Shpend Sollaku Noé: Letërsia, plaga ime e hershme apo një copë trung i mbërthyer me thonj, mes vorbullash të një lumi të harbuar.

    Shtysë për botimin e këtyre shënimeve të hershme u bë një mesazh prej mikut tim të çmuar, studiuesit të shquar, autorit të shumë librave të rëndësishëm historikë, avokatit Xhafer Sadiku. Ai më dërgoi një fotokopje të një dokumenti, firmosur më 5 shtator 1978, të gjetur në fondin 511 të Ministrisë së Arësimit. Midis spekullimeve dhe padrejtësive të rënda për të drejtat e studimit, që në ato vite shkaktuan drama, pse jo edhe tragjedi mes të rinjve të talentuar në të gjithë Shqipërinë – sidomos në rrethet Lushnje, Fier dhe Berat, por edhe në Tiranë – përmendesha edhe unë. Në të, ndërmjet shkeljesh të tjera të Lushnjes, në krye të faqes 2 shkruhet :… Në një rast tjetër i është dhënë e drejtë studimi në degën e letërsisë …, me mesataren 8,4 dhe ishte lënë Shpend Sallaku, me mesatare 9,8 dhe prirje në letërsi, ashtu siç vërtetohet edhe nga dokumentat përkatëse…

    Në krye të këtij dokumenti të drejtuar Manush Myftiut, nga grupi i Ministrisë së Arësimit dhe Kulturës të ngritur për vërtetimin në bazë të këtyre fakteve të rënda, theksohet që në Kryeministri, gjatë gushtit të vitit 1978, kishin arritur 213 ankesa për abuzime me të drejtat e studimit për në shkollën e lartë, sidomos në rrethet e sipërpërmendura.  

    Ishte hera e parë që një dokument shtetëror pranonte si të vërteta abuzime të bëra në kurrizin tim por edhe të sa e sa nxënësish të shkëlqyer dhe të talentuar të marrë më qafë prej burokracisë. Ajo lloj burokracie nuk i qëndronte besnike as institucioneve superiore, siç ishte Kryeministria apo edhe Komiteti Qendror i PPSH-së. Pas këtij sinjalizimi prej avokat Sadikut, m’u desh të rishfletoj një libër timin pothuaj biografik rreth asaj periudhe, por edhe të vuaj sërishmi ato rrethana, ngjarje dhe thika pas shpine…

    … Pas dy vitesh “stazhi” – punë fizike të detyruar –, (njëri në moçalin e kënetës në Ndërnenas, tjetri në të ashtuquajturën “Dambë” të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit – një lloj rezervuari matanë Paprit, për të derdhur helmet e metalurgjisë), prisja, si shumë të tjerë, daljen e të drejtës së studimit për në universitet. Në lutjen që shqyrtohej nga komiteti ekzekutiv ne mund të kërkonim të vazhdonim studimet e larta në tri degë. Pastaj ata vendosnin se ku do të shkoje, edhe pa i përfillur fare parapëlqimet tona. Sigurisht, parimi kryesor që ata zbatonin ishte ai i partishmërisë. Bijtë e drejtuesve komunistë ishin të parët që përfitonin. Brenda përfituesve pastaj fillonte diferencimi në bazë të peshës së prindërve në gjirin e partisë. Këto gjëra atëherë bëheshin hapur dhe unë, edhe pse do të kisha parapëlqyer degët ku e shihja veten më të aftë si juridiku, arkitektura dhe letërsia, isha i ndërgjegjshëm që dy degët e para i merrnin bijtë e nomenklaturës. Por, duke patur parasysh se kisha filluar të botoja shkrime edhe në organe kombëtare që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, mendoja se, të paktën për gjuhë e letërsi, do të më lejonin të studjoja. Nuk kisha konkurrent të nivelit tim dhe, nëse nuk e meritoja unë letërsinë, kë tjetër mund të dërgonin në atë fakultet?

    Shpalljen e të drejtave të studimit në xhamllëkun e gjimanzit unë e mora vesh nga një fqinjë, po ashtu edhe verdiktin: «Kishin dalë bursat, Shpendi. Emrin tënd nuk e pashë!»

