Kreu Letërsi Bibliotekë Lirika suedeze përkthyer nga Qerim Raqi

Lirika suedeze përkthyer nga Qerim Raqi

Amanda

Në lule, në diell
Amandën unë ndesh
Rreth polit, rreth botës
ajo Shkëlqen,ajo buzëqesh

Në frymën e trëndafilit kur shoh
në frymëmarrjen e puhisë
në lëngun e qershisë
Amandën e njoh

Kur harpë e artë tringëllinë
kur erë perëndimi të vrullojë
në krahët që shushurijnë
Amandën unë dëgjoj

Gjithçka,engjulli rrezon
pamjen tënde hyjnore
si Krijuesi i botës qiellore
magjinë tënde pikturon

Shih, shpirtërat nxitojnë
lajmëtar të engjullit në vdekje
kah prehje e artë vrapojnë
nga përqafim i zotit në prekje

shih, lumenjët që nxitojnë
me shpejtësi shkumëzuese
kah deti ata nxitojnë
zëshëm si shpejtojnë

Por kurrë imi mallëngjim
cakun e vet s’ do të arrij
I zbehur, i përqeshur, imi psherëtim
i vetmuar do të rrij

përjetësisht perëndeshë
si yll për syrin tim e ndritshme
lartë mbi mua buzëqesh
dhe mbetesh e paarritshme

(Erik Johan Stagnelius 1793-1823)


Unë pres

Unë pres dhe ngadalë ecin orët pranë zjarrit tim
derisa yjet shtegtojnë dhe netët ikin kuturu
Unë pres një grua nga i largëti shtegtim
më të dashurën, më të dashurën me sytë blu

Unë mendoj për një lule fshehur në borë zbardhur
dhe ëndërrova një qeshje të dredhur, të pakuptuar
mendova se e pashë më të dashurën duke ardhur
nëpër një pyll, ndër shkurrete natës borë-rënduar

I kënaqur doja të ëndërruarën ta bartja në duar
nëpër kaçube aty ku kam kasollën timen shtëpi
dhe për të dashurën ta lëshoj një klithmë për të kumbuar.
Mirë se vjen, ti e pritura me vite në vetmi!

Unë pres pranë stufës sime koha pikëllohet
derisa pyjet këndojnë dhe ikin qiejt kuturu
Unë pres një shtegtare nga rruga tek afrohet
më të dashurën, më të dashurën me sytë bl

(Dan Andersson 1888-1920)


Dashuria

Shpirti im është një kostum ngjyrë qielli,
e lash në një shkëmb pranë detit
dhe e zhveshur erdha tek ti dhe i ngjaja një gruaje.
Si grua u ula pranë tryezës tënde
dhe piva një gotë verë dhe u mirrja erë ca trëndafilëve.

Ti më pe që isha e bukur dhe i ngjaja diçkaje që ti
e kishe ëndërruar

unë harrova të gjitha, harrova fëmijërinë time dhe
vendlindjen time
e dija vetëm që ledhatimet tua më mbanin të robëruar

Dhe ti more një pasqyrë duke buzëqeshur dhe
m’u lute ta shoh veten në të
e pashë që krahët më ishin shkërmoqur
dhe ishin thyer

e pashë që bukuria ime ishte e sëmurë dhe nuk
kishte dëshirë tjetër veçse-të zhdukej
O, më shtrëngo në përqafimin tënd aq fortë
sa të mos kem nevojë për asgjë tjetër. 

(Edith Södergran 1892-1923)


Sytë e tu janë zjarr

Sytë e tu janë zjarr dhe shpirti im katran e rrëshirë
kthehu kah unë para se të ndizem si një gacë në prush
Një violinë jam unë me të gjitha këngët në kuti shtrirë
ti mund ta bësh atë të luaj, si të duash çfarë të duash

Kthehu nga unë kthehu te unë
dua të digjem dua të shuhem
Unë jam dëshira unë jam malli,
kufiri mes dimrit e pranverës

Shtrënguar janë të gjithë telat,
le të këndojnë çmendurisht të dehen të shkunden
me një të fundit këngë kumbuese
të kënaqen vitet e mia të dashurisë

Kthehu nga unë kthehu tek unë
si një mbrëmje vjeshte le të përvëlohemi
gëzim i vrullshêm emblemë jonë e artë nga gjaku
derisa të qetësohet e të shoh hapat e tu tek largohen
ti, shoqëruesja ime e fundit e rinisë sime të zjarrtë

(Erik Axel Karlfeldt 1864-1931)


Në fillim sytë e tu ishin det

Në fillim sytë e tu ishin vetëm det
të kaltër e të gjelbër, shndërrues pasqyrues si ai
pa brigje deti, kërkues
Pastaj sytë e tu ishin vetëm njeri.
Kurrë nuk kam parë sy që hyjnë aq thellë tek një tjetër
hulumtues, kuptues plotë ngrohtësi e vullnet.
Në fund sytë e tu ishin vetëm pikëllim
të pakufishëm, të pangopshëm
për jetën dëshpërues
të thyer pikëllues
Atëherë ti më ishe më afër se gjithçka tjetër në botë.


