Kreu Letërsi Shënime mbi libra Teuta Dhima: Midis njeriut dhe zotit, qëndron poezia

Teuta Dhima: Midis njeriut dhe zotit, qëndron poezia

Mbi antologjinë poetike “Midis njeriut dhe zotit”, përkthyer nga Melsen Kafilaj

Antologjitë poetike nga poetë të një vendi të caktuar të botës, apo ato që përzgjedhin poezi nga vende të ndryshme, kanë qenë gjithmonë interesante për lexuesin, pasi sjellin me vete eksperienca, këndvështrime dhe përjetime të reja. “Midis njeriut dhe zotit” e ka titulluar përkthyesi i saj antologjinë poetike e cila përmban 22 zëra nga poezia hebraike. Një titull që mban mbi supe një simbolikë shumë të thellë dhe duket sikur përkthyesi, nëpërmjet saj “sjell” për lexuesin një hapësirë të ndërmjetme – atë midis njeriut dhe zotit – si një vend ku mund të reflektohet dhe zhvillohet një marrëdhënie e njeriut me hyjnoren, që për të, ka qenë gjithmonë e pakufi.

Antologjia që ka mbërritur tashmë te lexuesi, (një lexuese po shkruan për të), është simbol i një pune plot përkushtim dhe profesionalizëm nga ana e Kafilajt, duke bërë që ndër duar të kemi një thesar, ku secili nga autorët, është një gur i çmuar. Një thesar që do të jetë kujtesë për brezat dhe për të argumentuar këtë pohim na mjafton shënimi i përkthyesit që në krye të herës: “Në kujtim të Rabinit Yisroel Finman (z’l) që aq shumë e deshi Shqipërinë”. Shënim që simbolizon vlera të rëndësishme të saj, që shkojnë përtej një përmbledhjeje të thjeshtë letrare, si një nderim që i bëhet një figure të rëndësishme si Rabini Yisroel Finman, nderim dhe vlerësim i popullit të cilit ai i përket, atij hebraik.    

Autori i kësaj antologjie, nuk synon të përpilojë një enciklopedi të Poezisë hebraike, siç ai shprehet në shënimin e parathënies, por të japë përmes saj, atë që ai e cilëson si “Esencën” e kësaj poezie. Antologjia është organizuar kronologjikisht dhe autorët e përzgjedhur përfaqësojnë periudha, lëvizje dhe rryma të ndryshme poetike. Shprehja “e para e llojit të vet” që e çel atë, dëshmon risinë dhe rëndësinë e saj, si arritje e një pune kolosale që përmbledh një hark kohor (2014-2024).

 Për të 22 poetët, pjesë e kësaj antologjie, autori sjell shënime biografike përmes të cilave, lexuesi merr informacion për periudhën së cilës i përkasin, edukimin, formimin dhe profesionin e tyre, përveç emëruesit të përbashkët që i bashkon të gjithë: të qenurit poetë. Poezitë e përzgjedhura nga autori, janë ato që më mirë e përfaqësojnë secilin prej poetëve.

Duke iu rikthyer autorit të antologjisë në lidhje me periudhat, lëvizjet, apo rrymat e ndryshme që që përfaqësojnë poetët e saj, citojmë se pavarësisht të lartpërmendurave, mini manivela që e lëviz këtë kalejdoskop shumëngjyrësh, është padyshim Shpirti hebraik, i cili shpërfaqet në krejt plotërinë e vet.

Tematikat e trajtuara nga poetët e antologjisë janë nga më të ndryshmet. Përmendim ndër to, besimin në zot dhe lutjen si lidhje e shpirtit njerëzor me të. “Njeriu” simbolizon Qenien që përballon sfidat që jeta i sjell dhe mundohet t’u japë atyre kuptim. “Zoti” përfaqëson hyjninë, idealin absolut të cilit njeriu kërkon t’i afrohet, dhe ATY midis tyre – midis zotit dhe njeriut – është vendi ku shpesh lind poezia dhe arti, si një nga format më të arrira për të shprehur ndjenjat, emocionet, përvojat njerëzore, zhgënjimet dhe dilemat.

Nga Solomon ben Gabirol (1021-1070), vjen “Kantika e agimit”, poezi në të cilën përkthyesi sjell me besnikëri temën e poezisë, duke dritësuar thelbin e saj, si një lutje që kthehet gati në një himn për zotin. Pyetjet: “Çfarë mund të bëjnë gjuha apo zemra? E ç’janë shpirti dhe forca në mua?”, sjellin qartë forcën e shprehjeve filozofike dhe pyetjet e ruajnë forcën e reflektimit egzistencial të poetit. Gjuha e përkthyesit bën që poezia të vijë ngrohtë te lexuesi duke ruajtur një rrjedhshmëri të pasforcuar, natyrale, siç duhet të jenë vargjet që i përkasin meditimit dhe  lutjes. 

