Kreu In memoriam Josif Papagjoni: Teksa mendoj për Anagnostin

Josif Papagjoni: Teksa mendoj për Anagnostin

…Në mëngjes herët, teksa bridhja faqeve të facebook, pulita sytë dhe… Regjisori i shquar, i papërsëritshëm, Dhimitër Anagnosti, 89 vjeç, ishte shuar. Saora doja të isha pranë ikjes së tij dhe shkrova këtë status në FB. “Lamtumir ANAGNOST! Të rrallë janë njerëzit që ju flasin në mbiemër. Por ti ishe një krenari. Krenari e krijimit, e artit, e atdheut. Ti vunjotas, ti bir i Bregut, ti shqiptar i madh, ti gjenium i këtij populli, ti filozofi dhe antropologu i kinemasë. I barte të gjitha mbi shpinë për t’u dhënë dritë, mall, kujtesë, identitet. Të kam pasur përherë në respektin tim më të thellë si për prindërit e mi dhe jam aq i ngopur që shkrova me shpirt, falë mirekuptimit tënd, një libër për ty. Fluturo “Shtergu ynë i Madh”, qielli të pret në këtë ditë plot diell, se Diell për të gjithë ne ishe. Lamtumirë!”

…Kur mbarova, po shihja argjendimin e diellit derdhur mbi syprinë të detit tutje… tutje… Dielli ishte bërë “poetik”. Një “ah” mbi rrënojat e qytetit dhe kujtesën e gurit kohëve të mitit, m’u duk sikur lëshoi. As vetë s’e di pse mendova asaj grimë here për filmat e Dhimitër Anagnostit dhe për vetë Anagnostin. Mendova për lashtësinë, gurin e hirtë ngulur mbi tokën e sertë, dritën, ngjyrën, reflekset. Ishin të gjitha të filmat e tij. Vdekja e paqme e tij hyri në vetëdijen time duke u kolovitur mes poezisë, magjisë së ekranit, “përrallës nga e kaluara”, filozofisë. Brenda meje klithi ky bard i fundit i syrit: Imazhi. Klithi deti me një anije plagësh mbi shpinë, pyjet dhe gërxhet me një mësues që bridhte fshat më fshat si Diogjeni me një kandile drite për të mësuar shkronjat e shqipes, klithën e “gurëve të shtëpisë sime”, “malet me blerim mbuluar”, ca “lulëkuqe mbi mure” që prindin e tyre e gjetën te mësuesi dhe liria, njerëz të thjeshtë që qajnë hallet në familje te “shtëpia jonë”, malësorë të ashpër rritur nëpër skërka, ca me thika e ca me libra, Abazë e Servet, dhe mes tyre një Gjolekë që ëndërron diçka më të bukur sesa dhëntë. Të gjitha janë aty. Mes tyre, Përsiatja për njerëzit, jetën. Nga gjithë fjalët, më të parën, më thelbësoren, mbase kryefjalën e vlerësimit tim për artin e Anagnostit është pikërisht: Njerëzorja. Ose ndryshe thënë: Njeriu dhe toka e tij. Njeriu dhe deti, Njeriu dhe liria

Teksa tres syrin brigjet tona të bukura të Jugut, ku edhe ai ka rrënjë, degë, fis e farë, s’e kuptoj pse ndjehem i “afërt” me të. Më lidh vetëm toka vallë? Bregdeti, fshatrat tona të afërta, ai nga Vunoi, unë nga Shën Vasili? Mos më lidhin traditat, zakonet, historia jonë, që ai e derdhi në shirita filmi? Apo më lidh më fort arti, imazhet, gurët e hirtë ku ka ngrirë kujtesa e kombit, pullazet e çative, drunjtë e ullirit, lulet e portokalleve, manet, vajzat “mandile hedhura mbi sy”, rrapi në qendër të fshatit? Apo edhe idetë. Qenësia. Dhe ja, këtu ia beh një tjetër “kryefjalë” e filmave të Anagnostit: Shqiptaria. Ajo është kudo si plazma, si fryma; e sheh, e ndjen…

Dhe teksa mendoja kësisoj, mishi i butë i jetës hapëronte tashmë shëtitores së re të qytetit tim, Sarandës; dashuritë mbinin syve të djemve e vashave të bukura, ndërsa shpirti im rënë në pezmë nga ikja e regjisorit, operatorit, skenaristit dhe shkrimtarit, fliste me “qiejt” si në një përshpirtje. Ky ishte ATDHEU. Atdheu im, i yti, i Anagnostit, i të gjithëve. Atdheu, që kineasti e kishte bartur si çdokush nga ne shekujve, i futur në kockë. Gjithkund ne e shohim Atdheun në filmat e Anagnostit. Si ideal, si dashuri, si flijim, si qenësi e patjetërsueshme, si dhembje. Mandilezezë mbi kobe e leshrat e zbardhura të grave tragjike të Bregut, vellobardhë mbi fytyrat ëndërrore të vashave malësore, ato të Zagorisë, vashave të luftës, vashave të qytetit…

