Mes hulumtimit të historisë së një familjeje mesjetare dhe rivlerësimit të rolit të individit në histori
Për t’i dhënë një kuptim titullit sibilik të këtij studimi të thellë e të mprehtë të studiuesit Thomas Frashëri, po e themi që në fillim se bëhet fjalë për një vepër, të shkruar sipas postulateve të heuristikës moderne, e cila vë në fokus historinë e një familjeje emblematike të mesjetës shqiptare, familjes Topia, në kohën e ndryshimeve epokale që sollën në Shqipëri posaçërisht shekujt XIV-XV. Kur zgjodhi të trajtojë këtë subjekt, Frashëri me siguri e ka llogaritur se do të ndeshej me vështirësitë specifike që një subjekt i tillë bart për studiuesin. Topiajt kanë sunduar në territoret e përfshira, grosso modo, mes rrjedhjes së lumit Mat e asaj të lumit Shkumbin. Në një kohë, si ajo e shekujve XIV-XV, kur historia vërtitej rreth idesë së universalizmit politik e fetar në emër të bashkimit të Romës së Vjetër me Romën e Re, në atë fashë qëndrore të Shqipërisë mesjetare u realizuan kontakte njerëzish e kulturash të ndryshme të cilat, siç thotë autori i këtij libri, sollën ndryshime modelesh, institucionesh e deri identitetesh më së pari tek elita drejtuese, që në këtë territor gjen shprehjen më të lartë e më të qëndrueshme tek familja Topia.
Duhet thënë se në planin metodik studimi i Frashërit shënon një ndarje të prerë nga koncepti marksist i ekzaltimit të rolit të masave dhe i mohimit të rolit të individit në histori, i cili për gati pesëdhjet vjet ishte filli i kuq i studimeve historike në Shqipëri. Qëllimi i tij në këtë studim është të veçojë e të gdhëndë në një reliev sa më të thellë e të vërtetë faktorin Topia, në korrelacion me kohën dhe mjedisin e afërt e të largët të tij. Për rrjedhojë, studimi i Frashërit ka rezultuar një histori prozopografike e Topiajve e ndërthurur me atë të Balshëve, të Arianitëve, Muzakëve dhe sigurisht të Kastriotëve dhe, më tej, me historinë e Anzhuinëve të Francës, të Napolit, të Tarentit e të Budës, të Nemanjiçëve, Mërnjaçeviçëve, Lazareviçëve e Brankoviçëve serbë, të mbretërorëve bosnjakë e, sigurisht, të dinastisë perandorake osmane. Në kërkim të heureka-s finale të Arkimedit, autori ka ndjekur rrugën e gjatë e të mundimshme të qëmtimit të thellë e të imët heuristik, duke analizuar me kujdes një lëndë të pasur të grumbulluar nga arkivat, nga kronikat e kohës, nga regjistra kadastralë e kishtarë, nga burime letrare, gjenealogjike, prozopografike, epigrafike dhe, për herë të parë në historinë e studimeve shqiptare, të atyre heraldike.
