Është një mur tashmë që ka emrin e Visar Zhitit në një qytet në Itali, në Salerno. Pse, si ndodhi, ku pikërisht? Mos ndokush që kaloi andej, nxori ngjyrat që mund të ketë patur me vete, spërkati murin, la mjë grafitt dhe iku?
Po e rrëfej se si është.
Në fillim dy fjalë për Salernon e bukur, gjëndet në jug të Italisë, në bregun perëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në Kampania, rreth 50 km larg Napolit. Edhe Salerno njihet për peizazhet e tij mesdhetare, të mrekullueshme, për kulturën dhe historinë që në kohët e perandorisë romake. Aty është themeluar Shkolla Salernitana, më e vjetra në Europë.
Qyteti sheh me fytyrën nga deti Tirren, i kaltër dhe i thellë, që duket sikur sjell me dallgët dhe erërat rrëfime të lashta, këngë të marinarëve mesdhetarë dhe frymë dashurie që ngjiten në rrugicat e ngushta e në muret e vjetra.
Këtu do të ndalim. Sa shumë poezi ka nëpër ato mure, vargje dhe ngjyra gjithkund.
Është një projekt magjepsës i qytetit, – do të thosha, – i mbështetur nga Fondacioni “Alfonso Gatti”, i poetit të tyre, ndër më të rëndësishmit në poezinë italiane të shekullit XX, zë kryesor i hermetizmitI dhe projekti quhet “Muri d’Autore” 2025, Mure autorësh 2025, një bashkëjetesë mes artit urban dhe poezisë.
Muret e qytetit janë shndërruar në faqe librash të hapura. Poezia është bërë pjesë e jetës së përditshme. Ti ecën rrugëve dhe rrugicave të Salernos dhe lexon poezi mureve, duke u krijuar kështu një dialog mes fjalës dhe figurës, kujtesës dhe së tashmes.
Mure që flasin. Na kujton ato graffitet spontane, me bojëra të shpejta dhe të trazuara, shenja anonime si e folura me ngut, fryma e rrugës, një klithmë rinore si nga instinkti, nga protesta, nga dashuria e fshehur që do të shpërthejë mbi gurë, një energji e lirë, e pasistemuar, që shpesh përpiqet të lërë gjurmë në një botë ku gjithçka fshihet shpejt.
Po diçka duhet ruajtur.
Dhe doli nisma “Muri d’Autore 2025”. Një komitet i përbërë nga poetë, artistë dhe anëtarë të Fondacionit, duke u bazuar në rëndësinë e veprave dhe lidhjeve të mundshme me qytetin e Salernos bën përzgjedhjen. Poetë si Ungaretti e Montale dhe patjetër shoku i tyre Alfonso Gatto, por dhe Alda Merini, Italo Calvino, Nazım Hikmet, Pier Paolo Pasolini, Pablo Neruda, Pino Daniele, Francesco De Gregori dhe Rocco Hunt, etj, janë aty për të pasqyruar tematika universale si dashuria, natyra, identiteti dhe kujtimet, duke i dhënë një dimension të ri hapësirave urbane. Kështu, qyteti shndërrohet në një ekspozitë të hapur. Çdo kalimtar bëhet lexues. Çdo mur një poezi. Lagjja – antologji…
Është piktori me emër arti Pinogreen, që e sheh kudo me furça dhe penele e kovat me bojëra, ndanë muresh, skelave, shkallëve, më gjunjë, i shtrirë, që punon pa u ndalur, i njohur tashmë për stilin e tij unik dhe teknikën e pikturës me letra dhe ngjyra të forta, të ndritshme për të krijuar kompozita që bashkojnë tekstin poetik me elemente vizuale të natyrës dhe jetës së përditshme. Një shembull i veçantë është murali “Occhiveri”, i realizuar me përdorimin e qelqit të ricikluar, që pasqyron angazhimin për mjedisin dhe bukurinë e thjeshtë të jetës.
Ai vizaton vargjet duke krijuar një lidhje të ngushtë mes fjalës dhe vizualitetit. që kanë pasuruar jetën artistike të qytetit. Poezia në Salerno ka dalë nga faqet e librave dhe është shndërruar në një pjesë të gjallë të peizazhit urban. E mbetur përherë mureve…
MURI I VISARIT
Në qendrën historike të Salernos në “Rione Fornelle” është Muri i Visar Zhitit. Aty kanë qenë shkruar vargjet e tij
Ty prapë të erdhi koha të mendosh, o zemër!
Në italisht:
E daccapo
e’ giunta l’epoca di pensare
o cuore!
Gjendet në librat me poezi të Visarit, të botuara në Itali, dy gjuhësh, shqip dhe italisht, të përkthyera mjeshtërisht nga Prof. Elio Miracco, “Confessione senza altari”/ “Rrëfim pa altare”, “Diana Edizioni” 2012 dhe në “Strade che scorrono dalle mie mani”/ Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, botuar vitin që shkoi, në 2024 nga “puntoacapo” dhe libri mori çmimin e njohur për poezi “Camaiore”.
Nga një perspektivë letrare, ky varg i Zhitit pasqyron një gjuhë të thjeshtë por të fuqishme, ku emocionet e mëdha përshkohen me një intensitet të përmbledhur. Aty bashkohen elegancën poetike me një angazhim qytetar dhe artistic, sipas kritikëve, një manifestim i së bukurës që del jashtë librit dhe bëhet pjesë e përditshmërisë urbane.