    Do t’i ketë shpëtuar emri im, mendova, edhe pse parandjenjat e zeza po më mbysnin. Vrapova për tek xhamllëku. Mes mizërisë së gjimnazistëve aspirantë për në universitet, të afërmve të tyre dhe hiçbërësve kureshtarë, duke zgjatur kokën e duke përdorur bërrylat, arrita të lexoj një herë të gjitha listat, fakultet për fakultet, duke u përqendruar sidomos në shkencat shoqërore. Emri im nuk ishte. Mbase më ka shpëtuar, mendova, mbase më kanë përfshirë në ndonjë fakultet tjetër, në ato që bijtë e tyre shpërfillin, për shembull në atë të agronomisë, apo të shkollës për oficerë, apo … Një kockë të tillë ndoshta edhe ma kanë hedhur. Por jo, nuk ishte as atje emri im. I lexova edhe njëherë të tretë, dhe rezultati qe i njëjtë. Pastaj u kujtova për nja dy shokë të mi, për një shoqe klase, për një fqinjë…të gjithë nxënës të shkëlqyer. Edhe emri tyre mungonte.

    I hoqa këmbët zvarrë deri tek porta e daljes nga oborri i gjimnazit. Nuk më bëhej të shkoja në shtëpi. Ktheva kokën pas për herë të fundit. Nuk munda të mos vërej cinizmin e buzëqeshjes së dikujt që kish babin në komitet, gati të më thoshte: E sheh, unë mbarova me gjashta, dhe po shkoj të studioj në Tiranë. Ty të rrofshin dhjetat, aktiviteti e botimet!

    – Mos u mërzit, Shpend, provoje edhe vitin që vjen, më tha një zë ngushëllues. Ishte Jani, një minoritar grek dhe shok i mirë jashtëshkollor. Shoqërohesha me të sepse kish një humor të lindur. Në atë periudhë të zymtë ishte një dhunti e rrallë, dhe unë kisha një nevojë patologjike për të qeshur. Por atë ditë edhe Janit i vinte të qante. E ndoqa pas. Hymë tek Klubi i Ditkës, apo “Familjari”, siç e quanin lushnjarët. Dhe qe hera e parë që piva një alkol të fortë, fernet e pastaj ponxh portokalli. Qe edhe hera e parë që ndeza një cigare të ofruar nga miku im simpatik.

    Pa asaj dite unë nisa të jem tjetër njeri. Kishte vdekur edhe shpresa e fundit që ata të pushtetit mund të merrnin në konsideratë zotësinë e dikujt. I kishin hedhur nëpër hislla të gjitha veprimtaritë e mia në shërbim të kolektivitetit lushnjar, pjesëmarrjen që fëmijë nëpër konkurse, festivale, estradë, teatër, koncerte, dominimin në dy seminareve kombëtarë për letërsine e të rinjve, studimin sitematik dhe të paepur në dymbëdhjetë vjet shkollë me rezultate të shkëlqyera.

    Pas asaj dite arritën edhe kohët më të vështira për mua. Fillimisht nuk hoqa dorë nga vazhdimi i kërkimit të të drejtës për të studjuar. Flitej që kishte edhe rezerva, për të kënaqur ankimet më të bujshme. Mblodha të gjithë shkrimet e botuara, dëftesat shkollore, dëshmitë e veprimtarive kryesore dhe u nisa për në Tiranë. Të paktën të drejtën për të vazhduar për letërsi nuk mund të ma mohojnë, mendoja. Asnjë nga ata që kishin marrë të drejtën e studimit nuk kish patur të dhënat e mia. Nuk prisja rivalë më të denjë në atë lëndë.

    Për ndonjë ndihmë në fushën e letërsisë, të gjithë letrarët i drejtoheshin Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë. Ashtu bëra. Me dosjen nën sqetull u paraqita tek Dritëro Agolli. Ai më priti mirë, pa me vëmendje edhe materialet që kisha me vete, dhe më tha: Ke të drejtë. Nëse nuk të çojnë ty për letërsi, kë tjetër? Dhe shpejt shkroi një rekomandim për mua, drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Lushnjes.

    Unë nuk u mjaftova me kaq. Takova edhe Ismail Kadarenë. Edhe ai më dha rekomandimin e tij.

