Nëse letërsia shqipe që kisha botuar deri atëherë (1995) më çoi natyrshëm drejt Kadaresë, shumë vite më vonë vepra e plotë e Kadaresë do të më shpinte te një shkrimtar tjetër i rëndësishëm si Martin Camaj. Ishte pranvera e vitit 2010 kur profesor Bardhyl Demiraj, që ishte vazhduesi i Camajt në katedrën e shqipes në Universitetin e Munihut, më dërgoi një letër ku e para fjalë ishte “Lutje”. Ai më lutej që “Onufri” ta merrte përsipër botimin e veprës së plotë të Martin Camajt, meqenëse ishte 85-vjetori i lindjes së tij. Dhe unë i ktheva përgjigjen që fjalën “Lutje” e lexoj “Nder”. Ishte nder për mua që pas botimit në njëzet volume të Kadaresë, të botoja Camajn. Kur e pyeta se si erdhi deri tek “Onufri”, prof. Demiraj më tha që te ju nuk do të vinim kurrë, por u detyruam meqenëse asnjë botues nuk e mori përsipër, për shkak se nuk kishte mbështetje financiare. Pyetjes sime se përse nuk donin të vinin tek “Onufri” profesor Demiraj iu përgjigj thjesht: ishte krijuar mendimi tek të tjerët që “Onufri” nuk do ta merrte përsipër veprën e Camajt, meqenëse boton Kadarenë. Më qartë, Kadareja, sipas tyre, nuk do ta lejonte botimin e Camajt tek “Onufri”.
Por ky mur i padukshëm paragjykimi u shemb. Për fatin e mirë të kulturës sonë, krejt vepra letrare e Camajt, në dhjetë vëllime, me libërlidhje speciale, u botua pikërisht nga “Onufri”, shtëpia që boton Kadarenë. Dhe ajo që e shembi këtë mur paragjykimi ishte parathënia brilante e Kadaresë, e cila mbyllet me këta rreshta si një himn dashurie për artin:
“Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj së madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha. Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për “engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre”. Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos.”

Do të dëshiroja të përmendja në këtë rast kontributin e çmuar të profesor Matteo Manadalasë. Ishte pikërisht ky arbëresh, ish-student i Camajt, sot një nga albanologët më të shquar, që e kishte orientuar rrethin e njerëzve të Camajt që të botonin pikërisht tek “Onufri”, botuesi i Kadaresë. Siç duket, ne shqiptarët brenda kufijve e kemi ende të vështirë ta pranojmë tjetrin, sidomos kur bëhet fjalë për majat e kulturës.
Botimi i gjithçkaje në një vëllim të vetëm (Omnibus) është shkalla më e lartë e klasicizmit. Kjo ka një simbolikë të jashtëzakonshme. Të kesh Camajn e plotë në një libër të vetëm do të thotë ta kesh atë si “Biblën” e gegërishtes moderne. Është një objekt që lexuesi e mban në dorë dhe ndien peshën (fizike dhe shpirtërore) e gjithë jetës së autorit.
E imagjinoj lexuesin e ri që hap këtë vëllim masiv në vitin 2025. Gjëja e parë që ndesh është Kadareja (patriarku i letrave shqipe) që i hap derën Camajt (mjeshtrit të gjuhës në mërgim). Është sikur Kadareja t’i thotë lexuesit: “Hyni, ky është një poet i madh, i barabartë me mua.”
“Onufri” ka arritur të bëjë bashkë Dy Shqipëritë letrare në një libër të vetëm fizik: atë të brendshmen (Kadare) dhe atë të jashtmen (Camaj).
Parathënien e dytë, të vitit 2025, enkas për këtë botim, një parathënie e përgjithshme për krejt krijimtarinë e Camajt, e ka bërë prof Matteo Mandala.
Doja t’i shprehja mirënjohjen profesor Mandalasë edhe për fjalën e mençur që mbajti në Bibliotekën Kombëtare, së bashku me dy ish-studentët e Camajt, profesor Anton Nikë Berisha dhe Francesco Altimari.
Të bësh promovimin në Bibliotekën Kombëtare nuk është thjesht ndërrim vendi, është ndërrim simbolike. Është kalimi nga “festa” (Hotel Tirana) tek “tempulli” (Biblioteka).
Ka një ironi hyjnore dhe një drejtësi historike në këtë promovim: Dikur, në skedat e asaj biblioteke, emri i Martin Camajt mungonte krejtësisht. Prej gjysmë shekulli veprës së Martin Camajt iu mbyll dera e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Sot, në vitin 2025, bashkë me studentët e tij dhe dashamirësit dhe studiuesit në Tiranë, po hyjmë nga dera kryesore për të depozituar “Ungjillin” e plotë të veprës së tij, një botim luksoz, pikërisht në zemër të asaj ndërtese. Kjo është Fitorja e Letërsisë. Depozitimi i atyre kopjeve të para aty do të thotë që Camaj nuk është më “mysafir” apo “emigrant” në kulturën shqiptare. Ai u kthye përgjithmonë në raftet e kujtesës kombëtare. Kjo finale në Bibliotekën Kombëtare është nderimi më i lartë që mund t’i bëhej atij malësori sqimatar që e deshi gjuhën shqipe më shumë se vetveten.
Sot, më 11 dhjetor 2025, po vendosim gurin e fundit në atë që do ta quaja “Katedralja Camaj”, në fund të vitit, në zemër të dimrit (një stinë që i shkon aq shumë Camajt), në zemër të Tiranës, në tempullin e librit.