Si e shkroi Stefan Cvajg novelën “Letra e një të panjohure”

    Nga Nika Marsh

    Friderike Maria Cvajg

    Friderike Cvajg, mbiemri i vajzërisë Burger, lindi në Vjenë më 4 dhjetor 1882. Martesa e saj me Felix von Winternitz përfundoi me divorc në vitin 1914. Në vitin 1912, ajo u njoh ngushtë me Stefan Cvajg; ata nuk u martuan me të deri në vitin 1920, pasi martesa e dytë ishte bërë e mundur sipas ligjit austriak. Pas divorcit të saj nga Stefan Cvajg në vitin 1938, shkrimtarja dhe përkthyesja emigroi në Francë dhe, në vitin 1941, në Shtetet e Bashkuara, ku vdiq më 18 janar 1971, në Stamford, Conn.

    Përktheu Bujar Hudhri


    Ai i shkruante asaj se sa i lumtur ishte me një tjetër. Fici ishte gati të ulërinte nga dhimbja, por më pas e mori veten në dorë. Kjo ishte një lojë tipike dashurie dhe Stefan Cvajgu e luante me mjeshtëri. Sikur ajo të ishte sjellë si një borgjeze, ai do të ishte ndarë me të… Pasi spërkati me parfum kyçet e duarve, që aroma të mbetej si një vel në letër, Fici nisi t’i kthente përgjigje. Ajo nuk kishte të drejtë ta zhgënjente shkrimtarin.

    Letra e një të panjohure

    Fustanet e Ficit zinin dy dollapë të mëdhenj, por ajo donte të bëhej diçka më shumë sesa thjesht një grua dhe nënë. Në qarqet borgjeze të Vjenës kjo ishte një gjë e pazakontë, por familja nuk e kundërshtoi kur vajza vendosi të hynte në universitet. Në të gjithë brezin e studentëve ishin vetëm dy vajza! Natyrisht, Ficin e shikonin me habi…

    Megjithatë, habia shpejt u zëven-dësua me admirim – vajza e bankierit Emanuel Burger shkëlqeu në letërsi dhe në gjuhën frënge. Dhe së shpejti filloi të botonte vetë.

    Sidoqoftë, ishte e pamundur t’i shpëtoje “fatit të gruas”. Ficin tetëmbë-dhjetëvjeçare, pak para vdekjes së babait të saj, e njohën me një inspektor të suksesshëm tatimesh, fon Vinternic. Dhe pastaj erdhi dasma… Në vitin 1902, ajo e botoi romanin e parë, me emrin Friderika fon Vinternic. Talenti i shkrimtares njëzetvjeçare u vu re nga kritikët, dhe menjëherë disa revista deshën të bashkëpunonin me të…

    Fici përpiqej të ruante një ekuilibër – ajo ishte një grua dhe nënë besnike (asaj i lindën dy vajza, Alisa dhe Suzana), dhe në të njëjtën kohë vazhdonte të shkruante. Jeta e saj e rregullt mori një të çarë në një ditë të vrenjtur shtatori, kur Fici hyri me një shoqe në një kafe vjeneze. Në tavolinën fqinje ishte ulur një burrë interesant, i zhytur në lexim. Dhe Fici gati sa nuk kërceu nga vendi si një vajzë e vogël: ai po lexonte romanin e saj, “Zogu i vogël”!

    Ajo u druajt të afrohej dhe t’i ofronte të firmoste librin, por për një çast të shkurtër shkëmbeu një shikim me të panjohurin. Faqet e saj u skuqën, dhe kur sollën faturën, Fici pagoi rrufeshëm dhe u largua menjëherë.

    – Nuk duhej të isha larguar atëherë, – tha ajo më vonë, – do të ishim takuar më herët!

    E gjithë bota e saj e mëparshme papritur, sikur u zbeh disi. Në mbrëmje, kur burri i saj i tregoi për punët në zyrë, Fici gati sa nuk bërtiti – për herë të parë ajo e ndjeu sa e mërzitshme ishte kjo! Shërbëtorja i raportonte për shpenzimet e bëra, ndërsa ajo pohonte me mendje të shpërqendruar: “Po, po!”. Shpirti i saj rrihte të kthehej në atë kafenenë e vogël… Por herën tjetër i panjohuri nuk ishte aty.

