Kreu In memoriam Mimoza Hasani Pllana: Thoma Kacori në kujtimet e bashkëshortes, Violetës

Mimoza Hasani Pllana: Thoma Kacori në kujtimet e bashkëshortes, Violetës

Violeta Kacori, gruaja e profesorit të parë të gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes, Thoma Kacori, ishte një zonjë e rrallë që kontribuoi për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Sofje paralelisht me bashkëshortin. Që kur u njoh me Thomain mësoi gjuhën shqipe për të komunikuar fillimisht, dhe më pas, për t’ia redaktuar përkthimet e bashkëshortit nga gjuha shqipe në gjuhën bullgare dhe anasjelltas. Zonja Violetë, e diplomuar në studimet e muzikës klasike këndoi këngët shqipe krahas atyre bullgare në skenën artistike deri në fund të karrierës. Nga muzika shqipe, pëlqente serenatat korçare të cilat për të ishin më të veçantat si për tekstin, ashtu edhe për muzikën. Si bashkëshorte, Violeta Kacori, njohu mirë kulturën dhe traditën shqiptare dhe ndonëse e lindur dhe e rritur në një kulturë tjetër, ajo i respektoi dhe çmoi vlerat tradicionale shqiptare. Adhuronte veshjet, ushqimet dhe takimet me familjarët dhe miqtë e Thomait, të cilëve me vullnet iu kushtonte kohë të çmuar nga jeta e saj. Gjatë një bisede që realizuam bashkë në ditët kur po ndiqja programin e studimeve doktorale në Sofje, me mallëngjim më tregonte për shtëpinë madhështore ku jetonte me Thomain. Thoshte se shtëpia ku jetonte Thomai i përkiste familjes së nënës së tij, gjegjësisht gjyshit Petro Qiriazi. Këtë shtëpi-pallat e kujtonte me mallëngjim dhe e përshkruante me një varg mbiemrash të bukur. Thoshte se ishte shtëpi e bukur, shtëpi e madhe, ishte më e dalluara në lagje, çatia e saj qëndronte mbi të gjitha çatitë, andaj fqinjtë e quanin Qiriazi Palace – Pallati Qiriazi.  Në të njëjtin pallat, vetëm se të rinovuar, jetonte zonja Violetë në kohën kur u takuam në dimrin e 2018-ës, saktësisht në muajin shkurt, me ndjesinë e pranverës në ardhje.

Në janar dhe shkurt 2018, bashkë me zonjën Violetë takoheshim në kafenenë e njohur në qendër të Sofjes, Café Wien. Aty bisedonim për historinë e kafenesë vieneze e cila gjindet afër katedrales Aleksandër Nevski si dhe bazilikës së Shën Sofisë. Kafeneja ishte e hapur në pikën më të lartë të një rruge në formë kodrine në mes të së cilës gjindej edhe Opera e Sofjes, jo më larg se 100 metra nga kafeneja e veshur me orendi druri dhe lëkure ngjyrë kafe. Karrikat dhe divanët prej lëkure na krijonin komoditet për të qëndruar gjatë aty e për të ndëgjuar rrëfime mbresëlënëse nga zonja Violetë. Pas pak muajsh, zonja Violetë më ftoi që ta vazhdonim bisedën tonë në pallatin Qiriazi, si një mjedis që ishte më i përshtatshëm për ne, por edhe për vajzën time të vogël, Dëborën, larg së cilës nuk mund të rrija shumë gjatë.  Aty filmuam bisedën tonë, për jetën me Thoma Kacorin, në Bullgari dhe Shqipëri. Folëm për veprën, kohën e shkrimit, redaktimet, përkthimet, botimet, çmimet, mirënjohjet, komunikimet me publikun, intervistat dhe shumëçka që lidhej me veprimtarinë letrare dhe kulturore të profesor Thoma Kacorit në Sofje. Violeta ishte personi më i afërt i profesorit, jo vetëm bashkëshorte, por edhe përkthyese, daktilografiste më e shpejtë se profesori (thoshte ajo) dhe madje redaktore e veprës letrare në gjuhën bullgare. Mbi bazën e këtij kontributi, kuptohet se zonja Violetë ishte e integruar dhe pjesë e suksesit të kontribuesit të madh të institucionalizimit të gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes.

Zonja Violetë, me shumë emocione bisedonte për të kaluarën e saj, por meqë interesimi im ishte rreth kontributit të Thomait për kulturën dhe letërsinë shqipe në Sofje, ajo fokusohej vetëm në të kaluarën nga dita e njohjes me Thomain e tutje. Kujtimet e saj për Thomain, djalin shqiptar që e njohu në aktivitete kulturore në qytetin Veliko Tërnovo, ishin akoma të freskëta, sikur të kishin ndodhur dje. Ajo kujtonte çdo detaj nga ditët e para të njohjes dhe lidhjes mes tyre në një aktivitet muzikor në qytetin e saj, Veliko Tërnovo, ku Thoma Kacori kishte shkuar me miqtë nga Sofja për ta ndjekur aktivitetin. Zonja Violetë, ishte pjesë e programit me një pikë muzikore, këngë klasike bullgare. Ato ditë, këngës së saj iu bashkua djali shqiptar nga Sofja për të mos iu ndarë deri në fund të jetës. Zonja Violetë, rrëfente me mall dhe pasion për jetën e tyre shoqërore e familjare, saqë regjistruam bisedën për një dokumentar special dhe monografi për ta shënuar njëqindvjetorin e lindjes së profesorit Thomai. Pra, në vitin 2019, po punonim për këtë muaj, mars 2022.

Në vitin 2021, u ktheva në Sofje dhe kërkova ta takoja zonjën Violetë për t`ia prezantuar punën që kisha realizuar lidhur me dokumentarin dhe monografinë. Ajo nuk u përgjigj. Prita disa ditë dhe e telefonova sërish, telefoni ishte i mbyllur. Për mua ishte e habitshme, meqë çdo herë hapte telefonin që në cingërrimat e para. Kujtova se ishte e zënë dhe prita. Sërish, duke kujtuar komunikimin që kishim, nuk isha e qetë dhe telefonova një miken tonë të përbashkët për ta pyetur nëse ishte dëgjuar apo takuar me zonjën Violetë meqë ishin dita ditë të rënda për socializime si pasojë e pandemisë COVID 19. Ajo më dha lajmin e kobshëm që nuk e prisja se zonjën tonë të dashur, Violeta Kacori, e kishim humbur përgjithmonë nga virusi Sars COVID 19.

Exit mobile version