Muzgu po binte pa u kuptuar dhe i mbështillte sendet me një mjegull të kaltëruar në mavi, e cila i jepte një frymë të mistershme asaj dhome. Herë pas here, atmosfera e heshtur përflakej nga ca figura abstrakte që vallëzonin si hije mbi murin përballë, ngjiteshin deri në tavan, bënin ca dredha dhe zhdukeshin për t’u rishfaqur me forma më të mëdha. Në të vërtetë, ato ishin thjesht pasqyrimi i dritave që vinin nga një ndërtesë e madhe lojërash fati matanë rrugës, aty ku dikur kishte qenë një nga bibliotekat e kryeqytetit.
Zonjës D. që udhëtonte drejt të nëntëdhjetave, këto çaste i dukej sikur kishte një mijë vjet mbi shpinë. Sëmundja që e kishte detyruar të rrinte disa kohë pa dalë, i kishte sjellë me vete edhe mendime të tilla, fatale si vdekja apo zhdukja pa lënë gjurmë. Mirëpo, atë e tërhoqi ajo lëvizje e shpejtë formash që i kujtoi fëmijërinë me filmat pa zë.
Ajo vazhdoi të rrinte në kanape, me sytë që i mbylleshin herë pas here, gati si e humbur nga kjo botë. Gjysmë e mbështetur, busti i saj ngjante me një skulpturë bronzi të rrëzuar nga piedestali pas ndonjë kataklizmi. Ditët e fundit kishte parë ca ëndrra që i arratiseshin nga kujtesa. Kur zgjohej në mëngjes, përpiqej të sillte ndër mend ndonjërën, por gjithçka ishte shuar. Ajo habitej me ndryshimet që kishin ndodhur aq shpejt. Perceptimet e saj për jetën nuk ishin më ato që kishte pasur më parë.
Shfaqja në mur – nëse do ta quajmë kështu – luhej prej kohësh, por atë mbrëmje asaj iu duk si gjë e re. Figurat shndërroheshin në njolla me ngjyra që merrnin trajta gjeometrike, duke kaluar me shpejtësi në murin tjetër e duke u kthyer përsëri. Ishin me ngjyra, apo ashtu i dukej asaj? Gjithsesi, vallëzimi i tyre i vrullshëm kishte diçka gjumëndjellëse.
U mat të ngrihej, por ndryshoi mendje. Do të sodiste edhe ca, sepse mes atyre njollave me dritë iu bë se pa një vezullim si zjarr i largët. Dhe një ndjesi e panjohur ia përshkoi shpirtin. U përqendrua fort. Në morinë e kujtimeve kaotike të trurit të saj u shfaq fytyra e një djaloshi në lule të rinisë, që afrohej dhe largohej si të ishte fjala për ndonjë lojë. Mbase ishte terri i viteve të ikura që e bënte aq të padukshëm si siluetë, por ama tiparet ajo ia shihte përmes një drite të ëmbël. E njohu. Me kokën lart dhe sytë e ndritshëm ai i buzëqeshte. Në ata sy shkëlqente shpirti i tij i dashuruar.
Pamja u zhduk dhe ajo priti me ankth se mos e shihte sërish. Dikur, e paduruar nga pritja, uli qepallat. U përpoq të mos mendonte gjë, por nuk ia arriti. Iu duk sikur ndodhej në liqen ose në det, mbi një varkë që i largohej bregut duke lënë pas zhurmën karakteristike të valëve. Këtë ide ia krijonte edhe hapësira me tavan të lartë e sallonit. Djali i madh, kur erdhi një verë njëkohësisht me të motrën në Shqipëri, mori një arkitekt, mik të tij, për të bërë disa ndryshime. Tashmë kuzhina ishte bashkuar me një dhomë të vogël, dhe pjesa ku gatuhej ndahej me xham të verbër. Xhami nuk ishte i thjeshtë, kishte në gjatësinë e tij formën e një rrjedhe të ngadaltë shiu, dhe nganjëherë dukej sikur vërtet rigonte. Në ditët kur kishte qenë shumë sëmurë, ajo ia ngulte kushedi sa herë sytë e zbrazët dhe kështu, padashur, krijoheshin dy botë paralele: ajo e trupit të saj të palëvizshëm nga sëmundja dhe tjetra e mendjes që punonte, por nuk mund të shkruante. Uni i saj, i davaritur nëpër kohë, kishte krijuar një hendek të madh mes ekzistencës si nocion dhe jetës reale.
