Kroçiera lumore A-Rose, nisur nga Këlni, lundronte qetazi mbi Rin. Ishte ding me gjermanë të moshës së tretë. Ne ishim veçse më të rinjtë e kroçierës. Por na dukej vetja shumë më të rinj… Kishte fare pak anglishtfolës aty. Ne të dy, një çift të moshuarish belgë dhe një amerikan i thatë e zevzek, në moshë edhe ai. Gjithsesi një guidë u caktua veç për ne. Isabela. Nga emri por edhe nga… flokët e zinj, fytyra e bukur e bardhë dhe trupi disi i rëndë e masiv, asgjë stereotipe gjermane. Ngjiste si mesdhetare a ca më saktë si spanjolle po jo nga ato të flamengove. Por ishte nga Regensburgu. Bavareze.
Ishte aq e përkushtuar sa ulej edhe në gjunjë për të na përkthyer kur ndiqnim ulur ndonjë shfaqje humori në sallën e madhe të rekreacionit. Të gjithë i thoshim të ngrihej. Na vinte turp ta shihnim një zonjushë aq të mirë, në atë pozicion langoi.
Të dashur kish baristin e kroçierës. Një rus të butë flokë mëndafsh, fytyrë-zbehtë, melankolik. Ngjiste shumë më i ri se Isabela. A ndofta Isabela, ndonëse e re, ngjiste paksa si e ëma e tij.
Lidhjen e tyre na e kallëzoi në “konfidencë”, pa filluar mirë udhëtimi, një kameriere e vogël, shejtankë kamboxhiane. Punonjësit e shërbimit të këtyre kroçierave, janë zakonisht miks nacionalitetesh nevojtarë.
Isabela kish një ëndërr. Të fitonte aq sa, pas do vitesh të kish një hotel të sajin të vogël në ndonjë nga parajsat ekzotike të Oqeanit Indian. Seychelles, Mauritius, Zanzibar a diku tjetër në ishuj. Vende me goxha nam edhe se shumë gjermanë të rinj, bënin praktikat si operatorë turistikë, në ato resorte luksi atje. Isabela nuk kish studiuar për operatore turistike. As për manaxhim biznesi. Kish ndërruar profil. Punonte për të ardhmen. Me sa dukej edhe romantike. Më bëhej se të gjithë ne të grupit, e patëm zili.
Flinim teksa anija lundronte nëpër natë, në Rin. Lundrohej drejt qyteteve ku ndalonim e fillonim eksplorimin nga mëngjesi e deri pas dreke. Pastaj ktheheshim. Flinim. Riniseshim. Rizgjoheshim. Kishim vizituar ca qytete themeluar nga romanët e vjetër: Koblenz, Speyer, Mainz…
Heidelbergu ishte i fundit para se të kalonim në Francë. Aty ku së fundmi do shijonim dy qershitë mbi tortë: Strasburgun e të gjithë mrekullive dhe Colmarin e shtëpive me lule. Qytete gjermanike sado së fundmi pjesë të Alzasës franceze.
…Grupi ynë i vogël me Isabelën në krye, po endej rrënojave të kështjellës së madhe tetëqind vjeçare të Heidelbergut. Se kur… diku, na u qepën nga pas dy afrikanë. I njoha nga anglishtja që nuk ishin as anglezë e as afro-amerikanë. I njihja mirë. Afrikë genuine. Nga zemra e kontinentit të zi. Pata jetuar në një kurs me ta në Boston për një vit e gjysmë… Madje njërin m’u duk sikur diku e pata njohur…
Isabela sikur u trondit pak. Ndonëse nuk ishin tanët, të kroçierës, asnjërit nga ne nuk iu dha t’u thoshte “ju lutem largohuni”. Ndofta s’na takonte ne. Ndoshta i takonte më shumë Isabelës. Po as asaj mesa u duk nuk iu dha t’i largonte.
Veç buzëqeshi paksa në mënyre diskrete, si të çuditshme. A thua se njihej mirë me ta që më parë. Njëri syresh diç e ngacmoi për pamjen. Biçim komplimenti vulgar. Ajo ngriti supet pak si e hutuar.
Njëri nga afrikanët, mbante një xhakavento të lehtë të zezë që nuk e hiqte nga trupi sado që bënte vapë. Ndoshta se e bënte të dukej më macho. Tjetri ishte më i pa ndjerë. Tip asistenti. Kish ca sy si të perënduar. Sikur të mbylleshin sytë kur e shihje.