Pikërisht, leximi profesional i emblemës së Karl Topisë, të inkastruar në murin e kishës së manastirit të Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), shënon pikënisjen e linjës kërkimore të autorit. Ndryshe nga trajtimet e përcipta të deritashme, Frashëri ka bërë një analizë profesionale prej heraldisti të formuar të monumentit. Ai sheh aty një shqyt heraldik të ndarë vertikalisht në dy pjesë, ku pjesa e djathtë shpalos stemën e familjes de Courtenay, titullare e perandorisë latine të Kostandinopojës: fushë e kuqe me një kryq të artë qëndror që ndan në katër pjesë gjysmëfushën e skudit. Në qendër të çdonjerës nga katër hapësirat qëndron nga një disk i praruar me kryq të brendashkruar, ku çdo kryq i brendashkruar rrethohet nga katër kryqe të vogla të lira, gjithashtu të praruara. Gjusmëfusha e majtë e shqytit përfaqëson stemën e Anzhuinëve Tarentinë, një fushë të kaltër me lila të artë të përshkuar diagonalisht nga një fash i argjentë, që nënvizon nënrenditjen hierarkike të tyre në raport me mbretërorët e Napolit. E ndërtuar kështu, stema e Karl Topisë duket identike me stemën e pasardhësve të Filipit I të Tarentit prej martesës së tij me Catherine de Valois Courtenay, perandoreshë titullare e Kostandinopojës. Por Frashëri shkon edhe më tej. Ai dallon një përmbysje në renditjen e gjysmëfushave të skudit të Topisë në raport me ato të skudit heraldik të Filipit të Tarentit. Në stemën e Karlit, në krahun e preferuar, atë të djathtë, qëndron gjysmëfusha e skudit me simbolet perandorake të Kostandinopojës latine. Ky detaj i rëndësishëm e tërheq Frashërin të shohë aty një mesazh të caktuar të Karl Topisë, i cili nëpërmjet simbolikës nënvizon një lidhje gjaku të tij me shtëpinë mbretërore të Francës, gjë që shprehet me fjalë edhe nga mbishkrimet në latinisht e në greqisht të inkorporuar në murin e kishës së manastirit të Shën Gjon Vladimirit.
Frashëri sheh të njëjtën këmbëngulje të Karl Topisë për të evidentuar prejardhjen nga dinastia e mbretërve të Francës e të perandorëve latinë të Kostandinopojës, si ajo e perandoreshës titullare Caterine de Courtenay, e cila si në skulpturën e saj e të të shoqit, Filip Anzhu i Tarentit në kishën San Domenico Maggiore të Napolit, ashtu edhe në mbishkrimin që shoqëron ato, shpërfaq epërsinë hierarkike në raport me bashkëshortin, duke u paraqitur vetë me kurorën perandorake dhe duke e prezantuar Filipin si “burrë i Katerinës, prej gjakut mbretëror të Francës”. Me interes është qëmtimi i kujdesshëm nga Frashëri i një fraze lakonike të Dhimitër Frëngut, i cili, bazuar edhe në romanin kalorësiak të Barberinos “Guerin il Meschino” (1410), mbron idenë e prejardhjes së Karl Topisë nga linja e Karlit të Madh dhe e mbretërve pasardhës të Francës. Shënojmë kalimthi këtu që Frashëri i ka dhënë vlerën e një dokumenti historik një tjetër monumenti, sarkofagut të dukës Giovanni Anzhu të Durrsit, duke lexuar e interpretuar drejt, sipas nesh, grupin skulpturor bashkë me mbishkrimin përkatës, për çka do të flitet më poshtë.
Duke ndërtuar kuadrin e vet historik të lidhjeve dinastike të Karl Topisë me mbretërorët e Francës e me degën e tyre të mbretërisë së Napolit, Frashëri normalizon në një farë mënyre marrëdhënien e Topiajve me Anzhuinët e çautorizon versionin e rrëmbimit nga Andrea Topia të një bije ilegjitime Anzhu, të destinuar për një princ latin të Moresë, version i dhënë mëse pesë shekuj më parë nga kronisti Gjon Muzaka. Në funksion të këtij kuadri historik duket se flasin edhe qëndrime të gjata të Tanush Topisë, e pas tij, edhe të Karl Topisë e të Dominik Topise në oborret anzhuine të Napolit e të Hungarisë, gjë që, bashkë me elementë të tjerë, siç është ai i stemës së Karl Topisë, krijon perceptimin e një raporti të ngushtë të Topiajve me dinastinë franceze, çka i diferencon ata nga mjedisi shqiptar, i privilegjon e i vendos në krye të hierarkisë së patriciatit shqiptar të shek. XIV-XV.
