Kreu Letërsi Shënime mbi libra Shefqet Dibrani: Në heshtje rrezikohet vdekja e gjuhës

Shefqet Dibrani: Në heshtje rrezikohet vdekja e gjuhës

Mario Bellizzi është dëshmia e mos heshtjes kulturore dhe gjuhësore te Letërsia e Sotme Arbëreshe. Një zë i veçantë që vazhdimisht flet për rezistencë, andaj shkruan gjithnjë për prejardhjen dhe vazhdimësinë arbëreshe, dhe pa pra apelon për ruajtjen dhe kultivimin e traditës së paraardhësve të tyre nga Peleponnesi. Ky shqetësim arbëresh është shtjelluar edhe në poemën NGA DRITARET E HISTORISË, aty ku “Rrëzohen këmba këmba ka shurat e shkretëtires/ kërcejnë fërfillatet gjëmba-hekuri të filaqivet/ fshehuraz pështojnë nga ushtrit e markandet/ sa të bëjnë udhën e çafkavet e kurrilavet mbi Mesdheun“, (faqe 9.) Mario Bellizzi, është zëri më autentik i kësaj letërsie, studiues i pasionuar, njohës i historisë dhe etnografisë dhe poet i gjëmës së madhe, i mallit të pashuar, i ëndrrës dhe mos heshtjes arbëreshe! Ai “Ng’janë më njerëz po vetëm robëri, krahë për punë,/ ndër dhera me narënxa, dredhëza, domate, petkat e mafjas,/ të shprishur ndër gërmime arkeologjike nën zhegun pa lipisi/ […] Në këtë vrathaq dhe, pizull magj’jas së Jugut,/ prak i Gjithësisë të filozofëvet Ipaso dhe Arkita/ njeriu për herën e parë skallioj harmoninë e tingujvet/ sasitë pamasura“, (po aty, faqe 9.)

E më tutje, po në këtë poemë, Mario Bellizzi, na jep një pasqyrë më të qartë në shtjellimin jo vetëm si motiv po më tepër si realitet i Heshtjes Arbëreshe, komunitet që edhe vet po nëpërkëmbë një traditë historike, kulturore e etnografike në kohën kur “historia është vetëm lëvizja e pëllëmbës së dorës së hapur çë ture valëvitur në qiell”, (faqe 25), d.m.th. historia është aq e gjatë për jetën e njeriut sa një “lëvizja e pëllëmbës së dorës së hapur?!”, prandaj në poemën NGA DRITARET E HISTORISË, ai shton:

[…] Këtu, të mallkuarit e Jetës, pa dhè,

Shumiza nàni në lutje nàni në luftë

e varfër lypën një shpi, të drejtën për strehimin,

dreq si ndodhi për Danaidët në tragjedinë e Eskilit

ki është Faj çë mban popujt të poshtëruar nga uria

përveç shurbiset livisënjn ka duan!

Udhëtarët lahuriq e pa ndihme, kurriz përmystë,

shtiejnë baltë ndër faqet e Priftërinjvet të fodhull

ndër Qishat (Kishat) e Tregut

Ka mot dihet se trupat e frymat kanë

“një sinor çë ng’mund kcëhet të jesh zot i jetës së të tjerëvet”

[…] dallandysha të lodhura

në hartografi të shqerra nga heshtja

i shkojën martrinë këtyre migranteve

ndërsa popuj çë erdhën me ani të moçme

me abetare ilire, prifta dhe ikona, keza për mbretëresha,

edhe atà të përzënë nga turqit në shekullin XV

nani ju lëshojnë palën

vatrat, rrathët piçkulaç të gjitonivet

melurgjitë dhe panajìn e të vdekurvet

Poema “NGA DRITARET E HISTORISË”, faqe 11.

