IMAZH VERE NË SHËNGJIN
Vajzat kanë stilin dhe mendësinë e luleve.
Kurrë nuk i shohim,
As duke çelur,
As duke u rritur…
Verë 2008
PËRPARA SE TË NDODHË
DIÇKA E KEQE
Kam dashuruar dhe më duhet të iki
përpara se të ndodhë diçka e keqe.
Nuk janë të miat mendimet që vijnë
për të më hequr lëmshin nga gryka.
Nuk janë të miat këto duar, këto gishta,
Nuk është imi jermi,
kjo fantazmë që jam
formën m’ka vjedhur.
Kam dashuruar dhe më duhet të iki
në vende të tjera, në toka të tjera,
në gjuhë të tjera, në mendime të tjera,
Përpara se të ndodhë diçka e keqe,
Përpara se të bjerë në gjunjë nëna ime
Të lutet pa shpresë
Për fajin tim,
Për hallin tim,
Për mallin tim,
Për të fajshmin mallin tim…
Oh, sa e rëndë, sa vulgare…
Të ec sërish në këmbë trotuareve,
Të kaloj sërish para “Kafe Flor”,
Ti’ jap lëmoshë të njëjtit lypës
Të hyj në të njëjtat dyqane,
Të blej të njëjtat lule,
Të ha, të pi, të paguaj…
Të shoh të njëjtin diell që skuqet e zbret kodrave,
Të dëgjoj zemrën që rreh dhe ta di
se kam qenë po unë,
se ke qenë po ti…
Kam dashuruar dhe më duhet të iki
përpara se të ndodhë diçka e keqe.
Dashuria s’mund t’ia fillojë nga fillimi.
Dashuria s’shërohet me dashuri.
Dashuria është fundi dhe s’ka gjë pas saj.
Unë jam fundi, s’ka gjë pas meje.
Qyteti më ka dhënë afat.
Ditë pas dite qyteti mbyllet
si një kopsht trëndafilash në zi.
Shumë shpejt s’do ta njohim më njëri-tjetrin
Shumë shpejt, shumë shpejt më duhet të iki
para se të ndodhë diçka e keqe
NA ISHTE NJEHERË BAJRONI
Na ishte njëherë Bajroni-
Fisnik anglez, i mërzitur,
si lulja e magjishme që s’ka dashur të ngrihet
nga amshimi.
E dinte patjetër se kotësia
është një sëmundje që kosit vrulle
dhe buzëqeshje.
Në moshë të re u nis drejt Greqisë
me ëndrrën për të zgjuar nga gjumi
perënditë e bardha të mitologjisë.
Atje dha shpirt një natë me shi,
larg, shumë larg Anglisë së tij,
Akoma më larg kohës së tij.
Me kupa të pista ia derdhën gjakun.
Oh, sërish nuk do ta shoh
kur të rimbijë si një lule e bardhë
prej amshimit.
Korrik, Greqi, 2009
KJO DITE KAQ E BUKUR
Si Atlasi në mitin e vjetër
mbaj mbi supe qiell dhe diell.
Një vesk hyjnor pa peshë, pa shpjegim
më rri mbi çerpikë,
më hyn në shikim.
E di se s’do çmendem, Cikël
por kam frikë se do çmendem,
prandaj nuk e çoj kryet, nuk lëviz.
Një ftesë zbret prej sipër…Kush do t’i përgjigjet
shndritjes së beftë të enigmës mbi kurriz.
Kjo ditë kaq e bukur…
Ajo do të ikë,
Unë do të rri këtu.
Ajo do të kthehet
dhe s’do të më gjejë.
Veç unë kam qëlluar
i papërsëritshëm.
Janar 2008
HISTORI
Duhet të ecja ngadalë,
Të kthehesha ngadalë majtas, djathtas,
Të merrja frymë ngadalë duke duruar
dhimbjet e plagës shpërndarë
qeshje me qeshje.
Çdo minutë stamponte
fytyrën tënde në fytyrën time.
Unë po zhdukesha
duke të dashur.
VDEKJA ËSHTË E ARDHMJA IME
Nuk kujtohem të kem jetuar ndryshe
në një kërcell zambaku a në një trup bardi.
Nuk kam parë gjë kur hapa sytë për herë të parë,
Nuk di ç’do të shoh kur t’i mbyll për herë të fundit.
Në një stancë të tillë hapje-mbyllje sysh
harxhohet dhuntia, leja me pa
diellin, oqeanet, tokën magjike…
Pa lajme na le krijuesi ynë
pas kësaj çudie…
Kalimtar, duke ngjitur të përpjetat e dijes,
duke ulur përditë numrin e mistereve,
është më e bukur bota, më e jashtëzakonshme.
Vështirë me besue se s’jemi shkrepje,
apo aradhë të një argëtimi qiellor.