    U ktheva me plot shpresë në qytetin tim. Kërkova që të nesërmen një takim me sekretaren e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Lushjes, që mbulonte të drejtat e studimit.

    Ajo më priti me këmbët e para. Kur i thashë që kisha ardhur t’i shtoja dokumentave të mia edhe rekomandimet e Dritëroit dhe Ismailit, ajo jo vetëm që nuk pranoi t’i merrte, por edhe shtoi: E kush i njeh këta re! Mua nuk m’u durua pa i thënë: – Mirë, si shkrimtarë edhe mund të mos i njohësh, por si detyrë partie po, janë më lart se ty. Dritëroi është anëtar i Komitetit Qendror, ndërsa Ismaili zëvendës president i Frontit Demokratik, direkt pas shoqes Nexhmije.

    Ajo bëri një gjest duke më treguar derën.

    Të nesërmen u ktheva përsëri tek Dritëroi. I shkova në shtëpi asaj here, në Rrugën e Dibrës. Hymë në studion e tij. Ai më pa të errët në fytyrë, dhe kërkoi të më largojë nga mendimet e liga. Dëgjo këto vargje më tha, janë të Robert Bërnsit. Po provoj ta shqipëroj. Dhe filloi të më recitonte diçka nga skocezi i madh.  Janë përkthime të shkëlqyera, i thashë, pa u shtirur aspak. Eh, poet i madh Bërnsi, më thotë Dritëroi, pastaj shtoi: Si vajti me ata të Lushnjes? Unë ia shpjegova shkurt sesi më kishin trajtuar edhe asaj here në Komitetin Ekzekutiv. Ashtu të priti? – më tha, pasi dëgjoi përshkrimin tim. – Atëherë po të jap një rekomandim për shokun Enver! – Jo i thashë, nuk dua t’i shkruaj atij. – Mos u bëj merak, – më tha dhe ngriti telefonin. Foli me dikë, uli receptorin dhe shtoi: – Sapo rashë dakord që të të presë një miku im në Komitetin Qendror. Quhet Petrit Shijaku. Ai do të të dëgjojë me vëmendje e do të të ndihmojë. Është sekretar i shokut Enver. Shko, dëgjomë mua, po të vë në dispozicion makinën time dhe shoferin.

    Makina ish ajo Fiat Polski që mund t’ju kujtohet, ngjyre kafe apo bezhë e errët. Prej shoferit kujtoj që ishte zeshkan e fjalëpakë. Petrit Shijaku më priti në një zyrë në të cilën kalohej nga hyrja e Komitetit Qendror të Rinisë. Më dëgjoi me vëmendje dhe tha: – Shkruaji një letër të shkurtër shokut Enver. Unë u stepa. – Mos u tremb, më tha, ajo letër do më mbetet mua, më duhet që t’u bëj presion atyre të Lushnjes. Unë mbusha rreth një faqe, në një fletë të grisur prej një fletoreje nga ato me vrima majtas, dhe ia dorëzova. Me kaq përfundoi takimi im me Petrit Shijakun.

    U largova për në Lushnje si i çliruar nga ndonjë barrë. Kisha bërë gjithçka të mundur. Më tej se Enver Hoxha nuk mund të ankoheshe!

    Dokumenti i Ministris së Arsimit, e zmadhura, pjesa e sipërme.
    Po ky dokumenti i Ministrisë së Arsimit, i plotë

    Në javët që pasuan unë i isha dorëzuar plotësisht fatit. Rrija si i mpirë, vetëm, nëpër klubet e qytetit. Lashë mustaqe dhe mjekërr, nuk më vinte të shkruaja, nuk ndiqja as muzikën, pa të cilën më parë nuk mund t’i shtyja ditët. Vazhdoja të pija alkolikë, edhe pse pa u dehur, dhe cigarja më ishte bërë e zakonshme nëpër gishta. Deri sa një ditë, kur po ktheja gotën e dytë të ponxhit tek Klubi i Ditkës, më thonë se jashtë më kërkonte vëllai im i madh, Fatmiri. Dola menjeherë. Duhej të kish ndodhur diçka e pazakontë. Dhe ashtu kish qenë vërtetë. – Më thirri zëvendëskryetari i Komitetit Ekzekutiv, Vlash Gjoka, – më thotë vëllai, – më tha që ty të ka dalë e drejta e studimit atje ku doje, për letërsi. Të kanë pranuar jashtë kritereve.

