Kreu In memoriam Ylli Pango: A jini ju “gjo” me Anagnostin?

Ylli Pango: A jini ju “gjo” me Anagnostin?

…Gjyshja ime nga mamaja ishte Anagnost…dhe kjo nuk do të paraqiste as ndonjë interes për ndokënd… e aq më pak ndonjë meritë për mua.
E madje s’do ngjallte as edhe ndonjë kuriozitet të vogël, të mos qe mbiemri i një njeriu si Dhimitër Anagnosti.
Po edhe unë po e përmend thjesht se ish ky mbiemër që më dha një mundësi për të njohur nga afër Dhimitër Anagnostin, Taqon, ndër më të mirët e kinematografisë shqiptare, për mua më të mirin…
Dhe për të shkruar për ca detaje të vogla të jetës së tij, nga ato të voglat, por që ato e dallojnë të madhin…

…se me thënë të drejtën të ishte të flisja për kushurirllëkun, ende nuk e di tamam tamam, se deri në çfarë shkalle jam i afërt me Dhimitër Anagnostin…

…në karriket e qeverisë Meksi 1992-1994, më ka rastisur të ulesha disa herë pranë tij kur mungonte ministri përkatës i Arsimit. Anagnosti, ndryshe Taqua, ishte ministër kulture e unë isha zv.ministër arsimi.
…ai më afroi i pari si më i madh që ishte…”pa hajde ulu këtu pak…”më tha…” se duhet ta dish besoj se jemi…a biem dhe “gjo” bashkë. Gjyshen tënde Lilon, Lilo Kiçen a ndryshe Anagnosti, ne e kemi kushërirë.( kjo “gjo” në dialekt Vunoi, që dmth “gjë”, donte të thoshte që ishim diçka…si punë farefisi…)

…Të njëjtën fjalë, “gjo”, tha atëhere edhe për Edi Ramën, kur aso kohe sulmonte në gazetë qeverinë e diku pat thënë diçka edhe për Taqon…”po unë e kam mbajtur në gjunjë kur ish i vogël…edepsëzi…biem edhe “gjo” bashkë…pa le…”

…kam pasur gjithnjë idenë, dhe jo vetëm unë, që në atë fshat, në Vuno, ku lindi Taqua dhe mëma ime e ca të tjerë, të gjithë janë në një farë shkalle “gjo” me njeri tjetrin…

( nuk di të kenë mbajtur inat Taqua me Ramën më vonë…kanë qenë kohra shumë të largëta ato të Ramës së vogël në prehër…se ndryshe nuk do ja shkruante aq bukur nekrologjinë e vet Rama, Anagnostit…
…e quajti dhe “barba”, kështu u thonë andej nga bregu “xha”-ve, gjyshave, burrave të moshuar me një barrë mend…e disi të afërt)…

…Po të isha me Taqon nuk do ndiqja më dot se ç’thuhej në mbledhje qeverie se do e pyesja vazhdimisht e do doja të dija. Se unë isha thjesht nip Vunoi, nga mamaja, gjysëm-gjak bregu…kurse ai puro vunjotës…temperament, e nevrik-artist si ai…(mirë u tha: “diktator i së bukurës…vërtet e donte të përsosur, të vërtetë, bukurinë në art…)

…më tregoj një herë, një tjetër histori me këtë fjalën “gjo”…

“…më merr në telefon një herë ambasadori jonë në Argjentinë e Uruguai, Piro…( edhe ky vunjotës) e më thotë:” Taqo kam gjetur një kushëririn tënd këtu në Uruguai, pronar hotelesh turistike në Puerta y Sol…ka mbiemrin tënd Anagnosti…do të rinjihet me fisin e harruar e të ftojë këtu në Uruguai njerëz të fisit të tij nga Shqipëria…”

“Dëgjo këtu” i them( tregon Taqua), “ unë Anagnost jam vërtet, po mua nuk më bie edhe aq “gjo”, …tamam “gjo” e ka Lilua, Lilo Anagnostja, Kiçja nga burri, ajo e ka pasur vëlla…babanë e këtij që kërkon…e ai e di që ka emigruar në Amerikë Latine që në kohën e Zogut…. “
…e kishte fjalën për gjyshen time e vëllanë e saj mërguar herët né shekull të 20…
Njoftoi pastaj Taqua njerezit e gjyshes time, ne, e u rilidhen njerëzit nga të dy kontinentet…( të kish qenë dikush tjetër…në fund të fundit edhe Taqua…si Anagnost, «gjo» i kishte…)

