Kreu Letërsi Shënime mbi libra Durim Çaça: Objeksione dhe përsiatje, (“Veshun me diell, mbathun me hanë”)

Durim Çaça: Objeksione dhe përsiatje, (“Veshun me diell, mbathun me hanë”)

Në vijim të një vale të gjerë komentesh, diskutimesh, debatesh, që merr, herë-herë, pamjen e një polemike të dhembshme e zemërake, rreth botimit të ri antologjik “Veshun me diell, mbathun me hanë”, përcaktuar si “Antologji e poezisë moderne shqipe”, përgatitur nga poeti Rudolf Marku, po shprehim dhe ne disa objeksione e përsiatje, në një parashtrim “të qetë”, pa ato shkulme indinjate të krijuesve e intelektualëve shqiptarë, në trojet tona e kudo që gjenden në emigracion, nëpër botë, për të cilat vepra në fjalë, si antologji kufijsh politikë, jep shkas jo pak. Në këtë gjykim, po e shpërfaqim një opinion tonë, në këto tre aspekte kundrimi.

1.Pasaktësia e konceptit të modernes.

Koncepti i “modernes”, (megjithëse Marku shprehet në Pasthënien e tij, se e ka përdorur termin “poezi moderne” në një këndvështrim, thjesht, personal), në të cilin, sipas tij, futet poetika e këngëve të 10 sibilave të Bogdanit (këtyre profeteshave të lashta pagane, sipas gojëdhënave antike, ritualet e të cilave u përshtatën më pas nga prekursorë të krishterimit, për nevoja të përhapjes dhe popullarizimit të besimit të ri), – me vargun më të bukur dhe më antologjik të krejt poezisë shqipe (të këngës së njërës prej këtyre sibilave, asaj të dytës, Libikes), që është vënë, i përshtatur, edhe si titull i antologjisë në fjalë,- në të vërtetë, poetika e Bogdanit i përket estetikës klasike, një përpunim i stilit klasik latin, (Virgjilit, – që, gjithashtu, u frymëzua dhe përshkroi sibilën e parë, atë të Kumes, – Juvenalit, etj., poetë që dhe i përktheu poeti ynë), shtoi këtij stili poetik dhe “stilin latin biblik”, si klerik që ishte dhe ku inkuadron potencialin ekzistues gjuhësor të gjuhës shqipe, ( me vargun 11 -rrokësh të sistemit silabik, me cezurën 6,5 dhe 7,4 si dhe me strukturën e rimës trokaike e jambike) dhe, me veprën e tij madhore “Çeta e profetnëve”, Bogdani krijoi stilin klasik të shqipes sonë të mesjetës, (I Rugova).

 Kujtojmë se stili i klasikes ka të bëjë, sipas perceptimit që në retorikën antike, me lapidaren, të rregulltën, madhështoren, aticisten, (me prejardhje nga Atika e Athinës, vendi i monumenteve letrarë të tragjikes së Eskilit, Sofokliut, letërsisë së lartë klasike), me thelbësoren, të madhërishmen, të qartën, të hijshmen, të harmonishmen, monumentalen, ndërsa stili i modernes ka të bëjë me të kundërtën e skajshme, me teprimin, paqartësinë, fillimin e sajuar prej jothelbësores, lojcaken, të shqetësuarën, asianiken, (me prejardhje nga Azia e Vogël), me të shpërpjestuarën, të turbulltën, të tensionuarën.