    Unë s’u besoja veshëve.

    – Është e vërtetë, – shtoi Fatmiri. – Tani u qetësove?

    Unë ama nuk besoja. Seç kisha një tjetër parandjenjë të zezë nga e cila e kisha të vështirë të çlirohesha.

    Prapaskenat e aprovimit të të drejtës time i mora vesh pak më vonë. Edhe pas ndërhyrjes së Petrit Shijakut, që kish shkruar në emër të Enver Hoxhës, shefi i arësimit dhe sekretarja e komitetit ekzekutiv kishin thënë një «Jo!» të prerë, por Vlash Gjoka ua kish prerë vrullin: – Jeni të çmendur? Për Shpendin ka urdhër nga lart, vetë i Madhi!

    Vetëm atëherë ata ishin detyruar të firmosnin.

    Deri në dhjetor të vitit 1978 ditët e mia ishin të mbushura me udhëtime për t’u regjistruar në fakultet, kërkime programesh e dispensash. Edhe në ditën Vitin të Ri i isha vënë studimit që herët. Menjëherë pas festave fillonte sezoni i provimeve. Vitin e parë e nisa me korrespondecë, por më kishin premtuar që, nëse dilja me mesatare të mirë në vitin e parë, të tjerët mund t’i ndiqja si student i rregullt. Mesataren unë as që e diskutoja, prandaj mendova se më në fund ia kisha hedhur, çështje muajsh.

    Libreza e notave

    Por ndodhi ajo që nuk e prisja as unë dhe askush tjetër prej atyre që më gjendeshin pranë.

    Ditën e 6 Janarit të vitit 1979, sapo u ktheva nga Tirana, hyj në shtëpi dhe djathtas, në dhomën time, shoh që ishin grumbulluar plot të afërm, midis të cilëve shquajta dajat e mi, Hajdarin dhe Zenelin. U tremba dhe kërkova të di arësyen e atij grumbullimi. Shihe këtë, më thotë me zë të prerë njëra nga motrat, duke më treguar një copë letër të daktilografuar. Unë e lexova më një frymë. I gjithë trupi filloi të më dridhet. Duhet të paraqitesha të nesërmen, në orën dhjetë, në Degën Ushtarake të Lushnjes, për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak!

    –Nuk mund të jetë e mundur,– i them Fatmirit, vëllait të madh.

    –Me siguri ka ndonjë gabim në këtë mes,– përpiqet ai të më japë shpresë. – Nuk mund të të ngrenë ushtar, e kemi biseduar me ta. Po ashtu edhe ligji është me ty.

    Kështu tha, por pashë që ishte më i shqetësuar se unë.

    Të nesërmen në mëngjes Fatmiri më shoqëroi në Degën Ushtarake. Gjithë esenca e dialogut të tij me ata oficerë të akullt, konsistoi në kundërshtimin e Thirrjes, pasi po ata vetë i kishin dhënë fjalën tim vëllai që të ma shtynin një vit ushtrinë, ngaqë isha edhe student. Përgjigjia e tyre qe e prerë: – E pamundur, kemi urdhër nga lart, pastaj Partia ka nevojë për një djalë të përgatitur. Shkoni direkt tek stadiumi, pas një gjysëm ore nisen kamionët ushtarakë. Nëse nuk paraqitesh,– m’u drejtuan mua,– do të të dënojmë për dezertim!

    Nuk më mbeti veçse të dorëzohesha. Triumvirati i kuq i Lushnjes, parti, pushtet dhe Degë Ushtarake, ishte organizuar që, atë të drejtë studimi të rrëmbyer me thonj, të ma digjnin nëpërmjet shërbimit ushtarak.

