NATA NË KOPSHT
Mbi gardh, gonxhet e reja të trëndafilit po mbyllen
për të kaluar natën pranë një kërmilli
që mbart mbi shpinë shtëpinë
me arkitekturë gotike,
pranë një pylli të vogël mullagash.
Xixëllonjat lëshojnë dritë
duke i dhënë një madhështi urbane
gardhit që po mbështillet me natë.
GJENDJE E VERDHË
Kur tufa e zogjve iku fluturim
pashë portretin tend rrëzuar mbi hapësirën
e të verdhës së pafundme,
ndieva cicërimat të më mblidhen në grykë
dhe qava trishtimin e plepave
në muzgun, ku tulipani bie erë hënë.
Thinjat e verdha të lulediellit
me kokën ulur i tregonin orën
udhëtarit imagjinar mbi një kalë pluhuri
që hingëllinte në një gjuhë të verdhë.
Pashë qiellin e pikturuar me zogj
Fushën, plepat, hënën me erë tulipani,
pluhurin, kalin dhe një biçikletë të vjetër
harruar në rrugë sapo Van Gog
pikasi portretin tënd të verdhë prej luledielli.
REKUIEM
Tek ecja bregut të lumit
pashë qiellin ngjyrosur me gri
e qava me ngashërim si shelg.
Peshkatarët gjuanin me një rrjetë argjendi
që zbriste ngadalë
duke pikturuar katrorë në ujë.
Në kuadratet e këmishës time
u pikturuan peshq të bardhë
atëherë kuptova se unë isha vetë lumi
bri te cilit një shelg, po qante si burrë.
E VERDHA PËRMBYS
Një herë kur shkoja hapësirave të muzgut
Pashë lulediellin përmbys
tek qante me lotë të verdhë trishtimin e dritës
dhe ndieva kumtim e perëndimit.
Kujtova se dielli s’ ka për të ardhur më
në viset biblike me det dhe re
që më mësuan se e kuqja e ndezur
nis nga e verdha e lulediellit që psherëtin përmbys
sapo një vijë imagjinare shfaqet
në kufirin e ditës me natën
kur ngjyrat bien në letargji.
Një luledielli qan me lotë të verdhë
fatin e saj me sytë nga rruga
që të çon në qytetin që s’ e ka parë kurrë,
veçse në ëndërr, netëve
kur ajo dremit si një plakë
mbështetur mbi bastun.
Fshiva lotët
dhe pashë gishtërinjtë
pikturuar me të verdhë.
PIKTURA E HIJES
Kur u gjenda brenda një ikone
në muret me erë qirinjsh
ndieva lotin e parafinës tek rrokullisej
nën tingujt e një rekuiemi.
Qava fatin tim
në murin e shkruar me dritë
prej syve që digjnin lutje.
Kur dola nga magjia e ikonës
pashë murin e pikturuar me hijen time
si një qiri fillikat që jep shpirt.
KATRORË DHE ROMBE
Jam fija e perit me të cilën qëndis dhimbjet.
Filli kalon tej dritares gotike të gjilpërës,
në anën tjetër të një kambriku të bardhë
mbi të cilin pikturohet mozaiku i dhimbjes
me katrorë dhe rombe të vegjël.
ERA E KRIPUR E HINGËLLIMAVE
Në fundin e ujit gaforrja shtyn një guaskë
mbi shpinën e kalit të detit.
Hingëllimat pushtojnë një pyll koralesh
që mban vesh trokun e lagur.
Një kandil pluskon dritë
duke u dhënë ngjyrën e kuqe peshqve
që ende kujtojnë se janë të bardhë.
Kur çel dita
guaska e gjen veten në breg, mbi rërë
ku pikturohen gjurmët e kalit
dhe fryn një erë e kripur hingëllimash.
MIRAZH
-Në kujtim të mikut tim poet Tonin Kaçaj-
Dua të mbledh një tufë me lule
por këtu është shkretëtirë
dhe pranë nuk ka një oaz.
Përtej është fantazma e një klithme si Morricone
dhe një fikus që e ka pirë gjithë ujin.
Qaj fatin prej rëre në mbretërinë e kafenjtë
ku fle harmonika që i kam rënë dikur
në Golgotën time.
Një mirazh është përtej
por nuk kam fuqi ta mbërrij,
atëherë pikturoj mbi rërë shputat e mia
dhe i nis për të zbuluar oazin.
PËRMBYS
Jam fija e barit rrëzuar përmbys
nga tehu i kosës në duart e burrit
që vallëzon në kopsht.
