Kreu Letërsi Bibliotekë “N’fushëbetejë shtratin kam me e kthy” cikël poetik nga Donika Dabishevci

“N’fushëbetejë shtratin kam me e kthy” cikël poetik nga Donika Dabishevci

KRYQZUEME PARA TIJ

Jam krejt e brishtë
kur ftyrë e tij m’zen ninëzat.

T’dridhmet trupit
ma zi se t’rrqethunat dimnave t’acartë.
Krejt n’gjamë, plotë frymë,
humbun n’valë jam,
nji shej, nji rreze, nji dritë tuj pritë.
Fort u qindron tundimeve t’mia
ai i mbshtjelluni me diell n’flokë.
Prej syve, mollzash, poshtë buzve tan’ musht
kryqzueme e zbrapsun para shenjtnisë s’tij.
S’jepet ai…
Luftar mitik që s’njeh dorëzimin. 
Dashnia n’mu veç vjen e rritet –
se e du fort e i falem veç t’pajepshmes!


N’ATË T’PËRVEÇMEN DITË

Nji ditë n’përveçmëninë e saj
papritueshëm kam me ta dhanë kumtin
se erdh koha me t’i shkye shtatë lëkurat
si rrangalla t’vjetra me t’i thye,
e me t’i gjujtë edhe lëvozhgat e shpirtit
tuj gërmue me e gjetë palcën
e naj vishkull drite n’sy.
Nadje heret masi t’jen’ mpi gjymtyrtë
kam me t’pa zbuluet tan’ paqtim.
Qielli ka me dënesë prej gëzimit,
shiu ka me gjallue edhe rrasat e vorreve,
n’zogj t’hareshëm ka me i kthye
e sytë e gjelbër kanë me lulzue.
Nji ditë n’përveçmëninë e saj!


EDENI JEM!

Je porti, je bregu
degë e artë je
që thrret shtegtar’
molepsun udhësh
n’aromë pishash
lugnajave tua
me zbritë me u ndalë
me i kthjellë sytë
n’at’ fresk mëngjesi
me ju dorëzue
përkdheljeve n’gushë
magjepsun andrrash
n’atë lojë hyjniesh
krejt etjen e tyne
me e përmbushë
si gurrë me shpërthy lumnija
eliksirit tand tuj ju falë
n’kopshtin tand t’Edenit
n’strehën e amshimit
mos me pasë gjarpën
as dreq që m’ndalë


VULLKAN

N’fushëbetejë shtratin kam me e kthy
n’llavë ke me u zhba e kam me t’përbi
si kulçedër zjerm kam me lshu
ti ke me kanë njeri veç mrena n’mu
e jasht s’ke me mbetë gja
as ti as qenja jote

ti ke me kanë unë
e unë kam me shndritë veç me ty mrena


ME TY

Kan’ me kërcitë
tanë damart prej mllefi,
ka me u përskuqë lëkura
ftyra me u përflakë qefi
dashninë kem me e ba luftë
e luftën dashni!

Exit mobile version