Ky libër përveçse përfaqëson letërsi, është vazhdimësi e jetës dhe ëndrrës, ndjenjë kjo e realitetit të përjetuar. Por metafora e Heshtjes Arbëreshe lidhet drejtpërdrejt me aspektin kulturor e fetar të këtij komuniteti i cili vazhdimisht ndrydhet dhe shtypet për t’u tjetërsuar, e më pas, edhe për tu asimiluar sa më shumë, sa më shpejt dhe mundësisht në planin fetar për t’iu përshtatur ritit latin, pasi kështu Arbëreshët mund të harrojnë gjuhën dhe zakonet e tyre, e bashkë me to edhe Atdheun e lashtë nga i cili para pesë shekuj me dhunë janë dëbuar, e tash “jemi në Jug ndanjë katund jashtë historisë”, ku zhvillohet një dramë e tërë, një histori e dhembjes, jo vetëm arbëreshe, por “heshtjan e njëj populli ç’u xarris udhëvet për shekuj”, nuk e duron as poeti:

Gjendem në një vend i madh, pjot simbola dhe njerez

me prejardhje gjeografike sa më të ndryshme

vend i ndërlikuar piçkulaç, i mbitur në shenjtëri dhe peisazhe

zbrazëti, mura të gramisur

(jemi në Jug ndanjë katund jashtë historisë)

para meje shoh një kështjellë

e rrethuar me shpizë si kaliva vetmitarëve

ku jetojnë nanì emigrantet rumunë dhe afrikanëe

aty këtu shtohen shfaqje marramendëse

një burim përralor me mbistica

më poshtë kupola bizantine ngjyrë kobalti

ruajnë në lindje, ujërat e kthjellëta të detit të Magna Graecia-s

ku fanaren Perëndi pjeq

si thonej Euripidi: hije të pajisura me frymë

të bërë me copa qielli, një vegim i mbrazt

*Magna Graecia-s – Vend në Greqi.

Fragment nga poezia 

HIJE ME COPA QIELLI, faqe 19.

Përndryshe, edhe sot e kësaj dite nuk dëgjohet gjëma e tyre. Libri është edhe protestë, përmes tij poeti bënë thirrje për mos heshtje, prandaj është detyrim i të gjithëve, kulturën dhe letërsinë arbëreshe ta shijojnë e kultivojnë si duhet e sa duhet. Kjo trashëgimi kulturore që na fali Zoti dhe e ruajtën Arbëreshët në Itali, është dëshmia historike se si ky komunitet u rezistoi shekujve duke rrezatuar vlera të mira në njërën anë, kurse në anën tjetër në sfidat e globalizmit e të dixhitalizimit, ata lëshojnë klithma e bëjnë thirrje për qëndresë e mbijetesë ekzistenciale, ku me veprime kulturore do të sfidohet Heshtja… e cila në këtë libër është lajtmotiv duke u shndërruar në simbol letrar që ka kultivuar një metaforë specifike dhe të përpunuar, e cila me gjëmë e britmë, po sfiduar kohërat dhe po thyen Heshtjen e detyrueshme.

Bulerëvet e fshatit i shkoj për krye

t’i lëjnë stërnipravet e stërmbesavet gjurmat të çetës

të gjuhës së Hyjnivet pellazge dhe kozmogonisë orfike

po duhej të zgjamararej indi

në ehjën e kujtesës, pa marr frymë,

në një si thonë arbëreshët.

[…] Në fillim u lè Nata, një zog i madh me krahët të zi,

çë Vorea – era e ftohtë të Veriut – përfendi

Në barkun e Errësirës

Nata lëshoj vezën kozmike argjëndi

kur u ça duall Eros-i

çë zbuloj se atjè brënda ish e fshehur Bota e tërë

tek ana e sipërm u ngul Qielli

i njohur gjithashtù si E-tëre, Brazi, Ka-Honi,

në pjesën e poshtme, u vendos Dheu.