“Nuk ka rëndësi subjekti i filmit, – më vjen zëri i Anagnostit në vesh. – Krim, ndëshkim, dashuri, urrejtje, këto janë në një film. Rëndësi ka: ku dhe kush? Je shqiptar? Si e përjeton dashurinë? Je francez apo je rus? Në forma të ndryshme, e njëjta temë, i njëjti subjekt ka veçoritë e tij, që buron nga identiteti kulturor shqiptar. Se Shqipëria nuk ka tjetër identitet kulturor dhe asaj që prodhon gjuha. ADN -ja e veçantë është te çdo identitet kulturor. Dhe ne kemi identitetin tonë kulturor me bazë gjuhën shqipe, unike, që vjen nga thellësitë. Andaj jemi të veçantë…”

Kjo është AND-ja etnike, Identiteti, gjuha, shpirti… – ja formula e filmave të tij. E gjitha si një ABC, që të jepte veçse krenari. Shihni një grimë herë “Përrallë nga e kaluara”. Një histori mirëfilli shqiptare. Regjisori dhe skenaristi e merr shtysën nga Çajupi, por tjetër gjë krijon; jo thjesht zakonin poshtërues të martesave qysh në djep, por gruan që kërkon lumturinë e saj, lufton për të, madje vë në lojë vjehrrën dhe vjehrrin e saj. “Malet me blerim mbuluar”, pos sakrificës dhe rrugëtimit të një partizaneje të plagosur drejt jetës, ka një dasmë aty, ka zakone e doke, ka dhe një përplasje njëherazi sociale politike sad he familjare e mes brezave, mendësive.  Shihni “Gjoleka, djali i Abazit”. Ai realitet i ashpër, ajo antropologji kulturore, zakonore ngujuar në male, dashuritë e ndaluara dhe rreziku i një thike, rritja dhe formimi i fëmijës midis jetës së vrazhdë të çobanit, ndëshkimit, dhunës dhe ëndrrës, mësimit, kulturimit. Më në fund një shpresë për përparim, qytetërim. Ndofta ky Identitet Shqiptar ishte porta prej nga hyjnë e dalin edhe përjetimet e mia si kritik. Por jo vetëm të mijat. Janë portat e një “alkime” që ti veçse e ndjen në rrjedhën e gjakut, por nuk e shpjegon dot. Sepse Anagnosti nuk është artisti që t’i jep të gatshme idetë. Ai është një Mag që di të luaj me thëllësitë e shpirtit të njeriut.

…Unë kam shkruar një monografi për Anagnostin. Një libër është një “shpirt i djegur”, një pergamenë, dhe mua më duhej të bëhesha një skrib në qelën time. Por imazhi I filmave të tij nuk ishte thjesht një pergamenë, nuk kishte “aromën” e pluhurit të bibliotekës. Jo aq me fjalën sesa me imazhet e këtij artisti duhet komunikuar. Ndofta është pikërisht fuqia hipnotike e imazhit që na josh aq shumë në filmat e tij. “Unë kam folur me filmat e mi”, më pat thënë kur i kërkova të rrëmonim ca skutave të laboratorit të tij, zjarrmisë krijuese. “Filmi është imazh, kujtesë në lëvizje, – më shpjegonte një ditë teksa kuvendonim për specifikën e filmit si art. – Ja… Dhe nxori nga xhepi një stilolaps. – E kam këtë këtu, tani e lëviza këtu. Është i njëjti dhe “ndryshe”, sepse ka ndryshuar raporti me gjërat e tjera. Simboli i shkrimit, i dijes, por edhe diçka tjetër. Duhet ta kapësh funksionin, ndryshimin, lëvizjen. Po s’e kape, iku, u zhduk. Fiuuuu… Nuk është shkronjë që mbetet në letër imazhi. Ai vjen dhe ikën. Prandaj ka shumë spontanitet. Duhet të jesh i gatshëm ta kapësh pikërisht kur ai lind. Imazhet kanë kujtesë të “shkurtër”. Kur i fikson në film, kujtesa e tyre nuk shuhet, mbetet. Nëse shkronja, fjala radhitet mbi fushën e bardhë të letrës, qëndron aty, krijon kujtesë, dhe s’ka hapësirë e as kohë të drejtpërdrejtë fizike, përkundrazi imazhi ka, imazhi është si era, vjen dhe ikën në çast, nuk përsëritet. Imazhi është “shkronjë” në lëvizje. Dalloje! Gjeje! Në ekranin e bardhë imazhi fiksohet, ka edhe kohë edhe hapësirë, ka energji, ka dinamikë, ka domethënie, ka kujtesë. Është shpirt në lëvizje…”

