Jacob Presser, historian holandez, që është marrë gjatë me deportimin nazist në vendin e tij. Në parathënie, duke folur për Lager-in, ai shkruante: “Ka ardhur momenti të eksplorojmë hapësirën mes viktimave dhe persekutuesve”. Ndonëse këto fjalë thënë më 1976, kthehen thuajse identike, dhjetë vjet më vonë në kapitullin “Zona gri”, termi i ri “zonë gri” nuk ekzistonte ende. Por mund ta rigjejmë në një letër personale drejtuar mikeshës së vet, Gabriella Poli-t, shkruar mes fundit të ’75-s dhe fillimit të ’76-s, pikërisht për librin e Presser-it: “Hapësira mes xhelatëve dhe viktimave është një zonë gri, nuk është e zbrazur”.

Historia e botimit të librit të Presser-it në Itali gërshetohet me ngjarjet politike të atyre viteve, gjatë të cilëve ndihet, në Itali dhe Europë, kërcënimi i një fashizmi të ri. Levi e denoncon në mënyrë të prerë dhe këmbëngulëse këtë kërcënim, në një editorial me titull Così fu Auschwitz, botuar në La Stampa, të Torinos, më 9 shkurt 1975. Ai vit është vendimtar; por edhe për një arsye tjetër. Botimi shkollor i “A është, vallë, njeri…?” ishte bërë gati qysh më 1972, por vetëm më 1975 Levi vendos të shkruajë një tekst të ri për t’iu përgjigjur pyetjeve më të shpeshta të lexuesve të tij, sidomos atyre të fëmijëve që kishte takuar nëpër shkolla, fëmijë 11-12-vjeçarë, adoleshentë të shkollave të mesme apo atyre teknike: si dëshmitar endacak që endej nëpër shkolla, ky është publiku i tij i vërtetë, ai që e pasionon dhe e fut në ankth. Në fillim të 1976, “Shtojca” për librin “A është, vallë, njeri…?” është gati. Në fillim u shtua vetëm në botimin shkollor, por pas disa vjetësh u shtyp në të gjitha botimet e librit, përfshirë ato të destinuara për publikun e gjerë. Tetë pyetje-përgjigjet e përgatitura nga Levi përpiqen të ofrojnë një kuadër historiko-politik të përgjithshëm, por sjellin edhe jetën e tij morale pas botimit të veprës së parë: dy pyetjet e para kanë të bëjnë me faljen e mundshme të xhelatëve (që Levi nuk ka asnjë qëllim ta bëjë) dhe njohjen e historisë së vet nga ana e popullit gjerman. Por një pjesë e madhe e “Shtojcës”, i kushtohet atyre që te “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” do të përcaktoheshin si “stereotipa”; qysh në ato përgjigje ndaj studentëve, Levi angazhohet t’i përshkruajë dhe t’i demontojë me forcën e logjikës dhe me saktësinë e informacionit historik.

Arsyetimi i tij vijon kështu: “sidomos duhet refuzuar interpretimi më naiv sikur nga njëra anë gjendet vetëm dhunuesi i vërtetë, pa dyshime metodike, pa ngurrime, dhe nga ana tjetër, viktima, e shenjtëruar në rolin e saj prej viktime. Nuk është ashtu. Makineria njerëzore, kafsha njeri është më e koklavitur. Ka faza të ndërmjetme. Ata që u quajtën xhelatë, nuk ishin xhelatë në stadin më të kulluar: ishin njerëz si ne, që hynë në rolin e xhelatëve për ndonjë arsye. Në librin e ardhshëm, kam ndër mend t’i shpjegoj këto motive”. Analizimi i “fazave të ndërmjetme” (një përcaktim qartësues, që nuk do të ritrajtohet te “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”) nuk do të thotë të pranosh çdo gjë dhe të falësh çdo gjë; do të thotë të kuptosh dhe të dallosh me vëmendjen më të madhe morale.

Pra, në mes të viteve ’70-të, nis procesi i ideimit që do të shpjerë në shkrimin e librit “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”. Një proces që – si gjithnjë në punën e Primo Levi-t – nxitjen për të reflektuar e merr nga lëmi të ndryshme, por boshti kryesor mbetet përvoja në Lager, filtruar përmes asaj çka kaluar në jetën e tij personale, por edhe nga rrëfimet apo shkrimet e të tjerëve. Sidoqoftë, ajo përvojë duhet të ndërveprojë qoftë me një këndvështrim të kujdesshëm ndaj realitetit të sotëm dhe sinjaleve të rrezikut që vijnë prej tij, qoftë edhe me gatishmërinë, pengesat e vështirësitë që ndeshin këto ndryshime në ndjeshmërinë e brezave të rinj.

_______________________

*Mbi Fabio Levi-n

Exit mobile version