Lartësitë e tua do të fillosh të zbresësh
në të njëjtin rruzull, kalimtar,
Atëherë kur të gjitha dashuritë, magjepsjet
me radhë thjeshtohen dhe mbetet
uji, trishtimi në damarë,
hija e blertë e amshimit në sy,
një kujtim i vjetër që s’ka përse të ndjek,
një thirrje që s’mund e s’duhet të dëgjohet,
Plaga e madhe, plaga hyjnore
që zëvendëson plumbin në rrugën drejt fundit…
Vdekja është e ardhmja ime.
Gusht 2008
FALJE GJUHES
Zëra, zëra, zëra…
Zëra ta lartë, shurdhues.
S’arrijnë të kaptojnë kurrë malin, detin.
Veç ngrihen e bien këtu se këtu
Në heshtjen tonë, në helmin tonë.
Fytyra të shprishura si topat kur shtien.
Shtjella tymi nxjerrin nga goja oratorët,
Vetëm këtu ndërtohet dhe…asgjë!
Vetëm këtu jetohet dhe …asgjë!
Vetëm këtu nuk rrotullohet globi!
Vetëm këtu feston marrëzia…
Gjithë këtë kohë vendi im është Shqipëria
me bijtë dhe bijat e veta të radhës
Goditur sekush në mënyrën e vet
nga mungesa e turpit dhe e keqardhjes.
Ikin ditët.
E shkuara mblidhet e mbetet një “Dje”.
“Dje” ka qenë dje.
“Dje” është sot.
“Dje” do të jetë nëser.
Koha jonë s’del dot prej së djeshmes.
Të vdekurit thjeshtohen me të vdekurit dhe mbeten
Shtjellat e tymit, të folurat me zë të lartë, ngërdheshjet…
Vëllezër, unë e kam të vështirë. Kam frikë
se jam me grykë, ose…jam poet.
Më fal, o gjuhë që s’i shijoj triumfet.
DHIMBJA, HIJA IME
Iki dhe dhimbja vazhdon prapa meje
ashtu siç vazhdonte para se të mbërrija
në këto brigje.
Askush nuk më di të vdekur mua.
Jam në anën e fuqisë që lidh,
e nuk shëron
plagë.
Malli nuk është për të gjallët.
Maj 2008
KOHA ME U NIS
xxx
Rrotullimi i tokës kalon me të thirrura
nën qiellin e Velës.
Zogj të vetmuar hidhen si gurë
nga hija në hije.
Djaloshi i hershëm në shpirtin tim
merr frymë ngadalë
si një shtërg i vonuar.
Është koha me u nis,
pa hartë, pa plan, pa qëllim
me çantën e mbledhur si flatër në shpinë.
xxx
Në jetë u shumëzova si lulet dhe si pemët.
Ky ishte shpërblimi im për Krijuesin.
Por, drejt më e thënë, nuk jam veçse poet,
bir i kujtdo që më njeh për bir,
vëlla i kujtdo që më njeh për vëlla,
at i cilitdo që më njeh për at…
Nuk marr përsipër çfarë nuk është
në kohën e vet. Bëj ç’më vjen.
Flas, shkruaj, parashikoj
ardhjen e dytë të Krishtit mbret.
xxx
Kur isha i ri lidhem një pakt: unë, era dhe uji.
Era e mbajti fjalën, asnjëherë s’është ndalur.
Uji e mbajti fjalën, asnjëherë s’është ndalur.
Vetëm unë u ndala, vetëm unë jetova, vetwm unw jetoj
rreth e rrotull vetes.
Shumë shpejt njoha gruan me të bukur,
Shumë shpejt u deshëm,
Shumë shpejt mbaroi… Nuk ka më
nuk mundesh më
me dhënë, me marr, me ndje dy herë
përqafimin e parë, puthjen e dytë, fëmijen e tretë.
Është koha me u nis
në rrugën e rrezeve të diellit
përpjetë.
Maj 2008
NË ÇASTIN E FUNDIT ZOTI PËRKULET
…Edhe po të mund të hiqja nga trupi
këtë lëkurë të djegshme, të vdekshme, të tretshme;
Edhe po të mund të shpleksja fije-fije
këtë karmë që jam, lule-perëndie,
kurrë s’do të mund të shihja me sy
një shenjë të vogël nga një hy.
Por zoti është, i tretshëm, i ikshëm,
Nuk më merr në zotërim, edhe pse më huan
të folurën, të menduarit dhe gjithë mundësinë
për t’iu afruar.
Në rruzullin tim, në jetën time,
Në këtë fillim e mbarim, në këtë kafaz
Unë mbaj një pjesëz të dijes nga gjithë enigma.
Një shenjë të së dukshmes nga gjithë e padukshmja.
Një formë të vdekshme nga gjithë e pavdekshmja.
Në çastin e fundit Zoti përkulet
merr gjënë e vet te unë dhe me lë
mbi supet e njerëzve veshur me të zeza.
Shtator, 2009