    Nuk po e zgjas sesi më ngarkuan në një nga kamionët me sponde të zinj, nuk mund të harroj që oficerët që u bënin apelin rekrutëve mbanin pallto të gjata e të errëta. Kur i pa, Fatmirit iu mbushën sytë me lotë. Ishin oficerë të Flotës Luftarake Detare. Kjo për mua do të thoshte: lamtumirë liri, për tre vjet të tërë. Vetë Fatmiri e kish bërë ushtrinë në marinë, në kohën e tij për katër vjet. Edhe atëherë kish patur nevojë Partia për një njeri të përgatitur? Edhe atëhërë rastësisht Fatmiri kish qenë i detyruar të vazhdonte universitetin pas katër vjet ushtrie? Të shtoje edhe njëzet e shtatë muajt e shërbimit ushtarak të vëllait tonë Xheladin në Maqellarë të Peshkopisë, në kufi, ne po i jepnim Partisë (atdheut?) nëntë vjet e tre muaj ushtri: më shumë se një nizam rezervistësh!

    Nëntë muajt e parë të ushtrisë i kalova në Shkollën e Instruksionit në Pashaliman. Do përgatitesha si radiometrist e akustik – dmth specialist për radiollokacionin e anijeve mbiujëse si edhe atë të nëndetseve. Duhej të studioja shumë, ndryshe askush nuk kish për të më dhënë leje! Duhej edhe të mos humbisja shprehinë e të shkruarit. Sapo kishin thënë se ishte ndaluar të vazhdoje shkollën në ushtri, me një urdhër të posaçëm të Mehmet Shehut. Prandaj duhej ndryshuar strategji. Sjellje korrekte, studim i fortë i lëndëve ushtarake dhe fshehurazi, ato të universitetit. Po ashtu duheshin gjetur sa më shumë pretekste për të ikur me leje. Njëri nga ato pretekste, që më bën edhe sot për të qeshur, qe një telegram i një kushëriri: Xhaferri vdiq stop varrimi nesër ora dhjetë stop. Xhaferri, siç më kujtohet, ishte qeni i Xhemal Krujës, djalit të dajes. Kur më pyetën në komandë se çfarë e kisha të vdekurin, unë pa një e pa dy u thashë: –E kam dajë.

    –Të rroni vetë, –më thanë, por unë i kisha sytë tek fletëleja që mbanin në dorë.

    Truke të tilla vdekjesh apo martesash të rreme i kam përdorur shpesh gjatë ushtrisë, që të mund të ndodhesha në orar ditën e provimeve. Sidoqoftë, kur ato nuk mjaftonin, më është dashur edhe të iki pa laje, duke patur mbulimin e shokëve marinarë. Ato ikje pa leje ishin të rrufeshme, vajtje-ardhje, sa jepja provimin dhe kthehesha menjëherë pa kthyer dot në shtëpi për të parë të mitë. Po as kjo lloj strategjie nuk mjaftonte. Nuk i mbuloja dot të gjitha provimet. Prandaj u detyrova të “shpik” një truk tjetër. Menjëherë pasi jepja një provim, i kërkoja sekretarisë proçes-verbalet për të dhënë provimet e sezonit të ardhshëm. Në fakt hyja menjëherë tek provimi tjetër. Dhe me këtë lloj truku jepja shpesh edhe dy apo tre provime në ditë. Sipas radhës së provimeve, unë mund t’i jepja ato në të gjitha filialet. Kam dhënë shumicën e tyre në Elbasan, më ka ndodhur edhe të jap një në Berat: Drejthskrimin e Gjuhës Shqipe. Një ditë ma kuptuan “djallëzinë”: Ishte profesori Mustafa Karapinjalli ai që ma zbuloi. 

    Data 26.06.1979. Atë ditë, sipas radhës, u paraqita në provimet e Historisë së PPSH-së (me profesorët Kolë Tollumi e Mihal Naska, mora nëntë), në atë të Teorisë së letërsisë (me Musa Vyshkën e Qamil Buxhelin, ku mora dhjetë) dhe në atë të Leksikologjisë e Fonetikës (me Mustafa Karapinjallin e Rolanda Kapajn, ku mora tetë).

    Kur profesor Karapinjalli shkruajti datën e dhënies së provimit në librezë, vuri re se po atë ditë kisha dhënë edhe dy provime të tjera. – I ke dhënë sot edhe këta të dy? – më pyeti. – Po, i thashë, por i kam të rregullta proces-verbalet. – Ah, e dinë ata të drejtorisë këtë gjë! Sidoqoftë, ti qofsh! Të lumtë! Kështu filloi njohja me të mirin Mustafa, i cili më vonë u bë kunati im.