Nëse do të krahasonim poetikën e Bogdanit (që lindi në shekullin XVII, me atë të, thuajse, bashkëkohësit të tij, Luis de Gongorës, poetin e modernes spanjolle, që vdiq në të njëjtin shekull), do të kuptonim fare qartë poetikën dhe estetikën klasike të madhështores e të së harmonishmes, të “Sibilave” bogdaniane, për episode të jetës së Krishtit, me atë të modernes, manieristes së gongorizmit. Kështu që, disa nga “Këngët e sibilave” të Bogdanit, fare mirë mund të përfshiheshin, me titullin – vargun e një bukurie të pamatshme “Veshun me diell e mbathun me hanë”, dhe pse një përshtatje e Bogdanit nga “Zbulesa” e Gjonit të “Testamentitit të ri” të shenjtë, – në një antologji të lirikës klasike shqipe ku do përfshiheshin lirikat neoklasiciste të “Lyra”, me të famshmen “Nymfat e Shkumbinit”, të Haxhiademit (që, gabimisht, përfshihen në antologjinë e Markut, si poezi moderne), tingëllimat e Mjedës, etj..

 Për të përmbledhur, modernia, që nga antikiteti deri në kohën tonë lidhet me të renë, novatoren, risinë, revolucionaren e shprehësisë, të veçantën, të papërsëritshmen, në raport me poetikën e mëparshme, traditën shprehësore artistike, konservatoren prozodike, kanonet e artit të lartë, parimet e përcaktuara stilistike të krijimit poetik, etj.. Ndërkohë që modernia e kohës së re (e fundit të shek.XIX, shekullit XX e deri në ditët e sotme, u zhvillua si modernitet në pesë drejtime, pamje, “fytyra” kryesore (M. Calinesku): modernizmin, (që përfshin simbolizmin, – me simbolistët francezë të dhjetëvjeçarëve të fundit të shek.XIX, që bënë shkëputjen e madhe nga poetika romantike e herojve të jashtëzakonshëm në rrethana të jashtëzakonshme; ekspresionizmin, dhe akmeizmin rus); pararojën, (avant-gardën) të fillimshekullit XX, që përfshin dadaizmin, futurizmin, surealizmin, kubizmin, formalizmin rus); dekadencën, (vitet ’30 – ’40); Kitch-in, (vitet ’50 – ’60); dhe postmodernizmin (vitet ’60 – ’90 të shek. XX). Ndërkohë, një art i ri, ai i performatizmit, shpërfaqet në këto dhjetëvjeçarë të parë të shek.XXI.

 Ndërsa, kuptimi për modernen që jep Gëzim Basha në parathënien e tij të përmbledhjes në fjalë, është e karakterit historik të zhvillimit të qytetërimit teknologjik e shoqëror, (me kapitalizmin, revolucionin industrial, kulturën borgjeze) në dhjetëvjecarët e parë të shek. XIX, përfshirë dhe konceptin estetik të modernitetit, me pesë drejtimet e tij kryesorë në fundshekullin XIX dhe gjatë shek. XX, që vumë në dukje më parë.

Dhe, jo një kuptim të kësaj modernie, (të ndier intuitivisht nga antologjisti ynë), të karakterit estetik për të cilin këmbëngul Marku, në pasthënien e përzgjedhjes së vet, që e cilëson si të “tjetërsojtë”, për t’i paraprirë polemikës (që ka parandjerë) për antologjinë e tij sempliste, të thjeshtëzuar (në konceptualitet, vetëm si estetike), dhe sipërfaqqësore, (në përzgjedhjen e autorëve të përfshirë).

 (Kujtojmë që debatet kritike për konceptin e modernes ndaj klasikes, i gjejmë që në antikitet, me Ciceronin, shek. I p.e.s. i cili përshtati për këtë koncept termin grek me fjalën latine neoterius; gjer në përdorimin për herë të parë të termit latin modern, (për njerëzit) dhe moderne (për letërsinë), në shek.VI, nga Kasidorusi, në kuptimin e diçkaje të re, të sotme, të kohës së tanishme, për të vijuar më pas gjer me të famshmen esenë satirike të Suift-it “Beteja e librave”, (1704), si betejë midis “gjigantëve” dhe “xhuxhëve”, midis të lashtëve dhe modernëve dhe Bodler-in, (1867), një nga artistët e parë që ia kundërvuri modernitetin e tij estetik simbolist, jo vetëm traditës, por dhe modernitetit praktik të qytetërimit borgjez me “bukurinë transhendente, kalimtaren, ajo që arratiset tutje, të pasigurtën, gjysmën e artit, gjysma tjetër e së cilës është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja”.

