Kreu Letërsi Bibliotekë Roxane Gay: Gra të vështira

Roxane Gay: Gra të vështira

American writer, professor, editor, and commentator Roxane Gay is photographed for People Magazine on June 1, 2017 in Los Angeles, California. (Photo by Koury Angelo/Contour by Getty Images)

Gratë e shpenguara

Kë nuk adhuron kurrë një grua e shpenguar: nënën e saj

Ajo po përpiqet të vrasë nënën e saj, ose, të paktën, ato pjesë të nënës që i fshihen nën lëkurë. Kur hap këmbët shpreson që largësia mes saj dhe nënës do të jetë edhe më e habitshme. E bën këtë, sepse ajo kujton më tepër se duhet; nëna e saj e zbehtë dhe e brishtë, e kërrusur nga tulet e babait të saj, trupi i tij mishtor, kërkesat e tij prej burri të majmur.

Aty ku jeton një grua e shpenguar

Apartamenti i saj është i pastër, i shndritshëm dhe i rregulluar më së miri edhe pse shtëpia e saj nuk duket nga ato ku ka jetuar ndokush. Aty gjen tregues për mënyrën e saj të jetës, por asgjë më shumë. Ajo s’qëndron kurrë në një vend për shumë kohë. S’ka nevojë ta bëjë këtë. Kur i shkojnë për vizitë zotërinjtë, zërat e tyre kumbues jehojnë në të gjithë hapësirën e pastër, të shndritshme dhe të zbrazët. Në hyrje të korridorit mban një gravurë, bardhë e zi. Ndonjëherë, ndërsa po largohet, ndonjëri prej këtyre zotërinjve vizitorë sheh me kureshje gravurën, duke u përpjekur të kuptojë çfarë kuptimi ka pamja e saj. Ajo në të tilla raste thjesht vëzhgon, duke i qëndruar pranë, me një rrobë dhome të hedhur mbi trup. Ja, do të vijë çasti kur ai të thotë, “Sa e bukur! Por cili është kuptimi i saj?” Kurse ajo thjesht do të buzëqeshë.

Si dëshiron të preket një grua e shpenguar

Dikur njohu një djalë. Ajo ishte njëzet e tre vjeçe dhe ai kishte të njëjtën moshë. Ai ishte i sinqertë dhe ajo s’dinte çfarë të bënte me këtë cilësi të tij. Ajo i kishte mësuar tashmë rreziqet që vijnë nga sinqeriteti. Ai i tregoi se çfarë ndjente në të vërtetë. Ai e pyeti se cila ishte dëshira e saj. Ai e preku qëllimisht me duar, butësisht por fort. Kur ajo u shtri poshtë trupit të tij, ajo u harkua në gjoksin e tij me dëshirë, ndjeu ngrohtësinë e vendeve ku trupat e tyre takoheshin. Ishte më shumë sesa kishte menduar. S’po e besonte që po ndodhte në të vërtetë. Më pas ajo ia theu zemrën. Kur ajo mbyll sytë, kujton gishtat e tij që e prekin në shpinë.

Si ulet në bar një grua e shpenguar

Pa teprime është ajo që ato e quajnë më së shumti një super sallon: shumë karrige të ulëta të veshura me lëkurë, drita të zbehta, pije të kushtueshme. Pajisjet elektronike kumbojnë me anë të folësit me volum bezdisës dhe ka një kod veshjeje, veçanërisht për meshkujt, kështu që ata gjithmonë veshin xhaketat e tyre më të mira, nganjëherë vënë edhe kravatë. Këpucët i kanë të lustruara mirë dhe u shkëlqejnë, ashtu si flokët. Kanë emërtesa të pozicioneve të punës që shpesh përfundojnë me -er. Ndonjëherë ajo shkon në sallonin e pritjes me njerëz të cilët mund të quhen miq edhe pse ata dinë shumë pak për të. Ajo ulet diku ku bie në sy duke u hequr indiferente ndaj atyre që në të vërtetë e shohin. Rri këmbë mbi këmbë dhe prek herë pas here pulpat e këmbëve. Ajo nuk të shmang. Nuk përpiqet të duket sikur e vret mendjen qoftë edhe për gjënë më të vogël.

