PAGJUMËSI NOKTURNESH
Kam në kryet tem humbje.
Pagjumësi nokturnesh janë kapë dorë për dorë
e po hedhin nji valle të çmendun
që vazhdon e vazhdon pambarimisht.
Duert sillë rreth kresë e kambët donë me ecë;
për me e gjetë e me e shkimë,
për me e gjetë e me e kqyrë,
Veten e thyeme djegshëm para sa vitesh në nji pasqyrë.
Kam në shpirtin tem etje.
Pamundësi udhëtimesh po gjarpnojnë përpara sysh,
po duken e po zhduken, po duken e po zhduken pafundësisht.
Duert ngulë në dhé e kambët donë me u gjunjëzue;
për me e gjetë e me ju lutë,
për me e gjetë e me e zgjue
tashma.
Veten e vethumbun në lutjet e pashkrueme që thuhen pa prâ.
Kam në andrrat e mia dhimbje.
Pakohësi fjalësh enden në terrinën e brendisë,
kambët në vend rrinë e duert donë me u nisë;
për me e gjetë e me e ujitë,
për me e gjetë e me e pa.
Veten e vetmbjellun në nji vazo japoneze
që pikon za.
SHI KOHE
Rigon shi i rimtë çastesh mbi ftyrat tona të njoma,
që janë shtri përballë botës si flamuj të bardhë
t‘pashkruem
si nji tabllo shprese e dëshpërueme për pak qiell,
në kërkim të nji deti dallgësh harbuese.
Rigon shi i rimtë grimçastesh të dhurueme prej Hyut
Ftyrat ujiten me kohë e në to mbijnë lule.
Pikon shi i prajtë kohësh në shpirtnat tanë heshtakë
që gjallnojnë tue u ushqye me pije fjalësh e pelim
me legjenda të shkrueme në lëkurë,
tue u dehë me eliksirin e nji jete të denueme me harrim.
Pikon shi i prajtë grimkohësh i përcaktuem për ne
Shpirtnat ujiten me kohë e në ta mbijnë pemë.
Bjen rrebesh kohe në trupat tanë të vetmuem
që frymojnë tue pi prej heshtjes së hijeve,
tue pi gjakun e hidhtë të vetmimit
që shtegton,
vrapon,
gulshon,
si shtërngatë e mërrolun dimnore.
Bjen rrebesh kohe në trupat tanë si destini i fundit
Trupat ujiten me kohë e në ta mbin shkretina.
ASHT NË ASHT I FSHEHUN NJI AHT
Asht në asht i fshehun nji aht i zemrës së lodhun,
Si nji therje thike thekshëm ndihet në të folun.
Mbjell pika fryme në vazon e braktisun jashtë,
po s’mundet kurrë tokë e rrajë me i ba bashkë.
Asht nji re e mrrolun që regëtin në mendjen e mjegullimtë,
si nji shtllungë mbledh dhimbje e heshtje tjerr.
Ajo po më thirrë kah po shkoj ditës së përhimtë,
kah po shkoj ngrykas me veti po më merr.
Asht në asht e fshehun nji melodi e kangës së harrueme,
si gjurmët e mbetuna prej nji palimpsesti të fshimë.
Nuk këndohet sot kanga brenda qenies e burgueme,
as nuk vazhdohet vetmimi pa ia ndie melodinë.
RRUGTIMI
Si munde e rrëshqite kurrizit tim të butë?!
U mbolle si nji lule në tokën e lëkurës së rreshkun.
Si munde me ruejtë fillin e nuk të dolën trutë?!
Pasi u zhyte bredisë ethshëm i etun.
Si munde me e zhveshë shpirtin tim e me e pa?!
Si nuk t’u dridhën duert kur fillove me qa?!
Pranove me u vetmbjellë në mue pa drojë.
Si munde me u ba fantazmave rojë?
Dhe tej dritaresh u hap nji peizazh i ri,
mbushë me tinguj të avullt mjegullash me shi.
Ende nuk e di si mbine aq lehtë,
në tokën që shpejt u mbush me lule e fletë.
DIMNIT
Nji dimën i egër po gjarpnon udhët e qeniet,
po shtrin pllambët e tij të akullta drejt nesh,
dhe unë po due qetësinë e fushës së vdekun
me e marrë e me e vorrosë në gjoks,
me pushue prajëshëm deri në pranverë.
Nji errësi e ftohtë po hapërdahet mbi male e lugina,
po ngërthen kthetrat e saj në ne,
dhe unë po due errësinën e maleve të thella
me e marrë e me e ngulë në qenie,
për me u ba natë, vdekshëm me pushue
deri sa vera të kenë afrue.
Nji mjegullnajë e mistertë po shpërndahet mbi qytet,
po shtron çarçafët e saj të tymtë sipër e mes nesh,
e unë po due blunë e thellë të qiellit të pamatë
me e marrë e me e rrasë në mendje, në rrashtë…
për me mendue kamngulshëm blu,
për me pa andrrueshëm blu,
derisa mbretnia e dimnit të iki prej këtu.
KANGA E NATËS
Asht natë e zezë.
Nji dritë përtej horizontit po përgjon e vetme;
ajo don me pa përtej asaj që sheh,
ajo don me harrue edhe atë që e njeh.
Po ju fleni zogjtë e mi të marrë,
fleni në kafazin tuej të errët.
Asht natë e kthjellët.
Hana ka dalë bash në kupë të qiellit sonte,
ajo don shoqe;
për me e mundë terrin,
për me e mundë vetminë.
Po ti flej zemra ime e lodhun,
flej në pusin e heshtjes së përtejme,
ku kanga për hanën nuk mbërrinë.
Asht natë e ftohtë.
Diku tej ndihet ulurima e nji ujku,
ai don shokë;
për me e çue ulurimen deri te hana,
për me e shkye qiellin me dhambë si me dana.
Po ju fleni bishat e mia,
fleni në shtratin e pastër me çarçafë të bardhë,
fleni deri sa të bajnë koha me ague,
fleni në mue
“unë djepi juej; ndoshta vorri juej.”