    Në fakt duhet t’ia dija për nder të madh kryesekretares së universitetit, Bardha Barçit, që më furnizonte me verbalet e duhura, duke më kriuar, pa e ditur, mundësinë të jepja sa më shumë provime kur mundesha dhe të rekuperoja datat e humbura nga pamundësia për t’u shkëputur nga Pashalimani. Në fund të fundit shkoja shumë i përgatitur dhe notat ishin të gjitha të vërteta. Në përgjithësi shumë të mira. Edhe në ditët kur jepja dy apo tre provime njëherësh. Ndodhte edhe që hiqja dorë nga dhjeta, prej nxitimit në dhënien e një provimi, kur, ndërsa jepja njërin, mezi prisja  të hyja tek tjetri. Një nga ato raste tipike ishte data 31.03.1979. U ngrita të përgjigjesha i pari në provimin e Hyrjes në Gjuhësi, pak minuta pasi kisha hyrë në sallë. Nxitova të mbaroja punë sa më shpejt. Pas atij provimi doja të hyja patjetër të jepja Pedagogjinë. Në katedër ishin Sali Tabaku dhe Rolanda Kapaj. Pas përgjigjes, profesor Tabaku më tha: – Nëse më thua edhe një sand’hi, dhjetën e kë të merituar. Atëherë, mendova, nëntën e kam në xhep. Prandaj, pa një e pa dy, iu përgjigja: – Nuk më kujtohet. Ata firmosën nëntën në librezë dhe unë fluturova tek dera. Atje u ndala për një sekondë dhe u dhashë shembuj për sand’hinë. – Gjynah, tha Tabaku, mund të kishe marrë dhjetën. Por unë nxitova të hyja tek salla ku jepej Pedagogjia. Iu përgjigja profesorëve Tomor Araniti dhe Reshit Koburja i qetë dhe regjistrova edhe atje një tetë të çmuar në librezën e notave.

    Kur mbarova shkollën e Pashalimanit, më kishin caktuar në nëndetësen numër katër. Na kishin shpënë shpesh atje, për t’u ambientuar. Në atë kohë ajo ishte duke bërë kallumë, siç i thoshin pastrimit të ndryshkut në pjesën e poshtëme, atë më të ndryshkur prej kripës, pra kallumës. Nuk po zgjatem seç hiqnin marinarët e shkretë, sesi u sëmurej lëkura nga ndryshqet, por nga ajo periudhë më kanë mbetur në mendje dy gjëra që nuk i kam harruar ende: dëshira ime e çmendur për të mos përfunduar në atë nëndetëse dhe xhirimi i filmit “Ballë për ballë”.

    Xhirimi i atij filmi, sipas romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i madh”, qe vërtetë një mbushje me oksigjen për ne që nuk po ambientoheshim dot me jetën e kapanoneve të Shkollës së Instruksionit. Shumë prej nesh i morën si figurantë për të mbushur radhët e togave të marinarëve që ecnin me hap rreshtor, të vendosur për t’u përballuar me socialimperialistët sovjetikë në bazën e nëndetsve të Pashalimanit. Deri sa mbaruan xhirimet, u prish rregulli normal i stërvitjes, dhe kjo qe një tjetër dhuratë nga qielli. Muri rrethues i shkollës u plotësua me statuja të sjella, siç na thanë, nga Apollonia. Për ne figurantët prunë uniforma sovjetike, të një lloj stofi super, me kopsa mjaft të bukura. Në mes të fushës së futbollit u ngrit një kodër e vogël me dërrasa të mbërthyera mbi trarë druri. Sipër dërrasave vunë pllaka bari dhe, në kulmin e sopit, vunë një varr: Varri i Pashait. Ç’mbaj mend nga ai xhirim i bekuar njëzëri nga rekrutët? Aktorin Arben Imami që zinte hundën me dorë nga era e qelbur e çorapeve të palara, kur iu desh të flinte në njërin nga kapanonet e ushtrisë. Po ashtu mbaj mend që Stavri Shkurtit herë pas here i ngecte këmba tek të çarat e kodrës prej dërrase. Gjithashtu kujtoj mundimin e oficerëve dhe të regjisë në ndërrimin e numrave të nëndetëseve dhe në rreshtimin e tyre. Katër ishin ato të shkretat, ata donin t’i bënin të dukeshin shumë. Prandaj ndërronin numrat dhe i montonin nëpër studio sikur ishin më tepër. Po ashtu filmoheshin disa herë katërat, dragaminat etj. Ishte një film propagandistik që duhej të dëshmonte forcën e ushtrisë tonë.

