ODE TË SHKURTRA PËR DRURËT E SHEKUJVE
Midis hithrave të përbindshme përqëndrohet
pranvera kryeneçe, pa gji ende dhe pa menopauzë,
prej menstruacioneve të hershme që pikojnë
lule kamomili atje në pjerrësitë e brinjes
me polenin e varur
nga skajet e reve.
Katër pemë që dua t’i himnizoj,
me katër tingujt e tyre
prej drurit dhe prej erës.
I. Ode për rrapin e barinjve
Mitet që grumbullohen kokë me kokë
si shushuritje
rreth zjarrit
të Katarsit të Kohës,
ndalojnë memorjen e tyre
dhe kërkojnë një përligje sado të vogël.
Rrëmbimi prej Centaurëve
i vajzave të lumit
që kriheshin të trembura,
ende më thonë:
-Mos e lini rrapin!
Mos pini pijen e harresës! më thonë…
Të linjtat e tyre lahen në lumë
dhe skuqet lumi,
skuqet gjithashtu perëndimi.
Si një vajtim kumbon kënga e tyre
deri sa shiu
e fshin, e fshin, e fshin…
pikat e tij pikojnë
larje mëkatesh.
Centaurët rrëshqasin dhe ikin
nga ballina e mermertë,
kalorësit e pasionit,
duke i braktisur ato
leshleshuara
me shënja dhune pasdite.
Barinjtë ziejnë qumështin
rreth zjarrit të heshtur, dhe
ndonse e dine ndodhinë, këndojnë,
dhe ndonse janë të pikëlluar,
veshin palltot dhe këndojnë
në karrocën e hënës
që u ledhaton kryet.
-Mos e harroni rrapin!
II. Odë për lisin e Heronjve të vdekur
Ata pushojnë pa hije
poshtë degëve të tua
të vdekurit e revoltave
duke renditur fushatat e tyre,
bëmat e tyre,
vdekjet,
dhe shokët e humbur,
dhe pastaj ndodhitë e tyre
gjatë kthimit në atdhe:
anija që ishte mbytur
gratë që i kishin joshur
stuhitë që i kishin mbytur
gjarpërinjtë që i kishin kafshuar
shkëmbinjtë e rëzuara udhës së tyre,
kusarët që u ndeshen,
historitë që dëgjuan
qytetet që takuan…
qeshin pa zë,
këndojnë pa muzikë
epose të harruara.
Askush nuk u afrohet
askush nuk u hedh sytë.
Presin damaret e tyre
pa dalë gjak
trokasin kupat duke pirë
dhe vetëm trokitja kumbon
sikur kërcasin kockat e natës.
Luten vetëm atëhere
kur shikojnë ndonjë poet kalimtar,
të shkruajë një varg dhe për ta.
Zgjohen herët në të aguar
dhe shndërrohen lagështirë
që mbështjell muret e kështjellës
avuj uji që kurorëzojnë detin….
Kalorës të Agimit i kanë quajtur
për t’i dalluar nga të vdekurit e tjerë
që nuk kanë lis,
ku rrënja e drurit të tyre
nuk ka të vdekur…
III. Odë për ullirin e qetësisë
Lutje,
Vështrimi yt drejt qiellit
dhe degët e tua argjend rrezatojnë
gjatë ledhatimit të dritës.
Lënë veglat e tyre
të punës fshatarët,
fusha lëshon farën e saj,
përgjegjësinë e një qetësie universale,
ty ta ka ngarkuar
një zot kalimtar,
bashkë me orakullin e kohës si shenje
mirënjohje për mirëseardhjen tënde.
Atje ku Kronosi i vogël luan shkujdesur
para se të vrasë atin e tij.
Dhe milingonat dëshirojnë të bëhen
Engjëj mikroskopikë
mbi trungun tend,
që e përshkojnë lëngje mistike dhe viskoze.
Nën mbrojtjen tënde lindë një grua,
nën pëshpëritjen tënde
dy trubadurë venecianë
rrëfejnë me mandolinë dashuritë e tyre,
poshtë dheut tënd
rrjedhin botë të padukshme.
Nën hijen tënde
ëndrron udhëtari
udhët që ende nuk ka shkelur.
U prehsh në paqe…
IV. Ode për pishën me minjtë
Lërmë të vij me ty sonte në mbrëmje,
deri në fund të sternës që llomotit historitë e ujit
dhe pranë manastirit
të mbyllur në devotshmërinë e tij.
Lërmë të të ndjek
deri atje lart ku ngjitet pisha
duke skicuar premtime dashurie
të çifteve që e rrethojnë përnatë.
Lërmë të kaloj pranë lutjes
që bën çdo ditë horizontit,
ta kuptoj dhe ta gdhend
në një gur.
Lërmë të dëgjoj minjtë që kacavaren
në degët e tua buzëmbrëmjes,
dhe luajnë të pacipa skena dashurie,
duke trembur lakuriqët e natës
dhe orakujt e tyre të padeshifrueshme
dale nga rropullitë e shpellave rreth tyre.
Lërmë të të puth
duke shtrënguar në duar dehjen e hurmes
dhe duhmën e fijes së barit të egër
si shtroje që na vë në gjumë.
Lërmë të kujtoj në krahët e tua
kohën kur muajt mbanin kurora dredhke
duke u kacavarur në trupin tënd…
-Lërmë të të puth sonte,
Lirika tristike
Degët e ftohta të bajames
mbajnë një kryeneçësi
thuajse të pandjeshme.
Rreze diellore ngrohin rrënojat e lashta,
një ndjenjë sakrilegji
e shtangur zgjohet.
Lirizmi kalëron
si kalorës stolisur
me gjerdane e kordele.
Fantastike vareshin
në ballkone,
degët e çelura të jaseminit.
Në bordura trotuaresh
kundërmon ende
era e harruar e trëndafilit.
Banoja në gjuhë të huaja
duke ushqyer pëllumba
në ballkonet e tyre.
Dita e Fitores
me fytyrën e disfatës së lashtë
flamur në qepalla.
Lejlekët si trombonet
kumbonin oshtimën e detit
deri në brendësitë e dheut.
E gjelbra ngulë në sy
reflekse buthtimi
të mureve urbane.
Kërkova detin,
në mëngjes të porsalindur
dhe dashnor në mbrëmje.
Në brigjet e Adriatikut
jipnin shpirt kohrat e një historie
prej porcelani dhe panje.
Jambe, daulle dhe psherëtima
dëgjoheshin në brigjet e Eolisë
nga barkat e refugjatëve.
Rishikoja heshtjet e horizontit
në bunacën e deteve jugore.
Si jehonë përjetësie, mendoja…
Kupa të purpurta zbardhëllimi
mbushnin durimin tim të pritjes.



