Kreu Letërsi Shënime mbi libra Diamanta Zalta: Një poezi e vërtetë

Diamanta Zalta: Një poezi e vërtetë

Heraldikët e borës, është një vëllim me poezi të zgjedhura të Niko Kacalidhës, një ndër poetët më të rendësishëm të poezisë së sotme shqipe.

Poezia për poetin është një sy, me të cilin sheh dhe komunikon me Zotin. Sepse poezia përkon me shpirtin, dhe këtë të fundit Ai e ka në dorë . Burim frymëzimi për një Krijues është shpirti i shqetësuar, i cili funksionon si në një shtatzani të mbarë për të lindur Poezinë. Udha në të cilën lind dhe vijon është Koha,Vendi, Përkatesia në Dijet. Më pas, akti i leximit (nga lexuesi i tij ), është Shpërblimi, një lëndë ndjesore që ja përmbush mundin. Poeti Niko Kacalidha me sa duket ka një besëlidhje të hershme me poezinë,që në adoleshencën e tij, një lidhje të fortë pa kushte, ashtu e lindur vetiu, është ndjerë i gjithi i saji, në gjirin e saj të ngrohtë e plot ngjyra jete. Vargu i poetit që në fillesat e tij, ka shpalosur një lloj filozofie të hollë të stadit të jetës në të cilën është ndodhur, duke u mbështetur në udhëzimin e fjalës profetike:Tri gjëra janë shumë të vështira për mua,/Ose më mirë të them katër, që s´i kuptoj aspak:/Rrugën e shqiponjës në qiell,/Rrugën e gjarpërit mbi shkëmb,/Rrugën e anijes në detin e thellë, /Rrugën e burrit në një grua të re. (Psalmet)

Poezia bëhet zog dhe shpirti Liri. Nga eremit i vetmuar, kthehet në vullkan të Fjalës, zbulon hapësirën ku dëshiron të jetojë, ëndërrojë, krijojë, të rritet e të plaket në fisnikëri, e për tu mbajtur mend. E lexoj Niko Kacalidhën,dhe gjithmonë më është e domosdoshme të kem pranë një bllok shënimesh, të nënvizoj fjalë të reja, kuptime të reja të metaforës, përdorime të reja të vargut, sepse gjuha e tij është kaq e larmishme, kaq e pasur për të plotësuar imazhin e shpirtit në letër, sa bëhet deri sfiduese për njohjet e mija. Poezia e Niko Kacalidhës e pasuron lexuesin në leksik, dhe njohjes ja shton kufirin, hapësirën. I bekuar në ujrat Homerike,ky autor e përdor madhështinë e Homerit në krijimet e tij si dritëdhënëse si fanar për të çarë errësirën, lidhëse dhe frymëzuese për t’u pagëzuar si bir i denjë i miteve antike greke. I ndodhur në mes dy tokave të quajtura Atdhe, i dyzuar në kufijtë shpirtëror të birit të dyja tokave, qytetërimeve, dhe kulturave të ndryshme, ai mbetet një zog, që i përket Paqes së shpirtit dhe Lirisë së hapsirave poetike, të cilat e tërheqin pas vetes. Në se do ta pyesnim Autorin cila është Itaka e tij, Greqia apo Shqipëria, ai do të përgjigjej patjetër në varg, se Itaka e tij është POEZIA. Në se lindi në Leshnicë, ky vend për poetin është vetë Krishti, në se u ndodh në ujrat e Mesdheut, Ai është pikë për pikë shëmbëllim i personazhit të Kavafis tek “Kthimi i Odiseut në Itakë” ( Pagëzimi i zogjve). Lexova kohët e fundit, Heraldikët e borës, dhe kjo…është kaq e çuditshme me reflektimin. Pas leximit të çdo poezie, pason një psherëtimë, lexuesi pëson një ngopje poetike të rrallë, sepse vargu është befasi, është përzgjedhja e mënçur, e qeshura e shpresës. Janë poezi të shkruara që më 1970/ën e këtej, pjesë të vëllimeve poetike të vlerësuara me çmime letrare të kohës. Ka aromën e barit dhe lules së fushës vargu, ka kripësinë e detit dhe ndriçimin e rrezes së parë të diellit mbi bregore, ka vlagën e dashurisë së pastër që mbush gjoksin djaloshar dhe ndrojen e bukur të vashës së re. Atje, në brigjet e Mesdheut, si ndodhi të njihet aq shpejt vlera e penës dhe veçantia e të shkruarit të këtij autori, në një kohë që penda kish lëvruar që herët tokën e poezisë me parmenden e një talenti krejt të veçantë në atdheun e lindjes. Poeti kishte fituar Mëvetësinë e tij, Personalitetin e tij. Ai ishte dhe mbetet real edhe sot, i pakrekosur, i sinqertë me veten dhe të tjerët, me sharmin e modestisë troket në portën e lexuesit pa zhurmë e kërkues lëvdatash, ai kërkon thjeshtë TË LEXOHET. Kam lexuar analiza të mrekullueshme nga kritikë të sprovuar si Vasil Vasili, Sadik Bejko, Alisa Velaj, Timo Mërkuri, deri Ismail Kadare dhe Dritero Agolli kanë shprehur mendimin e tyre racional për autorin dhe të gjithë thonë se poezia e tij origjinale ka brumë homerik. Niko Kacalidha, mësues letësie në zonat e thella të fshatrave të minoritetit etnik grek, e quajti fat vetminë, nëpërmjet saj iu dha kohë të përvetesonte vlerat botërore, mitologjinë greke, që është shtrati i gjithë Letërsive të botës. Por Pleniumet vinin në shënjestër pikërisht më të mirët e mëndjehapurit. Kjo ndodhi edhe me poetin, i cili aso kohe u mbyll në vetvete dhe bëri shoqëri me yjet. Iu përkushtua vetes, dhe ashtu në vetmi iu fut minierës së pasur të shpirtit të tij, për të zbuluar më thellë orgjinalitetin e qënies dhe origjinën. Vargun që valëzoi e ushqeu me dritën e mëngjeseve dhe etjen ja shoi me ujët e burimeve. Poezia e tij pikturoi peisazhin e jashtëm dhe të brendshëm të kohës, me një mendim të thënë ndryshe, me vetmohimin për të mbetur i pastër, i pa njollosur nga mendjet e vogla.