 Ndaj, arti poetik i Bogdanit, për t’u rikthyer në argumentin tonë, nuk i përket estetikës së modernes, por traditës së poetikës klasike, stilit klasik latin të Virgjilit, etj. dhe stilit latin biblik të doktrinës së krishtërimit, stile që ndërthuren gjerësisht në veprën e tij monumentale artistike – kulturologjike.

 2.”Prania e mospranisë” së poetëve të shquar

 Një tjetër mangësi në konceptin e antologjisë në fjalë qëndron në atë që do ta quanim “prania” e poetëve antologjikë shqiptarë, me mospraninë e tyre të përzgjedhjes në fjalë, “prania si mungesë”, në kuptimin që kjo përmbledhje të sjell më shumë ndërmend individualitete të shquar të lirikës moderne shqiptare, të papërfshirë në këtë përpilim të Markut, sesa kureshtjen për ata që paraqiten si pjesë të saj, disa prej të cilëve të panjohur apo pak të njohur, ose që nuk thonë shumë në artin tonë të sotëm poetik. (Këtë e ka parashikuar dhe antologjisti në fjalë i cili shprehet , (në Pasthënien e tij, si një kujtesë paraprake), se: ”një nga mënyrat për të vlerësuar një antologji nuk është të vëresh se cilat poezi apo autorë janë përfshirë aty, se sa cilat poezi dhe autorë nuk janë përfshirë”.

 Kështu, përzgjedhja në fjalë, na kujton se nuk janë në të Ali Podrimja, Azem Shkreli, etj. për fat të keq, dhe poetë të tjerë të Kosovës e të trojeve, prej të cilëve u zhvillua më fuqishëm modernizmi i poezisë së re shqipe, ku dhe poetët shqiptarë kishin të gjithë liritë artistike të modernizmit europian, përveç lirisë themelore, asaj kombëtare, që e kishin të ndaluar ta kërkonin, nën shtypjen e pushtetit shovinist serb.

 Ndërkohë që në Shqipëri, (përjashto ndonjë vëllim poetik, të viteve ’60, si “Shekulli im” i Kadaresë, – që mbetet kështu dhe një poet i shquar, përveç se një prozator i famshëm, – ndoshta dhe “Poema dhe vjersha” të F. Arapit dhe, me një farë mëdyshjeje dhe “Mesditë” e D. Agollit, për lirikën e thellë refleksive – meditative), vazhdoi për shumë dekada shabllonizmi zhdanovist i të ashtuquajturit, “realizmi socialist”, me një letërsi të varfër propogande politike të partisë-shtet, ku poetët nuk mund të ishin artistë, por thjesht leva të edukimit politik të partisë diktatoriale që, vetëm kështu, iu jepte atyre të drejtën e publikimit, botimin falas dhe në mijëra kopje nga shteti i saj. Por që, në të shumtën e rasteve, ky art masovik agjitacioni komunist ishte i pavlerë. Si, bie fjala, poema “madhore”, “Nënë Shqipëri”, e Agollit, botuar në 100 mijë kopje, e ashtuaquajtur “Iliada e socializmit”, ku moderne për poetin dhe artin e tij propagandistik ishin të rinjtë me kominoshet e aksioneve vullnetare e të kantiereve dhe lufta e klasave kundër “lubonjëve” e “paçramëve” të shfaqjeve borgjezo-revizioniste, etj. etj.. (Ndërsa guximi për lirinë artistike paguhej me heqjen e së drejtës së botimit, burgosjen, persekutimin gjer dhe dërgimin e tyre, siç dihet, tashmë, nga historia jonë e re e dhembshme, para togës së pushkatimit, apo litarit, përveç asgjësimit të veprës së tyre të botuar më parë).

