Kreu Letërsi Bibliotekë “Një urdhër i lashtë”, poezi nga Demë Topalli

“Një urdhër i lashtë”, poezi nga Demë Topalli

PRANVERA S’ËSHT ME SHKUE

Kur yll i jetës me u fikë deshi
Ti lule, lule e paemër, si prej Zoti erdhe
Dhe një shteg drite ende udhë me ba, e çele.

Erdhe,
Dhe këta dy sy, si prej loti të tharë,
Lumë që udhëton qiellit, sot i ke bërë.

Oh, lumë ,
Lumë që ngjall brigje që prej moti,
Në pluhur yjor janë shndërrruar
Dhe me za e bimësi sërish i mbush.

Erdhe, si një za i ëmbël mjellme
Kur jep shpirt, sot erdhe.

Ti, ti që fundin e një udhëtimi
Në një botë prej hiresh të lashta
E këndimi, përsëri e ktheve.

Të falem, shumë të falem, Ty lule,
Që nga Pemë e Jetës sot erdhe,
Rrugë prej drite ende me ba me mue.

Oh, erdhe ,
Erdhe e tha: pranvera s’është me shkue
Po me shkrue e vetëm me shkrue.

( Prill 2024, 4 vjet pas daljes nga spitali)


ZANI

Tri rrëfime për një emër dikur
Erdhen e morën za, si prej deliri,
Në një hapësirë krejt të mbyllur.

Oh, za,
Za që si nga qiejt ra në një fushë
Dhe ngarendi ashtu gojë më gojë
Derisa koha i dha një ndëshkim.

E tash,
Tash kah fundi i një udhëtimi
E di, ai za i largët për ty në vogëli
Qenka bërë psherëtimë.

E, ndoshta,
Gjithë ç’është e bukur në këtë botë
Vjen një ditë e bëhet psherëtimë.

Prill 2025

.


PËR NJË LULE TË PAEMËR

Kur unë vij e due me hy
Ti gjithnjë ik nga ky kafaz
Drejt një hapësire të pafund.

Ik, si vetëtimë ik,
Dhe, tërë një botë pastaj vërtitet,
Rreth teje vërvitet pambarim..

Ti, ti je e vetme, vetmitare,
Ndërron botë, qiej, yje dhe sërish
Të paprekur të ruan një Zot i Mirë.

Ti, lule e paemër, apo ndoshta,
Dritë e parë, e lashtë, ndezuri,
Nganjëherë sikur vjen prej botëve
Që kurrë s’i kanë parë këta dy sy.

Ti vjen kur unë mbyll çdo portë,
Vjen, dhe sërish ik nga kjo botë,
Sepse një Zot jo dorëlirë e ka bërë
Aq shpejt e aq të papërkryer.

Po unë, unë as me ik nuk mundem,
Se, s’jam tjetër veçse një rastësi kohe,
Një rrëfim i mbyllur në një urnë.

Ndaj të lutem, shumë të lutem,
Munde frikën dhe eja edhe një herë
Me hy në këtë botë vdekatare
E me lënë pak afsh përjetësie.

Ti, lule e paemër, dritë e parë,
Ndezuri, apo ndoshta, asgjë tjetër,
Veçse përfytyrim i një ëndrre të lashtë,
Që gjakon po s’mund të rrëfejë asnjeri.

Mars 2007


NJË URDHËR I LASHTË

Është një derë që çdo ditë çelet e mbyllet
Në çastin e njëjtë, pa asnjë trokëllimë.

Është hapi i parë, çasti i parë, gjithnjë i parë
Nëpër një rrugë të shkurt me pesa lakesa
Deri te një pikë e ngrirë, në Elidë.

Gjithnjë e parë është hyrja në këtë botë,
Sepse të tjerat koha tashmë i ka marrë,
I ka marrë e pluhur yjor i ka bërë.

Po, krejt çfarë ka mbetur nga kjo rrugë
S’është gjë tjetër pos një urdhër hyjnor
Me shkrue e me shkue.

Oh, një urdhër i lashtë sa bota,
I lashtë e, ndoshta dhe mizor.

Dhjetor 2005


TUNDIMI I PARË

Një fjalë, një tundim,
Pastaj një mijë tundime
Të ndryra brenda fjalësh.

Ky ka qenë tundimi yt i parë
Nëpër të cilin fijet e kohës
Një Zot mugëtire endur i ka.

Pastaj dorën e vet të fshehur
Mbi gjithëçka tënden, e ka vënë.

E ka vënë
Dhe me një terrin të pafund nate
Hapësirën fort të ngushtë, ta ka zënë.

Ke dalë,
Si nga ajo shpellë e Platonit
Pas një mijë vjetësh ke dalë.

Ke dalë,
Po ndoshta ajo errësirë
Sytë, sytë që dinë me pa,
Përgjithmonë, nuk t’i ka marrë.

Gusht 2001


DHEMBJA IME E PARË

Ke dalë nga gjeografi e lashtë sa bota
Një mijë përmbytje palë-palë deri në qiell
Që Fisin përgjithmonë ta mbulojë harrimi.

Zbrita nëpër të gjitha greminat e tua
Një mijë ishin, Fisi im.

Shfletova të tërin librin e botës
Vetëm ti qenke mister i mistereve
Që gjithmonë rilind nga hiri yt i gjallë

Oh, si të dalë nga dhembja ime e parë
E ta sjellë këtu atë Haber të Mirë
Gëzimin e madh të Fisit.

Janar 1988


E KREMTE E MBARË

Do të bartësh vetmi mali
Sëmundje kohësh lemeri
Deri tek e Kremte e Mbarë.

Nëpër përralla mashtrimi
Helm gjarpri do të pish
Deri tek e Kremte e Mbarë.

Oh, Fisi im, e di,
Krejt do të lehin kundër teje
Derisa të han gjithë thesarin tënd
Deri tek e Kremte e Mbarë.

1982


KËSHTU ISHTE MOT E ZEMAN

Një mijë herë ke për të vdekur
Deri tek e Kremte e Mbarë
Se kështu ishte mot e zeman.

Geografi e re në hartën e vjetër
Dije, do të jetë plot zaptije
Se kështu ishte mot e zeman.

Lulja nuk çel në ujin e zi
Dalë nga ajo çizme mbreti
Se kështu ishte mot e zeman.

Po kur thërret zë i lashtë Dovleti
Dil, se kështu ishte mot e zeman.

Korrik 1988


ZGJIMI IM NË KËTË VJESHTË

Një ditë që perëndoi dhe e la
Një ëndërr të ndryrë përjetë
Është zgjimi im në këtë vjeshtë.

Krijesa më e bukur e një nate
Që kurrë s’ munda ta ktheja në dritë
Është zgjimi im në këtë vjeshtë.

Spitali i bardhë dhe i ftohtë
Ku sa e sa herë shtrihem si kufomë
Është zgjimi im në këtë vjeshtë.

Ky qytet, këto lëvizje, një mister
Pëgjithmonë i pazbuluar
Janë zgjimi im në këtë vjeshtë.

Tetor 1969

Exit mobile version