Naum Prifti: Dita e fundit e gushtit
Kjo verë mbaroi po mua më duket se ka qenë vera më e gjatë në jetën time. E dija se vera i ka ditët të gjata po është tjetër ta dish e tjetër ta ndjesh peshën e gjatësisë dhe asnjëherë nuk jam gëzuar më tepër se këtë vit për mbarimin e verës. Duke numëruar ditët e gjata thosha sa larg është vjeshta!
Po kë prisja vallë afrimin e vjeshtës apo afrimin tënd?
Kjo dita e fundit e gushtit ka një ngjyrë të posaçme në Tiranë. Ajo ripërtërihet nga viti në vit duke ruajtur gjithmonë po ato karakteristika. Rrugët mbushen çuditërisht shumë me fytyra të reja. Një ecejake e vazhdueshme. Takime. Qeshje. Hyrje e dalje nëpër dyqane. Parakalojnë valixhet e drurit. Të famshmet valixhe druri. Vula e provincës dhe e nxënësve të rinj. Ata duken menjëherë nga ecja, nga vështrimi i tyre kureshtar, nga habija që shfaqin padashur, nga kontrasti që bëjnë me të tjerët. Të tjerët si të njohur të vjetër me qytetin dhe me rrugët e tij e dinë ku venë, dinë ku të qëndrojnë, dinë të ambientohen, kurse ata të valixheve ecin si të hutuar me vështrim të etur shikojnë kalimtarët mos dallojnë ndonjë fytyrë të njohur.
Valixhe druri! Edhe unë kështu kam ardhur në Tiranë, me një valixhe të rëndë druri. Dhe s’ mund ta harroj një episod. Atëherë i peshonin gjërat personale në agjencitë e transportit dhe nuk duhej të kalonte peshë 10 kg. Dhe mund ta merrni me mend në ç ‘telash rashë dhe s’dija si të dilja nga halli që më kishte zënë kur vura re se vetëm valixhja pa asgjë brenda peshonte plot 7 kg. Qe prej druri të njomë. Pra duhej të shpija në Tiranë 7 kg dru dhe 3 kg tesha. Raport i çuditshëm. Atëherë fillova ta gdhendja me sqepar, po përbrenda që të mos ia prishja bukurinë. Nxora një tufë të madhe me bujashka dhe valixhen e bëra gdhënçka-gdhënçka . Kur erdha në Korçë që ta lehtësoja akoma në shumë, një pjesë të mirë të rrobave i vesha.
E merrni me mend vapën time. Sikur nuk ishin mjaft rrobat që kisha veshur u shtova sipër edhe disa të tjera. Ca nga ndryshimi i klimës e ca nga rrobat e malësisë ai udhëtim po kthehej në vuajtje e mundim, po unë s’ i vija re se shkolla e Tirana ishte si një dritë që vezullonte në largësi dhe më ndizte ëndrrat e fantazinë.
Ti ndoshta ke ardhur mbrëmë ose do të vish sot. Unë e ndjej këtë afrim, e ndjej se humori im ndryshon. Vjeshta ty do të sillte këtu dhe mua më gëzon kaq shumë ardhja e kësaj vjeshte. Nesër është vjeshtë!
Julika Prifti: Kujtime me një Valixhe Druri
Valixhja prej druri e viteve ’50, me të cilën babai erdhi në Tiranë si student, e përshkruar në letrat e tij të asaj kohe, më ktheu te valixhja e aksionit në fund të viteve ‘70. Në 1978 sapo kisha marrë të drejtën e studimit për Degën Gjuhe Letërsi në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë. Më thanë se emri im ishte i fundit në listën e shtypur e të afishuar në të gjitha lagjet e kryeqytetit. Fluturoja nga gëzimi ngaqë ia kisha mbushur mendjen vetes se ajo ishte e vetmja degë e përshtatshme për mua. Edhe pasi e pashë emrin tim të shkruar në letrën e bardhë, herë pas here më kapte një frikë se mos dëshira ime do mbetej me aq. Meqë emri im ishte i fundit në listë kishte rrezik “të binte prej andej” nga një kapricio e fatit.
Pas stresit të pranimit, më nisi një tjetër shqetësim. Fakulteti ynë do ta niste vitin shkollor me vajtje në aksion dhe kjo do të thoshte përgatitje për të qenë për herë të parë një muaj larg familjes, mes studentëve që nuk i njihja. Duhej të përgatitesha për të jetuar një muaj me rrobat që do të zgjidhja të merrja me vete. Për mua, këshillat e motrës së madhe, e cila kishte përvojë aksioni ishin shpëtimi. Loreta kishte shkuar në aksione me Fakultetin e Mjekësisë ku studionte për stomatologji. Ajo më tha se konditat ishin të vështira, se ujë të ngrohtë nuk kishte, po edhe uji i ftohtë mund të ishte i pamjaftueshëm, se nuk kishte legenë apo vende për të larë rrobat. Kjo e vinte numrin e ndërresave në qendër të gjithçkaje. Sa palë pantallona, bluza, këmisha, të brendshme janë të mjaftueshme për një 18 vjeçare për një muaj?