 Një vend të gjerë zënë, në këtë përmbledhje që po shqyrtojmë, poetë të Shqipërisë të brezit të përgatitësit të saj, (të viteve ‘70- ’80, të shek. XX), përfshirë, siç duket, prej tij, për nostalgji apo për “qokë”, – shkëmbim “nderesh”, reçencash e lavdesh reciproke për publikimet e tyre, (B.Xhaferri, V. Ziko, etj.). Apo, në gjykimin tonë, autorë të mëvonshëm, që janë shpërfaqur më shumë si prozatorë të spikatur, ndërsa poezia e tyre paraqitet e një niveli mesatar, si B. Mustafaj, F. Açka, A. Tufa, (ku, i pari, paraqitet me një biografemë të gjerë politike, e dyta, më shumë si një veprimtare intelektuale dhe i treti si ndjekës i një numri të madh programesh studimore specializimi filologjik, pa u vënë në dukje nga përpiluesi, veçori a tipare të modernitetit të artit të tyre poetik).

 Por asnjë prej këtyre poetëve të brezit të përgatitësit, dhe të tjerë, pas tyre, nuk mund të përballet, madje dhe vetë poeti laureat Marku, (me asnjë prej librave të tyre më të mirë poetikë), – me fuqinë artistike të modernizmit, bie fjala, të poezisë ekzistencialiste të vëllimit të jashtëzakonshëm “Lum Lumi” të Podrimes, apo me “Lirikë me shi” të Shkrelit, apo ndoshta, pse jo, dhe me “Zomb”-in të post-modernizmit të A. Apollonit , (me tre botime të tij në Prishtinë), i papërfshirë, gjithashtu, në këtë antologji krejt subjektive. (Me përjashtim, ndoshta, të L. Lleshanaku, e shek. XXI, me “Homo antarktikus” e “Hapësirë negative”).

 Ndërsa zënë vend në antologjinë e Markut autorë si: G. Krasniqi që është më shumë i njohur si romancier i brikolazhit dhe intertekstualitetit, se sa si poet; G. Kapllani që, me vëllimin e tij të vetëm, është thuajse i panjohur si poet në jetën letrare të Shqipërisë (e që njihet më shumë si eseist, me “Ditar i shkurtër kufijsh”); apo M. Ademi, gjithashtu, thuajse i panjohur dhe ky, me një libër të vetëm modest, – ndërkohë që poetë të rëndësishëm të arealit të lirikës së sotme shqipe, ndër më të spikaturit, si: S. Buçpapaj, (me një ndër vëllimet e tij poetike të një bukurie të fuqishme gjer në tronditje, “Frika nga atdheu”), H. Aliaj, N. Kacalidha, (me veprën e tij të shquar lirike “Pagëzimi i zogjve”), etj,, por dhe “klasiku”, Ali Asllani, janë lënë jasht përzgjedhjes në fjalë.

Konceptuar si një oaz bukurie estetizante poetike, për një përtëritje të fuqive përjetuese dhe emotive, në shkretëtirën e sotme të virtualitetit teknologjik, antologjia e Markut, paraqitet si një amalgamë “rrokjesh mbresore” (me raportin e tyre ndjesor të jehonës së ankthit lirik), pa të rrokurit, “rrokjet” e tjera, atë humaniste dhe semantike, që janë hapësira tekstore të tekstit estetik, që mishërojnë literaritetin, (larg optikës së dijes së përbashkët), në optikën e shenjës artistike. – nëse do ta shikonim, në këtë vështrim, sipas semiotikanit të njohur zviceran, Zhak Geninaska, Si një amalgamë njohjesh rastësore në rrjetet sociale si, bie fjala, poetja “antologjike“, M. Bashllari, apo G. Kone, gjithashtu, po me një libër poetik që, sigurisht, nuk afrohen për nga fuqia e tyre artistike, me kulmet e modernizmit të mëhershëm shqiptar si: “Ylli i zemrës”, vëllimi i dytë dhe i fundit i simbolistit Poradeci, apo “Vargjet e lira”, libri i vetëm poetik i ekspresionistit Migjeni. Për të vijuar me përzgjedhje të një tjetër poeteje, E. Çoku, në fillimet e saj të krijimit të një individualiteti artistik, etj., ndërkohë që L. Dushi, një zë i spikatur femëror në poezinë e sotme shqipe, nuk është pjesë e kësaj antologjie. Meqë jemi tek poeteshat, as që bëhet fjalë për F. Brovinën, e Kosovës, meqë krijuesit e trojeve janë lënë jasht projektit antologjik të Markut, sikur s’janë pjesa më e çmuar e poezisë së mirëfilltë shqipe të modernitetit.

