Kam shkruar disa herë ndër libra të ndryshëm se në mungesë të prindërve të mi që në fëmijëri u rrita duke parë fotot e duke dëgjuar zërat e tyre ndër disqe. Ata ishin Tefta Tashko-Koço dhe Kristo (Kristaq) Koço. Koleksionin e fotove natyrisht e ruaja si një gjë të çmuar, aq më tepër që fotot e para-luftës ishin të cilësisë mjaft të mirë të bëra kryesisht nëpër studiot me emër të kohës si Foto Sotiri, Foto Marubi, Foto Ristani, Foto Jakova, Polyfoto e Prontofoto të Milanos, foto të bëra në studio në Francë, të tjera të bëra në Rumani, Egjipt, si dhe pjesa e madhe të bëra me aparatet personale të miqve të prindërve si Paskomilo Pasko, Kolë K. Kuqali e disa të tjerë.

Si fotot ashtu dhe disqet ndër vite e dekada i sistemoja ndër albume vetjake, më pas të printuara e dixhitalizuara; disqet veçanërisht ato me 78 rrotullime në minutë i ktheja në Radio në shirita magnetofoni, më vonë ndër kaseta e më pas në CD, duke u përpjekur të ruaj cilësinë e tyre dhe sa ishte e mundur ta përmirësoja atë me teknologjinë më të avancuar të kohës. Im bir, Genti, më ka ndihmuar së tepërmi për të bërë mjaft CD, jo vetëm me zërat e prindërve, por edhe me muzikën që kisha regjistruar unë vetë me Orkestrën e Radios apo orkestra të tjera.
Që të mos i largohem temës së fotove “krejt të panjohura”. Kjo ndodhi në qershor të këtij viti, pra pikërisht këtë muaj të vitit 2025. Duke kërkuar në internet të dhëna mbi Radio Tiranën prej vitit 1938 e këndej, mbi muzikantët dhe orkestrën e saj për të cilën kisha shkruar edhe një libër të vogël “Orkestra Simfonike e Radios” ku jepja të dhëna mbi Orkestrën e Radios në Tiranë më 1944‒1945, u befasova kur pashë në foto prindërit e mi duke kënduar. Janë foto të Istituto Luce, pra gjatë kohës së Italisë, ku italianët bënin propagandën e tyre por me subjekte shqiptare. Nuk i besoja syve. Nën titullin “Cantanti di Radio Tirana”, 27. 06. 1941, luogo della ripresa: Tirana” jepej shpjegimi: “Una coppia di cantanti di Radio Tirana si esibisce dal palco in occasione di uno spettacolo”. Pra, “una copia”, çifti, jepej pa emrat e tyre, ndaj dhe m’u desh t’i verifikoja mirë se mos kisha bërë ndonjë zbulim të gabuar. Nuk është që fotot janë në gjendje aq të mirë për t’i dalluar lehtësisht fytyrat e këngëtarëve, por duke i vrojtuar përmes internetit në laptop ku të jepet mundësia t’i zmadhosh, ç’të shoh – ishin vërtetë prindërit e mi – duke kënduar. Thashë të mos nxitohem sepse duhet t’i kisha pjesë të koleksionit edhe këto foto. Por jo, ishin krejt të reja, foto që as vetë prindërit e mi, jam i sigurt, nuk i kishin parë. Ata ishin të kujdesshëm në ruajtjen e fotove, veçanërisht nëna, por këto, pa asnjë dyshim, nuk ruheshin gjëkund.
Istituto Luce kishte kohë që vepronte në Shqipëri nisur edhe nga fakti që në një filmim të vitit 1938 në pallatin mbretëror, me rastin 10 vjetorit të monarkisë, në ballo e sipër shihen edhe prindërit e mi duke vallëzuar. Edhe për këtë filmim nuk e kisha idenë, por që pas viteve 1990, filmimet e Istituto Luce nisën të qarkullojnë edhe në televizionet shqiptare.
Viti 1941 ishte vit lufte në Europë, por ja që jeta artistike edhe në të tilla rrethana dramatike e tragjike me sa duket të ketë vazhduar. Edhe në Gjermani po në këtë kohë bëheshin koncerte simfonike me Wilhelm Furtwängler që njihet si një nga më të mëdhenjtë dirigjentë simfonikë e operistikë të shekullit XX.