Lule mali e vetmuar 

Nuk shtirej kurrë, nuk donte të dukej. Asnjëherë s’shiti mend për brishtësinë e kërcellit dhe për elegancën e petaleve. Indiferente, larg syve të botëszhvishej, lahej në gjirin e flladeve buzëmbrëmjes. Vishte vellon e pushtë qëndisur nga era me molinenë fluide të agullimit. Larg bulevardeve nëpër lartësitë malore dhe nuk e gjenin as për buqetat e nuseve e nuk preferohej as për buqetat mortore. Larg bulevardeve as emrin nuk ia dinin. As në antologjitë e luleve nuk përfshihej, lëre pastaj të thirrej ndër pritje mondane. Frynte, e merrte vallen e rrotullimit buzë bokërrimës mes ulurimave të murrlanit. Më shihni mua, sikur thoshte, më dëgjoni mua, paçka se nuk marr pjesë në buqeta, ju siguroj se më e bukur do të bëhet jeta. 

Mali i Leshnicës, 1974 

Vetë rritja e lules do të ishtë rritja e poetit, dhe këtë autori e jep me shumë mënçuri dhe elegancë. Metaforat marramendëse na kujtojnë Rreshpjen apo një Faber. Të lexosh poezinë e Kacalidhës është privilegj.Niko Kacalidha është i lidhur aq fort me kërthizën e Natyrës, pëshpërimën e drurëve, buzëqeshjen e yjeve, dremitjen e tokës nën shiun që bie, lutjen e gjethes, plaçuritjen e dallgës së një deti me halle në zbaticë.Të gjithë poetët kanë shkruar për natyrën, por tharmi i saj në poezinë e Niko Kacalidhës është kaq i ëmbël, kaq efektiv, mbresëlënës dhe depërtues.

Druri gjenealogjik

Shtëpia ime si një patkua hëne ngulur në pllajë

 nga galopi i erës.

Këtu u pozicionuam. Këtu ma bëri shtëpinë gjyshi e stërgjyshi

dhe e kam oborrin me plloça mbushur me qiparisa.