Qielli e Dheu qijtën pa turpë e u lè Ujana dhe Dejti

Bulerët rrëfijtin gjatë e gjerë me harè

se Dheu i vetëm puall Uranin

çë është qielli mbarë urime e plot yj

pra nga Dheu e Urani

lindin gjashtë djem e gjashtë vajza

[…]

paraardhësit tanë

me një gjumë pamasur

një shkretim i heshtur dhe pothuajse si i dehës

të përkulur mbi tokë, gjysmë të gjallë,

me shpejtësinë e parmendës çë është shpejtësia e përjetësisë

[pa triqimì, sidoqoftë ku mund të shkojnë?]

Fragment nga poezia

QYCAT E GJITHESISE, faqe 21 e 23.

Heshtja e poetit ka të bëjë edhe me shqetësimin nacional për zbrazjën e heshtur të fshatrave arbëreshe dhe për më tepër poeti proteston edhe kundër heshtjeve në shkallë kombëtare, për gjithë ato ekzode të pa kontrolluara, për të cilat nuk shqetësohen udhëheqjet e Dy Atdheve poetik. Prandaj poezia e Mario Bellizzit mund të klasifikohet edhe si rezistencë maksimale për jetën dhe gjallërimin arbëresh të cilët me sakrfica kanë ruajtur e kultivuar vazhdimësinë dhe qenësinë arbëresho-shqiptare! “Oh Shqipëri Atdhè i etërvet të mi/ refugjatët të shekullit XV/ për mua ng’je më e Bukura Moré“, (faqe 85.) E këtë konstatim ma së mirë e shpreh poezia Hora e t’Arbëreshvet, në të cilën poeti mësoi jo vetëm misteret e ngjyrave dhe fatin e murgjve e priftrinjëve shpirtnor, por atje mësoi edhe për rezistencë dhe kryengritje të shumta me të cilat janë përballur vazhdimisht Arbëreshët në Itali.

HORA E T’ARBËRESHËVET

Trupi yt perzihet

me arin e kallinjve gruri të aravet

atjè ty mësove misteret e ngjyravet

të perziera me gjakun e Purtelës

melurgjite lindore të papasavet

të mbytura në tymrat e temjanit të kryengritjes

Dua të të këndonj

me zërat e ngrohtë dhe të dashuruar të jetës

së burravet çë burojnë nga ikonat

asketë bizantine çë dalin jashtë historisë

Së bashku me ta piva verën e fortë

të vreshtavet e lashta me rrënjë në humnerë

ndër gjitonit të mahnitura nga ngjarjet

Këtù gratë qëndisijnë të qeta

shtigje argjendi në qiej razi

fshehtësì dhe kështjella ku strehojnë shpresa

Faqe 99.

Pra çdo heshtje, rrezikon vdekjen e gjuhës, prandaj arbëreshët këndojnë e këndojnë për ta thyer heshtjen, shkrimtarët shkruajnë klithmat e tyre dhe të tjerëve, prandaj lirika arbëreshe është poezia më tronditëse e atdheut tonë. Është thirrje e drejpërdrejt, është ritual fetar, lutje te Zoti për t’i shpëtuar Arbëreshët nga mos njohja e vetvetës, nga moskëndimi i këngëve arbëreshe, dhe apel kundër harresës së traditës, etnografisë dhe kulturës autoktone arbëreshe.

FSHEHTËSI

Mbi muret e shpivet ka jashti

çë moti i shkoqi

u bi një krogjalleshë e vetë.

Me dhelpërì Dejti na ruan për së llargu

me fshehtësi çë bëjnë syth ndër suvalet.

Faqe 29.