…”do më gjesh një drejtor të mirë për kulturën” më thotë një ditë…
Dhe unë i çova Korab Hoxhën. Poet, përkthyes e mbi të gjitha njeri modest e i rrallë për nga pastërtia e shpirtit….
…I pëlqeu që në fillim Taqos.
“Epo” mendova “të dy artistë…nuk ka si bëhet “krushqi” zyrtare më e mirë…

Pata gabuar çuditërisht…
…pak muaj më vonë më thotë Anagnosti i madh: “…dëgjo këtu…nuk bëhet djalë më i mirë se ai shoku yt. Edhe krijues me vlera…I kam lexuar perkthime kollosësh nga rusishtja Brodskin, Nabokovin…i kam lexuar edhe disa poezi …i ka shumë të mira…” pastaj me një kthesë të beftë nga ato të Taqos “…po më duket se nuk e do atë punë..në ministri…ndofta se është tamam i artit…si edhe unë …kupton ti…”

…Disa ditë më parë Korabi vetë më pat thënë se nuk i shkonte ajo punë…( “ndonje problem me Taqon” e pyeta…”Absolutisht jo…i shkelqyer….)
…dha dorëheqjen pas pak ditesh. Pa ja kërkuar Taqua. Nuk qe heqje nga puna. As dorëheqje e ashpër zyrtari. Qe një largim i butë e nje pranim i butë nga eprori. …i rrallë ndër viset tona…
…Jo shumë kohë më vonë dha dorëheqjen nga posti ministror edhe vetë Anagnosti, Taqua…
…u tha per shkak te deshtimit te referendumit dhe mosnjohjes se kesaj si deshtim…edhe kjo…po unë them se i pat ardhur edhe atij në majë të hundës si Korabit ajo punë…
…ja kështu artistët…ata të vërtetët…

…po kur uleshim flisnim për filmin, Vunoin, Jalin….Aty shtëpitë e vockla buzë detit, ngritur nga gjyshërit tanë që patën rrahur kurbetin ajo e Anagnostit e ajo e familjes së gjyshes time, ishin pranë e pranë.
“Hajde” më tha një herë, “por po erdhe me mua ka kërkesa…duhet të vish i pajisur…”
…Kur shkonte atje merrte lloj lloj anti-helmesh kundër gjarpërit, vegla gjuetie, peshkimi, veshje speciale…E dëgjoja kur më tregonte aventurat verore né bregdet dhe duke ditur për atë filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, punim diplome, sipas tregimit të Ernest Heminguejt, që mori dhe çmim ndërkombëtar …e kuptoja se e donte Heminguein e madje nganjëherë me ato antihelmet, pushkën e gjuetisë e grepat… më dukej edhe si ai…

…nuk fola për filmat…filmat shihen, nuk tregohen… gjithsesi ata janë parë e riparë aq shumë …për ta është folur e shkruar aq mirë…për “Lulëkuqet…” që e rishkroi vetë e i dha jetë pasi lexoi “Bonjaket”, për “ 14 vjeç dhëndërr” ku më ringjalli Zagorinë e babait e për “Gurët e shtëpisë time” ku më shpuri në Vunoin e nënës time etj etj…
…po ishin dhe të përsosur në çdo detaj filmat e Taqos…e aq té gjetur, në karakteret e aktorët që zgjidhte, në skenat e dialogjet aq shqiptare sa vetëm duke i kujtuar të gjitha këto mund ta kuptosh se përse e shkruajti Mevlani atë “diktator i së bukurës”. Po unë nuk harroj se arsye për këtë cilësim, ka qenë dhe ndjesia e reagimi i tij natyral alergjik, karshi ndonjë filmi a vepre arti reklamuar më kot e pa vlera:”…po ç’janë ato metafora lakuriqe…ai banalitet…kupton ti…”

…zaten me këtë përsosmëri në këta filma, Taqua u bë ky që është…I ngriti monumente karakterit shqiptar, historisë, …vendlindjeve tona…brenda këtij vendi…vendlindjeve të të gjithë neve…e me këto i ngriti monument vetes si artist…e prandaj po na dhemb kaq shumë që po na ikën…

…tani edhe mund ti përgjigjem asaj pyetjes që ngrita në krye, a jeni a s’jeni edhe ju “Gjo” me Anagnostin…

…me ata filma e ato karaktere gjithë-shqiptarësh, që i ka qëndisur a skalitur edhe si shkrimtar, edhe si skenarist, edhe si operator e si regjisor, në libra e në skenare, ekran e në mendjet tona…me Anagnostin i bie të jeni edhe ju, të jemi të gjithë ne “Gjo”…

Exit mobile version