Për prindërit e mi fillimi i viteve ’40 të shekullit të kaluar ishin vite intensive familjare e muzikore. Më 1938 ata u fejuan, më 1940 u martuan dhe më 1942 bënë ato disqet e shumta, Columbia, tërësisht me këngë tradicionale qytetare shqiptare. Disqet i bënë në qershor 1942 dhe ishte koha që me sa duket vendosën të më sjellin edhe mua në jetë! Në prill 1943 iu bashkova edhe unë atyre.
Mes shkrimeve të shumta në shtypin e kohës që flasin për recitalet vokale kryesisht të nënës, të cilat i përkasin më së shumti gjysmës së dytë të viteve ’30, edhe shkrimi i Vedad Kokonës i vitit 1941 është në vazhdën e shkrimeve recensionale mbi artin e muzikantëve interpretues shqiptarë. Por ky shkrim i imi mbi këto foto krejt të panjohura nuk do të thoshte shumë pa shkrimin e Vedadit, i cili është përfshirë pak më poshtë e që titullohet: “ORA MUZIKORE” NGA TEFTA TASHKO — KRISTAQ KOÇO dhe që mban datën 22 mars 1941. Në një libër që po botoj së fundi në Angli e kam përfshirë edhe shkrimin e Vedadit, të cilin po e jap këtu edhe në variantin e botimit, në anglisht.
T’i kthehemi fotove të panjohura që janë gjithsej pesë. Mendimi i parë që më lindi kur i pashë ishte se çfarë repertori këndonin prindërit. Këtë fakt e shpjegon qartësisht Vedadi në shkrimin e tij. Edhe pse shkrimi i Vedadit është i marsit 1941 ndërsa fotot janë të qershorit 1941, kjo shpjegohet me faktin se në programet e recitaleve që disponoj, jepet qartë që çifti jo vetëm në muajt e vitit 1941 por edhe më vonë këndonin së bashku në recitale të përbashkëta me repertor të huaj dhe vendas. Ishin edhe në prag të përgatitjeve të regjistrimeve me këngë qytetare shqiptare në Milano më 1942. Nga njeri recital në tjetrin zëvendësonin disa pjesë me të tjera, por që struktura e shfaqjes mbetej e njëjta. Jo të gjitha programet e recitaleve me pjesët përbërëse të tyre i disponoj, por shfaqja me pesë fotot e paraqitura këtu dhe shkrimi i Vedadit pasqyrojnë më së miri këtë moment artistik e jetësor. Duke qenë se koha e luftës nuk diktonte për një kritikë të mirëfilltë muzikore rreth shfaqjeve artistike, shkrimin e tij Vedadi e lidh jo vetëm me artin e artistëve shqiptarë, pra me interpretimin e tyre, por edhe kohën kur zhvillohej kjo veprimtari në kushte aspak normale. Për këtë periudhë, d.m.th. për zhvillimet e artit gjatë luftës është shkruar më së shumti kudo në botë, porse shkrimi i Vedadit përcjell atë ndjesi që ndodhte tek ne në Shqipëri. Edhe unë kam shkruar mbi temën e periudhës së luftës në një artikull të titulluar “Lufta dhe Muzika” (Tema 2004) dhe botuar një vit më vonë në librin “Shostakoviç dhe Kadare” (Uegen 2005), ku nuk bëj fjalë për interpretimin muzikor, sikundër shkruan Vedadi, por mbi udhëtimin e kritikës muzikore shqiptare gjatë viteve 1939–1944. Në të kam përmendur mjaft muzikantë-kritikë të cilët edhe pse kohë lufte u shquan për mendimet e tyre të lira, të pjekura, debatuese dhe polemizuese; të tillë ishin Kostandin Trako, Ramadan Sokoli, Pjetër Dungu e Mustafa Krantja.
Tani dy fjalë për pesë fotot e panjohura: E para, Tefta në qëndrim statik përpara koncertit; E dyta, Tefta duke kënduar; E treta, Tefta duke kënduar, marrë nga një tjetër kënd; E katërta, Kristo duke kënduar; E pesta, Tefta dhe Kristo në duet; në këtë foto të fundit shihet dhe akompanjatori i tyre i pandarë në piano, Tonin Guraziu, ai që i krijonte të dy këngëtarëve jo vetëm gjendjen shpirtërore përmes muzikës që ai përcillte, por dhe që i mbështeste intelektualisht me njohuritë e tij të gjëra muzikore të mësuara në Itali e të kultivuara në Shqipëri.