Njeriu, prej mishi dhe gjaku, dashuron, tundohet, vuan kur dashuria e tij nuk gjen konkretizim. Dashuria, në vargjet e kësaj antologjie vjen kaq ëmbël në vargjet e poezisë “Molla”. Nga gati nëntë shekuj më parë ky poet i drejtohet të dashurës: “Gjiri yt porsi kjo mollë edhe ngjyrë e saj/ ngjyrë që zjarri dikur linte mbi faqet e saj”. Simbolika e mollës në kulturën hebraike është shumëdimensionale, ajo është simbol i bukurisë, mirësisë, shëndetit dhe begatisë. Ndaj poeti gjirin e së dashurës së tij e krahason me mollën për të dëshmuar dashurinë dhe tërheqjen ndaj saj. Molla, duke i vënë në dukje, ngjyrën që është e njëjtë me gjurmët që lë zjarri në faqet e saj, bëhet simbol i tërheqjes dhe pasionit, i atij pasioni që nuk e lë të qetë poetin që prej ditës, kur prej të dashurës është ndarë.

Gati gjashtë shekuj më vonë, Ba’al Shem Tov (1698-1760), shëruesi i famshëm hebre (shënime të përkthyesit), vjen me poezinë “Dy shpirtra”. Por kur dy shpirtra, fat-thënë të jenë së bashku, e gjejnë sho-shoqin. Është forca e dashurisë ajo që i bën ata që si një rrjedhë e vetme të çajnë përpara dhe nga bashkimi i tyre, një dritë tejet llamburitëse ngrihet lart. Është drita e shpirtrave që dashuria i bashkon.

Adhurimi që njeriu ka ndaj krijuesit të tij nuk sillet në këtë antologji vetëm përmes lutjeve, meditimit, festimit të festave dhe traditave duke iu dhënë atyre vlerësimin e duhur, por ai vjen edhe në mirënjohjen për atë çfarë AI ka krijuar. Në poezinë “Këngë gruaje” të poetes izraelite Esther Raab (1894-1981), vargjet e saj kanë ruajtur edhe në shqip një ritëm të brendshëm dhe figuracion të pasur, meritë e padiskutueshme kjo e përkthyesit Kafilaj dhe fjalës së tij të zgjedhur. Vargjet vijnë si një falenderim, mirënjohje dhe si një deklarim i bërë me tërë krenarinë e mundur. Zëri i poetes vjen si në zë modern feminist që e vlerëson indentitetin e gruas, fuqinë, rolin e saj krijues, në familje dhe në shoqëri. “Dhe unë që jam rritur dhe dua të jem ajo vjazë/ që vajton prej hidhërimit dhe që buzëqesh e këndon zë-lartë”. Vargjet e Ester Raab janë si një ndjesi nostalgjie për t’u kthyer në kohërat e mëparshme. Koha sjell për gjithkënd një ndryshim të pashmangshëm, ndërsa poetja do të mbetet në kohën e emocioneve të thjeshta, ku si gëzimi dhe dhimbja shpreheshin me një lirshmëri, që vetë mosha e bënte të mundur. Vargjet mbartin sinqeritetin e një gruaje që dikur ka qenë një vajzë, e një gruaje që kërkon të kthehet në lirinë dhe emocionet aq të çiltra rinore. Por me gjithë pjekurië e saj, ajo përsëri luan nën këmbët e krijuesit të saj, si një vajzë-fëmijë, si një krijesë mirënjohëse që thur “Këngë gruaje”. Të gjitha dashuritë njerëzore vijnë plot emocion në vargjet e poetëve hebraikë: dashuria për Tokën amë, dashuri për Jeruzalemin, dashuria e pakushte nënë-fëmijë. Të gjitha përvojat njerëzore dhe pohime mbresëlënëse si: “Një burrë në kohën e vet nuk ka kohë që të ketë kohë për gjithçka”, sepse ai duhet të dashurojë e të urrejë në të njëjtin çast, dhe të mbledhë gurët që me duart e tij i ka hedhur.