Amerikani u tha belgëve në mënyrë pavetore, se nuk duhej lejuar që njerëzit t’i bien qylit me guidë pa pagesë. Me zë të lartë që ta dëgjonin. Ata sikur s’dëgjuan. Vazhduan të na ndiqnin hap pas hapi nëpër mjediset pa fund të kështjellës. Macho pyeste herë-herë pa drojë Isabelën e i ndërkallte në pyetje ngacmime. Nuk na u ndanë deri në fund. Hynë me ne edhe në funikular tek zbrisnim për në qytet. Kukuriseshin sikur të kishin rënë nga pema. Amerikani zevzek së fundmi shpërtheu. I nxehur ua tha copë: “It’s not enough to take a free guide tour… You still molesting this beautiful young lady. She’s a well-paid guide. Did you mistake her for a banana to grab it free from the tree. You mother fuckers”(“Nuk u mjafton që po bëni turin qyl? Molestoni edhe zonjushën e bukur pa le! Është guidë e mirëpaguar ajo. Mos e ngatërruat gjë me bananet që i këpusni sipas qejfit nga pema? Ju shkërdhefsha nënën…”)
Ata as e llogaritën fare… Ai i forti sikur i tha tjetrit diçka të tipit: “…lëre se po na ngel në dorë…” Zbritëm.
Ne të dyve na u shkrep për banane e ndaluam të blinim. U ndamë nga grupi. Na humbën nga sytë edhe afrikanët. Turi me guidë pat mbaruar.
U kthyem në kroçierë aty nga ora shtatë e darkës. Nga ora tetë duhet të niseshim sërish për lundrim. “A janë këtu të gjithë?” u pyet. Dikush tha se Isabela nuk kish ardhur ende. Rrallë rastiste të mbërrinin pasagjerët para guidave. Isabela nuk u duk as pas një ore. Telefoni dilte i shuar. Një tip naziskini i vjetër, hodhi fjalën se e pati parë rastësisht tek hynte në një dyqan. E vetme dhe e qetë. “Nga pas” shtoi, “nuk i ndaheshin dy langonj të zinj”.
Në tetë u nisëm. Pa Isabelën…
…Nuk u duk gjëkund as kur hymë në Francë, një ditë pas turit të Heidelbergut. As në farewell party (mbrëmjen e lamtumirës) në kroçierë, ku me siguri në sallën e koncerteve do ulej në gjunjë sërish, për të na përkthyer në anglisht përshëndetjen e fundit të kapitenit e të stafit. Nuk patëm rast as për t’u përshëndetur tek largoheshim nga kroçiera ditën e fundit të turit, ndaj të gdhirë…
…Në grupin pasuniversitar të destinuar për lidership të ardhshëm botëror, pat qenë edhe afrikani me emrin vibrues Albert Valentajn. Ishte nga Gambia, një shtet i vogël ndër më të varfrit e Afrikës. Kish një ngjyrë midis mavisë së errët dhe të zezës. Sytë i kish të dalë por impresivë. Kokën të rruar tullë e veshët të mëdhenj por ngjitur pas koke. Të gjitha këto së bashku paraqisnin një ngjashmëri koke gati të turpshme, me atë të një organi gjenital mashkullor në gatishmëri. Kësaj ia dedikonte si me tallje, suksesin e tij të habitshëm me femrat në Amerikë, Margreta, kujdestarja amerikane e grupit tonë nga Oregoni. Dukej sikur tallej me të në fillim, por pastaj me gjasë ra edhe ajo pre e tij, aty nga fundi i kursit. Asgjë nuk dihej me siguri, por besohej shumë. Po aq sa edhe imagjinohej.
Albert Valentajn kishte dhe ca atribute të tjera. Një zë bas joshës, tepër mashkullor. Një vështrim provokues që bënte të dukej se ai nga çasti në çast do e gëlltiste bashkëfolësen. Fliste një anglishte të përsosur se veç që vinte nga një ish koloni angleze, kish studiuar shtatë vjet në New York për menaxhim biznesi. (Në Gambia kishte një biznes të vetin). Dhe nuk ishte as i gjatë e as shpatullan. Kishte një trup fare mesatar që po t’i hiqje kokën, apo ta shihje nga pas, mund ta merrje fare lehtë për trupin modest të një nëpunësi të vogël.
“S’na la femër më këmbë”, rënkonte me zili, kurdoherë i pakënaquri, palestinezi Asaf.
Atë mbrëmje do takoheshin të gjithë alumni (ish-studentët e vjetër), ardhur nga universitete prej të katër anëve të Amerikës. Të gjithë me bursë qeveritare amerikane. Bursa ish quajtur sipas emrit të një burri të madh shteti amerikan.