Autorit i është dashur mund i madh për të mbështetur këtë primat të pretenduar të Topiajve, që ridhte natyrshëm nga lidhjet preferenciale që ata kishin me linjën dinastike Valois-Anzhu. Në këtë vështrim, përveç se qëmton me kujdes çdo element që lidh historinë e Topiajve me ta, ai i ka kushtuar shumë vend zhvillimeve brenda asaj dinastie. Të dhënat dokumentare janë tepër të rralla për të thënë diçka të sigurt lidhur me vijimësinë e lidhjeve mes Topiajve me Anzhutë franko-hungaro-napoletanë, ose për të provuar ndikimin e tyre në zhvillimet historike në Shqipërinë e shek. XIV-XV. Por këmbëngulja e autorit për ta hetuar marrëdhënien me shtëpinë mbretërore të Francës jo vetëm nga poshtë lart, por edhe nga lart poshtë, fut në mendime edhe më skeptikun e lexuesve të kësaj pune të mundimshme të Frashërit.
Për të provuar se ato marrëdhënie kanë patur luhatjet e tyre, Frashëri ka kapur një moment të hershëm, atë të vitit 1329, kur konti Tanush Topia shfaqet në mbretërinë e Napolit e kërkon të faleshin e t’i viheshin në dispozicion 300 shqiptarë të burgosur, sigurisht si besëthyer ose kundërshtarë të Anzhuinëve, të cilët do t’i shërbenin atij për të përballuar “disa rivalë e armiq që përpiqeshin të pushtonin tokat e tij”. Në atë rast Mbreti Robert e quan kontin e zotin e Arbrit, Tanush Topinë, si “njeriun e tij besnik”. Pranoi t’i falë fajtorët, urdhëroi t’i jepeshin në dorëzim Topisë 300 të burgosurit shqiptarë, që padyshim nuk ishin subjekte dosido, por persona të një farë niveli e të njohur personalë të Tanushit. Nëntë vjet më vonë, vetë Tanush Topia nënshkroi një traktat me Anzhuinët e Durrësit. Teksti i traktatit sqaron se ai dokument ishte bërë i nevojshëm pas një periudhe konflikti mes tyre, kur Topia kishte zënë rob edhe një komandant anzhuin, Guljelmin e San Severinos. Me traktatin në fjalë, Anzhuinët i falnin atij fajet e gabimet e bëra dhe e pranonin përsëri në besë të tyre. Pra, si në rastin e Karlit I Anzhu, të Karlit II apo edhe të mbretit Robert, burimet anzhuine ofrojnë edhe momente paqëndrueshmërie në marrëdhëniet e anzhuinëve me krerët shqiptarë, e posaçërisht me Topiajt.
Leximi bindës – në ff. 263-268 të librit – që vetë Frashëri i bën sarkofagut të Giovanni Anzhu Durrsakut në San Domenico Maggiore të Napolit (1337), ku ky është skulpturuar në një qëndrim prej sovrani përballë një grupi zotërish shqiptarë, që shprehin pendim e bindje ndaj tij – përveç një personazhi të vetëm, që të sjell ndërmend Tanush Topinë, i cili në mënyrë sfiduese e hedh vështrimin anash si për shmangur vështrimin e Anzhuinit – ilustron në mënyrë lapidare thelbin e marrëdhënieve shpesh herë të tensionuara të fisnikëve shqiptarë me zotërit e përtejdetit. Jo më kot – edhe ky është një konstatim i vëmendshëm i Frashërit – mbishkrimi e cilëson Giovannin e Durrësit “zot e korrigjues i Arbërve”, duke shprehur në mënyrë të përmbledhur atë që vetë Anzhuinët e pohojnë vazhdimisht në aktet e tyre, ku flitet gjithashtu për rekuperimin e tërheqjen prej tyre në rrugën e drejtë të krerëve Arbër. Pra, që Topiajt, njëlloj si krerë të tjerë, nuk patën marrëdhënie idilike me anzhuinët, ky është një fakt mjaftueshëm i dëshmuar. Në 1372 Luigji i Navarrës e përfshin Karl Topinë mes njëzet krerëve shqiptarë kundërshtarë të Anzhuinëve, madje ai dhe Balsha I cilësohen “armiq të hershëm” të tyre, aq sa për kapjen rob të tyre u vu një shpërblim prej një mijë dukatësh.