Poezia në mur herën e parë kishte formën e një dallge, me shkronjat e dorës me zbukurime lulesh, gjethe e arabeska.
Kur ngjisje shkallët e asaj shtëpie në Salerno, vargjet e Visari përballë kangjelave të hekurta të dukej sikur donin të çonin dhe më lart.
Tani është shkruar me të kuqe si gjaku dhe poezia ka formën e zemrës.
Stilistikisht përdorimi i harqeve dhe vijave të rrjedhshme të shkronjave krijojn një ndjesi pulsimi dhe pasioni, duke i dhënë vargut një energji vizuale që harmonizohet me temën e zemrës dhe të mendimit me zemër.
Në sfond, dritat dhe hijet e shkallëve dhe bimët e vendosura shtojnë një ndjesi intime dhe mikpritëse, aq karakteristike në lagjet e brendshme italiane.
Zemra e vizatuar me vargun e Visar Zhitit, rreh në të njëjtën kohë me rrahjen e detit mbi breg. Është si të thuash: poezia dhe deti janë dy gjuhë të ndryshme të së njëjtës ndjesi, njëra shkruhet me fjalë e ngjyra, tjetra me ujë dhe shkumë.
Valët sjellin e marrin njerëz, kujtime, mall dhe plagë. Në këtë kuptim, poezia e Visar Zhitit merr një rezonancë të veçantë mbi murin e qytetit mesdhetar: ajo bëhet një zë i mërgimit, por edhe i kthimit përmes artit.
Zemra e vizatuar me vargun brenda dhe me emrin Visar Zhiti në anë si kapilar:e të kuq, është shenjë dhe lidhje dashurie, që rreh njëkohësisht në dy vende, në atdhe dhe ku mund të ndodhet nëpër botë. . Për kalimtarin e zakonshëm zemra është një kujtesë e thellë e copëtimit dhe e bashkimit të brendshëm, një “homeland” që bartet brenda vetes.
Poezia muret i bën të ndjejnë, ndërsa muret e zemrave t’i mbushë me mendim. Po edhe mendimi ka gjak…
Mure e Salernos duket kështu sikur kanë zemër dhe e kthejnë poezinë në një regëtimë që nuk njeh kohë.
DHE NJË POEZI PËR VISARIN
Prapë në një tjetër mur, por në atë të FB. Një poer amerikan ka shkruar një poezi për Visarun. Na erdhi si një befasi e bukur dhe emocionuese,
Është Jeff Weddle,
. Gjej që është autor i disa librave me poezi e fitues i çmimeve te ndryshme letrare. Jeton në Tuscaloosa – Alabama në SHBA dhe jep mësim në Departamentin e studimeve të Bibliotekave dhe Informacionit në Universitetin e Alabamës.
Nuk jane takuar ndonjëherë e as nuk njiheshin me njëri’tjetrin. Poezi u bë shkak. .Ajo ka rrugët e veta të mistershme, nuk njeh kufij, siç dhe thuhet dhe vjen një ditë sikur hakmerret për pengesat e mëparshme nga të tjerë e miqtë e rremë.
Një ditë poeti amerikan lexoi librin me poezi të Visarit “The condemned apple”, – kështu del, – i botuar këtë vit në SHBA nga “Green Integer”. Ia kishte dhuruar një mikja e tij amerikane. Dhe ai, teksa priste në një servis makinash, lexonte Visarin.
Nëse makinës i duhen ndërruar vaji e rrotat, edhe njeriu ka nevojë për një vaj tjetër, atë shpirtër, i duhet makina, por edhe flatra ëndrre dhe ato t’i jep poezia.
Dhe ai shkroi një poezi, kushtuar Visarit. Tipike amerikane me duket, e sotme, me të përditshmen që të rrëmben e të mërzit shpesh, hekura, angazhime dhe ndaj tyre, por ësht:e libri që mbron, tempull i mendjes dhe i zemrës. Poezia pra…
Dhe e përktheva:
ME VISAR ZHITIN NË SERVISIN E TOYOTËS
Nga Jeff Weddle
Duke ndenjur në sallonin
e konçesionarit së makinave,
pres që ekipi të mbarojë ndërrimin e vajit
dhe të gomave.
Vende të tilla se si më përthajnë,
por dua t’u jem mirënjohës,
se s’do të mundja ta bëja vetë
atë që këta njerëz bëjnë për mua.
Për fat, kam poezitë e Visar Zhitit,
që flet hapur,
më bën shoqëri.
Bukur është të mendoj që edhe Zhiti
ndërkaq po lexon poezitë e mia diku,
por pak gjasa ka, edhe pse përpiqem
të them dhe unë aq drejt
siç ndoshta do t’i pëlqente dhe atij.
Zhiti është shoqëri e mirë,
ndërsa shokë të tjerë që di,
mbeten si pengje
në heshtje me telefonat e tyre,
ndërsa poezitë e tij e bëjnë orën
të ecë më shpejt.
Së shpejti do t’i kthehem sërish
kësaj bote,
ku zogjtë fluturojnë, insektet ndërzehen
dhe fëmijët humbasin nëpër shkollat
që prej kohësh kanë hequr dorë
nga mësimi i çdo gjëje të rëndësishme.
Visar Zhiti do të bëjë ato që bën.
Toka do të thahet në Tuscaloosa
pas këtij shiu të beftë.
Chicago, shtator 2025