Kreu Letërsi Shënime mbi libra Yzedin Hima: Trokitje në veprën letrare të Zija Çelës

Yzedin Hima: Trokitje në veprën letrare të Zija Çelës

Letërsia e shkrimtarit të shquar Zija Çela, krahas nivelit të lartë estetik, është thellësisht humaniste. Ndaj, sa të ketë njerëz, do të ketë lexues të tij.

Atë që shumëkush e ndjen, e mediton, e monologon, atë që shumëkënd e mundon, e torturon, por nuk ka as kurajo, as gjuhë për ta shprehur si dashuri, si pendesë, si mall a trishtim, befas e shfaq si tekst shkrimtari Zija Çela, duke i ardhur gjithkujt në ndihmë. Thuhet se të gjitha kuptimet e një teksti letrar gjenden te vetë teksti, gjenden te lexuesi, gjenden te nënteksti, gjenden edhe te konteksti. Por në rastin e letërsisë së shkrimtarit Zija Çela, kuptimet e tekstit marrin dritë edhe nga jeta e njëmëndët e autorit, humanizmi i thellë, ndjeshmëria dhe ndershmëria e lartë, emocioni dhe mahnia, tipare që shpesh mungojnë edhe tek autorë të shquar.

Te Zija Çela mesazhet kuptimore dhe mesazhet artistike realizohen njëherësh në mendjen e në shpirtin e lexuesit. Duke leçitur Zija Çelën, lexuesi përndritet nga nyjëtimi artistik i tekstit, njëkohësisht përfton atë katarsis mendor dhe shpirtëror, si proces zanafillor i letërsisë.

Vepra e shkrimtarit Zija Çela është voluminoze, me një arkitekturë të menduar që në fillesat e saj. Tani mozaiku i kësaj vepre shfaqet i plotë, duke zënë një vend tejet të veçantë e të rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe në letërsinë bashkëkohore në përgjithësi. Ai është një shkrimtar  i shquar shqiptar dhe njëherësh europian për mesazhet artistike e semantike që përcjell me veprën e tij.

Thjesht, si një trokitje te porta e veprës së shkrimtarit Zija Çela, në këto radhë, zgjodhëm pikërisht tregimin më të shkurtër të shkruar prej tij, atë me titullin “Trokitje”. Është një tregim mjaft i pëlqyer nga lexuesit sqimtarë të Zija Çelës, por i kundruar së jashtmi. Ky tekst është një sprovë për ta vëzhguar këtë tregim së brendshmi. Tregimi ka afro 150 fjalë, të rreshtuar diku te rreth 11 rreshta.  Meqënëse është një tekst i shkurtër, po e sjellim më poshtë për lexuesin:

TROKITJE

Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?” Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.”

U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.

Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.

Në dyzet e pesë u ndamë.

Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë. Doli dikush dhe më tha:

“Ajo po fle. Ke ndonjë porosi?”

“Jo”, thashë, “vetëm desha të dija nëse është mirë.”

“Ajo është mirë”, tha.

Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër.

Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje.

Bie në sy se frekuenca e trokitjeve të subjektit mendues është harku kohor i pesë viteve: Isha njëzet vjeç dhe pyeta: “Kur do ta njoh?”; Në njëzet e pesë thashë: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.”; U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë. Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë.; Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh; Në dyzet e pesë u ndamë; Pesëdhjetë vjeç i trokita në derë; Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë; Ndoshta kur të bëhem gjashtëdhjetë, do të pyes veten: “A do ta shoh përsëri?”; ?” Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër.

Po cila është simbolika e numrit pesë?! Ja çfarë thonë teoritë e simbolikës së numrave: Numri pesë është një simbol i ekuilibrit. Do të thotë që në jetën tuaj, ju duhet të balanconi aspektet fizike dhe shpirtërore. Është thelbësore të jetosh në ekuilibër dhe harmoni, sepse vetëm atëherë mund të jesh i lumtur. Numri pesë është simbol i unitetit të njeriut me Kozmosin. Subjekti mendues troket në portat e kohës në çdo pesë vite të jetës së tij, pikërisht për të njohur dhe siguruar atë harmoni e ekulibër të nevojshëm.

Tregimi “Trokitje” është një tekst i ndërtuar me fjali eliptike, tipar i teksteve hermetike. Simbolet janë dukuri te këto tekste. Për të depërtuar te kuptimet e fshehta lipset të bëjmë dekodifikimin e tekstit, pikërisht duke u kapur te figura misterioze e simbolit. Fjala trokitje, e vendosur si titull i tregimit është filli i Arianës për të përshkruar labirintin e këtij teksti.

