Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Thomas Brasch

Poezi nga Thomas Brasch

Përktheu Fatmir Alimani

27 shtatori i bukur

Unë nuk kam lexuar asnjë gazetë
Unë nuk kam parë asnjë grua.
Unë nuk e kam hapur kutinë e postës.
Unë nuk i kam uruar askujt një ditë të mirë.
Unë nuk jam parë në pasqyrë.
Unë nuk kam folur me askënd për kohët e vjetra
Dhe as për kohët e reja. Unë nuk kam menduar mbi veten time.
Unë nuk kam shkruar asnjë varg.
Unë nuk kam vënë asnjë gur nën rrota.


SHPESH JE TI AI, QË UNË DUA

Shpesh je Ti ai, që unë urrej,
megjithatë shumë rrallë.
Ti je gjithashtu ai, prej të cilit
unë kisha frikë.
Ti je ai që më godet mua
Ti je ai që më përkëdhel
Ti je ai që, më thotë,
çfarë mundem unë.
Ti je ai që më pëshpërit në vesh.
Gjithçka je ti.
Por ti nuk do të jesh kurrë,
ai që do të qëndrojë këtu përgjithmonë.


LAJMËTARI

Ai kishte një rrugë të shkurtër. Askush
nuk e kishte detyruar atë.
Ai nuk kishte asnjë pengesë
për të kapërcyer. Ai nuk kishte
asnjë lajm për të njoftuar. Përse
qëndronte ai tmerrësisht i ngutur
te porta e shtëpisë.


FOR FUN

Ah, bota është një teatër,
Siç thotë Shekspiri, babai i të gjithëve,
por ne duhet t’i luajmë mirë rolet tona.
Pastaj drama e shkretë shkruan jetën.

Kundër kësaj nuk del dot askush.
Edhe nëse ai herë pas here,
mendon, që mund ta bëjë,
Just for fan.

Unë i fitoj paratë e mia me lojëra,
për to ka nevojë populli si për bukën.
Në teatër njeriu duhet të ndjehet i lumtur
dhe të harrojë ata që e kërcënojnë, me të vërtetë.

Kundër kësaj nuk del dot askush.

Po, të harrojmë duam ne, gjithë çfarë na dha koha:
Varfërinë e ftohtë, burracakërinë, vetminë.
Dhe njeriu nuk lufton, por vetëm ndjen shpirtërisht.
Prandaj hapja atij portat e skenës që larg

Kundër kësaj nuk del dot askush.


KËNGA PËR JO – NË

Jo, asnjë njeri nuk është bërë,
që ai të jetojë vetëm gjatë ditës
dhe akoma më keq, vetëm, edhe gjatë natës.
Ah, Sibile, mjeti ynë më i mirë kundër vetmisë
ishte banesa jonë e përbashkët.

Jo, mos më braktis,
mos ik nga porta,
mos e fik këtë dritë,
Qëndro me mua.

Jo, njeriu nuk është menduar kësisoj
Që më të afërtit t’i bëjë llogarinë,
Që e ka harxhuar ai vetë, Sofi,
Kush s’mund të jetojë vetëm nuk jeton kurrë.

Jo, unë do të shkoj tani,
po dal nga porta,
nëse syri yt njomet në rrjetë,
unë nuk do të qëndroj më këtu.


POEZIA E PAMUNDUR

Të papërputhshmen e dua unë në një poezi: duart
e tua të bardha, të holluara dhe ligji që të bën ty një mall

bukuria e thjeshtë e një rime dhe
marramendja ime trutharë e telasheve të mia ekonomike,

e trembura ime nga një qen i vogël i përhirtë dhe
gëzimi im mbi vdekjen e kufomës së fundit qeverisëse

Për këtë poezi (unë vetëm mund të mendoja)
do të dhuroja makinën time të shkrimit.