    Ç’ishte njëherazi për të qeshur e për të qarë? Vjedhja e kopsave të bukura të uniformave sovjetike nga figurantët marinarë, mu në mes të xhirimit të filmit. Regjizorët Shkëlqim Çashku dhe Piro Milkani u bënë si të çmendur. Xhirimet u ndërprenë deri sa në Ndërmarjen Artistike “Migjeni” u riprodhuan përafërsisht gjithë ato kopsa që ishin vjedhur. Mua më vunë disa herë si figurant. Një herë isha roje me kallash mbi një karakoll. Në fakt, poshtë, ai karakoll ishte dyqan që shiste ëmbëlsira. Gjatë xhirimit unë haja kuleçë pesëlekësh dhe, kur mbllaçitesha, i ktheja shpinën kameras. Më kishin zgjedhur edhe në skenat e Llogarasë, afër Kadri Roshit, kisha edhe ndonjë batutë. Për tre ditë rresht në Qafë pati mjegulla e nuk mund të xhirohej. Ditën e tretë bëri diell. Por lozte edhe Lushnja në Vlorë. Unë hoqa dorë prej xhirimit, për të parë ndeshjen. Dhe i thashë ndihmës-regjizorit që nuk vij. – Po pse mor bir, –    më tha Kadriu, me të cilin i kishim gati skenat, pse e humbet këtë shans! – Ashtu kot, i thashë.

    Atë vit në Tiranë festohej 35 vjetori i Çlirimit të Atdheut. Hoxha pretendonte një paradë madhështore. Më kishin zgjedhur edhe mua me marinarët që do parakalonin para udhëheqjes. Nuk doja të shkoja në atë paradë. E para sepse e urreja, e dyta, sepse mund të humbisja shumë data provimesh. Ky rrezik ishte dhe po të më mbanin të shërbeja në nëndetëse. Njëherë për njëherë duhet t’i shmangesha paradës. Dhe mendova ta bëj në këtë mënyrë: Duke mos qenë “i denjë”. Prishja rreshtin, ecja keq, nuk e shtrija mirë këmbën, por ata nuk po më skartonin akoma. Nisa edhe të tallesha me shokët e kuadratit, por ata më mbanin akoma; po ashtu mbetesha edhe kontigjent i nëndetëses “Katër”. Në njërën nga netët e shërbimit, një nga ato netët e frikshme, zbraza një karikator të tërë kundër një hijeje që nuk iu përgjigj thirrjes time «Ndal kush kalon!». Kishte qenë një kalë që kulloste për qejf të vet afër depos së silurave!

    Kaq u desh për të mos qenë i denjë as për në paradë, as për nëndetëse. Por rashë nga shiu në breshër. Pë të më disiplinuar më transferuan në Sazan!                                                    

    Ishulli i Sazanit, që në vështrimin e parë, më la përshtypjen e një vendi internimi. Ditën e parë, pasi mora vesh që do të isha efektiv i njërës prej dragaminave të vogla, gjeta kohën të ngjitesha në kodrën në të djathtë të bazës së marinës. Kërkova të orientohem. Për shkak të mjegullës, mora me mend ku duhej të binte Vlora, ku Karaburuni. Kusuri ishte vetëm ujë, nga të gjitha anët. Bobo, i thashë vetes, kush i shtyn gjallë njëzet e shtatë muaj në këtë humbëtirë. Sepse, sensacioni i parë që provova, ishte pikërisht ai i humbjes së jetës në mes të atyre shkëmbinjve të egër. Mendimi që, atje as koka dhe as liria nuk vlente asnjë dyshkë, m’u përforcua më vonë nga vetëvrasjet, nga gjyqet në kinemanë e ishullit, apo edhe në Vlorë, për përdhunime rekrutësh, për vjedhjen e uniformës të ndonjë oficeri dhe largimin me të pa leje nga ishulli, për rrahje kolektive mes ushtarësh ose marinarësh apo gjëmash të tjera, në një përqindje shumë më të lartë sesa në Tokën e Madhe, siç quhej rëndom Shqipëria matanë detit.

