Kreu Letërsi Bibliotekë Odise Kote: Rregulla të thyera…

Odise Kote: Rregulla të thyera…

Gëzohu që të harruan …!

Epoka jonë i është dorëzuar
demonit të shpejtësisë.
 
Kur gjërat ndodhin tepër shpejt,
askush nuk është i sigurt për asgjë,
për asgjë fare, as për veten e vet.
 
Epoka jonë është fiksuar për të harruar,
ndihet e lodhur nga vetvetja,
e neveritur dhe kërkon ta shuajë
atë flakëzën e kujtesës.
 
Mik i dashur mos e torturo veten!
 
Dil nga pellgu i mundimit, sakrificës, 
mos mendo për të qeshurat që të lënduan,
mbështillu me shallin e ëmbël,
të ngrohtë të amnezës.
 
Gëzohu që të harruan!
 
Merr frymë thellë,
dhe kështu e harron kollaj vetveten…


Amanete guri …

Dëgjoj gjuhën e bekuar që mbrojnë zogjtë bredharakë,
drurëve, kambanave, riteve, përrenjve, lumit, përposh në luginë,
gjuhën që flasin gurët e kështjellës kur ikin ujërave të nëndheshëm,
përtej kufijve të një ëndrre amtare, që arratiset në perëndim.
 
Koha i ka gdhendur gjurmë e plagë, shenja të qarta ilirike,
mundime e dritë, kodikë, libra të shenjtë që i mbaj mend.
Violina e valltarë, bozhur Kosove, dhe një marathonomak,
nisur të kapërcejë terrin pesëqindvjeçar, që ende më tremb.
 
Pyesni tokën, rrënjët, pastaj të vdekurit, ngjyrat në festa pjellorie,
qiellin kuarcë që ulet poshtë, sikur kërkon të preket me dorë.
Kthimin e pelikanëve, legjenda të thinjura, fjali të motmotshme,
me hartën e mikpritjes në çdo portë.
 
Një poet syngulur në vija – guri, rri dritares nga vjen dielli,
për të folur gjuhën e bekuar me ëngjëjt apo me diçka tjetër …
 


N’ato kodra vetmitare …

N’ato kodra vetmitare,
ku fryn erë e bardhë  Kolonje,
vrapon dielli çdo mëngjes
dhe krijon me dritë të pastër
gjithë gjërat e thjeshta të botës.
 
Bredh që ikën horizontesh,
ku janë lisat dhe ahet,
bredhat, qiparisat, dushqet
që i afrohen gjithnjë e më shumë qiellit.
 
Rrotullohen në rodon,
fijet e fatit të jetës,
pemët ngarkuar me mollë të gjelbra,
pemë nën peshën e arrave të rumbullta,
rrafshnalta të mbuluara me kallëza graniti,
ku delet blegërojnë nga thithkat plot qumësht,
në pyjet me përrenj që kërcejnë
si kaproj pa u ndalur,
nëpër ujëra të kulluar mes shkrepash.
 
Nën hije gështenjash,
lulet që fërgëllojnë, erëmojnë,
si një kaba madhështore,
në çdo lëvizje ajri dëgjohen,
kuaj nusesh, avaze dasme,
gjinkalla që këlthasin,
bulktha që qajnë, bretkosa që gjëmojnë,
buaj të mëdhenj, të bardhë,
që mbushin me bulërimën e tyre luginën,
tinguj që shpirti i njeriut shijon veç një herë.
 
N’ato kodra vetmitare,
ku fryn erë e bardhë  Kolonje,
pak para perëndimit, dielli merr një sy gjumë,
mbi një gjethe luleshtrydheje
ose një rrëfanë qershie …!
 


Rregulla të thyera …

Ka kohë që i besoj rregullave të thyera,
si një dhurate zoti mbështjellë me ëndrra.
Dashuria dhe urrejtja kanë stinët e veta,
fjalët: janë si gurët, pesha të rënda.
 
Asgjë e kësaj bote s’u zbulua paqësisht,
Amerika, universi, nano – lënda, graviteti.
Këmbëzbathur përgjatë boshtit të dyshimit,
dituri e imagjinatës triumfon mbi rregullin.
 
 Ty të jap çdo gjë, por ti bëhu Ajnshtajn,
filozof po deshe, në gjëra teorie.
Plan kërkimi pafund e paanë,
kur flasin engjëj terri me ëngjëj drite.
 
Një dorë tek vijë e lakuar e arkitekt Gaudi,
tjetrën tek puls i yjeve të largët e simetria.
A ka një hartë ku shterohet fantazia?
Kjo botë mer formë nga rregulla të thyera.
 
Ka kohë që besoj tek rregullat e thyera,
kapriçiot, ndryshimet, gjithësia.
Besoj tek mendja e njeriut, ekuacioni:
kaos, mjegull e pastaj: kthjelltësia …
 


Shpërfillanët …

Shpërfillanë provincialë, në krye të kiçit,
kokzbrazur, artific, elegancë e tredhur.
Fluridhë e asgjësë, bujtur prej hiçit,
drejtoresha e shefa, papagaj të egër.
 
Shpërfillanë, ky soj, qelb – administrate,
me CV të blera, universitet lart e poshtë.
Zhgun prej zhgunit, terr, lakuriq – nate,
krejt analfabetë, kapardisur si kaposhë.
 
Shpërfillanë arrogantë, pa drojë, pa turp,
pa kujtesë, shpërfillsa që s’njohin askënd.
Grabitqarë postesh, të etur, pushtues,
rikthim primitiv që trëmb e të ç’mend.
 
