Kreu Editorial Xhevair Lleshi: Treqind numrat e gazetës ExLibris

Xhevair Lleshi: Treqind numrat e gazetës ExLibris

300 numra janë 7200 faqe a3, të botuara në këto vite, nga 16 nëntori 2018, në 6 vite jetë. E mblodha veten dhe u bëra serioz, madje edhe pak i shqetësuar. Një enciklopedi kulturore, letrare, librore, informative, përgjithësuese, analize dhe sinteze mendimesh përplot freski dhe elegancë.
Mendimi për t’i uruar revistës edhe numra të tjerë të pafundmë, i dedikohet kolegut Bujar Hudhri, vendosmërisë së tij për ta mbajtur me nivel të lartë ExLibris, të kuptojë ndryshimin e vazhdueshëm, të hulumtojë gjini interesante, ta lërë këtë vlerë të madhe kulturore në duart e lexuesit në pdf dhe në shtypin fizik. Besoj se shumë shpejt do të jetë e vetmja gazetë edhe e shtypur, edhe në pdf në shtypin shqiptar. Një revistë javore e kulturës shqiptare me aq shumë bashkëpunëtorë, tubuar me krijues të shumtë, bëri që asaj t’i pasurohej gjendja shpirtërore, duke fituar një autoritet të jashtëzakonshëm, duke pasur kujdesin e parë – fjalën.
Kështu, 300 numra të revistës (ajo është revistë dhe jo gazetë!), prekin me dorë njëri-tjetrin, si kurrë ndonjë tjetër! ExLibris e dëshironte shumë famën dhe fuqinë dhe natyrisht që e lakmon edhe më tej këtë, duke e pasur pranë, siç edhe kuptohet secilin prej nesh. Kështu botuesi i ExLibris, Bujar Hudhri, një njohës kryelartë i Jetës dhe Veprës së Ismail Kadaresë, në mos një ndër të vetmit që tridhjetë vitet e fundit të jetës së shkrimtarit të madh, kështu një botues arrin të bashkojë viset shqiptare. Gjithnjë në kuptimin kulturor të integruar. Në këtë numër do gjesh shkrimtarë, poetë, kritikë, analistë etj., nga e gjithë diaspora dhe trojet shqiptare. Po qe se do të jemi një ditë festive të gjithë së toku s’do të ketë sallë që të na mbajë. Kjo ide e madhe i takon revistës, guxoj ta quaj tonë, si një bashkëpunëtor i afërt i saj, ashtu si dhe mik i botuesit të njohur. E meriton numri 300 të festohet, qoftë edhe për këtë fakt interesant. Nga nuk i gjeni autorët e shkrimeve letrare, gjini publicistike – të gjitha, fotografi të ndryshme – krejt artistike, arkiva, kujtime, artefakte, dokumente, marrëdhënie – veshur me një gjuhë delikate, të thyer dhe me plastikë të përsosur. Mirëpo ai, arrin deri atje sa të besojë se ajo është enciklopedi e vërtetë dhe ecën kryelartë, duke arritur 7200 faqe.
Tek ExLibris gjen reportazhin, intervistën, tregimin, esenë, poemën, poezitë, fragmente romani, satira, humori, jetë poeti e shkrimtari, analizat e librave, kritikë letrare, portrete, pak histori të domosdoshme kulture, stoli të veçanta gjetjesh artistike, të cilat ia servir pa kursim lexuesit shqiptar. A mjafton kjo kryevepër e madhe t’ia japë tjetër personalitet të jashtëzakonshëm këtij botuesi? Ai s’ka pyetur për të mirat materiale, për guximin pataksës, për qëllimin e madh, për bisedat e ngrohta me të gjithë bashkëpunëtorët, qëndrimin unik me familjarët e tij, që janë edhe bashkëpunëtorët më të mëdhenj. Koha, besoj, se do ta vërë në binarë edhe këtë vlerë. Dhe në këtë numër të treqindtë këto fjalë lavdëruese i meriton fuqishëm. Këtë duhet ta njohin ata që e quajnë gjithë këtë punë gjigante gjë të zakonshme. Jo, nuk është e tillë!