Në kuzhinë kishte një derë që të nxirrte në ballkon. Dikur, ajo dilte e pushonte kur lodhej së shkruari apo së lexuari. Madje, shumë herë në mot të mirë, edhe shkruante aty duke dëgjuar zërin e saj të brendshëm që shkërmoqej mbi fletë dhe merrte shpesh një dritësim të artë, si në përralla.Kur i lidheshin fjalët nyjë, i ulte sytë dhe shikonte plepin poshtë ballkonit. I donte gjethet e tij që çelnin në pranverë dhe shushurinin edhe nga flladi më i lehtë, ndërsa vjeshtës ato e mbulonin trotuarin me ngjyrën e tyre të verdhë, lënguese. Herë-herë asaj i dukej sikur gjethet e rëna i flisnin me zë të mekur përmes grilave të ballkonit, të cilat zgjateshin e zgjateshin si të ishin meridianët e globit që kishte mbetur mbi komodinën e të shoqit në dhomën e gjumit. Njëherë e një kohë, mbrëmjeve para se të shtrihej për të fjetur, ajo e merrte në dorë dhe e rrotullonte para tij duke përfytyruar ditët dhe netët, gjumin dhe ëndrrat, punët që mbajnë botën gjallë; pastaj e linte globin dhe e puthte, ngaqë shpesh, edhe pse ishte bërë gati për të fjetur, ndërronte mendje dhe shkonte e punonte në kuzhinë. Në raste të tilla ai ngrihej përgjysmë, e pushtonte dhe ia kthente të puthurën. Ato çaste, jeta nuk i dukej asaj edhe aq e ashpër. Porse zjarret e luftës nuk dukeshin në atë rruzull të kaltër. Dhe as mizoritë e tjera të njeriut.
Ndonëse qe përmirësuar, zonja D. nuk e përdorte ende mirë dorën e djathtë, ndaj lëvizi ngadalë duke u mbështetur më shumë te dora e majtë. Dorëshkrimet e sistemuara dergjeshin mbi tryezën e vogël para kanapesë. I kishte sjellë aty para dy muajsh e ca për t’i lexuar. Dje kishte mbaruar dorëshkrimin e fundit dhe nuk dinte çfarë të thoshte. Disa iu dukën sikur i kishte shkruar dikush tjetër, disa i kishte lënë mënjanë të shikonte edhe njëherë fillimin, ndoshta edhe mbylljen. Çuditërisht, për ato që dikur kishte qenë e bindur të mos vinte më dorë, tani kishte dyshime. Ajo mori një prej dorëshkrimeve që kishte lënë mënjanë dhe rilexoi pjesën e futur në kllapa. Mezi i dalloi, se kllapat i kishte bërë me laps dhe me dorën e majtë:
“Shpresa e saj rrinte pezull dhe, në heshtjen e tronditur që shoqëron mendimet e njerëzve të përfshirë nga malli, ndjeu se po i digjej zemra nga një flakë e padukshme. Ndezi dritën e natës dhe priti, sepse ndriçimi i saj vinte ngadalë. Pastaj vështroi orën. Sado që ishte herët, ajo nuk mund të flinte më. Shpirti i saj ishte zgjuar.
U ngrit, hodhi një rrobësupeve dhe shkoi në fund të dhomës, te tryeza e vogël me pajisje për të shkruar. Shtëpinë e kishin marrë me kredi kur kishin filluar punë të dy, ajo në një studio arkitekture dhe ai në Shkollën e Lartë Ushtarake. Në rregullimin e dhomës së gjumit kishte imituar stilin që kishte parë nëpër filmat anglezë dhe ndihej paksa krenare, ashtu si shumë gra të reja që triumfojnë në dëshirat e tyre. Në fillim ngurroi, se pikërisht të nesërmen mund të vinte një letër prej tij, por dora, pavarësisht nga ajo, lëvizi:
“Ernis, xhan,
Po të shkruaj në një gjendje të pushtuar nga melankolia. Nuk e di nëse ndodh edhe me ty kështu. Dashuria sjellka me vete dëshpërim e dhimbje. Hëna vjetrohet dhe rihet, ditët kalojnë njëra pas tjetrës. Si ta quaj këtë heshtje ? U bënë dy muaj që nuk kam marrë asnjë letër nga ti. Mos vallë ka vdekur dashuria në zemrën tënde?
