BERLIN
Berlin,
po bie shi
jam vetëm në errësirë
kam humbur qelizat
janë shpërndarë në skutat e natës
po përpiqem të fle
por e kam të vështirë
u bë kohë që unë nuk jam unë
është zhurmë Berlin
që thyen çdo melodi loti
nuk kam paqe
nuk kam frymë
jam bosh
jam varg
pa rimë…
Dërgomë shi Berlin
shishe për të ruajtur lotët e mi
jam shndërruar në mungesë
që nuk e plotëson asnjë ekuacion
dua thjesht të fle Berlin
me shpresën që nesër
nuk do zgjohem më.
Kam ftohtë
jam bosh
jam pa mua në këtë botë.
NË VARREZAT E SHËMTUARA TË VENDIT TIM
Në varrezat e shëmtuara të vendit tim
Ku kambanat nuk bien prej vitesh më
Prehen lapidarë që janë në konkurrim
Për dekorin më të bukur, që ndjenja e fajit lë.
Në fushat e mbushura me kocka
Ku askush nuk zë më shumë se dy metër dhé
Gjenden të rreshtuar mermerët e parfumosur
Me epitafe e fotografi ku veç të vdekurin nuk gje.
Në punën artistike mbi gurin e vdekjes
Nuk ka obeliskë të zinj të pashkruar
Se ata që mbesin pas mbi shtratin e fjetjes
Premtojnë që kurrë nuk kanë për të harruar.
Por kur nata bie dhe të gjithë ikin
Varrezat e shëmtuara të qytetit tim
Konkurrojnë çuditshëm sikur po i ndjekin
Dhe në botën tjetër për ndonjë çmim.
Ke frikë të vdesësh në këtë botë të qelbur
Se dhe pllakën e varrit ta vënë në ankand
Për epitafin apo lamtumirën më të gjetur
T’i shesin kockat pa hije e takt.
Po nuk kanë faj kështu e ndërtuan jetën
Si pasqyrë ku duhet të dukesh veç bukur
Si mund ta përjetonin ndryshe vdekjen
Ku njeriu jeton veç për t’u dukur?!
TRISHTIMIN TIM
Hajde,
me trishtimin tim ngremë dolli
i themi botës bashkë lamtumirë
i përqafojmë horizontet pa frikë
e harrojmë dhe diellin e retë
puthim shiun që krijon stuhi më mirë.
Hajde,
mbi trishtimin tim ngremë dolli
e lëmë kohën të na kërkojë
t’i zhdukim kujtimet
të mos dehemi me muzikë
dhe librat t’i braktisim nëpër rafte
vdekja të shkruajë poezi
tek na pret ne.
Ik,
me trishtimin tim, ngre vetë dolli
hijet nuk duan lot
do e zgjidh gjithçka vetë
për të gjetur paqen
më duhet veç të harroj
se u linda njeri.
MAM
Mam
Të paktën ti mos kij frikë
Nga ndryshimet e mia
Nga trishtimet që lëngojnë
Nëpër përqafime të thara
Mos ndiej as ankth
Për heshtjet e mia
Ti më njeh më mirë se hëna
E di çfarë vlere ka errësira.
Mam
Mos u tremb nga shkrimet e mia
Unë nuk shkruaj dot poezi
Madje as matematika nuk është imja
As myshqet apo likenet
Unë nuk jam zonjë e lartë dhe sovrane
Në gjithë këtë kohë
Nuk e di çfarë kam qenë.
As sot s’e di,
Nesër, po i njëjti refren.
Mam
Të paktën ti qesh
Kërkoje nëpër qiell përqafimin tim
Lëre botën me veten të heshtë
Rruga jote është në kthim
Shpirti yt duhet veç të buzëqeshë
Ndryshe si do më shpëtosh
Dhe mua këto ditë
Mos kij frikë mam
Unë gjithmonë jam mirë.