KAINI FLET

Pa shiko si rri shtrirë vëllai im
i vdekur dhe i pasur.
Me gungën tepër thellë
i përkulur para burrave të lartë
as kjo nuk sjell asgjë.
Lëre të ekzistojë,
Ah lëre,
kjo sjell vetëm urrejtje vëllezërish


MAKBETH

O Skoci e pagjumë dita do të bëhet nata jote
Për agimin e bardhë ti nuk ke asnjë vend
Ne ëndërruam, i mbyllëm sytë dhe u zgjuam
unë ledi, e ti Makbethi, dhe ne u bëmë një vrasje

ti luaj marrëzinë unë luaj kuptimin e saj
çmenduri unë quaj atë që ne të dyve na bashkon
Thuaj çfarë të duash unë të them ty kush jam unë
Më jep mua gjumin unë marr armikun tënd

Nga një mbret të bësh një kufomë
Nga një pyll një ushtri që ngre krye
Kush nuk ka fjetur kurrë ai nuk duhet të zgjohet
Ne duam të bëjmë diçka jo vetëm të pyesim kush është kush.


FRAGE

Mbas punës me makinat
njerëzit ëndërrojnë për makinat
përse ëndërrojnë makinat
mbas punës me njerëzit?
KËTU HAP GOJËN VRASËSI I PAFAJSHËM

Gjer tek e pandijshmja. Këtë ata e quajnë britmë.
Ai i shikon ata që shohin vdekjen e tij:
Ankth ose tmerr : Kinski i gdhendur në gur.
Por nuk ka vdekur akoma. Vetëm gjatë ecjes
së kaluar duket sikur do të jetë i përjetshëm

AH, NËSE UNË MENDOJ,
BOTA RROTULLOHET RRETH MEJE

Si rrotullohet toka rreth diellit
derisa shqyen gojën
dhe kështu veç jeta ime T Pikë B Pikë
Do të thotë që për më tepër unë nuk jam i mirë
dhe as për më pak se të mësosh të kuptosh,
gjërat që unë i dua
pra është më bukur ta bësh dikë të lumtur
sesa ta bësh veten : fatkeq.


MBI ARTIN

Ndoshta është, në një dritë të hapur duke ecur
për asgjë tjetër: unë dua që ju të më verboni:
si i verbër unë do t’ia dal mbanë , duke u lutur
për pafajësinë time, dhe krimi nuk merr fund kurrë.

kush dëshiron tjetër gjë, duhet t’i largojë duart nga zjarri.
Përndryshe do të shpërthejë gjithçka në thërrmija.

Dhe unë. Unë nuk jam asgjë më shumë se sytë e mi.
Nëse ju varrosni dy persona, kë varrosni ju.
Unë nuk kam përjetuar asgjë. Vetëm diçka kam parë.
Unë nuk dua të vdes. Vetëm të jem i vlefshëm.


FILOZOFËT

Filozofët flasin për një botë
të mundshme.
Unë përshëndes
filozofin Wolfgang Heise
Nesër
unë ndoshta jam i vdekur.
Qentë ikin tutje
unë
jo


PAUZË

Papritur heshtën makinat
Dhe në qetësi dëgjohet:
Ato nuk kanë më asgjë më tepër për të thënë


ATJE

Çfarë unë kam, nuk dua ta humbas, por
atje ku jam, nuk dua të qëndroj, por
atë që unë e dua , unë nuk dua ta harroj, por
ata që unë i njoh nuk dua t’i shoh kurrë më, por
atje ku unë jetoj, atje nuk dua të vdes, por
atje ku unë vdes, atje nuk dua të shkoj:
Unë dua të qëndroj atje, ku unë nuk kam qenë kurrë.


NDARJA OSE NJË ZGJEDHIM

unë do të qeverisem
ti do të qeverisesh
ai do të qeveriset
ju do të qeveriseni
ai do të qeveriset
ne do të qeverisemi
ju do të qeverisni
ata qeverisin


ZOTI

Tepër i majmë rri shtrirë Zoti i mirë
në shtratin e tij qiellor.
Ai fle dhe ëndërron
për gratë e zbehta
që natës lakuriq,
e shikojnë nga dritarja
dhe pëshpëritin fjalë të mprehta

Exit mobile version