Por unë nuk do të mjaftohem me kaq. Më gjeni një institucion kulture të ketë prodhuar kaq shumë letërsi, publicistikë, informacion, vlerë, portrete, fjalë, figura, karikatura, përhapje dhe një mozaik i tërë enciklopedik. Kush, pra, nga këto institucione ka kontribuar financiarisht për këtë revistë kulturore, për këtë bashkim shqiptar solidar, për këtë kontribut të pazakontë? A ka kontribuar nga qeveria shqiptare (ministria e kulturës në Shqipëri) për këtë revistë? Askush. Jo se e ka për detyrë, jo! Tek e fundit qeveria shqiptare nuk ka asgjë për detyrë ndreqjeje! Sigurisht e kundërta mund të bëjë vaki. Apo qeveria e Kosovës, derisa qindra poetë, shkrimtarë, gazetarë dhe kritikë arti e letërsie i gjen në faqet e revistës ExLibris. Ndoshta pse jo edhe qeveria maqedonase-veriore, ajo e Malit të Zi, nga Diaspora aq e gjerë dhe e madhe sa gjithë bota. Madje nga diaspora do të ishte një kontribut i madhërishëm. Sepse nga kjo revistë sipërmarrja e nderit i takon Bujar Hudhrit, botuesit të saj, kurse të gjitha shpenzimet i takojnë po prapë atij, vetë Bujar Hudhrit, vetë ExLibrit. Njerëzve të tillë vërtet u ngrihet monument. Shapooo! (Nuk them me të qeshur, sepse i di të gjitha pejzat e lëvizjes së fytyrës në raste të tilla!) Jemi në Shqipëri. Kushdo prej qeveritarëve mezi ka pritur që ExLibris të thyejë hundët. Për fat kjo nuk ndodhi. Por mua më bën përshtypje fakti sesi ata, në një përvjetor festiv të ExLibris-it, ç’vend do të zinin në podin e drejtuesve të festës. Me bërryla do ta shtynin njëri-tjetrin. Gati për të përfunduar jashtë…
Ky është problemi miq! Revista ka një bord drejtues. Emra të nderuar. Revista ka edhe një këshill drejtues. Kaq. Edhe ata presin ndonjë shpërblim. Sigurisht është e drejtë. Madje edhe autorët që botojnë rregullisht do të prisnin honorarë për shkrimet e tyre, siç ka ndodhur në kohët e vjetra me gazetat dhe revistat shqiptare. Mirëpo ne të gjithë sot për sot jemi në kufijtë e mbijetesës. Ju nuk e besoni, ose edhe e besoni, s’ka problem, që fitojnë ndihma evropiane nga BE shumë nga revistat e biznesit në vendin tonë, kurse askush nga kulturologët e mëdhenj shqiptarë ose jo, nuk kujtohet ta përmendë ExLibris për fonde kulturore evropiane që i jep për zhvillim BE ! Ja, kaq e thjeshtë, por edhe e komplikuar është. Meqë po zëmë në gojë një gjë kaq delikate, siç është paraja, të gjithë me fjalë bëhen solidarë. Unë do të thosha se secili prej nesh duhet ta ndiejë thellë se ky organ kulturor është edhe i tyri dhe në këtë drejtim i duhet të kujdeset për të gjetur mecenë që të kontribuojë financiarisht këtë revistë. Nuk e them këtë fjalë për dashamirësi nga Bujar Hudhri, të cilit këto nuk i pëlqejnë. Por ama unë po flas hapur: secilit prej nesh i duhet të gjejë sponsorë të ExLibrit, firma dhe kompani të mëdha që në bazë të ligjit të sponsorizimit, të japë një pjesë të fondeve të tyre për të.
Dhe kjo ndodh gjithandej, gjithmonë… kështu siç e tregova, mes njerëzve që e kuptojnë njëri-tjetrin. Këtë e di aq mirë sa nuk e luan as topi!
Duke e kuptuar mirë aluzionin, desha që ta mbyllja gojën, mirëpo më kot, sepse ajo ka marrë zjarr, digjet dhe mua më del një thirrje e fundit për ta kthyer këtë që po them në vlerë. Mos t’i shkojë mendja kujt as ta mendojë që unë po i shtrojë këto gjëra me porosi. Sa gjë e ulët do të qe. Kurrë, për çfarëdo çmimi s’do ta ulja veten. Ah po, edhe pse nuk ia kam thënë tjetër herë botuesit tonë, Bujar Hudhri, do të kërkojë me forcë që puna me revistën të ndjekë një rrjedhë tjetër organizative dhe financiare. A duhet ta humbasim revistën e vetme kulturore në vendin tonë? Jo. Atëherë na duhet vetëm të rrisim nivelin e bashkëpunimit. Sepse ExLibris nuk është biznes, por kulturë! Pse po e përçmojmë produktin tonë në këtë farë feje?