Unë i kam rrokur rrufetë në shkreptimat e befta

dhe u kam thënë: këtu nguluni e bëhuni qiparisa!

Dhe e kam pllajën e nusëruar me gështenja e pisha

 kurora të shtëpisë sime.

Dhe kundërmon rrugica me trumëz e mjedër.

Dhe feks dritarja ime transparente e shpirtit.

Këtu u pozicionuam. Guri i pllajës sime ka formën e fytyrës sime.

Këtu fjetëm. Mbigurë. Dhe blici i hënës ma fiksoi

 fytyrën në negativin e gurit.

Këtu ma bëri shtëpinë gjyshi dhe stërgjyshi me një

 pamje ngamali, me një pamje nga deti,

në jug të Ballkanit më la burri i burrit.

Ju nuk e dini se shpohej daullja e hënës nga klithma

 e vaje të grave të mia.

Dhe iku gjyshi me një trastë të shpuar gjineshtre

 si Odiseja duke eksploruar detet.

Jashtë në oborr dhe qeni i shtëpisë sime ulërinte.

E solla vajzën që donte shtëpia në stolin e mbrëmjes,

përballë hënës dhe i putha sytë, më gjelbëruan buzët.

Dhe e putha në buzë e m’u bënë sytë inkandeshentë.

 Të qënurit minoritar në një vend monist, autorit iu desh shumë durim dhe zgjuarsi për ta përballuar në një kohë të dhunshme, por durimi dhe mënçuria nuk i mungoi kurrë. Nuk ndaloi kurrë së shkruari, ai njihte vetëm ngjitjen, avancimin, shkëlqimin. Vasil Vasili do të shkruante më vonë se: ´´Treshes Kadare – Agolli – Arapi, i është shtuar vargmali me tre ungjillorë: Rreshpja, Zeqo, Kacalidha´´

Në poezinë Pakti i Akrokeraunëve,duket qartë se ka një qasje dhe ndikim të fortë nga poezia Bajroniane. Kritika pranoi se Niko Kacalidha është një fidan i shëndetshëm i prejardhjes së tij prej Mesdheut të poezisë së nivelit elitar. Atë e donin Shkronjat. Rrëfimet e të jatit që në vogëli kishin bërë vend në shpirtin e tij fëminor, i cili edhe sot ashtu ka mbetur, i pastër, kurioz, kërkimtar, i pafajshëm. Dashuria për De Radën do të ishte një tjetër dashuri e fortë, një fjongo lumturie që do të lidhte buqetë qindra poezi të frymëzuara nga heroi poetik duke vazhduar pastaj me botime në gjuhën greke të cilës ja njihte që fëmijë muzikalitetin, pasurinë dhe vlerat. Me siguri është e vështirë të përfshihesh në një Shkollë për poezinë evropiane siç ishte ajo e Elitis, Kavafis, Seferis, në një kohë kur poezia shqiptare ende nuk mund të krahasohej. Kacalidha, jo vetëm mundi të hyjë në oqeanin e thellë e të egër të Fjalës, por edhe të veçojë, si poet i rrymës moderne në poezinë perëndimore. Çmime prestigjoze kurorëzuan suksesin e tij në Greqi, Çmim të Alkionidëve, Çmim Ballkanik të Sofjes 2001, Çmimin e Madh si përkthyes i Elitis, 2018,i dekoruar “për korpusin e madh të veprës letrare në poezi, prozë, përkthim, 2023, ku dekorata iu dorëzua nga Kryetari i Parlamentit Grek të asaj kohe. Gjuha e tij është cilësuar brilante nga kritika greke, e veçantë dhe me kuptim thelbësor pa kallëpe, “Nga gjithë lulet e Kopshtit Homerik”–shkruan Ziras “Gjuha e Kacalidhës të kujton Lorkën dhe Elitin” – shkruan Markopulos . “Askush si Kacalidha se ka përshkruar mardhënien e njeriut me natyrën aq madhërishëm si ai” – shkruan Papageorgiu .

Vendlindja në magnetofon (!)

Si u futkërka në magnetofon kështu vendlindja?

Si u modernizuaka kështu e mbërthyer në ca

 shirita malli?