Lista e ndërresave bëhej e zhbëhej, rrobat bëheshin kapicë e skartoheshin përsëri në dhomën e vogël të banesës në Tiranë. Pas kësaj, i erdhi radha valixhes. Ne kishim disa valixhe që i kishte sjellë gjyshi nga Amerika, të lehta dhe të bukura. Por Loreta më tha se për në aksion më e mira ishte valixhe druri. Ajo i kishte parë studentet me këto lloj valixheje. Të shkoje me një tjetër do merrej si shitjemendje dhe dalje mbi të tjerët. Kështu filloi kërkimi i një valixheje prej druri që nuk gjendej në shtëpi. Në fillim kërkuam tek komshinjtë po edhe aty dolëm duartharë. Shpresat po shuheshin dhe dëshpërimi po shtohej ndërsa dita e nisjes ishte shume pranë.
Babi u kujtua dhe sugjeroi të shkonim të kontrollonim bodrumin. Dy pallatet në krah të Medresesë kishin nga një dhomë depo, gjysmë në sipërfaqe, gjysmë nën tokë, që e quanim “bodrum”. Aty shkarkoheshin drutë për sobën në dimër, që sillte komunalja, dhe mbaheshin sende të tjera, që nuk përdoreshin çdo ditë. Ne mbanim kalin lëkundës prej druri, që tani nuk na mbante më, shezllogjet e plazhit që verës i merrnim me vete kur shkonim në Durrës, vegla që nuk përdoreshin shpesh por të nevojshme, si sqepar, sëpatë, sharrë druri etj. Pas një kërkimi të kujdesshëm gjetëm edhe valixhen prej druri. Ajo e kishte dorezën në vend e dukej në gjendje të mirë. Kur u pastrua nga pluhuri valixhja doli se ishte ngjyrë e kaltër e lehtë si qielli i mëngjesit. Pasi e rrotulluam valixhen nga të gjitha anët vumë re se në një anë në pjesën fundore ishte e dëmtuar. Në atë vend dukej ngjyra e drurit të palyer, si një njollë që prishte shumë pamjen e saj. Menduam se po ta lyenim atë pjesë gjithçka do të rregullohej. Po ngjyra e bojës që gjetëm nuk korrespondoi mirë e as lyerja nuk ishte aq e lëmuar sa ajo me pjesës tjetër. Valixhja dukej si me mballomë. Isha gati të shpërtheja në lot. Tani që e gjetëm valixhen ajo nuk dukej siç duhej e unë nuk mund ta përdorja.
Mami mori një nga copat e blera për të qepur fustane të reja dhe bashkë me valixhen shkoi tek rrobaqepësja, që i bëri valixhes një lloj këllëfi mbulesë. Me valixhen prej druri, veshur me mbulesë të bukur, u nisa për në aksionin e parë të fakultetit.
Episodi i valixhes do të ishte harruar sikur një shok tiranas i kursit tonë të mos tallej një ditë me këtë mjet udhëtimi gjatë një pushimi mes leksionesh në oborrin e fakultetit. Për pak sa nuk thashë se edhe unë me një të tillë kisha vajtur në aksion, por e mbajta gojën mbyllur. Për hir të së vërtetës, duhet të pranoj se këtë nuk e praktikoja shumë. Kështu unë vetë nuk u bëra objekt shakaje apo humori i shoqërisë tiranase të fakultetit.
Nga përshkrimi i babait i shqetësimeve të ardhjes së tij si student me linjat e autobusëve që nuk lejonin më shumë se 10 kg peshë, ndërkohë që vetëm valixhja prej druri peshonte 7 kg, dhe sesi iu desh të gjente një zgjidhje me sqepar që ajo të mbante më shumë tesha se dërrasë, edhe unë pyeta veten se mos vallë valixhja e drurit që kisha gjetur në bodrumin tonë dhe që e mora në aksion në 1978 ishte ajo e udhëtimit të babait nga Rehova në Tiranë.
Nuk mund ta di me siguri, por babai ishte përpjekur t’ia lehtësonte peshën, ndërsa unë u përpoqa t’ia fshija “dëmtimin” e jashtëm, secili me një zgjidhje praktike. Ai kishte udhëtuar me të nga Rehova në Tiranës, unë, nga Tirana në aksioni. Në fund të fundit, brenda valixhes prej druri kishin qenë rrobat dhe sendet e nevojshme për udhëtimin e secilit prej nesh, por vlera e saj qëndron te historitë që lidhin një baba me të bijën.