Kur u ngrita ndieva aromën
që vinte prej lules së mpiksur
në gjakun jeshil të barit.
Pashë shpinën e kostarit në ikje
dhe kosën që linte pas
vragat e një pengu
si tatuazh.
PARAFINË
Qirinjtë që pata fikur dikur
janë ndezur prapë.
Brenda meje digjet
një pyll i bardhë parafine
me tymin që pikturon një katedrale.
Një flakë e zbehtë
u bën dritë kthinave të mia
me aromë spangoje
të djegur.
DEGUSTIMI
Gjithçka ishte e heshtur si një katedrale në shi
ende pa rënë këmbana
me tingujt e verës që luan vals
në peisazhin gotik mbi vozën
që dikur ka qenë një pishë
të cilës i blatojmë imagjinatën e një hardhie
për të hyrë në gotën që e mban në dorë
një burrë i gjatë, symbyllur.
NOMADE
Kam qenë dikur një filiz në duart e romit
me të cilin ai bëri një bilbil.
Ndryshe nuk do të isha një fishkëllimë
mbi lagjen nomade, ku arixhofkat
parathonë fatin e shelgjeve që krihen në lumë
në ujin e kthjellët, ku hëna
ndrin rrugën e romëve të mirë
kur dalin brigjeve duke lypur ëndërra.
Kam qenë dikur një filiz në duart e romit
me të cilin ai sajoi një ëndërr
me një tingull të ëmbël, si bilbil.
REKUIEM
Kujtesa ime, një lapsë plumbi
pikturon kambanoren e vjetër
dhe një qiri që beson se filli i spangos
thotë lutje me një ngjyrë të zbehtë flake
që përkundet si velë.
Kthej lapsën përmbys dhe fshij pluhurin
mbi antikitetin tim që bie erë gomë.
LOTËT E KUQ TË TRËNDAFILIT
Kur nëna e la për herë të fundit oborrin
ndieva përmalljen e hardhive,
pashë lotët e kuq të trëndafilit në verandë,
e im atë që besonte se jeta e tij
kish qenë një shije e thellë parfumi
të kuqrremtë, si perëndim.
Ndieva meshën e trëndafilave
dhe një puhizë ere
që u mësonte dallëndysheve Ave Marinë.
Pashë për të fundit herë
fytyrën e bukur të nënës, me petale
si zemra të vogla, tek dilnin nga fryma e tim eti
si e vetmja mënyrë që ai kish zgjedhur
për t’u ndarë me dashurinë.
MURGESHA DANIELË
Rigat e shiut bien si nokturn i Shopenit
mbi barin ku vallëzon Daniela
kur bie kambana
duke zgjuar nga gjumi retë e bardha
që vijnë çdo të diel në meshë.
AKUARIUM
Dy peshq të kuq
notojnë në detin kubik
nën sytë ëndërrimtarë të maces
që pret baticën
që s’ ka për të ardhur asnjëherë.
GRUAJA ME FURKË
Reja ka zbritur mbi furkë
nën sytë e gruas që tjerr një fill prej shiu
që përhapet dyshemesë
duke pëmbytur fantazinë e maces
që luante dikur me një lëmsh
i cili nuk i ngjante ujit.
VINJETË PËR SHTËPINË E VETMUAR
Era e detit pikturon pëllumba
mbi çatinë si një perëndim Santorini
me oxhakun që kujton se është një mulli
me helika, si akrepa ore
që e kanë humbur sensin e kohës,
në hapësirën mes ujit dhe ajrit,
ku askujt nuk i nevojitet të dijë
nëse dielli po lind apo po perëndon.
VAJZA NË KOPSHT
Perëndimi lyen me ar ullinjtë e rruazave
në qafën e vajzës që mbledh fruta të verdhë
në një shportë thurur me bishtaleca.
Fijet e barit ngjiten lart
për të parë nga vjen një puhizë
që u fryn trëndafilave në fustanin e vajzës
që vjel perëndimin në kopsht.
parfumin e barit
ku qyqja do të luajë pas pak
orkestralen madhështore
të vetmisë.
HINGËLLIMA TË KUQE
Hingëllima pikturon në ajër një kalë të brengosur
për fatin e kalorësit që ka ikur me trok
ne antikitetin e patkonjve.
Era u fryn jeleve
duke i dhënë madhështi hingëllimave
që shkojnë e mbyten në lumë.
Re të kuqe zbresin nga qielli
dhe kullotin barin e mbetur të dimrit.