(Kerstin Söderholm 1897–1943 )


Gjithçka që posedoja

Gjithçka, gjithçka që posedoja
e jotja ishte më shumë se imja
çdo gjë të bukur që dëshiroja
e jotja ishte, e jotja, e jotja

Me zë të lartë me ty flisja
sa ashkush në botë s’e di
Në rrugët e pafund
ti më ishe imja vetmi

Natën kur rrija zgjuar
dhe nuk mendoja asgjë
merrja frymë, ty të ndjeja, ty
Ti më ishe çdo gjë

E pajetë është jeta
kur ty më s’ të kamë
Bota një gëzhojë e madhe
pa bërthamë.

(Karin Boye 1900-1941)


Më së shumti më pëlqen kur të shoh duke ecur

Më së shumti më pëlqen tek të shoh duke ecur
Ti nuk ecën shpejtë sikur ne
drejt një caku të largët si iluzion
që shpejtë kalon

Ti ecën si e mbyllur në veten tënde
bebëza e syrit tënd i qesh rrezës
sikur ti të jesh krejt kuptimi
i ecjes dhe ekzustencës

Lulekëmboret t’ i përkëdhelin pulpat e këmbëve
dhe një fëlterez e verdhë t’i ngulë sytë
asnjë larvë dhe asnjë bretkocë
s’ ka frikë që këpuca e jote e mbytë

Një dallëndyshe të fluturon mbi kry
dhe t’ i prekë flokët e tua
edhe kërmijtë e rrugëve ngadalë afrohen
për t’ i puthur gjurmët tua

Ti ecën me dashuri në shikimim tënd
në të shumëllojshmen botë shtazore
edhe tek gjarpri i zi i një shkurreje
ti sheh një veti të mirë, hyjnore

Po, errësira largohet kur ti ecën
dhe vdekja më s’ ekziston
është vetëm një roje mike e çdo gjëje
që këtu në tokë mbretëron

(Olof Lagerkrantz 1911-2002 )


Serenadë

Halat e pishave dhe gjethet e mështeknës
të vyshkura bien mbi tëndin mullar të sanës
Fli në shtratin prej kashte, e gëzuar fli, e qetë
nën hijen e reve të mesnatës

Kur deri te korniza e dritares dimri i ftohtë vie
si një adhurues i veshur në të bardha
ëndërro një ëndërr që të të mbaj ngrohtë
aty nëpër muret e çara

Ëndërro për pëshpëritjen e verës duke lozur
kur stuhia alarmon e bënë dyluftim
ëndërro që në shtëpinë e gjelbër të mështeknës
Ty të zuri gjumi në përqafimin tim

(Erik -Axel Karlfeldt 1864-1931 )


Melodi

Vetëm ti ecën lëndinave, jeton çdo burim,
çdo lëndinë këndon emrin tënd.
Qiejt dhe parqet digjen
pëshpërisin gjethet si ari dhe bien në prehërin tënd.
Dhe pranë bregdeteve të shkumëzuara unë ndjej zërin tënd
shushurimën përkundëse të valëve si ngushëllim
M’i jep duart e dashur Errësirën ta frikësojmë.
Dhembja të dalë nga krahërori im.
Vetëm ti ecën lëndinave vetëm unë të shoh
duke ecur largësive dridhen telat e përjetshëm,
Më thuaj, nga e merr atë forcë që shndërrohet në melodi?

(Bo Bergman 1869-1967)


Më mer më shtëngo – ngadalë më ledhato

më merr-më shtrëngo- ngadalë më ledhato
më përqafo me kujdes edhe ndonjë çast
për të trishtin realitet paksa vajto
më shiko kur fle ëmbël për një çast

nga unë mos u largo- ti te unë do të qëndrosh
rri derisa unë vetë këtë mendje ta kemë
me dorën tënde të ngrohtë ballin t ‘ ma ledhatosh
edhe një çast më shumë bashkë me ty të jemë

(Harriet Löwenhjelm 1887-1918)


Në folenë e butë të duarve tua

Në dritën e kthjellët mëngjesore të syve tu
zemra ime zgjohet- gjithçka është dritë.