Trokitja e parë

Trokitja e parë në portën e kohës ndodh pikërisht në moshën njëzetvjeçare. Është mosha kur njeriu bëhet i vetdijshëm se veç trupit të fortë e të bukur, veç materies memece, ka edhe një shpirt për të cilin i duhet të kujdeset. Trokitja e parë në kohë shfaqet në formën e një pyetjeje: “Kur do ta njoh?!” Te pyetja trokitje duket qartë se subjekti mendues, në moshë farë të re ka krijuar vetdijen se trupi i tij i ri dhe i bukur është thjesht burgu ku qendron shpirti dhe mendja e tij. Nga nënvetdija e tij i vijnë impulse të mistershme të cilat mezi pret t’i mishërojë në formën e një poezie apo vajze, për të cilin ka kërshëri të fortë. Simbioza tekst letrar- femër do ta ndjekë gjatë githë jetës subjektin mendues. Energjia krijuese i vlon në gjak dhe i shfaqet edhe si femër e bukur edhe si poezi e tillë.

Trokitja e dytë

Në moshën njëzet e pesë vjeçare trokitja e dytë në portën e kohës është disi e ndrojtur. Subjekti mendues e ka projektuar te vetja krijesën e tij dhe mezi pret ta njohë të projektuar në letër si tekst letrar apo ta ketë krahas të mishëruar si vajzë. Pikërisht te ndrojtja e trokitjes shfaqet pasiguria, e cila do ta ndjekë gjatë gjithë jetës, ndaj ai bën premtimin:  “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.” Kjo pasiguri vjen nga mospërputhja midis realitetit të njëmëndët dhe realitetit artistik që pret të shfaqet. Për të linjat e krijesës janë të pakonturuara qartë. Ajo shfqet herë si vajzë e bukur enigmatike, herë si tekst letrar. Herë si femër e bukur me trup fjalësh. Një tekst hermetik dhe një femër kanë shumë gjëra të përbashkëta. Janë dy objekte që lipset të njihen, zbulohen, përjetohen, dhe të krijohen në forma të ndryshme, në kohë të ndryshme, ndaj premtimi vjen si këkesë për kohë, për të realizuar këto procese: “Kur ta kem njohur, do të jemi gjithmonë bashkë.”

Trokitja e tretë

Është një trokitje në portën e kohës, kur subjekti mendues ka gjetur një harmoni të përkryer midis trupin dhe shpirtit, midis tij dhe krijesës, midis tij dhe  realitetit të njëmëndët rreth tij.. Ai jeton më tëpër në realitetin artistik, të krijuar prej tij, se sa në realitetin e njëmëndët. Ka humbur rëndesën dhe vrapon mbi re. Tekstet e tij letrarë botohen dhe lexohen kudo dhe ai dëgjon fjalë të bukura për krijesën e tij nga lexues dhe nga krijues të tjerë, të cilët i vlerëson e admiron. Në tregimin e tij gjuha është e shtruar dhe rrjedh si lumi në një terren të qetë: “U bëra tridhjetë dhe ne ishim bashkë.” Në tekst simbioza grua – letërsi, pas përemrit pronor Ajo. Në moshën tridhjetëvjeçare ndodh takimi i shumëpritur. Me tekstin apo me gruan e projektuar më së pari te vetja?! Natyrshëm, mund të themi se në këtë moshë shkrimtari ka nisur të përvijojë portretin e tij si artist i letrave. Gjithashtu është mosha, që e di mirë se çfarë është një grua dhe gjen shëmbëlltyrën e saj në botën e njëmëndët sipas shijeve të krijuara më parë te vetja. Në harkun kohor të pesëmbëdhjetë viteve autori ka gjetur harmoninë e duhur tekst letrar – grua – subjekt mendues – mjedis.

Ai  na fton të soditim krijesën (gruan- tekst letrar) që ai e ka krijuar te vetja dhe mezi pret ta shfaqë dhe ta njohë. Pas shfaqjes së saj, harmonia dehëse ka përfshirë gjithçka.

Trokitja e këtërt

Trokitja e katërt është më tepër se në portën e kohës, te vetja. Në të tridhjetë e pesat subjekti mendues ende është në një harmoni të plotë me vetën, krijimin, mjedisin rrethues. Ai njofton se nuk ka asgjë të re në këtë hark kohor të jetës së tij nëpërmjet një fjalie pohore: Në tridhjetë e pesë ishim përsëri bashkë. Mjedisi rreth tij sërish ia ledhaton egon.