Mund të merren në magnetofon cicërimat e zogjve,

po pa mëthuaj: si do të merret ngjyra çiklaminë

 e mëngjesit dhe e gjelbra e pranverës?

Mund të marrësh në magnetofon zërin e gjyshes,

po pa më thuaj: si mund të merren duart e saj

 dhe gishtat fisnikë?

Po profilin e saj të bardhë në buzëmbrëmje

 me kokën e artë si një kokë hëne?

Mund të marrësh në magnetofon dhe njëzet

a tridhjetë këngë popullore e t’i kesh në kasetë në

qytet në dhomën tënde. Po pa më thuaj: si mund

të transportohet vendlindja me një magnetofon

 qoftë me tridhjetë këngë e tridhjetë valle?

O, guri i pragut duhet shkelur, o, duart e gjyshes

duan puthje, o, delja në pllajë duhet të të shohë që

 të blegërijë,

o, jargavanit në avlli i duhet marrë erë, që të kërresh

 mall.

Leshnicë, prill 1989

Kritika Letrare Greke e mbështet sivëllain poet pikërisht se ai di të ruajë të drejtën të shohë me sytë e një “të huaji” atë që në fakt është thellësisht e tija. Kurse Kritika Letrare në Shqipëri ende nuk ka mundur të analizojë vlerën universale të Niko Kacalidhës. Analisti i njohur Timo Mërkuri shprehet në një sprovë për Kacalidhën se “Poetët e vërtetë janë “naivë”, që nënkupton brishtësinë e rinisë. Sepse poezia është Art i Rinisë së shpirtit”. Dhe kështu ka mbetur poeti Niko Kacalidha, i ri në hov, në ndjenjë, në esencën e Fjalës, bukurinë dhe thjeshtësinë e saj. Këtë të fundit e ka përsosur duke studiuar parreshtur autorë të mëdhenj të perëndimit. Ai ka durimin e argjendarit që qëndis lule mbi metalin e çmuar, duke çvendosur kështu hapësira në kohë dhe këtë e bën me shumë dashuri dhe respekt për Fjalën, duke injoruar çdo efekt negativ të shpirtrave të vegjël të cilët nuk kanë mundur t’i heqin asnjë ashkël shpirtit të tij prej diamanti. Poezia e Niko Kacalidhës ka mbetur Engjëllore, për dashurinë, vajzën, gruan, fëminë, nënën, gjyshen e mirë. Gati gati e hyjnizuar është himni që i ngre ai Aferditës së tij, si një kalorës me kalë të bardhë që mban në dhëmbë një trendafil të kuq.

Sa kopësht të bukur dhe të larmishëm ka krijuar me Heraldikët e borës Niko Kacalidha! Personalisht, sa herë hyj në atë kopësht, harroj kohën, vendin, bëhem pjesë e asaj harmonie që krijon poezia e tij midis qënies dhe qiellit. Bëhem erë, eter, ndjenjë. Tashmë edhe portretin fizik të Autorit e kam krijuar, ashtu…edhe pa e parë asnjëherë fizikisht sepse shpirtin them me plot gojën, ja njoh mirë. Ai është vetë Poezia e tij.Pa asnjë mundësi gabimi për këtë gjykim, them se Niko Kacalidha i përket autorëve elitarë të poezië moderne.

 Fle fathëna e Dodonës,

fle orakulli i thinjur i Delfit,

shtëpia e perëndive rrudhur sa një grusht,

në mërinë e murrlanit.

Si të mos drithërojë lexuesi para këtyre vargjeve ku autori krijon, çvendoset, merr frymë bashkë me lexuesin, në Bukurinë që do të shpëtojë Botën – siç thoshte Dostojevski. Bukuria është institucion i Poetëve, dhe vetë poetët janë Bukuria e Jetës. Profecia e një poeti është: “Dashuri dhe vetëm dashuri!” Ata janë zogjtë e subkoshiencës më të pasur të Njeriut, dhe kjo e bën atë këngëtar të pasqyrës së JETËS DHE PASJETËS.

Padyshim Heraldikët e borës të Niko Kacalidhës do të shërbejnë si testament të bukurisë poetike në estetikën moderne të Letrave Shqipe.

Exit mobile version