Jo, nuk më detyron dot kush që të mbaj gjuhën… Sikur të mos ishit kaq të sjellshëm e të mirë me të gjithë, ju do të bënit gjithçka që t’jua kursenit vuajtjet që ndiejmë ne për t’u lidhur me ju lexues të dashur. Kështu duhet sjellë… Le ta vëmë vath në vesh këtë. ExLibris ka shumë lexues (dhe kjo është festa e madhe e vërtetë!). Dhe kjo na përmban pak për të qenë jo vetëm të ashpër po edhe të drejtë. E kam thënë edhe herë tjetër: Botimi i kësaj reviste është gjetje artistike. Kurse mediat që e njohin atë seriozisht janë me pikatore: Mëngjeset e shtypit nga News 24, gazetari dhe bashkëpunëtori i revistën ExLibris Bashkim Hoxha etj. Kurse revista Psikologjia, fjala vjen, ka norma biznesi dhe është e drejta e saj ta klasifikojë veten sipas qëllimeve dhe problematikave që zotëron. Dy revista s’mund t’i ngjajnë njëra-tjetrës. Ndërkaq ExLibris duhet të shënojë në krye cili sponsor e ka paguar këtë numër. Këtu, tek pagesa me kohë do të hyjnë edhe honorarët, me siguri. Kështu revista bëhet evropiane, me plot kuptimin e fjalës. Pa interesa financiare, por duke i nxitur atë në drejtim të kulturës.
Po këto janë mendime të sinqerta, të ndershme, të pastra. Unë sfidoj këdo se janë edhe të vërteta. Ndërkohë gjithkush ruan të drejtën të përtypë heshtje, të mbetet krejt i bardhë në fytyrë, ose edhe të jetë i pranishëm të flasë me një zë të qartë mendimin e tij/saj. Pa gjeste kërcënuese. Por të ngacmuar fort nga dëshira që ta flakin tutje reputacionin, duke treguar se është thjesht një që i ka rezistuar kujtdo nxitjeje, duke menduar se do të jetë më mirë që t’ia tregojë atë që ka për të thënë, por me një mënyrë tjetër, më të qetë. Më në fund, pa i ngritur nervat, të treqind numrat e ExLibris marrin vlerën e duhur, atë që ka në të vërtetë!
Mirëpo një krijesë madhështore si ExLibris duhet të jetë jo vetëm një pasuri kombëtare po edhe financiare, se kreditorët e saj do të jemi vetë ne dhe bashkëpunëtorët e saj, si çdo punë arti dhe kulture. Me meritë. As të mos e dëgjojmë më fjalën që kjo revistë të lëngojë. Kush do dhe kush di GJEN. Nuk po flasim për një lëvizje të tmerrshme e të dyshimtë, përkundrazi, të hapur, serioze dhe tërheqëse. Ky emër i ndritur duhet me patjetër të jetë në ballë të kulturës së kombit. Pika e tij delikate, loti. Dhembshuria. Dashuria. Inteligjenca. Emocioni, Niveli i lartë. Prestigji. Personaliteti…
Përndryshe jo vetëm unë, por të gjithë ne do të ndienim një keqardhje të madhe për atë që nuk ndodh. Por ama që më pas do të kthehemi nga zjarri që ta ngrohim qoftë edhe kaq fare pak shpirtin tonë, qoftë edhe si çdo fillim sa për t’u ngushëlluar.
ExLibris në numrin e saj të treqindtë është një dëshirë vetëmohimi, vetëflijimi, kulturë, art, letërsi, libra, fenomenologji, enciklopedi,… gjithçka e bukur, duke dashur që ta zbusë disi goditjen mizore që i kanë dhënë kulturës shqiptare duke e nënçmuar. Jo më kot, ne do t’i bëjmë që ta dëgjojnë ExLibris, ta ndiejnë ekzistencën e saj sidomos për ato që përmban ajo. Kjo do të ndodhë me një nxitim të egër, ndoshta edhe pas një çasti ngurrimi, pa u ikur të vërtetave, pa lënduar askënd, po vetëm duke ndriçuar çdo gjë, gjithkënd…
Unë nuk kam asnjë faj, në qoftë se nuk kam arritur të përcjellë mendimin tim të drejtë në këtë përsiatje për të treqind numrat e ExLibris! Duke dashur së pari që askush prej nesh të mos theket në këtë zjarr kulturor, por vetëm të japë edhe më tepër për kombin dhe shpirtin.

Tiranë, më 3 shtator 2024

Exit mobile version