Ndoshta e kam gabim, por kur dëgjon se Kisha po e mallkuaka poetin pse shkruan arbërisht ose pse kërkon në Kishën e tij të lutej e rrëfehej arbërisht, veçmas në ritin që i kanë lënë amanet të parët e tij, nuk ke se si të mos ndihesh i tronditur. E qartë, këto konflikte konfliktuoze, përgjatë proceseve e ndryshimeve të mëdha shoqërore, ngjallin jo vetëm huti por shkaktojnë pezmë te secili arbëresh që beson në Zot dhe në Kishën e vet, veçmas poetët që nuk pranojnë të heqin dorë nga riti i tyre bizantin grek dhe gjuha arbëreshe. Një luftë demonesh, e cila vihet në pahë në trajta të ndryshme edhe nga ky libër poetik që tërhoqi edhe vëmendjen e kësaj qasje kritike. “Rrëfihet se atjè/ atà themeluan koloni të reja/ bashkë me dica mërgimtarë/ të mbjëdhur pak e pak nga kudò./ Patjetër ajo lagje nanì jeton/ vetëm falë dhunës së lëvizjes të mërguarvet përpara/ dhe kalivet të ndërtuar sapo ngultin këmbë/ nxitin muzgun e vendit“, (nga poezia NUSJA, BEBËZA DHE KÙKULLA, faqe 39), e në anën tjetër “fjalët e tyre shumëkuptimesh ndezijnë poezi“, (po aty faqe 39.)

Motivi i heshtjes për Mario Bellizzin është obsesion poetik dhe shqetësim i lartë patriotik. Pos këtij libri me poezi edhe në librat tjerë e ndeshim motivin e heshtjes si fenomen, si dukuri, por jo me këtë tonailitet sa në NIMFA DHE PJAZMA E HESHTJEVET. Me sa di edhe në studime të tjera në gjuhen italiane Mario Bellizzi e ka trajtuar këtë shqetësim dhe bashkë me të edhe shqetësimin Arbëresh i cili tashmë është bërë plagë për poetin dhe komunitetin.

GRAT E JUGUT

Grat e jugut

të mbitura në gropën e fatosur të vatrës

ndihijnë një mëmë

të pjell kometa dhe shkëndija.

Faqe 65.

Ky pasqyrim etik, lidhet edhe me çështjet historike dhe me fatin e komunitetit arbëresh, prandaj poezia e Mario Bellizzit është histori, është vet dëshmia historike e heshtjes së detyrueshme për shthurje të mundshme me rrezikun e përhershëm të shuarjes së zërit në lutjet edhe brenda Kishave Arbëreshe ose ndjekjet e shumta nga propagandat krishtere të ndihmuara nga feudet e caktuar të cilët ishin vënë kundër ritit bizantin grek që e praktikojnë Arbëreshët Ortodoks.

Ky libër është i pajisur me metafora të shumta të cilat ia rrisin vlerën librit, poezisë dhe vet poetit. Ja disa metafora të cilat i kemi vjelur nëpër poezitë e këtij libri:Me shoshin s’mund fshehet dielli!”; “shpejtësia e parmendës çë është shpejtësia e përjetësisë…”; “shpejt ecen shinat e kohës sime”; “Shpejtësìa e ngjarjevet/ ndonjëherë bën të të humbet kryet“; “bëhen guri i qoshes/ për udhëkryqet pa një vend tjetër përveç Ferrit“; “hëna me gjishtat ngjyrë trëndafili fiton mbi të gjithë yjet”; “sëmundje e hënës rrotullon qiellin dhe zemrën time“; “jemi pronë e jetës“; “vajtime çë shpojnë misht“; ”bën`i erdhi malli të shkelënaj livadhin”; “Diçka ty do, në pazar e gjën, (Gjithçka që do, në pazar e hjen)”; “Ballkani ng’mund të ketë kufij por vetëm pragje”, “Aty ku është e rënie, ng’janë më unë dhe ty,/ unë me tjetrin, unë kundër tjetrit”, etj. etj.

GJEOGRAFIA E SHPIRTIT

Lë hijé prapa

në këtë gjeografi të mallkuar të shpirtit

shtigje kometash

çë kurrë ari i ikonavet

mund fsheh.

I ndëjtur mbi rahjn

përballë atyre pamjeve

koha dhe rrjedhat e kryengritjes

më shkundijnë kurmin.

