Kreu Arte pamore Majlinda Toçi: Shqipëria dhe Kujtesa e Mesdheut

Majlinda Toçi: Shqipëria dhe Kujtesa e Mesdheut

Për ekspozitën “Kujtesa e Mesdheut”, e sapoçelur
në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë

Shpalljen e Tiranës si “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut” për vitin 2025, Biblioteka Kombëtare e pa si një rast për t’i treguar publikut se në koleksionet e saj, ruhet edhe një dëshmi e identitetit të vazhdueshëm të Shqipërisë si vend i mesdheut, i lidhur në kujtesë me gjithë popujt e tjerë të cilët, prej lashtësisë, e kanë banuar këtë rajon, deri sa mandej, nga popuj u vetëdijësuan si kombe e në fund, u kthyen në shtete. Kjo kujtesë, e ruajtur më së miri në Bibliotekë, tregon se, fillimisht trojet arbërore e mandej Shqipëria, kanë qenë dhe janë pjesë integrale e vetë frymës së mesdheut, jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht. Nëpërmjet librave, hartave e gravurave – të gjitha këto dëshmi fizike – rrëfehet ajo dëshmi shpirtërore e përkatësisë. 

Të qartë se kjo duhej bërë e njohur, u konceptua edhe ekspozita “Kujtesa e Mesdheut, nga Antikiteti në Kohët moderne”, ku, pas një përzgjedhjeje të kujdesshme e ndonjëherë të dhimbshme, e cila kushtëzohej edhe nga hapësirat, u ekspozuan mbi 700 vepra origjinale, mes tyre edhe dorëshkrime, që datojnë mes viteve 1300-1800. Gjithçka, sigurisht, pjesë e koleksioneve tona.

E strukturuar me një narracion të qartë, ajo i jep mundësinë vizitorit të shtegtojë, në kronologji e logjikë, mes aspekteve dhe tipareve kryesore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Mesdheut. Ai, më së pari, gjendet në antikitetin greko-romak, ku paraqiten disa prej botimeve më të hershme në Evropë të autorëve klasikë grekë dhe latinë, përfshirë Homerin, Aristotelin, Herodotin. Strabonin, Ptolemeun, Ciceronin, Plinin Plak, Plutarkun e të tjerë. Pastaj kalon në trashëgiminë bizantine e cila është edhe një prej pasurive më të jashtëzakonshme të Bibliotekës sonë. Nga ekspozita e parafundit e Koleksioneve Veneciane në Bibliotekë, rimerren disa vepra mes shekujve XV dhe XVII ku pasqyrohet roli jetik i Venedikut si qendër e kulturës evropiane të asaj periudhe.

Pastaj, Orienti, i orientuar kryesisht te bota arabe dhe Egjipti, me theksin e vënë te Perandoria Osmane.

Po ashtu, janë edhe dy sesione tematike, ku i pari i kushtohet besimeve monotesite dhe mënyrës se si, në një truall tejet pagan, zuri vend ideja e një Zoti të vetëm dhe tjetri përfshin vepra të disa prej udhëtarëve më të njohur evropianë të shekujve XVI dhe XVII, çka i jep edhe emrin Gjeografë dhe Udhëtarë.

Në fund, është edhe hapësira e dedikuar për dy detërat që lagin brigjet shqiptare, Adriatiku dhe Joni.

Nëpërmjet kësaj eksopzite, shpresojmë jo vetëm të qartësohet komunikimi i pandërprerë i Shqipërisë me këtë hapësirë të gjerë kulturore, historike dhe socio-antropologjike, por njëkohësisht, të kontribuohet në vetëdijësimin se trashëgimia jonë jo vetëm duhet promovuar, por edhe duhet interpretuar ashtu sikurse është.

E hapur me 18 qershor, “Kujtesa e Mesdheut” mirëpret publikun në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë deri më 18 korrik 2025.

Exit mobile version