Çfarë sheh në pasqyrë një grua e shpenguar

Asgjë. Nuk sheh fare. S’ka nevojë të shohë. Ajo e di saktësisht se kush është.

Gratë e ftohta

Si u bë e tillë

Në klasën e dytë, ajo gërvishti gjurin kur po kthehej nga shkolla në këmbë për në shtëpi veshur me një fund stofi me kuadrate dhe sandale me rripa. Ndërsa u ul në banakun e kuzhinës, duke parë sesi nëna e saj ia mjekon plagën me alkool, për të mbajtur të pastër ajo tha se s’donte asgjë tjetër përveçse ta ngacmonte fort plagën, për të parë se sa shumë mund ta lëndonte veten.

Kë mban rrotull vetes?

Ka të shoqin dhe një fëmijë dhe i do ata në mënyrën e saj edhe pse të dyve u pëlqen të bëhen bashkë kundër saj. I thonë se tregohet e ftohtë. Është ajo kundër tyre. Kjo e tërbon por ajo s’thotë asgjë. Buzëqesh gjakftohtë. Natën, i shoqi shpesh përpiqet ta bëjë të tijin, por ajo kthehet në anën tjetër, ose i ngul thonjtë në kyçet e duarve ndërsa e shtyn të largohet. Ai i keqkupton motivet e saj dhe kur luan golf me miqtë e tij, pi duhan dhe birra, duhmën e të cilave ka qejf ta sjellë në shtëpi, atij i pëlqen të thotë se nuk e gjen gjë një njeri si ajo të rrahur me vaj e me uthull. Ai s’e tradhton, para së gjithash sepse është shumë i zënë me punë dhe e do të birin siç i takon një babai, por i frekuenton lokalet e striptizit dhe duhmën e këtyre vendeve e sjell gjithashtu me vete në shtëpi. Natën, ajo ndjen një djegie në gjoks ndërsa përpiqet të mbajë frymën.

Çfarë vesh një grua e ftohtë

Çdo ditë, ajo zgjohet në orën 5 të mëngjesit dhe vrapon derisa t’i duket sikur trupi do t’i shpërbëhet. Të gjithë i thonë se duhet të marrë pjesë në maratona, por ajo s’e kupton pse duhet bërë diçka e tillë. S’ka nevojë të vërë një numër atleteje në gjoks për t’u ndier e vlefshme. Jeton në fshat. Mund të vrapojë aq sa ka dëshirë. Po të dojë mund të vrapojë më shumë se 26.2 milje. Mund të bëjë çdo gjë. Vrapon thjesht se i pëlqen. Vrapon sepse e do trupin e saj, fuqinë e tij, faktin që ai e ka mbrojtur atëherë kur ajo ka patur nevojë më shumë se kurrë për ndihmën e tij. I pëlqen të veshë rroba të ngushta që nxjerrin në pah muskulaturën, këmbët e dobëta, lakoret e buta të pulpave, rrafshësinë e barkut. Kur ndjen shikimin e njerëzve, kujton lirinë e të vrapuarit dhe e di se s’do të heqë dorë kurrë.

Çfarë ndodhi kur i vdiq e ëma

Ishte shtatzënë dhe priste të lindte me sot me nesër. Barku i është fryrë, pamje kjo jo e zakonshme. I telefonuan por ajo s’lëvizi, më pas, ndenji duke dëgjuar zilen e telefonit, pa mundur të lëvizte. Uji rridhte i nxehtë në lavamanin e kuzhinës dhe ajo vriste mendjen më kot nëse do të ndalej ndonjëherë pa e ndalur kush. Shkoi në spital duke e ngarë makinën ngadalë, ndërsa barku i fryrë i fërkohej te timoni duke i shkaktuar dhimbje. Ajo s’iu përgjigj të shoqit kur e mori në telefon. Gjeti trupin e nënës së saj, të ngurtë dhe vetëm, të mbuluar me një çarçaf blu, kaq të qetë. E shpërfilli infermieren ndërsa vajti menjëherë te nëna. Barku i ngrihej dhe i ulej ngjitur me lëkurën e ftohtë të nënës. Rreth e rrotull u mblodhën shumë njerëz, u përpoqën ta shkëpusin prej saj, por ajo s’e la nënën e saj vetëm.