ORA MUZIKORE
NGA TEFTA TASHKO ‒ KRISTAQ KOÇO
Vedad Kokona
22 mars 1941
Ata Ballkanas që na quajnë ne shqiptarët njerëz me bisht dhe prapanikë, duhej të ndodheshin të premten pasdreke, në kursin e arsimtarëvet për të dëgjuar disa pjesa muzikoretë recituara nga sopranoja jonë e vyer Zonja Tashko-Koço dhe nga baritoni i ri Z. Kristaq Koço, të përciellur në pianonga Mjeshtri Tonin Guraziu.
Isha të prëmten pasdreke në sallën ku arsimtarët vijojnë kurset e tyre. E dëgjova për të parën herë çiftine shtrënjtë të interpretojë duetto nga “Fyelli Magjik” i Mozart-it, nga “Don Pasquale” i Donizetti-t, një pjesë të Mendelssohn-it, një tjetër të “Semiramide-s” nga Rossini. U gëzova, u-enthusjazmova, –mallëngjeva! Edhe ja se pse:
Të mbytur në afshin e rëndë që peshon sot në botë, kur nga të katër anët vërshëllejnë edhe gjëmojn qiejt, tokat e detet, kishim kohë që nuk i kishim kënaqur zëmrat t’ona. Dy artistë shqiptarë na dilnin përpara, për të na nxjerë, qoftë edhe për pak kohë, nga një klimë e hutuar ku nuk dëgjohen veçse rënkime dhe psherëtima. Nuk është koha do të thoni ju. A nuk janë njerëz edhe ata që vriten nëpër llogoret e akullta të luftës? Ato mëma që pikëllohen për humbjen e të dashurvet të tyre? Po kështu e ka kjo bot’ e shkretë: me vaj e me uthull është endur pëlhura e jetës; qajmë edhe qeshim edhe nga një herë qeshim duke qarë.
Por u gëzova edhe më tepër kur mendova se këta dy artistë që na dilnin përpara dhe këndonin ato pjesë muzikore që kemi patur fatin t’i dëgjojmë, në operat e Italisë, nga goja e Todi Dal Monte-s, e Paliughi-t apo të Gino Becchi-t, kishin dalë nga gjiri ynë, kishin lindur në folenë t’onë edhe pastaj, si ato dallëndyshet që lënë folé për të kërkuar në vënde të largëta ushqimin e tyre, kthehen kur i zë malli në folenë e vjetër, edhe këta, me të mbaruar studimet e tyre, vinin pranë nesh për të na sjellë sihariqin e tyre. Mendoni: Rossini, Mozart, Mendelssohn, Donizetti, në gojën e kristaltë të një shqiptarke, të një shqiptari! Sa gjë e madhe! Vetëm kjo gjë të bën të mbetesh gojëhapur. Nga puna dhe nga kraba, nga furka dhe çitjanet, gjer te Mozart-i dhe Rossini. Ç’udh’ e gjatë të bërë, sa pengesa mbi këtë udhë, sa kurajo mbi këto pengesa! “Ju jeni njerëz me bisht, ju jeni barbarë, ju jeni prapanikë. E keni vetëm zanat pushkën për kusaritë apo për të marë gjakun. Të egër, jetoni nëpër shpella, si bisha, edhe vetëm ahere kur ju mer uria zbrisni në fushë”. Na thonë fqinjët t’anë ballkanikë. “Natura non fecit saltus” pëshpërit filozofi. Edhe të duket, kur i dëgjon sopranon dhe baritonin shqiptar, sikur ata që kanë thënë këto fjalë, janë të çmëndur, sikur filozofi ka gabuar. Por s’ka gjë: né nuk u a vëmë veshin fjalëvet të botës, né ecim drejtë dhe i lemë qentë të lehin sepse vetëm puna na zbarth faqen.
Pas muzikës së “Fyellit Magjik” dhe të “Semiramide-s” edhe disa këngë shqipe, të kërkuar nga dëgjonjësit. Po, i duam edhe këto, me gjith zëmër. Na prekin mun në fund të shpirtit, na mallëngjejnë, na sjellin nër mënd burimin ku thëthijmë jetën t’onë. Perëndim dhe Lindje: midis të dyjave një urë që mëkëmbet dhe mbi këtë urë që rrahin tallaze të forta një Shqipëri që ngjallet, një Shqipëri që shkundet, një Shqipëri që ecën!