Për sa i përket periudhës kulmore, asaj të Karl Topisë, Frashëri mendon se, pas një qëndrimi të tij të supozuar në oborrin e Hungarisë, Karli u kthye në krye të principatës së tij si aleat i mbretit Luigji Madh. Edhe njëherë, një shënim historik në gjuhën sllave nga Muzeu Historik i Ohrit i jep mbështetje Frashërit për të potencuar qëndrimin e tij se Topia ishte kundërshtar i carit serb Stefan Dushan, dhe pas vdekjes së këtij të fundit, ai punoi për të zhdukur çdo gjurmë të sundimit të tij, siç veproi edhe me veprën restauruese në kishën e Shën Klementit të Ohrit.
Në fund të këtij studimi të thellë e të mprehtë, autori Thomas Frashëri i rikthehet personazhit të cilit i ka kushtuar faqet e para të tij, Karlıoğlu Ali beut. Emri i tij gjendet në mbishkrimin e xhamisë Kurshumlie në qytetin Karlovo në Bullgari, ndërtuar pikërisht prej tij në vitin 1485. Ai është identifikuar si kujdestari (lalà) i pestë i Cem Sulltanit, dalit fatkeq të Mehmetit II. Ka qenë Franz Babinger ai që një shekull më parë hodhi idenë se Ali beu ishte një djalë i islamizuar i Carlo Toccos, kont i Qefalonisë, dukë i Leukadës dhe despot i Janinës në kapërcyell të shekujve XIV-XV. Ide që vetë Babinger e vuri në dyshim në vitet e mëvonshme. Nga ana e tij, Halil Inalçik sinjalizon praninë e një familjeje me prona të shumta në zonën e Krujës, të përfaqësuar nga i jati, Karli, dhe nga bijtë e tij (Karlı-oğulari) Aliu, Andrea e Muzaku. Regjistrat osmanë të shekullit XVI i regjistrojnë territoret në fjalë nën emrin “vendi i Karlit” (Karli-ili). Pas një analize të gjatë e të mundimshme të të gjitha burimeve të disponueshme, Frashëri arrin në përfundimin se pasardhësit e Karl Topisë shfaqen ndonjëherë (Pal Engjëlli, Dhimitër Frëngu, Du Cange) me epitetin, tashmë mbiemër, Karlovich (sll. djemtë e Karlit), që është versioni sllav i turqishtes Karlıoğlu. Të kthyer si mbiemër, Frashëri e sheh të mbajtur atë nga bijtë e islamizuar të çiftit Karl Muzak Topia dhe Mamica Kastrioti, motër e Skënderbeut, për të cilët bëhet fjalë në kronika të kohës. Pikërisht njeri nga djemtë duhet të jetë, sipas Frashërit, ndërtuesi i xhamisë Kurshumlie në qytetin Karlovo në Bullgari, Aliu bir i Karlit (Karlovich=Karlı-oğlu).
Ritheksojmë se ky i studiuesit Thomas Frashëri është një studim në front të gjerë, që ka kërkuar njohuri të thella, gjuhë të huaja, këmbëngulje e durim prej murgu. Frashëri i ka të gjitha këto e falë tyre ka guxuar të trajtojë e të hedhë dritë mbi çështje pak e aspak të trajtuara në të kaluarën. Me një qasje gjithpërfshirëse, me argumenta e me një frymë të fortë analize, ai ka arritur të ravijëzojë madje edhe të gdhendë personazhe, ngjarje, marrëdhënie të fshehura ose të humbura në atë epokë transformimesh të mëdha, edhe identitare, siç ishin shekujt XIV-XV.