Kishte të drejtë. Syri ynë është i mbytur me imazhe. Truri, edhe ai, prodhon dhe pleks pafundësisht imazhe të përthyera e të përfytyruara. Nuk e rrok kollaj atë transhendencë që veçse fshehtësitë e mendjes inventive si ajo e Anagnostit e krijon. Një shikues i thjeshtë nuk e dekripton kollaj atë mistikë poetike që lidhet pikërisht me artin e tij, me “qiellnajën” emocionale, memoriale të tij, me çastin (eskatologjik) kur subjekti bëhet shpirt. Kur e vogla, e kufizuara, e atygjendura shkon tek e paana, e pamata, e kudogjendura, bëhet e madhërishme. Ja, pra, dhe një tjetër veti e ngulur thellë në kinemanë që Anagnosti bëri: Universalja… Arti në vetëdijen e tij estetike ishte një paralëndë zanafillore, ishte si brahma ku qenia njerëzore ngjizej. “Shqipëria nuk është gjë tjetër veçse kulturë, – më rierdhi sërish zëri i tij në vesh. – Përveç gjuhës dhe kulturës, çfarë ke ti, forcë ushtarake? Kjo natyrë, ky peizazh fantastik me male, liqene, me lumenj, me det, me njerëz, me gjuhën shqipe origjinale dhe të veçantë, kjo është pasuria tënde…”

Në filmat e Dhimitër Anagnostit spektatori dallon dy elemente bulbore: Madhështinë dhe Njerëzoren. Këto mbështeten mbi dy tema madhore: Atdheu dhe Shqiptaria (mëvetësia identitare). Këto, edhe në qoftë se nuk duken a nuk i sheh, janë brenda tyre, drithërojnë aty. Ëndrra është i treti element i kudogjendur. Jo ëndërrimi si situatë psikofiziologjike, por ëndrra për diç të bukur, për një tjetër realitet, më të mirë, ndoshta të pamundur në dukje, por frymëzues, për të cilën ia vlen të vetëflijohesh. Ëndrra për të munguarën. Ëndrra për të penguarën. Ëndrra si vizion. Për ëndrrën vdes dhe një mësues udhëve të fshatrave të thellë të Malësisë, Dritan Shkaba quhej, në filmin “Komisari i dritës”. Mjafton kjo ëndërr që ta bëjë filmin të shikueshëm, duke ia hequr zgjyrën ideologjike që koha pat lënë.

Jeta e njeriut është një cikël i pareshtur i rrokullimës së historisë. Nuk e di pse këtë “ëndërr” a “ëndërrim”, që filmat e tij na japin gjithkund, dua ta lidh me paanësinë dhe të madhërishmen; pastaj ta pleks me vetë njeriun në mikro dhe makro kozmosin e tij, te kasollja me kashtë e një mësuesi a te një kabinet luksi i një gjenerali, madje-madje të shkoj edhe përtej kufirit të dheut tonë, Shqipërisë e shqiptarëve, dhe ta bëj pjesë të cikleve të mëdha të ekzistencës humane, të vetë lëvizjes së shpirtit. A e kanë filmat e Anagnostit “Botën e Madhe”? Padyshim që e kanë. Por sa kjo “botë” është aty, brenda tij? Deri ku shkon? Deri sa hapet? Them se “Bota e madhe” dhe “Bota e vogël” rrinë te filmat e tij si një pleksje kahesh, si një ndërthurje, si një vajtje-ardhje shpirtrash. Janë simbiozë. Një dikotomi. “Po bota çdo thonë”, e nguc Marigoja Vangjelin te “Përrallë nga e kaluara”, teksa të dy, kinse, do t’i japin fund jetës me helmim, sepse kanë bërë turpe të padëgjuara, kanë rënë në shtrat nuse e vjerr. Por kjo është bota brenda një fshati. “Gurët e shtëpisë sime” sjellin përplasjen e dy botëve të huaja, shqiptarët dhe italianët. Te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” botët janë dy shtete, dy ushtri, dy qëndrime (humane dhe antihumane) ndaj luftës. Kur njeriu pikturohet bukur, ai e tejkalon cakun, hapësirën, vetë kohën. Sepse njeriu si qenie, ku më shumë a ku më pak, aty apo këtu, dje apo sot, ka një fill përshkonjës që sikur e lidh, njëjtë me atë vetëtimën që flakërin mes reve të ngarkuara me “elektricitet”.