    Sensacioni i dytë, i menjëhershëm, që se, prej ishullit, nuk mund të largohesha dot pa leje, ishte e pamundur, kështuqë addio provime të univesitetit. Do të përpiqesha, si edhe më parë, t’i “martoja” apo t’i “vdisja” të gjithë të afërmit, apo qentë e macet, nga e para, siç kisha bërë në Pashaliman. Në krahasim me bazën e nëndetseve, sidoqoftë, mbylleshin të gjitha mundësitë që dikush mund të vinte e të më sillte literaturën për të studiuar. Atje ma kishin zgjidhur problemin nëna ime dhe hallë Xhema, por ishulli nuk ishte si postbloku i Pashait, pak më tej Orikumit.

    Në Sazan i provova shumicën e anijeve, sidomos për ndëshkimet e shumta që më akordonin; provova edhe hapjen e tuneleve, dhe, sidomos, shërbimin e gjatë në planshet, dymbëdhjetë orë në çdo njëzetekatërorësh.

    Koha për të studiuar reduktohej në minimum. Por unë nuk u dorëzova. Lexoja në dhjetë minutëshat e pushimeve të pakta, pastaj edhe në shërbim, me një sy tek libri poshtë tavolinës dhe tjetrin që përgjonte se mos afrohej ndonjë oficer apo ushtar llafazan. Njëkohësisht, sapo më jepej rasti, pa rënë në sy, shkruaja vargje e mbaja shënime.  

    Fakt është që, kur isha në vitin e tretë të ushtrisë, unë i kisha shlyer të gjitha provimet e universitetit dhe më mbetej vetëm diploma. Kisha arritur edhe në Sazan të siguroja fletëlejet, me të gjitha llojet e trukeve, kisha arritur edhe të ikja pa leje e të mos ndëshkohesha, pasi nuk arrinin të më zinin në flagrancë.

    Më në fund, fare e papritur, qe ardhja në Sazan i një njoftimi të pabesueshëm. Sipas rregullave të atëhershme, pasi kisha mbaruar të gjitha provimet, unë duhet të bëja stazhin në një shkollë afër vendit ku banoja. Sekretaria, pa u thelluar mirë ia kishte nisur shkollës së Sazanit. Sigurisht që atje nuk më lejuan. Stazhin unë kërkova ta bëj porsa u lirova në Lushnje, në janarin e vitit 1982. Kur u paraqita në seksionin e arësimit të Lushnjes për këtë gjë, ata mbetën të shtangur. Kujtuan se e kisha djegur të drejtën e studimit, të zhvatur nga Tirana, por asnjëherë me bekimin e tyre!

    Nuk po e zgjat shumë me faktet pas vitit 1982, pasi ato janë pasqyruar gjerësisht si në shkrimet e mia, në intervistat e dhëna prej meje, apo dhe në artikujt apo vlerësimet e të tjerëve për mua. Pengu më i madh i periudhës së ushtrisë? Që pjesa më e madhe e krijimeve të atyre viteve, përfshirë këtu edhe materiale të miat të mëvonshme, kanë humbur gjatë vitit të çmendur shqiptar 1997, kur shtëpia ime në Lushnje ish bërë tabelë qitjeje për kallashnikovë dhe dorëshkrimet e mia qenë zhdukur!

    M’u desh të përshkruaj vetëm një përqindje të vogël të vuajtjeve që iu injektuan brezit tim: me artistë që i shtynë drejt vetëshkatërrimit, matematicienë të lindur të dërguar në Shkollën e Bashkuar për oficerë, djem hiper të aftë që iu desh të braktisnin vendin për të mos përfunduar burgjeve. Prej ngjarjeve dramatiko-tragjike të përshkruara më sipër lindën mekanizmat që vunë në lëvizje strukturat e romanit tim “Filius hostis ose i biri i armikut” të botuar vitet e fundit në Itali.

    Exit mobile version