Albert Valentajn rrinte ulur në hollin e hotelit në Atlanta, ndërkohë që zoçka, një tip Lolite, jo më shumë se gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë vjeç, i qe ulur pa çarë kokën mbi gjunjë dhe po i argalisej. Të djeshmen kishim ardhur. Se nga i ish ngjitur kaq shpejt… Pothuaj sapo kish dalë nga hoteli në qytet atë pasdite. Ndofta veç për të njohur qytetin e as pat menduar për gjahun e radhës që nuk kuptohej sesi i vinte ashtu, pothuaj kurdoherë vetë te goja…
“Aman si janë dhe këto amerikanet, pa pikë turpi”, psherëtiu pothuaj me urrejtje një polake e dobët.
Ishte hotel madhështor me holl gjigant e me shkallë të gjëra shtruar me sixhade që ngjiteshin deri lart në verandën nga zotërohej gjithë pamja e hollit. Luks dhe ndriçim verbues për bursistët e lidërshipit të ardhshëm botëror, ardhur për takimin vjetor nga universitetet e të katër anëve të Amerikës. Paguante qeveria amerikane.
Holli ishte plot. Në një çast u duk sikur gumëzhima e bisedave njohëse ndaloi. Të gjithë, të bardhë, të verdhë e të zinj përreth, ngrinë të fiksuar pas çiftit të ulur në një kolltuk në qendër të hollit, pranë pianos. Vështronin dhe me gjasë imagjinonin vajtjen pas pak në dhomë të A. Valentajn me gjahun e radhës. Ajo kish kohë që e tërhiqte për mënge duke u përdredhur e duke e joshur faqeza të ngjiteshin lart. Ai po bënte sikur nuk e kish mendjen tek ajo. Kinse kish diçka interesante që shfaqej në ekranin e madh të një TV në holl. ”Tongërllik jevgu” tha një student shqiptar.
Daphney nga Swazilendi, një tjetër vend i vogël afrikan, ishte fiksuar edhe ajo. Emri i saj i gjatë, madhështor (a mbretëror, siç thosh ajo), ishte Badelizile Daphney Kinindza. Të kujtonte sajimet që bënim me fjalët kur ende fëmijë të vegjël, tentonim të kalonim me vështirësi procesin e ngjizjes së gjuhës në mëndje. Daphney ishte ulur mes ca të bardhëve në holl dhe ngulte këmbë se djemtë e rinj negro në përgjithësi, nuk kishin asgjë të tepërt e asgjë më të madhe se djemtë e bardhë. “Është thjesht iluzion, fantazi… imagjinatë” ngulte këmbë ajo. Po e thoshte këtë tamam atëherë kur gambiani Albert Valentajn, kish begenisur së fundmi të çohej e të drejtohej fodull drejt shkallëve pompoze me koketën e vogël atlantase që i varej në krah.
Nga pas u vinte si eskortë, djali i vogël shtatë vjeçar, prodhim i A. Valentajn me gruan e divorcit të parë. “Statistikisht të dyja racat i kanë në numër të vogël edhe machot edhe ngordhalaqët” sqaronte Daphney. “Pakicat, janë në dy anët e kurbës së shpërndarjes normale. Kurba- këmbanë, është shumë më e lartë në mes. Aty ku rri shumica. Të zakonshmit. Mesatarët. Mediokrit. Edhe supermachot, edhe organet e tyre, të çdo race qofshin, i nënshtrohen ligjit të shpërndarjes normale. Janë pakicë në çdo racë. Çdo gjë atij ligji i nënshtrohet. Lëre se ç’thotë ai libanezi Talebi te “Mjellma e zezë”. Më kot kujtojnë budallaqet e bardha, se gjithë zezakët kanë mrekullira për të treguar e të bëjnë namin në shtrat. Është e gjitha legjendë”.
Fliste dhe ndiqte edhe ajo me sy si gjithë gjindja, Albert Valentajn që zhdukej me tip-adoleshenten e bardhë diku pas podit të gjerë në majë të shkallëve. Nuk kishin marrë ashensorin poshtë, si për ta bërë të vuante edhe më shumë gjindjen aty poshtë. Ajo, Lolita, në të vërtetë, dukej tamam si gonxhe e porsaçelur.