Trokitja e pestë

Është një kohë traumatike dhe trokitja në kohë bëhet në portën e një kohe dhe në portën e një hapësire tjetër. Koha në trokitjet pararendëse rridhte e qetë dhe hapësira ishte e njëjtë, e përcaktuar, e kufizuar. Edhe koha rridhte në të kundërtën e saj në portikë e porta. Udhëtimi i madh, për të cilin flet subjekti mendues është një zhvendosje e madhe në kohë e hëpësirë. Është një udhëtim traumatik në kundërkohë dhe në hapësira të ndaluara të papërcaktuara nga autori: “Po mbushja dyzet, kur bëmë udhëtimin e madh. Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme.”

Trokitja në një tjetër kohë dhe në një tjetër hapësirë ka sjellë trauma të forta, si humbjen e kujtesës, humbjen e ekuilibrit, humbjen e harmonisë trup – shpirt  – krijim – krijesa. Metamorfoza ka përfshirë kohën, hapësirën dhe subjektin mendues. Kjo trokitje ka ndodhur në portën e Ferrit nga brenda apo nga jashtë?! Për të dalë apo për të hyrë në Ferr?! Kthimi krahasohet me kthimin nga bota e përtejme:“Nuk mbaj mend se ku vajtëm, por kthimi ishte njëlloj si prej botës së përtejme: njëri prej nesh u tjetërsua aq shumë, sa e humbi toruan edhe tjetri.

Në dyzet e pesë u ndamë.”

Në një tekst me fjali eliptike, dukuri e teksteve letrarë hermetikë, lipset të hedhim një sy te shenjat semiotike që gjenden në tekst për të dekodifikuar tekstin. Në tregim gjejmë fjalinë pohore: “Në dyzet e pesë u ndamë.” Numrat janë shenja semiotike te ky tekst. Numri dyzet e pesë përkon edhe me moshën e autorit në kohën, kur në vend ndodhën ndryshime e kthesa të mëdha. Këto ndryshime prekin edhe subjektin mendues dhe krijesën e tij. Metamorfozat janë rrjedhojë e ngjarjeve traumatike në jetën e njeriut. Vendi doli nga ferri diktatorial i gjymtuar. Shoqëria lipset të ridimensionohet në një kohë e hapësirë tjetër. Mos vallë subjekti mendues braktis një estetikë dhe një produkt letrar për një estetikë tjetër dhe si rrjedhojë për një tjetër produkt letrar?! Kush duhet të ketë ndryshuar, të jetë tjetërsuar, Ajo (estetika, teksti letrar, gruaja) apo autori? Apo të gjitha bashkë?! Befas edhe subjekti mendues dhe Ajo (estetika, letërsia, femra e tij e adhuruar) gjenden në rrafshe të ndryshëm. Shenjat në tekst nuk premtojnë shumë për të ndërtuar kuptime. Palët kanë humbur toruan dhe ndarja është e pashmangëshme. Subjekti mendues kalon në një stad tjetër jete dhe krijimi?! Apo pretendon diçka të tillë?! Ndarja është e përkohshme, siç ndodh zakonisht në trauma të mëdha apo përfundimtare? Më tej tregimi i jep përgjigje edhe këtyre pyetjeve.

Trokitja e gjashtë

Kjo trokitje bëhët në ajër. Portat e kohës kanë rënë bashkë me portat e hëpësirave të kufizuara . Trokitja nuk u dëgjua nga rrapëllima e mureve që binin gjithandej.

Trokitja e shtatë

Në trokitjen e shtatë kuptojmë se subjekti mendues ka gjetur sërish ekuilibrin dhe harmoninë e humbur. Ai ka vënë re se koha ka ndryshuar, hapësira është e pafund, e pakufizuar, ndërsa  krijesa e tij në simbiozën (tekst letrar- grua) është po aq e vlerësuar dhe po aq e dashur si në kohën e hapësirën e kufizuar. Ai zbulon se, pavarësisht nga koha e hapësira , ka krijuar një art dinjitoz. Autori, si të gjithë autorët e mëdhenj, ka pasigurinë nëse letërsia e tij është në nivelin e duhur artistik, nëse është në të njëjtën valë me letërsinë botërore të shekullit të ri:“Vetëm desha të dija nëse është mirë. Qetësohet kur merr përgjigjen: “Ajo është mirë”.

Dihet etja për letërsinë që kishte lexuesi gjatë viteve të diktaturës. Aty gjente të bukurën, humanizmin, ledhatimin e shpirtit dhe të intelektit nga tekste letrare si të Zija Çelës. Në këtë letërsi lexuesi gjente strehimin shpirtëror e mendor, duke u larguar nga dhuna, vulgariteti i dhunshëm i botës së njëmëndët dhe tekstet pseudoletrare si fotografi e atij realiteti dhunues të autorëve të socrealizmit, ku mungonte funksioni estetik dhe shfaqej funksioni qëllimor i tekstit që kishte pushuar së qëni tekst letrar.  Zija Çela, ndonëse krijoi edhe në kohë dhune, tekstet e tij letrare i shpëtuan morsës së aestetikës së socrealizmit falë talentit të fuqishëm letrar, humanizmit të thellë që është shenjë themelore e kuptimit të teksteve të tij. Në tekstet e tij së pari lexuesi dallon shtyllën e fuqishme të funksonit estetik, që përbën shtyllën kurrizore të këtyre teksteve. Natyrisht, nuk mungon edhe funksioni ndikues dhe ai formues në të vetimin kah, atë njerëzor.  Nuk mungojnë edhe tatuazhet e dhunës së socrealizmit edhe në tekstet e tij. Po le të kthehemi te tregimi ynë.

