Kreu Letërsi Botime të reja Nabil Sulejman: “Daullja prej letre”: mrekullia e romancierit shqiptar Besnik Mustafaj

Nabil Sulejman: “Daullja prej letre”: mrekullia e romancierit shqiptar Besnik Mustafaj

(Botuar në platformën elektronike “Defāh Thālethāh” (30 dhjetor 2022)

Përktheu nga arabishtja dhe përgatiti për botim Fatrit Beqiri

Historia e muzikës na bën të ditur se daullja, ky instrument muzikor global, është shfaqur për herë të parë 6000 vjet para Krishtit. Ajo ka gëzuar një status të lartë te sumerët dhe babilonasit, veçanërisht në Shtëpitë e Urtësisë. Daullja siriane në Jarabulus (Karkamesh- qytet-shtet i lashtë i vendosur në atë që tani është Turqia jugore, përgjatë kufirit me Sirinë) ishte prej lëkure demi dhe vetëm me njëra anë. Ka shumë lloje daullesh, që nga daullja e Bajramit, daullja e pelegrinëve e deri te daullja e deveve. Gjithashtu ka edhe një larmi llojesh lëkure që përdoren për bërjen e një daulleje: Lëkurë dhie, deleje, deveje dhe lope. nuk janë të pakët ata që kanë folur për “daulle-namin”, për ta përngjasuar me cunamin, si shprehje e mbizotërimit të oshtimës së daulles kumbuese e drithëruese në kohën ton më shumë se në çdo kohë tjetër.

Nga ana tjetër, romancieri shqiptar Besnik Mustafaj na tregon për një daulle letre, por për çfarë bëhet fjalë?

Daullja si titull i romanit dhe diktaturës?

Në atë që është njohur si Pranvera Shqiptare, Besnik Mustafaj ishte një nga ata që udhëhoqi demonstratat në 1990 kundër diktaturës, me të cilën ishte njohur Shqipëria, në emër të Enver Hoxhës, që sundoi vendin nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në 1985, duke u hedhur sa në krahët e sovjetikëve e sa në të kinezëve.

Poeti Besnik Mustafaj ka pasur një karrierë të pasur politike, duke qenë deputet në Parlament, ambasador dhe ministër, përpara se të tërhiqej drejt romanit. Ai, në romanin “Daullja prej letre” (përkthyer Dar Al-Hiwar, Dar Al-Hiwar 2023) ndërton një strukturë – a mos duhet të them: një pallat magjepsës? – rrëfimesh dhe gërmimesh në historinë moderne shqiptare, kjo përmes variacioneve kontradiktore dhe harmonike në të njëjtën kohë, për daullen prej letre. Themelet e saj shfaqen që në fillim të romanit, në atë që ai e quan historia e parë, momenti vendimtar që është duke pritur Jakup Cena, me lumturi djallëzore, i cili, me daullen e tij prej letre, kthen përmbys jetën e kryeqytetit, Tiranës, kur kryen detyrën e ngarkuar nga diktatori Enver Hoxha, duke kryesuar një komision për të riemërtuar rrugët e Kryeqytetit, ndërkohë që Lufta (e Dytë Botërore) kishte përfunduar.

Jakup Cena pyet: “Pse daulle? Si janë daullet prej letre?”. Ai kujton atë që i kishte thënë Enver Hoxha, se çështja e emërtimit të rrugëve nuk do të jetë një daulle letre, “sepse ne jemi shtet tani”. Jakupi e formoi komisionin për realizimin e kësaj detyre të mundimshme, por anëtarët e tij nuk bëjnë pyetje, nuk japin këshilla dhe nuk janë kureshtarë për asgjë, por e kryejnë çdo gjë në heshtje dhe me zell. E ndërsa diktatura po shtrinte petkun e saj të rëndë, teksa burgosja e intelektualëve kishte nisur menjëherë pasi qeveria hyri në kryeqytetin e çliruar (Tiranë), Jakup Cena bëri gabimin duke zëvendësuar emrat e të gjitha rrugëve dhe shesheve. Shokët komunistë rreth tij duan të hedhin në lumin e harresës të kaluarën e lashtë të kombit, simbolika e së cilës qëndron në këmbë me emrat e vjetër, që kujtesa e re t’i ushqejë brezat e ardhshëm me emrat e rinj të kombit.