Në këngën e dashurisë së buzëve tua
gëzimi im jehon- gjithçka është këngë.

Në folenë e butë të duarve tua
shqetësimi im fle – gjithçka është e qetë.

(Erik Blomberg 1894-2965)


Përqafimi

Unë pushoj në përqafimin tënd dhe dëgjoj të rrahurat e zemrës sate
Është sikur të dëgjosh zemrën që rrahë në gjirin e vet jetës;
Flokët e tua janë pyll pranvere në të cilin ëndërroj, një pyll i errët,
me aromë toke, lulesh dhe shiut që bie,
dëgjoj zhurmën pemëve të larta, të barit të rritur
dhe ujit të madhë.

Të ka pirë rinia, të ka përmbytur dashuria;

Mbështjellur je rreth trupit tim si një hardhi rrushi
goja jote është si një pëllumb i përgjakur

Ti harron gjithë botën dhe je vetëm një ritëm,
gjaku yt rrjedhë si rrjedhë lumi e deti

dhe këndon pa dhembje, me gëzim
si këndojnë gjinkallat në barin e ngrohtë me aromë vere

(Artur Lundkvist 1906-1991)


Strumbullari i diellit je ti

Strumbullari i diellit je ti
që depërton poshtë nëpër
barin tim të njomë
ndriçuar nga lëngje të ëmbla
që zgjohet nga therrja jote

Diell mund të jeshë ti tani
që ngre përpjetë pyllin tim të prerë
tërheq nga vetja dhe hyn nëpër
vjollcëgështenjën e trëndafilkuqen
drejt buzëve mbërthyese që thërrasin
pë t’u gjetur

Valëzat godasin klap-klap
fundin e anijës sime
Gjëmime të gjata vijnë
drejt bregdetit tim
Valë të zjarrta me lavë që mbulojnë
tokën time

Tani janë qetësuar paksa
janë tërësisht të qeta e lehtë të shuara
derisa buzët përsëri të thërrasin nga larg
dhe ti të vish pa i dëgjuar

(Ann Smith 1930-2018)


Grafite zjarri

Gjatë muajve të mërzitshëm jeta ime ndizte shkëndijat
vetëm kur bëja dashuri me ty.
Sikur xixëllonja që ndizet e fiket, ndizet e fiket-
dhe përmes xixëllimave mund t’ ju shkosh pas rrugës së tyre
mes ullinjsh qiellit të natës.

Gjatë muajve të mërzitshëm shpirti ishte pa shpresë dhe pa jetë,
por trupi vinte drejt tek ti.
Qielli pëlliste natën.
Ne milnim vjedhurazi kosmosin dhe mbijetonim

(Tomas Tranströmer 1931-2015)


Kemi bërë dashuri

Tani kemi bërë dashuri
derisa perëndimi i diellit është bërë i stërkuq
jemi ledhatuar derisa lumenjët
kanë gjetur qetësinë e tyre
jemi puthur derisa majat e gonxheve kanë çelur
dhe nën qepallat e syve tanë epshorë
janë përkundur e kanë lundruar të dehur zambakët
tani kemi luajtur simfoninë e dashurisë
derisa trupat tanë violina
kanë shpërthyer vazhdisht në zgjime të reja
tani kemi përdorur fjalën për të mbjellë
dhe heshtjen për të korrë
melodi e dallgëve të detit ka pikuar 
çaste qetësie dhe gëzimi
në shtrëngimin e duarve tona
Tani kemi lozur lojën e dashurisë
si lojë dhe seriozitet

Kemi qeshur me kënaqësinë për të dhënë
dhe kënaqësinë për të marrë
kemi bërë dashuri përtej kohës, lirshëm
kemi pushtuar qiejtë më të thellë të gëzimeve
dhe në çastet tona më të guximshme
kemi prekur përjetësinë

(Maria Wine 1912-2003)


Janë lumenj sytë e tu?