Trokitja e tetë

Kjo trokitje realizohet te kujtesa e subjektit mendues. Ajo del në formën e një pohimi për mosplotësinë kohore: Ende s’jam pesëdhjetë e pesë që ta di nëse është zgjuar nga gjumi dhe vazhdon të jetë mirë. Në këtë tregim të shkurtër kemi zhvendosjen nga teksti te gruaja. Ndihet pritja e ethshme e subjektit mendues. Po çfarë pret ai?! Të zgjohet letërsia e tij, të zgjohet gruaja e dashur apo lexuesi?! Ndoshta të gjitha bashkë.

Gruaja e përgjumur, apo tekstet e përgjumur shënojnë, për mendimin tonë, tekstet letrare që flenë në biblioteka dhe librari të palexuara, të pashfletuara. Pas diktaturës, në vend nisi anarkia postdiktatoriale. Libri qe i braktisuri i madh. Filloi prirja e ethshme për materialen e gjithmunguar. Njerëzit u bënë robër të sendeve. Libri u braktis. njeriu harroi të gdhëndë njeriun te vetja me daltën e librit.

Trokitja e munguar

“Nëse në gjashtëdhjetë e pesë nuk do të jetë ajo që do të trokasë tek unë, shtatëdhjetë vjeç do të martohem me një tjetër”,- thuhet në tregim. Në këtë hark kohor subjekti mendues pret që dikush të trokasë te porta e tij. Ai ka humbur disi sigurinë se Ajo mund të vijë dhe të trokasë, por ai do ta presë.

Trokitja e nëntë

Kjo trokitje bëhet në portën e absurdit. Tregimi përfundon me një thënien: Kam frikë të plakem, por sidomos kam frikë të vdes, pa pasur afër një dorë gruaje. Në këtë thënie të autorit ndihet qartë ekzistencializmi. Shpirt i ri, i pandryshkshëm, mendja e mprehtë që vlon nga idetë, gjenden të burgosur te materia memece që quhet trup, i cili është tejet i përkohshëm. Tregimi përfundon me këtë klithmë ekzistenciale. Subjekti mendues ka humbur ekulibrin trup -mendje – shpirt. Ai ndihet i brengosur dhe i burgosur në trupin e tij, në materien memece që nuk po i përgjigjet siç duhet shpirtit të ri dhe mendjes së tij që vlon nga idetë, por që nuk ka kohën e duhur t’i vërë në jetë. Ai gjendet në këtë situatë absurde. Me kohë është kujdesur për të transferuar shpirtin dhe mendjen e tij në një dimesion tjetër, nga trupi i tij i përkohshëm (burgu i mendjes dhe shpirtit të tij), te një dimesion tjetër, te librat si krijesa të paasgjesueshme. Ky është shpëtim i mendjes dhe shpirtit. Dalëngadalë autori shndërrohet në libër, metamorfoza dhe altruizmi më fisnik i qenies.

Autori është njohës i thellë i shpirtit njerëzor. Ai ndjen dhe dallon edhe vibrimet më të lehta të këtij shpirti. Gjithashtu në tekstet e tij dallohen qartë tatuazhet e dhunës që njeriu i ka shkaktuar njeriut, jashtë çdo arsyeje njerëzore. Shkrimtari Zija Çela është anëtar i denjë i Bankës së

Ankesave, ku ka depozituar dhimbjen e tij për vuajtjet, padrejtësitë, ankesat e njerëzve të thjeshtë, të cilët nëpërkëmben çdo ditë nga ata që janë persona vip të bankës së kursimeve.

Në tekstet letrare hermetike lexuesi gjatë dekodifikimit të tyre zbulon edhe njeh edhe veten, anën irracionale të tij. Ndaj kur kemi para një tekst letrar si tregimi i shkurtër “Trokitje”, krahas kënaqësisë estetike, zbulojmë edhe veten, prekim ato vise te brendësia jonë, të cilat nuk do t’i kishim njohur e prekur kurrë, pa ndihmën e letërsisë së madhe, si letërsia e shkrimtarit të shquar Zija Çela.

Exit mobile version