Zef Mazi është një nga diplomatët më me përvojë dhe më me ndikim të Shqipërisë në dekadat e fundit. Libri i tij Kosova, lufta e heshtur, diplomacia e padukshme që ndryshoi lojën (1991-1999) mbështetet pikërisht mbi këtë përvojë të jashtëzakonshme. Me një karrierë që shtrihet nga misionet diplomatike në Vjenë, Bernë, Londër, Dublin, OKB dhe në organizatat kryesore ndërkombëtare, deri te poste si drejtues i strategjisë në IAEA dhe i negociatave të Shqipërisë për integrimin europian, Mazi ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në proceset që formësuan fatin e Kosovës në vitet vendimtare të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Përmes këtij rrëfimi, Mazi vendos në qendër rolin e Shqipërisë për Kosovën, sfidat e një shteti të vogël në një krizë të madhe, përplasjet mes realpolitikës dhe së drejtës ndërkombëtare, si dhe peshën e vendimeve që shpesh merren pas dyerve të mbyllura. Ai ofron jo vetëm kujtime reale mbi bazë arkivore, por edhe analiza të sakta të mekanizmave të diplomacisë, të vështirësive dhe të proceseve që çuan drejt pavarësisë së Kosovës. Ky libër është një testament i qartë i kontributit të tij intelektual dhe diplomatik, si dhe një udhëzues për të kuptuar se si zhvillohet në realitet diplomacia kur përballë është fati i një populli.
Parathënia e librit
Kosova, lufta e heshtur e Zef Mazit nuk është thjesht një rrëfim personal, as një mozaik kujtimesh të shpërndara nëpër vite. Ky libër është testament diplomatik, i shkruar nga një njeri që jo vetëm i pa ngjarjet nga brenda, por i parashikoi, i paralajmëroi dhe aq sa i lejohej, u përpoq t’i ndryshonte me këmbëngulje dhe me një punë të jashtëzakonshme politike e diplomatike. Çdo faqe e tij rrëfen se sa e mundimshme ishte të arrije një sukses të vogël në një terren të madh fuqish, ku zëri i Shqipërisë shpesh humbte mes kalkulimeve të të tjerëve.
Zef Mazi i përket brezit të parë të diplomatëve shqiptarë që u dërguan në arenën ndërkombëtare pa manual, pa busull dhe shpesh pa mbështetje politike. Një brez që u detyrua të mësonte rregullat e lojës brenda vetë lojës, në një kohë kur pak ishin ata që dëgjonin zërin shqiptar dhe edhe më të paktë ata që e merrnin seriozisht. Për këtë arsye, rrëfimi i tij është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm. Ai tregon se diplomacia e asaj dekade ishte shumë më e vështirë dhe komplekse se çdo ndërhyrje e mëvonshme ushtarake nga qielli. Kjo konfirmohet edhe nga vlerësimet e kolegëve të tij ndërkombëtarë, që e quajnë kontributin e tij “remarkable”, “major diplomatic performance”, “exceptionally clear”, “perfectly delivered”, “working with very little, you have added honor to the image of Albania in the world. This is no small accomplishment” etj.
Nga Helsinki në Berlin, nga Vjena në Londër, Zef Mazi ka qenë aktor i tre kapitujve themelorë: ringritjes së diplomacisë shqiptare (futja në KSBE dhe kontaktet e para me SHBA-në), përballjes me realpolitikën europiane dhe serbe, si dhe menaxhimit të shpërthimit të krizës në ish-Jugosllavi. Në çdo tryezë ndërkombëtare ai përfaqësoi një Shqipëri që duhej të kishte qartësi për çështjen më të ndjeshme e thelbësore të kohës: Kosovën.
Një nga fijet më interesante të këtij libri, edhe pse jo gjithnjë e dukshme në histori, është marrëdhënia profesionale dhe njerëzore e autorit me personalitetet kryesore të Kosovës, sidomos me Bujar Bukoshin, kryeministrin e qeverisë në mërgim. Si këshilltar i padeklaruar, marrëdhënia mes tyre ishte themeli i një strategjie të përbashkët, e ndërtuar mbi besimin, qartësinë dhe kuptimin e kristaltë të rreziqeve të kohës.
Mazi e kuptoi që herët se kriza jugosllave kishte zemrën në Kosovë, se aty kishte filluar dhe aty do të përfundonte. Se çdo përkëdhelje ndaj Millosheviçit ishte rruga më e shpejtë drejt katastrofës. Bukoshi, nga ana e tij, vlerësoi te Mazi profesionalizmin, qartësinë dhe guximin për të sfiduar interesat e kalkulimet e ditës, madje edhe kur këto vinin nga Brukseli, Uashingtoni apo vetë Tirana.
Ky libër e dokumenton qartë se sa shumë e ka vuajtur Shqipëria dhe sa shtrenjtë e ka paguar Kosova çmimin e heshtjes europiane. Në vitet kur vëmendja ndërkombëtare ishte përqendruar në Bosnjë, diplomacia shqiptare dhe qeveria në mërgim e Kosovës kërkonin të hapnin çdo derë për ta bërë të dukshëm një realitet që shumë refuzonin ta shihnin. Zef Mazi ishte ndër të paktët që këmbënguli dhe paralajmëroi se Kosova nuk ishte çështje e brendshme e Serbisë, as e një pakice kombëtare, por ishte çështje madhore identitare kombëtare, një vatër krize që do të shpërthente. Ai e pa rrezikun përpara se të nisnin krismat, në një kohë kur askush nuk donte ta dëgjonte. Dhe koha i dha të drejtë.
Përtej dokumenteve dhe dëshmive, që janë në themel, ky libër është pasqyrë e integritetit të autorit. Mënyra si reagon një diplomat në momentet e pasigurta tregon kush është njeriu. Mazi nuk fsheh tensionin midis asaj që mendonte dhe asaj që i kërkohej të thoshte. Ai ruajti linjën e tij profesionale edhe kur udhëzimet nga Tirana i kërkonin vetëm “të lexonte qëndrimin zyrtar”. Këmbëngulja e tij për një fjalë, një nuancë apo një formulim të saktë, edhe kur të gjithë të tjerët mendonin se “deklarata u mbyll”, nuk ishte kokëfortësi. Ishte qartësi strategjike. Pikërisht këtu qëndron vlera e këtij rrëfimi.
Kosova, lufta e heshtur është një pasqyrë e një realiteti që pak veta e panë dhe akoma më pak e kuptuan. Ai rrëfen një dekadë pune intensive, shpesh të padukshme, nga një brez i vogël diplomatësh që morën mbi supe një barrë shumë më të madhe se vetja, me bindjen se Kosova duhej, me çdo çmim, të kishte zë dhe tagër në arenën ndërkombëtare.
Në këtë libër, Zef Mazi rindërton me saktësi rolin e diplomacisë shqiptare në “luftën e heshtur” për Kosovën. Ai demonstron se diplomacia krijoi themelet që më pas bënë të mundur ndryshimin gradual të qëndrimeve ndërkombëtare. Libri dëshmon se asgjë në diplomaci nuk arrihet lehtë dhe shpejt, veçanërisht kur je i vogël dhe me peshë të kufizuar. Duhen muaj dhe shpesh vite këmbënguljeje. Ai jo vetëm ia ka arritur, por na e ka bërë më të kuptueshme atë që dukej e pamundur, luftën dhe përpjekjet për suksesin historik: Kosova shtet i pavarur.
Lutfi Dervishi
Lektor/ Pedagog
Lënda: Gazetaria investigative
Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit
Fakulteti Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës
Tiranë, nëntor 2025