Sa për Jakupin, ai nuk guxoi të pyeste se si të dallonte pjesët e shëndosha dhe të sëmura të së kaluarës, dhe ishte ai vetë që i përçmoi dy tiparet e guximit dhe besnikërisë, të cilat Enver Hoxha i trumbetonte në radio, duke i shpallur ato si dy virtytet më të mira në sytë e popullit shqiptar. Por Jakup Cena e sheh këtë popull sa të sinqertë dhe entuziast, aq edhe të çmendur. Ai e di që nuk është verbërisht trim, por nuk do të guxojë ta deklarojë. Dhe me ironinë kaustike që do të karakterizojë të gjithë romanin, si ajo e Kafkës herë pas here, turmat dynden dhe secila kërkon emrin e një rruge apo sheshi në emër të të afërmit të dëshmorit, ndërkohë që Jakup Cena gjykon për gabimin e atyre që e zgjodhën atë në këtë detyrë. Ai është i bindur se nuk do të dalë prej këtij gabimi dhe se është çmendur. Dhe historia e tij përfundon me të qeshurën nga daullja prej letre.

Në historinë e dytë në vazhdim të romanit, fshati i Selimit, i cili nuk është komunist dhe nuk dëshiron t’i ndodhë ajo që ndodhi në historinë e daulles prej letre, feston ditëlindjen e shtatëdhjetë të Stalinit në vitin 1949. E si qëndron puna me këtë histori?

Partia në fshat mendon t›i dhurojë Stalinit një qilim për ditëlindjen e tij. Por Selimi përgjigjet se Stalini ka qilima që mbulojnë Evropën, Azinë, Amerikën, madje edhe Afrikën. Të tjerët menduan t’i dhuronin një revolver. Dhe Selimi u përgjigj duke pyetur: A duan shqiptarët të mbrojnë Komunizmin me armë përkrah udhëheqësit të tyre? Më pas, Selimi sugjeron që dhurata të jetë shoqja Sekretare e Rinisë Komuniste. Me të babai ynë Stalini do të jetë njëzet vjet më i ri, dhe shoqja do të kryejë mrekullinë e rikthimit të rinisë tek Stalini, aq sa të varrosë të gjithë kundërshtarët e tij globalë. Ndërsa të tjerët mendonin se Selimi po tallej, historia e daulles së letrës u përsërit mes Selimit dhe sekretarit të parë, për të arritur në përfundimin se fshati nuk e dërgoi dhuratën e tij si pjesa tjetër e vendit, për fajin e armikut të popullit, Selimit, i cili e pleksi veten me çështjen e ngatërruar të një daulleje prej letre.

Në thuajse një përrallë, siç shprehet rrëfyesi në lidhje me historinë e tretë, romani vazhdon në një fshat tjetër të maleve të Tropojës, ku profesor M. B. u thotë nxënësve të tij të klasës së parë se kujt i pikon një njollë boje nga pena në fletore, po tradhton Partinë dhe kombin. Kështu nxënësit kishin filluar  t’i kontrollonin penat e tyre për të zbuluar komplotin e armikut. Penat me majë të ndryshkur, të përdredhur dhe që rridhnin bojë u grumbulluan në tryezën e profesorit. E ndërsa nxënësve u kishte thënë se ishte duke bërë shaka, shakaja e tij u bë shakaja e shekullit, e cila përkoi me një spastrim të madh në majën e piramidës së Partisë dhe shtetit. Enver Hoxha mbajti një fjalim duke lavdëruar profesorin, gjë që i ngjalli frikë dhe dyshime, se ai ishte shpallur hero në fshatin e tij dhe nuk guxonte më ta quante shaka shakanë. Kjo shaka është shkruar, pasi personazhi i saj ishte në krye të një rrjeti aktiv në mbledhjen e informacionit në Jugosllavi, dhe nofka e tij ishte “Daullja prej Letre”.  M. B. nderohet dhe Enver Hoxha  i shkruan një letër. Ai gjithashtu kalon një muaj në bregdet në Shtëpinë e Pushimit të Punëtorëve të dalluar. Por dyshimet e tij për atë, Mersinin, me të cilin ndante dhomën e shqetësojnë dhe ai e quan shokun e dhomës “Daulle prej Letre”. Kur kthehet në fshat, kolegët e tij duket se i frikësohen. Kështu që ai nuk i përballon dot shqetësimet dhe shkon te Sigurimi, me qëllim që të denoncojë veten, por ai u ndesh me atë që e bëri të largohej i lumtur. Sepse atje mori vesh se ai nuk ishte fajtor dhe mendoi: “Do të vazhdosh rolin tënd si udhërrëfyes për daullen tënde prej letre”.

