Kreu Letërsi Bibliotekë “Dielli perëndon në kindat e fustanit tënd”, cikël poetik nga Nuri Plaku

“Dielli perëndon në kindat e fustanit tënd”, cikël poetik nga Nuri Plaku

MËKATI YT

Më shpoi gjëmbi i zi i trëndafilit tënd.

Nga dhimbja
U zbardh
Hija ime mbi dhe.


ZOGJ TË VERBËR

Sa e lodhshme më bëhet udha
Kur vij tek ti.

Zogj të verbër
Hapat e mi.


PËRVUAJTJE

Gjithë ditën rri në dritare
Përgjeruar pas teje
Pa mend.

Kur vjen mbrëmja
Dielli perëndon,
Në kindat e fustanit tënd.


GRINDJE MARTESORE

Mbaroi edhe muaji i mjaltit
Nga gishtat
Filloi tu rrjedh
Shkëlqimi i unazave.

Sa të urtë janë fëmijët
Ende të palindur!


DHIMBJA E IKJEVE

Këtu është kufiri i mjegullës!

Këtej, ujqërve u është mpirë nuhatja
Nuk ulërasin më
Ti je krejt e lirë të ikësh
Si një ujkonjë e vërtetë
Në arratinë tënde të marrosur.

Mos më pyet se cilat ikje dhëmbin më shumë
Nuk pyeten kurrë të vrarët e fatit.

Ti e di, pas teje do vijë një verë e thatë, e thatë
E shpirti do më bëhet
Daulle beduini.
Pastaj do vijë një korb
Do rrah me sqep lëkurën e saj,
E do gjemojë gjithë shkretëtira.

Unë do zhytem në mjegull pa dëgjuar asnjë tingull
Si një ujk i vetmuar
Me nuhatje të mpirë, pa ndjesi.
Një ujk i uritur
Që bren me dhëmbë drapërin e hënës
Të ushqehet me thërmia drite.

Mos i pyet kurrë të vrarët e fatit
Të të flasin për ikje.


KËNGA E PERLËS SË ZEZË

Isha dikur një burrë prej zjarri!…
Ndizesha e shuhesha
Nga xixat që shkrepnin
Qerpikët e tu.

Mbi zambakët e çelur
Këndonin zogjtë e parajsës
Udhës kur vija tek ti.

Befas qerpikët e tu i ngriu dimri i ikjeve
E të fshehu në një guvë gurësh
Mbuluar me ujra të njelmët.

Ju luta sirenave të të gjenin
Të sillnin sërish tek unë,
Por dimri i egërsuar
Shfrynte mbi mua gjithë tërbim.

Ti u bëre perlë e zezë…
Tashmë del e këndon mbi ujra
Këngën e fatit tim.


LUMI I THARË

U tha edhe ky lum…
Mbi zall, dergjen trungje drurësh të kalbur
Skelete peshqish, gaforresh, bretkosash
E gjithfarë mbeturinash, pa formë.

Unë qendroj para tij, e digjem dalëngadalë
Në zjarrin e zi të korbave
Që krokasin me ulërimë në shtratin e vdekur
Sikur po i bëjnë, të fundin gjyq.

Tej në horizont,
Shfaqen katër pulëbardha
Me katër lumenjtë e parajsës mbi shpinë
Që vijnë drejt meje
Duke fluturuar kryq.


DRITA E BARDHË E MJELLMAVE

Kur luanin mjellmat e reja në liqen
Peshkatari plak më thoshte i gëzuar:
Është koha të njohim vetveten!

Kur vdisnin mjellmat e moshuara në breg
Peshkatari më thoshte i menduar:
Është koha të njohim vdekjet tona!

Sa e bukur është drita e bardhë e mjellmave
Kur buron nga gjoksi i një burri!


BULEVARD

Sa herë shetisja në këtë bulevard
Nga gurët e tij të lëmuar
Buronte një muzikë e fsheht
Që vetëm unë e dëgjoja.

Dikur atë muzikë
Fillova ta luaja vet.

Bulevardi tretej brënda meje
Unë rritesha,
E bëhesha qytet.


MESNATAT E QYTETIT TIM

Mesnatat e qytetit tim
Luajnë shah
Me statujat e parkut.

Mbreti
Përvidhet herë – herë
Nga fusha e betejës
E fshihet
Në një sy të verbër kusari.

Unë e vështroj nga dritarja
E gjerb i etur
Dritën e mugët të yjeve
Si çaj trëndafili të zi.