    …Ata u takuan përsëri disa muaj më vonë. Dhe Ficit, duke treguar për burrin e ri, i komentuan: ky është Stefan Cvajgu. Ajo e mbajti mend emrin. Adresën e gjeti shumë shpejt. Dhe Cvajgu i habitur mori një letër:

    “Dje në kafe ne ishim ulur jo larg njëri-tjetrit… Unë kam një vëllim me poezi të Verhaeren-it në përkthimin tuaj. Dhe para kësaj kam lexuar novelën tuaj… Nuk ju kërkoj të përgjigjeni, por nëse megjithatë ju lind dëshira, shkruani në postë restante…”

    Friderike dhe Stefan Cvajg u martuan vitin 1920 dhe u divorcuan në vitin 1938.

    Lojë dashurie

    Kjo ishte diçka e re dhe kurioze. Cvajgut gjithmonë i pëlqenin të tilla kthesa në subjekt – të papritura, të ndezura… Por gjithçka po ndodhte në të vërtetë. Ai absolutisht nuk e mbante mend gruan që ishte ulur në kafe, por ajo arriti t’ia ndizte interesin.

    Pikërisht për këtë arsye ai iu përgjigj. Pastaj mori numrin e telefonit të Ficit dhe i dërgoi të vetin. Dy njerëz krejtësisht të ndryshëm filluan të bisedonin gjatë, duke zbuluar sa herë e më shumë një të vërtetë të thjeshtë: po, ata ishin krijuar për njëri-tjetrin!

    Fici dhe Stefani nuk ngopeshin së foluri. Dukej sikur temat e bisedave nuk u mbaronin kurrë, dhe kur përshkruanin përjetimet e tyre, ndjenin një reagim të menjëhershëm dhe shumë të saktë. Vërtet, nuk guxuan të binin dakord për një takim personal menjëherë. Dhe kur kjo ndodhi… ishte tashmë e pamundur t’i ndalnin ndjenjat.

    Gjithçka ndodhi në Lybek, ku Fici shkoi me një pretekst të sajuar, ndërsa Stefani festonte ditëlindjen e tij. Si mund të kthehej ajo pas kësaj, me krahë, e mbushur plot me emocione, te burri i saj? Ardhja në shtëpi i ngjante një torturë. Megjithatë, në shtëpi Fici bëri një zbulim për veten e saj: me sa dukej, burri i saj prej kohësh e ndante kohën e lirë me një grua tjetër… Si nuk e kishte vënë re këtë? Ndoshta, thjesht nuk i kishte bërë përshtypje…

    Unë nuk mund ta lidh veten me martesë, – i thoshte Stefani Ficit, – të shndërrohem në një borgjez tullac që do të rrijë mbrëmjeve pranë oxhakut me një gazetë? Oh, jo!

    Për të vërtetuar këto fjalë, Cvajgu u nis për në Paris. Dhe i dërgonte të dashurës së tij letra, në të cilat tregonte me detaje se sa i lumtur ishte me një tjetër.

    “Ti po kalon një kohë të mreku-llueshme, – i përgjigjej Fici, – dhe unë jam pafundësisht e lumtur për ty. Por ti po më shkruan shumë shpesh, duke më shkëputur nga punët e mia. Shkruaj më rrallë.”

    Tani ishte Cvajgu ai që u ndje i prekur thellë në shpirt.

    Të dy

    Për divorcin nga burri i saj, Fici mendoi për disa vite. Në fund të fundit, bashkëshortët pranuan se nuk kishin arritur të krijonin një familje të vërtetë. Dhe sapo u nënshkruan letrat, Cvajgu i bëri propozimin… E tronditur, pa frymë, ajo vrapoi te shoqja e saj për t’i dhënë këtë lajm të pabesueshëm. Por ajo reagoi ftohtë:

    – Nuk të duket, e dashur, se kjo është pak si tepër?

    Në vitin 1920 ajo u bë Friderika Cvajg dhe u vendos në shtëpinë e burrit të saj në Salzburg. Vajzat shkuan bashkë me të. Në vilën e Stefanit mbretëronte një atmosferë boheme – atje kishte vazhdimisht mysafirë, atje diskutonin për orë të tëra për letërsinë… Fici elegante dhe e efektshme përpiqej t’i kënaqte të gjithë: merrej me vajzat, filloi të jepte mësim frëngjisht, për t’u ndjerë pak më e pavarur, e ndihmonte burrin të redaktonte veprat e tij dhe përgatiste pritje.

