Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga ANDREJ VOZNJESENSKI -Përkthyer nga Bardhyl Londo

Poezi nga ANDREJ VOZNJESENSKI -Përkthyer nga Bardhyl Londo

GOLGOTA

Një shtyllë malin çan,
si lëmshin shtiza majëmprehtë.
U këput boshti i Tokës!
Ulërijnë qentë.

Dhimbja vazhdon,
ndërrojnë vetëm kohët.
Njeriu kryqëzuar
mbi boshtin e Tokës.

Golgotë, 25 tetor


QERSHOR ’68

Mjellma, mjellma, mjellma…
Drejt veriut. Drejt veriut. Drejt veriut.
Kenedi… Kenedi… Kenedi…
E kositën.

Ndoshta në politikën e huaj
jam fare profan,
por e kuptoj mirë gjakun
kur faqen e pafajshme lan.

Ekrane demagoge,
limuzina në zi,
me plumba, me plumba, me plumba,
polemizojnë tani…

Kujtoj: lëkundej si i dehur,
kokën pa e varur ende,
i tregonte me gisht Eseninin,
litarit që tundej mbi dhe.

Lëkundej njëlloj si ai,
eklipsi në sy iu shfaq.
Gjithçka u mendua për reklamë,
në gjak përfundoi, në gjak.

Jetë e pambrojtur
e liderëve, artistëve,
drejt nga ekranet
kositen nga krismat.

Ah, sa trishtohen rrënjët
e prera, pa jetë,
të mollës në ballkon
në katin e tridhjetë.

Mollë, mollë, mollë,
në djall kështu!
Mollë të rrokaqiejve
për arkivole ju rritin ju?


NATË

Sa shumë yje!
Si mikrobe
në ajër…

1963


ROMANCË

Mbaje mend këtë çast. Mbaje mend këtë gjemb
dhe gërvishtjen që mbi sup të la.
Unë jam poeti yt i përjetshëm i
dashurisë që dhemb.
Kjo është gjithçka.

Mbaje mend këtë botë, aq sa ti mund
ta mbash mend,
ndoshta një mijë vjet, ndoshta më tepër.
Do të thërrasësh. Ty do të të
grisë prapë ky gjemb
dhe… asgjë më tepër.


LETËR E JANJICKAJAS,
ISH-DAKTILOGRAFISTE E MAJAKOVSKIT

Ju Majakovski ju ka diçka borxh.
Po jua kthej unë.
Faleni, ai vdiq shpejt.

Për Lermontovin, për Lorkën,
diçka nga xhepi duhet të heq
që borxhin e pafund ta ndreq.

Borxhi ynë i tmerrshëm, i tejzgjatur,
paratë: pika-pika gjaku.

Faleminderit etër, stërgjyshër,
epoka e re prapë borxhe ka…
Po vallë kush për mua do të paguajë,
për gjithçka do të paguajë, për gjithçka?


NË VDEKJEN E PAZOLINIT

Klor i hidhnin
mbi trup, mbi kokë,
Pazolinit,
si dikur Lorkës.

Ka gjithmonë një të vërtetë,
kështu do të jetë siç ishte:
të vrarët janë poetët,
vrasësit fashistët.

Dhe do ta përcjellë si legjendë
vargu i brezave një nga një.
Në rast se nuk vriten më poetë
e qartë është:
s’ka kush të vritet më.

Romë, 6 nëntor 1975


LUTJA E MIKELANXHELOS

Zot, unë jam bishti yt,
përse vallë më le në turmë?
Zot, vallë ç’të kam bërë?
Po vallë ç’të të bëja më shumë?


ANATEMA

Kujtimit të Pablo Nerudës

Shtrijeni Ju në Kili si në varrin vëllazëror pa fund e anë.
Nerudën e vranë.

Vrasësit, të shtirur, mes lotësh,
afrohen me kurora demagogësh.

Ushtarët tani i braktisën portat Tuaja.
Arresti mbaroi. Fitorja Juve ju buzëqesh.
Kur vdes poeti, vdes liria,
kur vdes liria,
poeti vdes.

Poetët tiranët s’i kuptojnë askund.
Kur i kuptojnë, i shkojnë në plumb.

Nën një mal lulesh shtrijeni përmbys mbi tokë,
si Lorka dikur, fatzi, plot forcë.
Matildën, të bukurën, kryelartën,
pude lotësh e mbytën,
lot të artë.

Pablo i ullinjtë, plot manushaqe sytë,
këngëtar i njohur,
më i njohuri nga të gjithë.
Ju më ftuat mysafir,
në ditëlindjen e artë,
tavolina është e përbashkët,
vdekja e veçantë.
Ju më ftuat stadiumeve të recitojmë vjersha,
stadiumet janë kthyer në burgje plot hekura.

E vranë poetin, Robin Madhështor…
Vëllezër të Nerudës
burgjeve anembanë
vini mbi jaka
fjongot e zisë
si dikur shamitë partizane.
Një minutë heshtje? Një minutë mallkim
le t’i zëvendësojë nekrologjitë, epitafet.

Mallkuar qofsh, o mafie despotike,
mallkuar qofsh!

Mallkuar qofshi
iluzionet e mia demokratike!

Vrasës të poetëve, me radhë, pas alfabetit,
mallkuar qofshi!
Mallkuar!
Mallkuar!

Lërmëni të bie përmbys mbi varrin e Nerudës.
Lërmëni një grusht dhé t’i hedh më parë,
të ndahem duke përtypur dhembjen dhe turpin,
me poetin e fundit të lirisë së vrarë.

Exit mobile version