Ku shkon natën një grua e ftohtë

Ka vende ku shkojnë njerëzit që kanë të fshehta dhe ajo ka të fshehta. Ka kaq shumë sa nganjëherë duket sikur ato do ta mbysin. Shkon në vendet ku shkojnë njerëzit që kanë të fshehta dhe pret.

Gratë e çmendura

Pse një grua e çmendur keqkuptohet

Filloi me një telefonatë, pas tre takimeve të dashurisë, pas të cilave ajo i vente pas për në shtëpi ku ata bënin seks, jo ndonjë gjë e paharrueshme, por që në përgjithësi, ishte diçka që mjaftonte. Hëngrën mëngjes në lokalin ngjitur me shtëpinë. Ai hëngri vezë, të fërguara. Ajo hëngri petulla, të mbytura në në shurup dhe gjalpë. “S’mund ta besoj që je nga gratë tokësore që hanë,” tha ai. “Ti je thjesht ëndërr e pabesueshme.” Ajo i buzëqeshi. Aroma e panjës e ngacmoi në hundë. Kur u ndanë, ata u puthën gjatë dhe fort, duke thithur buzët e njëri-tjetrit. Ndodhi orë më vonë, në apartamentin e saj, ku ajo u kujtua që kur ishte larguar kishte harruar çantën e dorës në divanin e tij. I telefonoi dhe ai nuk iu përgjigj. Ajo kishte dokumente të rëndësishme në të bashkë me iPad-in, s’mund të bënte sikur s’i kishte lënë aty. Ajo i telefonoi vazhdimisht dhe ai këmbënguli të mos i përgjigjej. Ai i telefonoi një mikut të tij dhe i tha, “Është një kurvë e çmendur që më merr në telefon çdo minutë.” Ajo i shkoi në apartament dhe, kur ai hapi derën, tha, “Ja ku u ktheve sepse jam usta në shtrat. Ajo hodhi vështrimin rreth e rrotull dhe tha, “Jo dhe aq,” dhe bëri me shenjë nga çanta e saj, e cila ishte pikërisht aty ku e kishte lënë. Ai u skuq në fytyrë ndërsa ajo rrëshqiti anash tij, rroku çantën dhe doli jashtë, me kokën lart.

Për çfarë flet një grua e çmendur në një seancë terapie

Zyra e terapistit është e vogël, kaq e vogël sa mund ta çmendë një grua. Kur ajo dhe terapisti ulen përballë njëri-tjetrin në divanin e vogël, gjunjët e tyre në të vërtetë preken. Kjo e bën të struket, por s’ka çfarë të bëjë. Ka nevojë të flasë me dikë. Ka nevojë për dikë që ta dëgjojë, ta kuptojë. Kishte nevojë për ndihmë. Ka provuar shumë terapistë. Njëri i tha se ajo ishte shumë e bukur për të patur probleme të vërteta. Një tjetër i tha të gjente një burrë të mirë. Ajo e dinte se me këtë terapist s’e kishte të gjatë. Në fund të takimit të saj të parë, pasi ajo listoi një për një gjithçka që kushdo që do ta dëgjonte do t’i ikte mendja, ai i dha një pyetësor prej katër fletësh të kapura me kapëse letre. Ishte pyetësor i detajuar me kujdesin që tregojmë për veten dhe kjo ndodhi pasi ajo i kishte thënë se nuk besonte se terapia e vetafirmimit ishte e dobishme. Ia dha gjatë vizitës së dytë. Ai e pyeti nëse i kishte plotësuar fletët e pyetësorit dhe ajo iu përgjigj: “Kam qarkuar numrin një në të gjitha pyetjet.” Ai u përkul përpara. Ajo mund të shihte habinë e fytyrës së tij thatanike dhe tullën e kokës së tij pa flokë. “Pra doni të thoni se nuk hani asnjëherë sipas një orari të rregullt regjimi të ushqyeri?” Ai mbërtheu vështrimin tek ajo, duke ngritur vetullat nga habia. Por nuk iu shmang kurrsesi vështrimit të tij zhbirues.