Dhe as që mund të bëhet fjalë për poeteshën e kohës së re dhe interesante arbëreshe, K. Xukaro, pa le poetët e tjerë të njohur të sotëm arbëreshë, (V. Ujko, Zef Skiroi di Maxhio, (me vëllimin e tij të shquar poetik modernist “Ishuj” dhe “Poema arbëreshe”, ky i fundit, vlerësuar me çmimin special në panaririn kombëtar të librit në Tiranë), K. Kandreva, etj. -kjo degë e blertë e lirikës së sotme shqipe). Edhe po të hiqeshin 15 a 20 nga autorët e përfshirë në përmbledhjen që po kundrojmë dhe të zëvendësoheshin me: E. Mekulin, S. Hamitin, (me poetikën moderniste të librit të tij të shquar “Thikë harrimi”), E. Bashën, D. Mehmetin, A. Vincën, A. Islamin, Rr. Dedajn, B. Çapriqin, R. Musliut, H. Shabanin, Xh. Bajrajn, – poetë të shquar shqiptarë të kohës së re dhe bashkëkohës në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoni, (ky i fundit, ndër më të spikaturit e shekullit XXI, të diasporës së re, që e lëvroi poezinë shqipe në Meksikë), antologjia në fjalë, nuk do të humbte asgjë, veçse do të bëhej më dinjitoze dhe me një shpërfaqje të modernitetit estetik të shkallës më lartë.

 Ndaj, një publikim i tillë antologjik i poezisë shqipe krejtësisht personal, subjektiv, përzgjedhur dhe përmbledhur thjesht për kënaqësinë estetike të “antologjistit”, që secili mund ta bëjë “ sipas qejfit të vet”, “sipas shijes së vet” (TvABC, 19 prill) e që, për më tepër, promovohet zyrtarisht nga instanca të larta shtetërore të kulturës sonë, s’ka si të mos ngjallë, me të drejtë, indinjatën e krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë.

 Shqipëri: M. Buçpapaj, “Nacional”,(24 prill): Antologjia e R. Markut, e 378-a që botohet gjatë këtyre 33 vjetëve, (sipas Bibliotekës Kombëtare), nuk mund të anashkalohet, si të tjerat, për shkak të ngushtësisë së antologjisë së tij, para pritshmërisë së lexuesit në autoritetin e tij letrar”.

 S. Çunga, (Portali intelektual, “Peisazhe të fjalës”)”: Në këtë “antologji” të apologjisë, s’mund ta mbyllim si shumë herë më parë, (për institucionin e “Poetit laureat” dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit“), se ai stan, atë bulmet ka? Vetëm se këtë herë kemi të bëjmë me një stan shtetëror, jo me stan privat”

 S. Habilaj: Hartuesi i antologjisë ka konceptin (natyrisht, skandaloz), se poezia e një kombi, poezia e një gjuhe, mund të ndahet në disa shqipe, duke mbetur sërish shqipe dhe secila nga këto copëza të shqipes, mund të bëjë antologjinë e vet…

Kosovë: A. Apolloni, (Fb): Kjo s’është as antologji, as e poezisë shqipe, as moderne! Kjo është marre!

