HIRI I UDHËVE TË DJEGURA
Kur linda unë, nëna më lidhi në djep
Me një udhëz oborri, qendisur anash
Me xhufka bari.
Kur fillova të ecja,
Nëna m’i mblodhi gjurmët e endura mbi pluhur
I çoi tek plaka e moçme e fshatit
Të më thurte çorape udhësh.
Kur vesha çorapet e reja,
I dogja të gjitha udhët e botës
E në hirin e tyre vizatova
Një udhë zjarri.
Pastaj erdhi dita
Kur hiri i udhëve të djegura
U bë në zemrën time,
Një udhëz e fshehtë, e fshehtë,
Që më çon tek oborri.
POTKOI PREJ TYMI
Drutë e njoma të dimrit digjeshin në vatër
Tymi ngjitej plogësht në tavan, i zi sterrë
Pastaj, endej duke lodruar nëpër dhomë
E qendronte si potkua varur mbi derë.
Sa herë nëna lyente në pranverë shtëpinë
Mbi potkua binin dy pikëza të vogla gëlqere
Teksa unë e vëzhgoja gjatë e me kureshtje
Si një shenjëz që Zoti na dërgonte atëhere.
Dy pikëza gëlqere ndriçonin nëpër net
Me një dritëz të dobët, të mekur
Dhe mua nuk di pse më dukeshin shpesh
Si sytë e një kali të vdekur.
KËMBANAT E GJAKUT BIEN NË ERRËSIRË
Ulem një çast mbi gurin e mëkatit
E dëgjoj këmbanat e gjakut
Që bien në errësirë.
Muzgu kundërmon aromë pendese
Nga lulet e zeza të vetmisë
Që çelin e vyshken vetvetiu
Në mendimet e mia të bardha.
Ku është altari i dritës
Të bëj një lutje besimi?
Gjithë jetën kam adhuruar altarët
Në të gjithë tempujt e botës
Por ardhka një ditë, kur njerëz si unë
U bëkan viktimë e këmbanave të gjakut
E gjithë besimi i rritur në vite
U thërrmuaka
Si një copëz e hollë xhami.
Ah! Mëkati im i gurëzuar,
Sivëllai im me gjak Adami.
ARMIKU IM I PAFAJ
Armiku im i pafaj…
Faji yt jam unë, i pandriçuari
Që kaloj para teje pa duartrokitur asnjëherë
Madhështinë tënde të rreme
Skalitur në vite.
Armiku im i pafaj
Letër e bardhë
Me njolla të zeza drite.
KAFE GURI PA MËKAT
Sa herë bëhet natë
Një kukuvajkë zbret nga pema e gjakut
E vajton mbi supet e statujës
Fshehur nën hijen e yjeve.
Unë e vështroj nga dritarja e kujtesës
E mendoj për mëkatin e ringjalljes së rreme.
Kur heroi ishte në jetë
E pija kafen në të njëjtin lokal me të
Madje herë – herë, në një tavolinë pranë tij
Por kurrë s’e kisha vënë re
Atë lloj heroizmi
Që do shpikej një ditë
Nga idhtarët e tij të besuar.
Kohët ndryshuan
E rëndomta u bë heroike
Heroi u bë statujë
Dhe tashmë
Mbi supet e tij
Vjenë kukuvajka
E vajton nëpër natë.
Unë e vështroj nga dritarja e kujtesës
E i ofrojë një kafe guri
Pa mëkat.
MUZIKA E UJËRAVE
KTHEHET NË DRITË
Kur muzgu fle
Liqeni psherëtin
Burgun e përjetshëm të brigjeve.
Kur muzgu zgjohet
Mijëra valëza kreshpërohen
E vallëzojnë me flladet
Valsin e tyre magjik.
Ky është çasti
Kur muzika e ujërave
Kthehet në dritë.
VIJMË E IKIM
Prelud i kaltër qielli
Shkruar me flatra pëllumbi.
Rekuiem guri
Shkruar me flatra korbi.
Vijmë e ikim…
Teksa mbrapa nesh
Myshku i kaltër i mëkatit
Vezullon barbarisht.
O harabel i vogël i oborrit
Më shkruaj në ajër
Një epitaf të trisht.
NGJASHMËRI ME TOKËN
Më rëndon në shpirt fizika e tokës…
Një grimcë dheu më ngjitet pas trupit
Më bëhet nyjez në lëkurë
Një re pluhuri më mbështillet rreth vetes
Më bëhet rrudhë.
Unë eci e eci
Sa më shumë gjurmë lë mbi të
Aq më shumë i ngjaj asaj.
Vetëm ajri nuk lejon ngjashmëri
Ajri është kujtesa ime e gjallë
Se m’i ruan qeshjet e hovshme
Madje me to është formuar edhe zemra e një ylli të largët
Po drita nuk vjen deri tek unë
Dhe unë, tani për tani
S’kam për ta parë atë dritë
Duke u bërë shkak për një tjetër udhë.
Më rëndon në shpirt fizika e tokës…
Një grimcë dheu më bëhet nyjez
Një re pluhuri më bëhet rrudhë.
QYTETI I ÇMENDUR
Kurrë nuk e besoja
Se qyteti im do të çmendej një ditë
E do thyente copë – copë
Aritmetikën e shifrave.
Madje tinëz, pa u vënë re.
Dy jetë i bënë zero
Dy vdekje i bënë tre.
KUJTESA E QESHJES
Ndes cigaren në një vetëtimë dimri
E tymos bulevardin
Të shijojë ditën e bruztë.
Qyteti po zbukurohet pandërprerë
Njerëzit rrallohen dhe unë jam më i lirë
Të lëviz çakërrqejf mes shirave
E të gëzojë të mirat e kësaj bote
Aq shumë të dëshiruara
Nga një gjallesë e lagur si unë.
Vetëm se më mungon diçka
E vogël…, pa rëndësi
Për të cilën si për dreq
Kujtohem shumë rrallë.
Kur kam qeshur për herë të fundit vallë?
UDHË E PASHTRUAR
Sa herë më futet ndonjë guralecë në këpucë
Më kujtohet një borxh i vonuar.
Sa shumë gurë ka kjo dreq udhë…
Udha ime e pashtruar!
GJAKU I TURBULLT I FJALËVE
Ma shpoi mespërmes heshtjen e trazuar
Klithma e një shpendi nate.
Nga plaga e hapur
Pikoi pikë, pikë
Gjaku i turbullt i fjalëve.
IKJE NË SHPINË
Kishim kohë që iknim në shpinë
Përditë nga pak, nga pak për ditë
Ikja bëhej largësi
Largësia bëhej ftohtësi
Ftohtësia bëhej psherëtimë
Psherëtima bëhej vetmi…
Të kujtohet dita kur u nisëm?
Se kush qau nga ne të dy
Kur gjëmbi i dyshimit
Gërvishi varakun e argjendit
Mbi kurorën e brishtë të martesës
Që aq shumë shkëlqente.
Pastaj lotët u gurëzuan
Me fytyrën e një fëmije
Që grindej
Se s’donte të lindte.
O SHIRA, MË JEPNI NJË YLBER
Ajo iku me hënën e ngrënë të tetorit
E nuk u kthye kurrë më,
As në ëndrrat e netëve
As në ëndrrat e ditëve
Ndërsa lotët e mallit tim
Bëhen rrëkajë, rrëkajë.
O shirat e butë të vjeshtës
Më jepni një ylber
Të mbështes kryet e lodhur
Sa të shikojë
Fytyrën e saj!