Personazhet e Anagnostit janë shpirtra të hapur, shpirtra kozmikë, shpirtra që rrugëtojnë historisë dhe hapësirës humane. Ëndrra është përtej një dite, përtej një jetë-vdekjeje, përtej një shekulli, epoke. Prandaj dhe arti i tij i tejkalon kohët, hapësirat. Ai i ka dhënë lavdi fuqisë krijuese të shqiptarëve. Vangjelët, Tanat, Marigotë, Sulot, Jaçet, kujdestarët surratpatate, Abazët, Gjolekët, Servetët, Gjinot, Dritanët, Kabot janë jo vetëm të djeshmit, as vetëm të sotmit, por edhe të nesërmit ndër ne shqiptarët. A nuk janë ata si pilarët ngulur thellë vetëdijes etnike dhe që mbajnë përsipër parthenonin e shpirtit tonë?!

Ja, thërmokla të këtij shpirti nga “shpirti i botës” (anima mundi) kanë sjellë edhe filmat e Anagnostit. Dhe ëndrra e njeriut për t’i ikur të keqes dhe për t’iu bashkuar të mirës, na shfaqet aty, në mes të mesit. Ajo merr formë, kthehet në një pikëllim që s’të lë rehat, që të grish, që të çpon. Unë e kam ndjerë këtë në filmat e Anagnostit.

 Subjektet nuk janë grimime të jetës, por vijnë nga vetë jeta, bëhen jetë, bartin art, ide, të menduar figurativ, përshfaqen si një vesk që nënkupton të dobishmen, të ardhmen e personazheve, humanen dhe të bukurën. Janë premisa për shpërfaqjen e njeriut të mirë, njeriut të lidhur me tokën, atdheun, fshatin, shtëpinë; një kryq mundimi e shpëtimi. Dhe subjektet shkojnë përtej një fati, plekset me fatin e kombit, sepse gjithkush në filmat e Anagnostit ka një histori më vete, të veçantë, të papërsëritshme, heroike a poetike; histori të një jete njeriu sa dhe histori të një populli. Këto shkrihen më tej te “rruga e artit” për të fituar vezullimin estetik. Arti e bën “ëndrrën” të rrokshme, të shkrirë tek ndjeshmëritë dhe mendimet e heronjve të tij të thjeshtë, ndërsa fatin e tyre ai e rrëfente në mënyrë të tillë që të ngulitet në kokë për fuqinë e shprehjes filmike, sa dhe për besueshmërinë, sintezën, vërtetësinë. E pra në këto tri udhë, Dhimitër Anagnosti ka ditur të lundrojë. Ai ka qenë nga “rremtarët” më të mirë të ekranit shqiptar, për mua më i miri. 

Anagnosti ka qenë i vështirë. Nuk ka dashur të intervistohet, t’u japë gjuhë të panjohurave të artit të tij. Duket sikur ai ia pat lënë në dorë vetëgjykimin e filmave dhe ideve të tij estetike “pritësit” të nesërm, perceptimeve të tij, shijes së kohës, duke mbetur deri në fund një sqimëtar. Ndoshta është pikërisht ashtu siç e thotë Kadare për procesin krijues të shkrimtarit te libri “Ftesë në studio”, që zana ia mori gojën me qëllim që ajo thellësi e ajo fshehtësi ku ngjizet krijimi të mbetet e pabëzajtë. Ndofta, as Anagnosti vetë nuk e ka ditur hollë-hollë se si i kanë lindur e janë shuar imazhet, atë e dinte veçse instinkti i tij krijues, alkimia e procesit, konturet e spërndritura sa dhe të mugëta të ëndrrës. Vetëdija krijuese e artistit është një palimpsest. Dhe “palimpsestet” e artit dhe vetëdijes krijuese të Anagnostit mund t’i zbulojë vetëm koha. “Pergamenat” e tij janë aty, në ekran, në 15 filmat artistikë dhe 10 filmat dokumentarë duke i blatur artit dhe kinemasë shqiptare në përgjithësi një gjuhë të bukur, një “scripta manent” të shkruar mbi ekran…

Exit mobile version