Kreu Letërsi Bibliotekë “Melankoli”, poezi nga Sonila Strakosha

“Melankoli”, poezi nga Sonila Strakosha

Më ka marrë malli

Më ka marrë malli për pak trotuarë
Për të dielën e Tiranës me tinguj qetësie
Nostalgjia kthen kokën vite më parë
Dhe unë dalloj aromë Tirane vogëlie.

Jam pak nostalgjike këtë s’e mohoj
Por nuk është veç kaq që ma merr shikimin
Sytë më mbetën pas s’po dua t’i ndaloj
Këtu më janë lodhur ndotur nga pluhuri

Më ka marrë malli për pak vogëli
Pështjellim ëndrre dhe zë fëmije
Atëherë kur s’dija të lodhja arsyen
Atëherë kur vija vathë prej qershie

Më mungon diçka prej asaj Tirane
S’po hyj në debate, ndryshim shoqëri
Më dhemb në shpirt një si britmë fëmije
Ajo që ngazëllehej nga ngjyrat bardhë e zi

Një pjesë e shikimit shpesh kthehet prapa
Ka nevojë për shplodhje për pak lehtësi
Kur rëndohen vitet rëndohet dhe trupi
Nga dhjami i kohës ngjeshur fort tek ti

Gjysma e vështrimit nuk e do të tashmen
Shpreson budallaqja prehje diku pas
Beson tek nostalgjia që vjen erë të butë
Por tradhtare e fshehtë di dhe të të vrasë

E di, mungesa ndonjëherë shpon sytë
S’i ndahet dot fëmijës, botës së përrallave
Trupi në të tashmen ndërtuar me kulla
Shpirti endacak luan trotuarëve.


Melankoli

Diku larg a diku afër
Ish diçka që më ngacmonte
Luhatje ere o puhizë deti
Ose ndoshta qenë tinguj kënge
Këngë kënduar në vetmi
Në qetësi të ëmbla nate
Tinguj të fshehtë, dridhje shqisash
Zë i afshtë i një jehone.
Diku larg a diku afër
Një marrëzi ish që më shqetësonte
Zhurmë guacke a përplasje ere
S’di të them saktë se çfarë ishte
Mund të qe flakësi perëndimi
Bardhësi hëne, kish mundësi
Ndoshta ish veçse një ëndërr e dehur
Që u fundos detit në përjetësi.


Ndryshimi

Nuk di më sa vjeshtë kam parë të mbërrijnë
E befas tek unë ngacmimin të zgjojnë
Sa herë i kam soditur më pas tek shkojnë
Kur natyra nis të sajën çehre të ndryshojë
Po ashtu dhe pranverat t’i numëroj kam harruar
Shumë prej tyre as që më kujtohen më
Kam fiksuar vetëm ndjesinë e veçantë dhuruar
Prekje risish provuar heshtazi pa zë.
Nuk kuptohej natyra kur pamjen ndërronte
Pa u ndjerë përtërihej, ngdalë si zakonisht
Më kujtohet veç mrekullia që më shkaktonte
Ndjesi e çuditshme tek afrohej ëmbëlsisht.
Përkëdhelja aq e butë e çdo afrimi stine
Më ngatërronte keqas në valëvitje hutimi
Kujtoj ngasjen e fshehur tek ndieja ndryshimin
Mbaj mend gjithashtu dhe pak trishtim largimi.


Braktisje

Mbylla valixhen gishtat i pushtoi dridhja
Pak veshje, ndërresa, dy tre fotografi
Lashë pas muret hodha hapat të ikja
Trupi largohej, mendja ngjitur derës gri.

Pak gjëra mora palosur shpejt e shpejt
Nuk rëndonin rrobat ish plumb braktisja
Dorën ma vrau me paradoks largimi
Shpirtin brava që mbyllej dhe ajo gërvishtja.

Apartamenti vishej nga ngjyra të ndryshme
Por mua më ish ngulitur veç trishtim gri
Aty tek heshtja e tij filloi të ndihej ndarja
Pas portës së mbyllur rënkonin hapat e mi.

Këmbët ecnin larg e sytë mbetën pas
Rëndonte një hutim, një pakuptimësi
Mobiljet e njohura me stilin modern
Nuk qenë më të miat, m’i mori dera gri.

Pesha nuk më lodhte pothuajse fare
Veç ca tesha të rastit, nje grusht fotografi
Qëndronte dot brenda valixhes e shkuara
S’e kisha më me vete, ma vodhi porta gri.


Përjetim

Parajsë e natyrës m’u shfaq përpara syve
O ndoshta ish ferri që bukur më ngacmonte
Një lajkatim që shkakun merrte prej të dyve
Qe ndjellje e fortë për të qenë pa mëkate
Diçka më tundonte, diçka më qetësonte
Nuk ish as zjarr, as hënë, as qetësi, as dritë
Ish prehje e shqisave me diçka mistike
Ngatërrim ndjesish më ngjallte frymëzim
Ashtu më shëmbëlleu mua ato çaste
Një dyjëzim parajse a frikësi tundimi
Një det i trazuar, melankoli vjeshte
Natyra kish brenda ëndrrën dhe zhgënjimin
Kushedi pse mendimet keq m’u ngatërruan
Isha veç një trup prej nga fliste shpirti
Mendimet u dehën nuk po rehatonin
M’u duk se qeshë një shpirt maskuar me veshje trupi.

Exit mobile version