Jeta jonë më duket një histori ku kryqëzohen fijet e realitetit të luftës me ato të përfytyrimit tim të lemerishëm për të. Nuk e di sesi do të shpëtoj nga ky ankth? Kujtoj vetëm çastin kur e kuptova se Erosi më kishte goditur me shigjetat e tij. Tashmë gjithçka ka shkuar përtej dashurisë. Me sa duket, ti nuk je më këtu në tokë, por diku lart në qiell. Përse më bëre të ndiej si më dridhet shpirti dhe të shtrëngoj kraharorin që zemra mos të më dalë nga vendi? …”
Tregimi mbyllet me vetëvrasjen e heroinës, pasi i vjen lajmi se i dashuri i saj ishte vrarë në Afganistan. Historia e tyre ishte një lloj romance Romeo e Zhuljeta në kohët moderne. Ashtu si kuptohet nga kjo pjesë e letrës, personazhi i kontrollon fjalët dhe mendimet, bën, si të thuash, një imitim të tonit nga letrat e përkthyera që mund të ketë lexuar, kërkon të sublimojë jetën e vet.
Figurat abstrakte nuk po shfaqeshin më,sepse nuk kishte më elektricitet. Tashti qe mësuar edhe me mungesën e dritave, po ashtu edhe me mungesën e ujit. Kjo gjendje vazhdonte prej vitesh në Tiranë, dhe ajo nuk arrinte të kuptonte si mund të ndodhte një gjë e tillë në kohë paqeje. Një gazetë e majtë e kishte quajtur « dhunë psikologjike ndaj njerëzve ».
Me sytë te muri, vështroi fotot që rrinin aty prej vitesh, por iu dukën si të sapo vëna. Kornizat e arta shkonin mirë me bojën e bardhë qumështi të murit. Koha kuri kishte vënë vajza duke pyetur të atin në ishin drejt, iu duk njëherësh e moçme dhe e re. Muzgu i nxori më në pah dhe ajo u çmerit që nuk i kishte parë herë tjetër me atë përqendrim.
Në krye ishte një foto e madhe e saj me të shoqin, dalë në Moskë në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, kur ishin studentë. Poshtë saj ndodhej një tjetër, ku ata ishin me dy fëmijët, të vegjël, djalë dhe vajzë. Fotoja me të tre fëmijët ishte disi ndryshe, e bërë në natyrë, shumë më vonë: dy fëmijët e mëdhenj ishin në këmbë para tyre, të qeshur; djali i vogël kishte hipur në një degë peme pas shpinës së saj dhe nuk i ndahej, madje edhe kokën e kishte mbështetur te supi i saj. Muri me foto asaj iu duk si një stuhi e fjetur, që niste sa herë ia hidhte sytë. Dy fëmijët e mëdhenj vinin herë pas here, por i vogli nuk kishte ardhur asnjëherë. Ajo e quante të humbur. Kishte ndjekur kurset evangjeliste që u hapën në vend pasi ndërroi sistemi dhe më pas kishte përfunduar në Amerikë. Po bëheshin gati njëzet vjet. Mendoi më të keqen: do të vdiste pa e parë edhe një herë.
Zonja D. u përpoq t’i dëbonte mendimet e zeza dhe, për mos t’u ligështuar edhe më, shkoi ngadalë të shihte nga afër dy foto që ishin ndaras të tjerave në murin e djathtë. Ishin dy fëmijët e mëdhenj, të martuar, secili me familjen e vet; djali i madh kishte tre fëmijë, dy vajza e një djalë; vajza kishte dy, një djalë e një vajzë. Tashmë ata ishin gjyshër se fëmijët e tyre, nipërit dhe mbesat e saj ishin martuar ; dhe të gjithë ishin bërë me fëmijë, përveç vajzës së vogël të djalit, e cila ishte duke studiuar për një doktoratë. Edhe ajo vetë ishte bërë stërgjyshe disa herë. Djali i madh i kishte thënë njëherë se donte të ndërtonte një pemë gjenealogjike të familjes, ndaj ajo kishte grumbulluardisa foto me format të vogël dhe i kishte futur në një zarf. Dikur i shihte shpesh, sepse zarfin e kishte lënë pranë televizorit, në anën e djathtë të tij, ndërsa tashmë kishte kaluar shumë kohë pa i parë. Fjalët e të birit, duket se mbetën thjesht një ide.