Shpërfillanë makutër që bien dhe vdesin,
shpatullat të ngrohin në karrige pushteti.
E dinë fare mirë, karrigia pa mund,
të çon direkt tek arka e shtetit.
 
Çyrykë kotësish, krimba të tokës,
racë mediokre, shpërfillanë funksionalë.
Ju jeni rreziku zjarrvënës i botës,
mjerë kë kap e përvëlon të gjallë …


Në kërkim të varrit të saj …

Asnjë varr nuk do ta merrte përsipër,
të burgoste bukurinë tënde…
 
Trilli gjeti prehje atë ditë vjeshte,
në vizatimet e çuditshme të shiut.
 
 Mbi një pllakë mermeri data e lindjes,
dhe e vdekjes,
(mungon data e dashurisë së parë).
 
Datat nuk gënjejnë,
janë të sinqerta, pafjalë,
nuk përmbajnë asnjë mister.
 
Nuk ka rëndësi sa larg kishe shkuar,
përsëri të gjeta në pikën e fillimit.
 
Kishe ikur prej varrit,
për t’u bërë pemë, mushmollë e kuqe.
 
 Ti e di pse më dërgove pastaj
ca fjalë gjethesh:
 
«Ngrije gurin e rëndë të durimit
dhe shpërndahen vetë buburecët …!»
 


Lindëm në Atdheun me
mungesa të mëdha …

Ëndrrat tona duhet të kapërcenin çdo ditë,
mungesat e mëdha të kohës dhe vendit,
por pas çdo hapi që hidhnim,
toka rrëshqiste poshtë me fuqi rrënuese,
në venomin as kështu, as ashtu …
 
Pavarësisht marrëzive, befasive të kësaj bote,
shpresat linin pas, parandjenjat pikëlluese,
ngatërresat, mosbesimin si formë të sprapsjes,
mitet dhe çdo tabu …
 
Ëndrrat tona kishin prirjen e natyrshme,
për t’i zvogëluar mungesat,
xanxën e një gjendjeje qartësimi
e njëherësh verbimi të padurueshëm.
 
Atdheu ynë ndërkaq tkurrej,
bëhej gjithnjë e më i urritur,
shitur për një euro, i raskapitur,
trembur prej fatit a mallkimit,
paspjegueshëm …
 
E pabesueshme ngjan joshja prej së keqes,
një kotni, një gabim, një mos i pafund…
pjellë e një brenge të gjatë,
shqyrtim sfilitës i ndërgjegjes,
kërkim i kohës së humbur,
normalitetit,
lodhur prej shumë e shumë jetëve …
 
Atdheu ynë ende përtyp rrënjë të egra,
në mjegullnajë, tej mugëtirës,
mëmë e kërrusur, në shpresa të thyera ngeli.
Duke pritur një yll të ri të ndrijë,
duke vështruar agimin e çdo dite të re,
si kapërcim ylberi, me admirim rrebeli.
 
E vetmja gjë që ka rëndësi tani Atdheu im,
është të shohim sytë tanë në pasqyrë dhe t’i pyesim:
a i kanë qëndruar besnik vetes?


Ti që nuk e ke frikë kohën …

Ti që nuk e ke aspak frikë kohën,
vërtitesh si gjethet e thara, pa shpirt.
Kujton: të presin. Ke një jetë tjetër,
me iluzionin e vjetër narcist.
 
Rrotullohesh në dredhore dergjë – ferri,
asnjë aksident s’vjen kot, rastësisht.
Del nga shtrati një lumë i tërbuar,
dhe i rrëmben të gjitha tragjikisht.
 
Diku në memorie një çelës rri fshehur,
për ditë të mbrapshta, ato të errësirës.
Të mëson të ndash nga byku, vlerën,
në kufi kotësie, të keqen – të mirën.
 
Ti që nuk e ke aspak frikë kohën,
pa cekur skajin të kuptosh ekzistencën.
Vërtitesh si gjethet e thara pa shpirt,
në tornado dimrash të egër …


Atje përposh …

Atje përposh nënvetëdijës time,
rri i fshehur një ajsberg i stërmadh.
Brenda ajsbergut Njeriu – pezull,
as vdekur, as gjallë.
 
Në «shtëpinë» prej akulli,
Njeriu – shumë dashuri të para të jetës.
Disa mbeten, bëhen të përjetshme,
të tjerat: shkrihen e rrëshqasin rrjedhës …
 
Ato që mbeten luajne symbylltas,
kundërshti dyshuese, hollake vija.
Mardhënien direkte të dritës,
me hije – driten,
dhe atë brendësinë që i rrëmben të dyja.
 
Atje përposh nënvetëdijës time,
rri i fshehur një ajsberg i stërmadh …


Lutja e harruar …

Tinguj të çuditshtëm ranë, lutja tha:
det të urdhëroj të qetësohesh!
Era ndërroi kahjen dhe u bë e butë,
dallgët llokoçisnin vetësi e pafajësi,
drita mori ngjyrë diellore, të bruztë,
u rregullua direku anijes, bukuri.
 
Si lundroi ajo, në erë dhe ajër,
a thua kish ndodhur ndonjë mrekulli?
 
Bregu s’e dëgjoi botën fjalëtare.
 
Qetësuar dallgë, mbërrin në port anija.
Lutja ritual nuk qenka harruar…
Sekret dëshire, mbrojtëse përndryshe,
kod vjetran marinarësh apo vetëpërmbushje …?
 

Exit mobile version