Lumenj të zi rrjedhin qiellit
pëshpëritjet e tyre vallëzojnë gjakut tim
Ç’rëndësi ka nëse i shmang
dhe e fsheh fytyrën time ndaj pushtetit 
dhe bukurisë së tyre të madhe
Rrobat e mia tashmë janë djegur në plazh
më duhet tërë jetën të jetoj lakuriq
se asnjë anije nuk do të më bartë të gjallë
nga ky bregdet

Përmbytmëni atëherë lumenj nga zemra ime
që është zemra e tokës dhe qiellit! 
Shpërthemëni dhe ikni tutje me krahë yjesh!

O shtylla shtegëtimesh
rrathë dhembjesh e gëzimesh
le të shpërthejnë harqet e ritmeve tua
kah lëkurë e ndritshme ndër vena

Ky është zjarri që më çliron nga vetja ime

(Ruth Hillarp (1914-2003)


Kurrë s’do ta kuptosh

Ti kurrë nuk do ta kuptosh
se kur u largove unë qëndrova edhe më tutje aty
pranë barit të shtypur ku ishe ulur ti
unë vura dorën
mbi barin e shtypur dhe ndjeva sikur
unë të kisha më tepër nevojë të kujdesem për mungesën tënde
se të kujdesem për ty
më dukej sikur asgjë s’ mund të kthehej
nëse do të ktheheshe
ti do t’ i prishje pushtimet e dhembjes
dhe ti kurrë nuk do ta kuptosh sa dhembshurisht dhe sa fuqishëm
fola me hijen tënde mbi barë
më dukej sikur unë që nga ai çast kisha dhembje për ty
sikur përpiqesha të mësohem
me atë që na pret të gjithëve
dhe se çmimi për të marr njeriu një mësim
është ndjenja e braktisjes
e cila që në fillim ka përjashtuar dhe rrënuar besimin
për një dashuri të qëndrueshme

(Bruno K. Öijer 1951)


Sytë

Për sytë e mi shqetësohem

të tutë i dua
Sytë e mi i mbyll kujdesshëm

të tutë i puth
Nuk di cilët do të ishte më vështirë t’ i humbja?
Më duhen katër sy për të jetuar

(Lars Englund 1917-1959)


E këtillë është dashuria

Ajo vie rrugës së zogjve
dhe ne e kuptojmë
që s’ kemi zgjidhje tjetër
Duhet ta pranojmë
siç e pranojmë një engjull
që zbret papritmas
në tokën tonë
Ne duhet ta pranojmë
siç e pranojmë një gojëdhënë
dhe duhet ta besojmë
siç beson një fëmijë

E këtillë është dashuria
mund të zgjedhnim
por s’ kishim zgjidhje tjetër

(Bo Setterlind 1923-1991)


Mjaltë bliri ishte lëkura e të dashurës sime

Mjaltë bliri ishte lëkura e të dashurës sime.
Kurrë nuk e harroj kohën e rënies së luleve.
Hijet e pemëve dhe thirrjet e fëmijëve
ishin valë që i ndiqnim me sy të qeshur.
Aromën e verës së viteve të shkuara, e ruajmë ,
nëpër shtigjet që bulëzojnë përsëri
Mjaltë bliri është lëkura e të dashurës sime.

(Bo Carpelan 1926-2011 )


Etyd për puhizën

Më pëlqen mënyra e saj e ecjes
Më pëlqen mënyra e saj e ecjes
me erën në flokët e saj
Më pëlqen si ecën
era me flokët e saj
dhe mënyra
si hynë era në flokët e saj.
Më pëlqen ajo kur ecë .
Më pëlqen mënyra e saj
si ecë me erën në flokët e saj.
Më pëlqen mënyra e erës me flokët e saj
më pëlqen mënyra si ecën era në flokët e saj.
Më pëlqen ajo më pëlqen era
kur ecën me erën në flokët e saj
dhe mënyra e erës që pëlqen flokët e saj
Më pëlqej ajo kur ecën me erën në flokët e saj.

(Claes Andersson 1937-2019)


Një ditë

Një ditë ti zgjohesh Nga
një boshllëk i madh
Dikush të mbanë kokën
duke të dhënë me lugë
dromca jete
**
Kur bëjmë dashuri
gjërat përreth meje janë miqësore
Pa më pyetur
depërtojnë në shqisat e trupit tim
ashtu siç janë, në lirinë e tyre,
Jashtë çdo domethënje
më përfshijnë në një dehje kurreshtjeje
**
Ekziston
thellë në mua
një pikë qetësie
që askush s’ mund ta prishë.
Sikur të mund
ta mirrja një copë në dorën time
dhe t’ia jipja dikujt
asaj që e dua

(Göran Sonnevi 1939 – )

Exit mobile version