Çfarë mendon një grua e çmendur kur shëtit në rrugë

Përpiqet të mos ecë më shpejt se duhet por as tepër ngadalë. Nuk dëshiron aspak të tërheqë vëmendjen. Shtiret sikur s’i dëgjon boritë, fishkëllimat dhe komentet e ndyra. Ndonjëherë i harron të gjitha këto dhe del nga shtëpia me një fund ose me një fanellë pa mëngë sepse është ditë e nxehtë dhe dëshiron të ndjejë ajrin e nxehtë në lëkurën e saj të zbuluar. Por s’kalon shumë kohë që t’i kujtohen. Çelësat i mban në dorë, tre prej tyre mes gishtave, si një thua bezdisës. Sheh dikë në sy vetëm kur kjo është e pashmangshme dhe nëse një burrë ia ngul sytë, ajo ngre mjekrën, e bindur që muskujt e nofullave të saj dallohen qartë. Kur lë punën apo largohet nga bari vonë, merr në telefon shoferin e një taksie dhe pasi makina e lë afër banesës së saj, hedh një vështrim të shpejtë rreth e rrotull në rrugë për t’u siguruar se nuk ka rrezik nëse e përshkon në këmbë largësinë nga rruga tek dera. Ia tregoi një herë të dashurit këto përjetime dhe ai i tha, “Paske lojtur nga mendja.” Kur ia tregoi një kolegeje të re të saporardhur tek vendi i saj i punës ajo i tha, “Zemër, nuk je e çmendur. Je grua.”

Çfarë ha një grua e çmendur

Është e vështirë të kujtosh shijen e kremit, gjalpit, kripës. Në kuzhinë ka një raft plot me libra gatimi ku lexohen titujt: “E drejta të hash pak”, “Të tregohesh krijues me lakrën jeshile”, dhe një kopje shumë e vjetëruar e “Arti francez i gatimit”, libër të cilin ajo e shfleton vetëm kur e gërryen barku nga uria, e vetmja gjë që ia shuan urinë është leximi si gatuhet salca veloutés[1] dhe bouillabaisse.[2] Të dielave planifikon vaktet që do të gatuajë gjatë javës duke përdorur librat e gatimit. Është një proces që të bën të të lëshojë goja lëng. Ngjitur me sobën ka një peshore të vogël që ajo e përdor për të peshuar gjithçka. E kupton rëndësinë e matjeve të sakta.

Çfarë ndodh kur një grua e çmendur reagon

Është ulur në tavolinë, duke punuar vonë, kur shefi i saj hijerëndë ia beh në zyrë, duke u ulur ngjitur me të, në buzë të tavolinës, duke e pushtuar hapësirën ashtu siç e kanë zakon burrat. Ai hedh sytë poshtë bluzës së saj dhe kjo do të thotë se nuk e fsheh interesimin për të gjë që e bën atë të shtrëngojë mprehësen e lapsave në pëllëmbën e ftohtë të dorës.

Nënat

Çfarë sheh ajo në fytyrën e fëmijës së saj

Nga çasti kur ajo u bë me një djalë, ai dukej se i ngjante aq shumë sa ishte gjallë i ati. “Sikur e ka nxjerrë prej hundësh”, tha gjyshja me fjalë disi banale në dhomën e spitalit, sapo mori në krahë nipin e saj të parë. Kur ajo mbeti vetëm, pasi i shoqi kishte shkuar për të blerë diçka për të ngrënë, ajo mbërtheu sytë tek fëmija më i madh, e etur për të pikasur ndonjë ngjashmëri me vetë atë, e etur për të ndjerë sërish ndjesinë që pati për nëntë muaj me radhë kur qe shtatzënë, kohë kur pushonte në krevatin e vogëlushit. Mënyrën lojcake si flakte gjithçka, ia kishte vlejtur. Kurrë s’kishte arritur ta kuptonte se çfarë po kërkonte në jetë.