Diktatori i shkruan shpesh letra ndonjë të panjohuri ose takohet me të. Letra ose takimi me të panjohurin e kthen këtë të fundit në një hero të një tregimi dhe personalitet në një fshat, institucion apo… Këto të gjitha u bashkuan te fshatari Nikollë Loka, pas vdekjes së vajzës së tij shtatëmbëdhjetë vjeçare, Lulja, në një aksident gjatë punës vullnetare. Nikolla nuk besonte se Shqipëria do të përparonte falë punës vullnetare. Kur mori letrën nga Enver Hoxha, ndërkohë që nuk dinte shkrim e këndim, shtëpia e tij u mbush me drejtues të Partisë dhe me të filluan intervistat për shtyp. Ai u thirr me nderime që të takonte Enver Hoxhën, i cili i tha: “Lulja të bëri ty babanë e gjithë brezit tonë të ri”.

Një grup të rinjsh ndërtuan një shtëpi të re për babanë e heroinës. Për këtë u shemb kisha dhe gurët e saj u përdorën në ndërtimin e kësaj shtëpie dhe në zgjerimin e Shtëpisë së Kulturës. Në festën e organizuar për këtë arritje, në Shtëpinë e Kulturës ishte varur një pikturë që tregonte një burrë duke i rënë daulles dhe nën të shkruhej: Lajmëtari i Gëzimit. Një nga personazhet e kësaj historie është poeti Frederik Shtepani, të cilit i ka humbur busulla, por nuk është i çmendur dhe gjuha e tij është e helmatisur. U shqetësua se vetëm kryeministri Shehu nuk i dërgoi telegram ngushëllimi. Prandaj ai nisi ta lavdëronte atë, gjë për të cilën u kritikua me butësi, dhe iu tha: “Shqipëria ka vetëm një udhëheqës, shokun Enver”. Kur kryeministri Shehu kreu vetëvrasje, Nikolla i tha fqinjit të tij se Shehu kishte qenë armik i Partisë. Fqinji i tij e këshilloi të heshtte, por ky i ishte përgjigjur se ishte i sigurt për këtë. Kështu që ai u mor pas një kohe si i implikuar në komplotin e Shehut dhe nuk u kthye: Pse nuk e informove Partinë për atë që ishe i sigurt?

Asnjë nga personazhet e romanit të Besnik Mustafaj “Daullja prej Letre” nuk është më efektiv dhe më i ndërtuar se tjetri. Dhe nëse fatkeqësia më e madhe është ajo që të bën të qeshësh, atëherë të gjithë personazhet në roman janë të përbërë nga ironia tragjike. Kemi personazhin e Neki Palushit, inspektori në drejtorinë e drithërave të bukës, i njohur si Gjeneral-Misri. Në festën e njëzet e pesë vjetorit të çlirimit të atdheut dhe fitores së pushtetit popullor, në prani të ministrit, ai mburret me ushtrinë e tij prej misri. Megjithatë, ai nuk kërcënon me grusht shteti, dhe deklarata të tilla si Ushtria jonë është një ushtri revolucionare, e udhëhequr drejtpërdrejt nga Partia dhe ka vetëm një ideal: Mbrojtja e atdheut dhe begatimi i jetës së popullit. Ai nuk është një bandë që mendon vetëm për grusht shteti, por fjalët e tij bënë që të përjashtohej nga festa. Paskëtaj njerëzit filluan t’i shmangeshin dhe gruaja e tij pa në ëndërr se ai kishte varur një daulle të çuditshme prej letre në qafë, dhe u frikësua për këtë. Por ai e siguroi se e kishte sjellë daullen e madhe prej letre nga Bashkimi Sovjetik dhe e kishte ruajtur për këto ditë të zeza.