Pa e larguar mendjen nga fotot, ajo doli nga salloni – kështu e kishin quajtur djali dhe vajza. Dhe u step nga heshtja që iu duk ndryshe nga herët e tjera, ndaj u mbështet pas murit në mes të korridorit. I hodhi sytë pa qejf te dyert e dhomave. E para ishte dhoma e pritjes: në fillim kishte qenë e djalit të madh, ai kishte fjetur aty edhe me nusen disa kohë para se të merrte shtëpi, madje derisa ishin bërë me fëmijën e parë; është një roman i tërë me letra e stërletra drejtuar administratës së kohës, por para se të iknin në Londër ata erdhën me fëmijët dhe ndenjën një javë; ajo hynte rrallë aty. Dhoma tjetër ishte e vajzës që kur u martua, u bë e djalit të vogël, e mbetur siç e kishte lënë ai, me foto yjesh sporti dhe aktore Hollywood-i nëpër mure; atë derë e mbante zakonisht mbyllur. E quan atje, sepse ndodhet në fund të korridorit. Dhomën e tij e mendon si një humnerë që, po t’i hapësh derën, thellohet më tepër. E treta, nga ana tjetër, ishte dhoma e saj e gjumit, por që nuk e shmangte dot hyrjen në të, edhe pse në fillim fare, kur pati mbetur fillikat, shihte përnatë ëndrra. Një ëndërr që iu përsërit për një kohë të gjatë ishte ajo me të shoqin e vdekur dhe me djalin e humbur. Tashti nuk i kujtohej mirë subjekti. Mendja kishte filluar t’i rrallohej.
Rrinte në mes të korridorit, e mbështetur në mur, zhytur në mendime. Për një çast e hoqi vështrimin nga dyert që iu dukën si objekte të ngrira dhe shkoi në banjë, jo se ndiente ndonjë mbëhi, ishte thjesht zakoni i moshës. Currili i urinës bëri zhurmë dhe ajo u pendua që nuk e kishte hapur televizorin; ai të paktën e mbushte hyrjen me një lloj jete virtuale, por harroi se ishin fikur dritat. Kishte vendosur qirinj dhe shkrepëse në ato vende që i mendonte si të vështira për t’u orientuar, megjithatë errësira ende nuk kishte rënë.
Zonja D. shkoi vetvetiu drejt derës së jashtme. Pastaj e hapi. “Përse të mos zbres e të shëtis pak rreth pallatit?” – tha me vete dhe, një erë e vogël shprese i fryu në kraharor. Moti ishte i butë. Ajo kishte tre muaj e ca pa dalë nga shtëpia, përveç dy rasteve që kishte bërë radiografi dhe vizita; edhe atëherë kishte shkuar e ishte kthyer me veturë, e shoqëruar nga nipi i motrës.
Nuk e kuptoi nga i erdhi urdhëresa me një forcë të atillë, sa e kapërceu pragun në mënyrë të pavetëdijshme. Pastaj u kthye dhe mori një triko të hollë që e linte gjithnjë te mbajtësja e palltove pas derës. Do të dilte ashtu si ishte. Në muzg askush nuk do t’i kushtonte vëmendje veshjes së saj.Megjithëkëtë, ajo vishej e rregullohej qysh në mëngjes. Kështu kishte vepruar përherë. I dukej se e veshur dhe e krehur, edhe fantazia i punonte më mirë. Pati një mëdyshje, nëse duhej të dilte me bastunin që rrinte pas dere. Kur ia kishte sjellë vajza para disa vjetësh nga Italia, kishte ndier një mospëlqim të heshtur, por nuk e kishte përfytyruar se do ta përdorte një ditë. Dhe e mori. Nuk e kishte më sigurinë e kohës para se të sëmurej.
Në krye të shkallëve u ndal, mbërtheu me vështirësi vetëm një kopsë të trikos, ashtu siç e kishte të hedhur krahëve, pa e veshur dhe prapë u mendua. Ishte e vendosur shpirtërisht, por jo fizikisht. Vetja iu duk një krijesë e sajuar. U përpoq të formulonte në heshtje një hipotezë se çfarë kishte ndodhur në lidhjen midis saj dhe realitetit të jashtëm.Nuk kishte dalë nga shtëpia, sepse kishte qenë sëmurë, por a mos do t’i kthehej në zakon kjo gjë e kobshme ? Tërë atë kohë brenda i ishte dukur sikur zvogëlohej përditë e më shumë. Një natë që kishte pasur temperaturë të lartë, e kishte parë veten në ëndërr duke ecur mbiujëra si në Bibël.a