    Stefani i detyrohej shumë Ficit – ajo krijoi për të një botë jashtëzakonisht të rehatshme, ku çdo detaj ishte menduar me kujdes. Gruas së tij ia dilte t’i jepte këshilla të vlefshme, dhe gjithashtu e nxirrte shpesh nga thellësitë e melankolisë. Vetëm ta mendosh! Me afrimin e të dyzetave, ishte Stefani ai që shqetësohej për moshën, jo Fici!

    -Ti po shqetësohesh shumë për këtë, – i tha një herë gruaja, dhe Cvajgu shpërtheu.

    “Unë kam frikë nga sëmundjet dhe pleqëria,” – i shkruante Stefani mikut të tij. Ai ishte absolutisht i sinqertë.

    Vajzat po rriteshin dhe dalëngadalë po fluturonin nga foleja. Në vilë mbetën dy, dhe këta të dy e njihnin shumë mirë njëri-tjetrin. Por pse Fici kishte gjithnjë e më shpesh ndjesinë se Stefani nuk ishte me të?

    – Duhet të shpërngulemi, – i tha Cvajgu gruas së tij në mesin e viteve 1930, – situata në Austri po del jashtë kontrollit.

    Kështu ata u gjendën në Londër.

    Cvajgu dhe Lota

    Vajzat mbetën në Austri, dhe Fici i vizitonte shpesh. Që puna e Stefanit të mos ndalej, u vendos t’i gjenin një sekretare. Refugjatja nga Gjermania, Sharlota Altman – ose thjesht Lota – ishte një vajzë e qetë dhe modeste e një bankieri. Pasi e shikoi me vëmendje kritike, Fici mendoi: një vajzë kaq të thjeshtë, burri im vështirë se do ta vërë re. Kandidaturë ideale.

    Megjithatë, ndodhi ajo që Fici as që mund ta mendonte. Cvajgu – duke u plakur, dhe me dëshirën për një rigjallërim energjie – gjatë mungesës së saj u tërhoq nga Lota. Për ca kohë Fici u përpoq ta merrte sërish veten në dorë dhe ta bindte se ishte një keqkuptim! Ajo kishte kaq shumë vite me Stefanin! Ajo e njihte atë më mirë se të tjerët! Por shkrimtari vetë këmbënguli për divorc. Tani ata duhej të ndiqnin rrugë të ndryshme… Fici mblodhi gjërat e saj dhe u transferua në Francë. Stefani me gruan e re u nis për në Amerikën Latine.

    Stefan Cvajg dhe sekretarja, më pas gruaja e tij Sharlota deri në fund të jetës, më 22 shkurt 1942

    Ata i shkruanin njëri-tjetrit gjatë gjithë kësaj kohe. Cvajgu nuk qëndronte gjatë askund – ai u nis për në SHBA, dhe më pas u vendos në qytetin brazilian Petropolis, i quajtur kështu për nder të perandorit Pedro II. Stefani nuk gjente qetësi, dhe gjithmonë diçka e dëshpëronte. Letrat bëheshin gjithnjë e më të zymta, dhe Fici shqetësohej seriozisht për ish-burrin e saj. Në vitin 1940, edhe ajo u nis për në SHBA duke marrë me vete vajzat. Në Nju Jork u punësua si agjente letrare dhe përkthyese, që të mbijetonte.

    …Për gjithçka Fici e mori vesh nga gazetat. Më 22 shkurt 1942, Stefani dhe Lota vullnetarisht morën një mbidozë  ilaçe gjumi. Në shënimin e tij të fundit, shkrimtari tregoi se çfarë e torturonte prej kohësh – ai i frikësohej pleqërisë dhe pafuqisë. Edhe Lota la një letër, në të cilën siguronte të afërmit se e mori vendimin sepse nuk do të mund të jetonte pa Cvajgun. Loja e dashurisë mbaroi përgjithmonë.

    Fici bëri shumë për të ruajtur trashëgiminë e Cvajgut, për të cilën u dënua vazhdimisht nga të afërmit e Lotës. Ata mendonin se gruaja e fundit e shkrimtarit luajti një rol shumë më të rëndësishëm në jetën e tij… Dhe në vitin 1971, ndërroi jetë edhe Fici.

    Po ajo letër e Friderikës u bë për Cvajgun burim frymëzimi për të shkruar një nga veprat e tij më therëse – “Letra e një të panjohure”. 

    Exit mobile version