Neki Palushi u arrestua dhe rrëfeu, me vullnetin e hetuesisë, komplotin e tij kundër shokut Enver Hoxha dhe të vetmin mision që kreu i porositur nga punëdhënësit e tij në Moskë, ku doli në fushat e kooperativës në verë, duke mbajtur një daulle prej letre, duke pretenduar se ishte e dobishme për të thirrur shiun, por qëllimi i Palushit ishte të sabotonte edukimin materialist që zhvillonte Partia me fshatarësinë revolucionare.

Në një histori tjetër  vjen miku i të burgosurit Neki Palushi, evgjiti Hekuran Romalini, i cili i vë emrin Mao Ce Dun djalit të tij. Dhe i shkruan ambasadorit kinez lidhur me refuzimin e regjistrimit të emrit të djalit të tij. Ambasadori vizitoi fshatin e tij, evgjitit iu dha një apartament dhe u organizua një festë e përvitshme me rastin e ditëlindjes së fëmijë. Evgjiti dinak filloi t’i shiste mobiljet e banesës çdo vit dhe jetonte në shtëpinë e tij të përkëdhelur. Ai u dërgua edhe në një delegacion punëtorësh shqiptarë për të marrë pjesë në festimet e 1 Majit në Kinë. Kështu që kur Mao vdiq, evgjiti nuk donte ta thërriste më fëmijën e tij Mao Ce Dun.

Historia e evgjitit është thuajse një gjuhë përqeshëse dhe tallëse me burokracinë partiake. E të njëjtës formë vjen historia, në fillim të së cilës gjyshi i thotë nipit të tij se një burrë endej rrugëve me një daulle letre. Një hoxhë e pyet për dobinë e daulles dhe i vjen përgjigjja: Unë i bie çdo herë që takoj një hoxhë që bën mirësira. Kur hoxha i thotë se daullja ishte prej letre dhe çahet, burri  daullexhiu i ishte përgjigjur se nuk e dinte, se s’kishte pasur rast t’i binte kurrë.

Ashtu si në Procesin e Kafkës, edhe në këtë roman emri i personazhit përsëritet duke u mjaftuar me inicialet e tij. Sh. K. në këtë rrëfim ndërmjetëson për djalin e çmendur të arrestuar të fqinjëve të tij. Dhe Kryeministri i përgjigjet se çmenduria është bërë mbulesë për të shpëtuar nga ligji dhe se: “Diktaturat e djathta i kanë mbushur vendet e tyre me çmendina dhe kanë burgosur në to shumë kundërshtarë”. Ai do të theksojë gjithashtu se njerëzit nuk kanë të drejtë të humbasin mendjen në një shoqëri si e jona. Sh. K. i shtohen pyetjet nëse daullexhiu i rrugës ishte i çmendur? Pse të çmendurit flasin vetëm për politikë, e na shajnë neve? Pse çmenduria e tyre nuk i shtyn të na lavdërojnë? Pse duhet të jenë të shëndoshë mendërisht ata që përshkojnë rrugët me daulle prej letre në qafë dhe shajnë pushtetin? Sh. K. e mbyll këtë histori duke i thënë të birit se të çmendurit e vërtetë janë ata që nuk shanjnë, por lavdërojnë sistemin gjatë gjithë kohës. “Ama, do të ishte një gabim i rëndë që të merreshin për të çmendur të gjithë ata që nuk shanin….”

Besnik Mustafaj e ka bërë rrëfimin një strategji artistike për romanin e tij, duke na kujtuar Një Mijë e Një Netët, ku romani ndonjëherë duket sikur përbëhet nga kapituj që kanë lidhje me njëri-tjetri, dhe shpesh histori të ndërthurura ose të riprodhuara. Besniku e ka bërë edhe daullen prej letre organizatorin e romanit dhe titullin e diktaturës, por ata – organizatori dhe titulli – turpërojnë dhe ekspozojnë partishmërinë e verbër, burokracinë e shurdhër dhe gjithçka që shtrembëron shkëlqimin e njerëzimit.


*Nabil Sulejman është romancier dhe eseit i njohur sirian, autor i më shumë se 30 botimeve.

** “Defāh Thālethāh” është platformë shumë e rëndësishme, botim i grupit mediatik “Al-Araby Al-Jadeed”, ku shkruajnë një pjesë e mirë e penave më të shquara bashkëkohore arabe lidhur me letersinë, artin, kinematografinë dhe kulturën në përgjithësi.

Exit mobile version