Faqe 43.

Metafora Heshtjeve, bëhet e dukshme qysh në titullin e librit ku pjesa e dytë “Pjazma e heshtjevet“, përcakton dhe simbolizon motivin tematik që për simbolikë ka heshtjen, e trajtuar në forma dhe trajta të shumta, të cilat mund t’i formuloj vetëm ai që ndjen në palcën e shpirtit, heshtjen, jo aq atë fiziologjike e personale se sa dukurin e braktisjeve të gjuhës, traditave dhe përgjithësisht kulturës arbëreshe ku dita ditës shihet se zërat arberisht po heshtin, përkatësisht po paktohën. Këtë shqetësim poetik e gjejm nëpër vargje të shumta dhe ndijimi i saj nga çasti dhe rasti evulon, p.sh.: Hartografi të shqerra nga heshtja; Lakimi, ritmi dhe toni çë rrëzohet drejt heshtjes; Mbretëria e Heshtjes; Harpokrati, zoti i Heshtjes; Heshtjan e njëj populli; Mbrënda heshtjes dhe motit; Bëri truc me heshtjen/ ambulanca e Historisë; Kallinj gruri të korrur në heshtje; Heshtjet e burravet të fortë dhe të pastër; Heshtja e gjitonivet etj. Por metafora Heshtjeve, bëhet më e dukshme te proza poetike HESHTJET E MIA, e cila lidhet kryekëput me katundet arbëresha, poezi këto sa të bukura po aq shqetësuese, ndërsa metafora e heshtjes këtu përcakton edhe topikën e shqetësimit që lidhet drejtpërdrejt me katundet arbëreshe:

– Farnetë, ndër gjitonitë gjegjet një heshtje;

Shën Mitri i Koronës heshtja eshte mbreterore… Këtù Historia u piks brënda gurin dhe bronxin/ në heshtjen e shurdhër të hapavet të De Radës.

– Kastejnexh hapni sytë e veshët se heshtja është e rreme;

– Spixana dhe lavoma ne heshtjen e lutjes, Heshtja e këtij katundi është një heshtje çë vjen përsë llargu, nga njëgjeografi e huaj, heshtjen e sotme e çeli, si çelat një vé, heshtja tjetër edhunës së Fuqive, çë kanë shtypur zërin çë parkalesnaj në një gjuhëtjetër.

Në anën tjetër, “gjeografi-rrjedhim me themele në heshtjen o mungesën e përgjigjes“ sepse “Në heshtje rrezikohet vdekja e gjuhës“, sidomos kur “heshtja ra mbi zërin“ e poetit arbëresh. Po ashtu edhe “Mbuzat prita dimrin të ecija ndër udhët e katundit të lyer me klorofilin e heshtjes“ që në njëfarë mënyre “dhuron ëndrra të thurur me heshtje e lufta“, janë gjakim i përhershëm i poetit Mario Bellizzi.

Arbëreshët për shekuj të tërë kanë ruajtur identitetin e tyre falë kishës dhe këtij riti fetar ca ndryshe nga riti latin që predikohet anë e kënd italisë, kjo alegori lidhet edhe me tjetërsimin, përkatësisht heshtjen e arbërorëve në Shkup të Maqedonisë, ku “Ng’ka tokë tjetër si yni të pasura me Shenja/ dhe simptoma të sëmundjeve të shpirtit./ Maqedonia, është dreq si unë, Dhe kurbeti.”, (faqe 81.) Pa dyshim qëndresa e Arbërorëve në Shkup dhe ajo e Arbëreshëve kanë kaluar nëpër etapa të rënda, të vështira dhe diskriminuese, gjë që ky diskriminim nuk fshihet as në poezitë e Mario Bellizzit, sikurse që asnjë varg i tij nuk i shëron plagët e historisë arbëreshe, por as nuk do të shuhet gjakimi i poetit për një atdhe të idealizuar!

Exit mobile version