MALLKIMI I QYTETIT

Tri herë më mallkove o qytet
Pa më parë në sy.

Mua mu dukën
Si tri këngë gjeli në mesnatë.

Kurrë se besova mallkimin tënd prej ati!

Tri qirinj ndeza në altarin e kishës
Të përcillja te Zoti
Tri lutje për ty.

Tri lutje o qytet
Për tu parë
Sy më sy.

E ti prapë nuk munde…

Në dritën e qiririt të tretë
Mu shfaq emblema jote
Në dhëmbët e një Jude.


UDHA E MËKATIT

Është një udhë
Të nxjerr në katër udhë.

Shi nuk bie mbi të
As bar nuk mbin
Veç fryn një erë e ftohtë, e ftohtë
Që t’i shkul mendimet nga koka
E të bën vjeshtë.

Është një udhë
Që sa herë kalon dikush
Këndon një hutin.

Sapo mbërrin në fundin e saj
Katër udhë të tjera
Bëhen kryq
E të kërcejnë mbi shpinë.


BURRË DIMRI

Kur u nisa
Vesha këpucë të uritura
Me shoje të dhëmbëzuar
Të kapesha fortë pas udhëve
Të bëhesha burrë dimri.

Para meje ishin nisur burra të tjerë
Me shoje këpucësh të dhëmbëzuar
Shkelnin mbi flakët e zjarreve
E nxitonin të thinjeshin.

Ndanë zjarreve të shuar
Përgjonin ujqit e zinj të fatit
Me eshtra udhëtarësh në gojë.

Ishte udhë e pafund ajo udhë
Natën të çonte diku
Ditën të kthente sërish
Pa mbritur askund.

Diku ndala
Vara xhaketën në sqepin e një zogu
Dhe u ula të shlodhesha.

Pluhuri i këpucëve mu fut në damar
E mu bë baltë e kuqe
Përzier me grimca hiri.

Isha bërë
Burrë dimri.


SOT IKU KOMSHIJA IM I FUNDIT

Sot iku
Komshija im i fundit.

Moti gjemoi tri herë
Pastaj fryu erë e ftohtë
Dhe dëbora e zezë e oxhakëve
Ngriu mbi çati.

Një shami grash
E lagur nga lotët
Mbeti harruar
Në gozhdën e murit.

Sot iku
Komshija im i fundit!…


KËPUCËT E AMELIAS

Amelias, mbesës sime

I mbush me përralla këpucët e vogla të Amelias
Dhe shkoj përditë në parkun e lojrave
Të kalëroj me kalin e drunjtë.

Është kali që luante vogëlushja ime në verë
Ai më njeh dhe hingëllin me zërin e saj.
Mua më duket se edhe qesh si ajo
Po këtë nuk e them, se e di që kuajt nuk qeshin…

I vendos këpucët mbi shalë
Rrotullohem bashkë me të duke e mbajtur për kapistalli
E i tregoj një përrallë të bukur
Njësojë si Amelia.

Kur mbaron përralla, kali ndalon. Mjaft për sot!
Njerëzit presin radhën të kalërojnë fëmijët e tyre
Dikush më shikon i çuditur, por aq më bën.
Nesër do vij përsëri, ti tregoj kalit përrallën tjetër
Mjafton që ai të hingëllijë me zërin e saj
Mjafton të qeshi me qeshjen e saj, dhe pse nuk është e vërtetë.

Amelia nuk më shikon, është larg, në mërgim
Kjo nuk ka rëndësi
Ajo më ka lënë këpucët e mbushura me përralla
Dhe këtë kal të drunjtë që hingëllin me zërin e saj, plot jetë!


SYTË E MILONGONAVE

Unë e flisja dikur gjuhën e fshehtë të milingonave
Dhe adhuroja heshtjen e tyre prej dheu.

Kur ndodhte ndonjëherë të braktisja veten
Ato më mbërthenin me nofullat e mprehta
E unë rikthehesha sërish në adhurim.

Pastaj më shihnin me pasqyrëzat e syve
Mbushur me dritë të zezë
E më rrëfenin udhën e vetëtimave.

Gjithë jetën jam endur në atë udhë
Të gjeja gurët e rrufeve
Të kalisja shpatën e heshtjes.
Por gurët qiellorë si gjeta kurrë
Dhe tehu i shpatës shkëlqente vetiu në dorën time.

Një ditë e kuptova…
Ata gurë ishin sytë e tyre të vegjël, të vegjël
Mbushur me dritë të zezë vetëtime.

Exit mobile version