…Daphney kish një lëkurë të errët, midis të zezës nubiane e çokollatës. Vinte në një si kafe të ndotur me ca njolla akoma më të errëta nëpër të. Nga ato lëkurat karakteristike të banorëve të vendeve të vogla rrotull Afrikës së jugut: Swaziland, Lesoto, Namibi.
Dëgjuesit me mendjen ende tek çifti i porsa ikur, dyshonin në të vërtetën e fjalëve të Daphneyt. Në grupin me meshkuj e femra europiane, latinoamerikane, afrikane, aziatike… pothuaj asnjëri nuk ia kish varur shumë Daphneyt. Përreth dy vjet sado u orvat, me asnjërin nga meshkujt e grupit, nuk bëri dot as edhe një ngjarje të vogël. Jo më histori. Femrat nga ana e tyre sa s’po i ktheheshin t’i thoshin t’i linte rehat të notonin sado pak, qoftë edhe në pellgje të vegjël imagjinate.
E nga t’i dinte Daphney ato punë. Sondazhe kish bërë? Qe vërtet e ditur, lexonte shumë, këtë ia njihnin edhe në universitet. Por qe e pabukur. I binte që përvojën me meshkuj ta kish të varfër. Përvoja e varfër kësodore, ndeshej me një mori imagjinatash të pasura. Betejë e pabarabartë.
Ata që në shumicë ndiqnin skenën, në rastin më të mirë, mendonin se ajo më shumë se të vërtetën, ushqente xhelozinë e pashuar, pse jo edhe raciste, të bursistëve të bardhë ndaj machos kokëpenis Albert Valentajn nga Gambia. Nuk kish studim statistikor ta përfshinte rastin në fjalë. Imagjinata punonte në hesap të saj. Me çfarë lloj statistike a probabiliteti mund të llogaritej ai takim i gambianit me një vajzë të sapo njohur, pak minuta pas daljes së tij nga hoteli, në atë kënd të dheut, aq larg Gambias së vogël. Lëre pastaj ta shtyje më tej imagjinatën, për atë ç’po ndodhte më pas. Në cilin kënd të hotelit? Të dhomës? Shtratit? Po djalin e vogël në ç’kënd të dhomës e kishin lënë? A do vinin në darkën solemne apo do të shkonin në hesap të tyre diku tjetër? Apo do të zhdukeshin fare në ditët në vijim? Në Amerikën e madhe? Në Teksas, në Kolorado, në Arizona? E a do t’i shihnim më vallë?… Ku vallë u zhdukën, ku?
…“Po vërtet ku u zhduk Isabela” më pyeti shoqja ime, tek po i drejtoheshim aeroportit me shuttle bus, pasi patëm lenë pas kroçierën e kompanisë A-Rose… Ndërkohë që kjo duhej të ishte nisur sërish mbi Rin për të kaluar një natë tjetër lundrimi të qetë me pasqyrimin e hënës që lodronte lozonjare thyer copërash në ujë, nga maja e bashit krenar…
E ndërkohë që anija rrëshqiste si në velur argjendi, befas më ra ndër mend një udhëtim tjetër me anije të tipit të kohës së Mark Twain në Savannah River, Georgia. Sightseing (vizitë, tur) për të njohur vendin a qytetin mikpritës shoqëronin çdo konferencë e takim. M’u kujtua Giorgia. E sigurisht guri i saj i çmuar, Atlanta, kryeqyteti i saj. Ai hoteli… Pse m’u duk se aty e kisha parë atë afrikanin e Heidelbergut që iu qep Isabelës. Albert Valentajn. Apo kot? Për asociacion ngjyrash… Por kishin kaluar vite… Ku ta dish. Mund të ish ndokush i ngjashëm. Apo ndofta kish qenë vetë ai. Të më ish kujtuar atje, në Heidelberg… edhe mund ta kisha pyetur.
“Nuk më the, ku të ketë humbur vallë Isabela atë natë…” pyeti sërish me këmbëngulje shoqja ime… Nuk më kujtohej të kisha folur me shoqen për Isabelën e as ta kisha pyetur për të… As pas atij turi në Heidelberg, të nesërmen, tek i afroheshim kufirit tashmë imagjinar francez drejt Strasburgut… duke shpresuar se do e takonim sërish Isabelën për të na bërë ndoshta guidën e shtëpive mbuluar plot lule në Colmar.
…As atë natë kur pothuaj të gjithë në kroçierë pyesnin për të… dhe ne ende e prisnin me shpresë se do kthehej në kroçierë në kohë… Ndërkohë që me përpikëri gjermane, kroçiera ish nisur pa Isabelën. Fiks në orarin e caktuar…