Një teoremë gjeometrie, “Përmes dy pikash kalon veç një drejtëz e vetme” është titulli i një poezie të cilën na e sjell poeti hebreo-gjerman, Yehuda Amichai (1924-2000), që sipas kritikës, është quajtur si një poet-filozof, i cili arrin madje që edhe eksperiencat e jetës së tij personale t’i kthejë në mesazhe universale për të gjithë. Ky koncept gjeometrik si titull i poezisë, ka marrë një kuptim metaforik dhe simbolik e nëpërmjet tij, poeti dëshiron të përcjellë emocionin e dashurisë dhe lidhjes së dy njerëzve, rrugëtimin e tyre, kufizimin apo lidhjen midis dy qenieve. Ajo çfarë e bën tërheqëse këtë poezi është që thjeshtësia e një koncepti gjeometrik që në vetvete është i prerë dhe i padiskutueshëm, shndërrohet në një simbol të fuqishëm emocional dhe filozofik. E për më tepër simbolika thellohet, kur këto dy pika nuk i referohen dy njerëzve që lidhen, por një planeti dhe një ylli që u martuan. Gjithçka mund të ndodhë në vargun e poezisë, por nëse ndalemi e mendojmë: a mundet të martohet një planet me një yll? Planetët dhe yjet janë larg njëri-tjetrit në univers, dhe ata rrotullohen rreth tyre në distanca të ndryshme, ndaj dashuria e tyre dhe lidhja në martesë, bëhet simbol i një dashurie të pamundur.

Vargu, “nganjëherë “Ne”është njëjës e herë të tjera shumës/ Ajme, ndonjëherë nuk e di më se çfarë është, përmban brenda vetes çelësin kuptimor të kësaj poezie ku në një lidhje dy njerëz, kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri, herë do të jenë të vetëm dhe herë do të jenë së bashku, e herë nuk do të dinë më as vetë se çfarë është, kjo lidhje, kjo “drejtëz e vetme” që kalon mes dy pikash.

“Përkthimi nuk është vetëm çështje fjalësh, por duhet bërë e kuptueshme për lexuesin në gjuhën e të cilit po e sjell, një kulturë e tërë”, shprehej shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, britaniku Anthony Burgess. Roli i përkthyesit si ndërmjetës kulturor, e vë atë përballë disa sfidave të cilat vetëm kur kalohen me sukses bëjnë që të kemi referenca kulturore të kuptueshme për lexuesin, i cili pasurohet me një kuptim më të thellë të kulturës tjetër. Shumë poezi reflektojnë përvoja kolektive si: besimin, dashurinë, humbjet, duke na ofruar kështu njohje më të thellë për historinë dhe përvojat e përbashkëta të një kombi. Duke i lexuar ato, hap pas hapi, kupton se filozofia e poezisë hebraike është tepër e thellë, e mbushur me kuptime të shumta që shprehin shpirtin, përvojat dhe historinë e një populli në lidhje me njeriun, natyrën dhe Zotin.

Telogu dhe Mendimtari Abraham Joshua Heschel (1907-1972), konsiderohet si një prej mendimtarëve dhe figurave religjoze më të shquara të shek. XX. Poezia e tij “Zoti dhe njeriu” është një ndër më domethënëset e kësaj antologjie, pasi marrëdhënia midis njeriut dhe Zotit është një lidhje e mbushur me dashuri, adhurim dhe përulësi. Zoti shihet si krijues, udhërrëfyes për njeriun që ai vetë e ka krijuar. Ky raport poetik (pasi është titull i një poezie) dhe filozofik për atë çfarë sjell te lexuesi, mbetet universal pasi trajton të gjitha përgjigjet për pyetjet ekzistenciale përgjatë jetës, të cilën vetë zoti ia ka dhuruar njeriut.

 Të gjitha çfarë shpreha më lart, janë ngacmime të cilat m’i shkaktoi leximi i këtyre poezive të përkthyera. Përkthimi i mirë një poezie është një akt i vështirë, shumë e kanë quajtuar edhe si një betejë të humbur, por emocionet që përjetova gjatë leximit të tyre, më bëjnë të mendoj se këtë betejë përkthyesi dhe autori i kësaj antologjie e ka të fituar. Në sajë të një pune të palodhur dhjetëvjeçare, përkthyesi Melsen Kafilaj, i ka dhuruar lexuesit shqiptar një antologji e cila përmban poezi të ndjera dhe që sjellin vlera të reja artistike, këndvështrime të ndryshme; një antologji që prek ndjeshmërinë e lexuesit, e fton atë të reflektojë dhe pse jo, e frymëzon. Sepse midis Njeriut (krijesës) dhe Zotit (krijuesit të tij) ka një vend ku lind poezia dhe arti, si forma më e lartë e shprehjes së eksperiencave njerëzore.

Exit mobile version