Çfarë u thotë ajo nënave të tjera në shkollën e fëmijës së saj

Një të mërkurë çdo muaj, asaj i duhet t’i sjellë të birit ushqim të shëndetshëm në klasën ku bën mësim dhe të shërbejë si ndihmëse. I shoqi e ndihmon të enjteve. I duhet të marrë leje nga puna për të bërë këtë duke i zëvendësuar orët e punës të humbura gjatë natës, pasi e ka vënë të birin për të fjetur. Kjo mënyrë e rregullimit të orarit në punë e quajnë “me orë” por për të në të vërtetë është “me stërmundim”. Ajo s’ka punuar kurrë kaq shumë sa pas lindjes së të birit. Është e vështirë të merret vesh se çfarë është e shëndetshme tani. Çdo javë mendon për këtë. Një herë i solli gjalpë kikiriku dhe biskota të thata, por një nga nënat e tjera rrudhi fort buzët. “Kikiriku shkakton alergji,” murmuriti nëpër dhëmbë ajo. Gjithçka ishte shumë e ngatërruar. Për disa muaj solli vetëm thela portokalli derisa një nënë e tërhoqi mënjanë dhe tha se fëmijët kanë nevojë për shumëllojshmëri ushqimesh që të lulëzojnë. Ajo tha, “A nuk e kanë këtë shumëllojshmëri ushqimesh gjatë ditëve të tjera të javës?” Shumë shpejt pas kësaj asaj iu tha se s’ishte më e nevojshme si ndihmëse e klasës dhe të mërkurën, në zyrën e saj, ndërkohë që mund të kishte qenë në klasën e djalit të saj, ndjehej triumfuese.

Çfarë mendon ajo për rritjen e të birit

Gjatë shtatzanisë, ishte e bindur se po priste të lindte një vajzë. Ishte e gatshme për këtë. Ishte e gatshme për të dashur dikë që do të kishte diçka thelbësore të përbashkët me të. Kur mjeku i vendosi vogëlushin e përgjakur që po qante në gjoks, kur ajo e kuptoi se nuk ishte vajzë por djalë u trondit aq shumë sa mbeti pa fjalë. Ajo e ngrohu me trup sepse ai ishte një vogëlush topolak. Kishte trup të mbushur. Asaj i pëlqente shumë të vendoste pudër në palët e lëkurës në mënyrë që të mos djersitej dhe të kishte aromë të këndshme. Edhe doçkat i kishte të dhjamura dhe ajo ia puthte kurdo që të mundej. Të shoqit nuk i pëlqente kjo, pasi ai tha që nëse tregonte shumë dhembshuri për të, djali do të bëhej i butë, por ajo s’ia vinte veshin këtyre fjalëve sepse e kishte vënë re shpesh që bënte edhe ai të njëjtën gjë si ajo kur ndryshonte pelenat e çunit ose kur e vinte në gjumë.

Ku shkoi ajo kur e kuptoi se ishte përsëri shtatzënë

Pas punës, ndërsa i përzihej dhe ishte nervoze, ajo shkoi në barin ku bashkë me kolegët i pëlqente të mblidheshinn, sepse aty martini ishte i fortë dhe me xhin ashtu si duhej të ishte martini. U ul vetëm, edhe pse miqtë i kërkuan të bashkohej me ta. Ktheu gotat e martinit njëra pas tjetrës derisa ishte aq e dehur sa i telefonoi të shoqit që të shkonte ta merrte, gjë që ai e bëri. E çoi në katin e sipërm dhe e zhveshi. I dha ujë, dy aspirina dhe e shtrëngoi pas vetes, duke vrarë mendjen se çfarë nuk shkonte. Ndërsa ra në gjumë, ajo murmuriti, “S’e bëj dot edhe një herë tjetër.” Ai donte kaq shumë ta dinte se çfarë donte të thoshte ajo.

Si do një nënë

Asaj dhe të birit u pëlqen të shohin dokumentarë për kafshët e egra. Nënat tregohen shpesh të egra kur u duhet të mbrojnë këlyshët e tyre, me dhëmbë të mprehtë që shndrisin me gojën gjithë jargë. Uron që të ndihet në këtë mënyrë në lidhje me fëmijën e saj, të cilin ajo e do jo pak. Ajo e kupton që njerëzit nuk do të jenë kurrë të vërtetë sa kafshët.

Vajzat e vdekura

Vdekja i bën më interesante. Vdekja i bën më të bukura. Është trupi i tyre që bie në paqë-sytë e hapur, buzët blu, gjymtyrët e ngurtësuara, lëkura e ftohtë. Më në fund, mund të thuhet se prehen në paqe.


[1] Salca veloutéështë një nga pesë salcat e kuzhinës franceze.

[2] Bouillabaisse është gatim peshku me origjinë nga qyteti portual i Marsejës. 

Përktheu Granit Zela

Exit mobile version