Mehmet Kraja, (ExLibris, 24 prill): Nuk mund ta besoj se, pas kaq kohësh të jetës së përbashkët, shfaqet një antologji me ndarje kufijsh…

 Maqedoni e Veriut, A. Vinca, (“Nacional”, 24 prill): Nga 59 poetë, të përfshirë në këtë antologji, asnjë s’është jasht kufijve të Shqipërisë. Konferenca e Londrës, na dha ndarjen e parë, atë territoriale, më 1913, poeti refugjat që jeton në Londër, po na ndan, më 2023, në këtë ndarje të dytë që është ndarja shpirtërore. Si pati guxim ta bënte publike këtë antologji gjysmake?

A. Selmani, (Fb): Duke i parë emrat e poetëve të përfshirë, në këtë antologji, m’u kujtua poeti Podrimja, (që nuk është përfshirë aty), i cili, në poezinë “Etyd për Shqipërinë” thotë: Xhuxhe je / xhuxhe je, moj/ pa mua…

 A. Aliu, (ExLibris, 24 prill): Antologjia e Markut, që përjashton gjysmën e letërsisë shqipe, është një zhgënjim që duhet harruar sa më parë, si një nga ato qindra antologji të harruara tashmë përgjithmonë.

SHBA, D. Tuzi, (Shenasi Rama), Fb: Poetët që janë aty, (në antologji), mendoj se janë në vendin e gabuar, si krijues, në kohën e gabuar, si bashkëkohorë e, negativë, si shembuj artistikë…

 U. Lushi, (ExLibris, 24 prill): Ky botim pa kritere dhe me injorim gjeografik të letërsisë shqipe, është një turp…

 Përmendim, me këtë rast, se në “Antologjinë e poezisë shqipe, gjysmë – shekulli i artë”, 1950 -2000), të vitit 2002, të kritikut të njohur A. Aliu, që, sërish, ka si mangësi, përfshirjen më të shumtë të poetëve shqiptarë të trojeve dhe të atyre të sotëm arbëreshë të Italisë, ndërsa përzgjedh pak poetë të Shqipërisë shtetërore, subjektivizmi i tij nuk përfshiu R. Markun, (dhe pse në një pjesë të krijimarisë së tij, ky i fundit, paraqitet, përgjithësisht, si një poet i mire, me një ndër vëllimet e tij të spikatur të poezisë moderniste, “Vdekja lexon gazetën”, 1995, apo ndoshta, dhe vëllimi i mëvonshëm, “Një ballkanas në Londër”, po me materjen e tij të njohur estetike) dhe bëri pjesë të saj, poetë me një vokacion modest, si M. Hanxhari. (Mos ndoshta ky pezëm, – e ku më shumë se te poetët, shfaqet narcisizmi, – e detyroi Markun, t’i hynte kësaj pune të përpilimit të antologjisë së tij personale të poezisë shqipe, ku t’i bënte vend vetes, patjetër, në “lavdinë” e poetikës shqiptare.

 Për ta promovuar me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Muzeun Historik Kombëtar, si arritje të kulturës së sotme, një antologji thjesht personale të shijes së vet individuale estetike, (të “antologjistit”, hartuesit të saj), si një përmbledhje mbresash leximesh të lira subjektive nga poezia shqipe, (nga ato përmbledhje që qarkullojnë brenda një rrethi të ngushtë privat miqsh të një ndiesie të përbashkët artistike),- me pompozitet mediash, ligjëruesish e poetësh “antologjikë” të cilët, këta të fundit, Mustafaj, Bejko, etj., me në krye përpiluesin (që “përzgjodhi” edhe veten e tij “poetike”, me poezitë e veta që përfshiu në të), në një atmosferë “solemne” butaforike, ngrinin veten në qiell, përmes lavdesh për përmbledhjen në fjalë, si një “madhështi” e një marrie ekzibicioniste.

Një përmbledhje përzgjedhjeje vetanake, e krijuar për kënaqësinë e vet individuale artistike e që s’është as plotërisht e poezisë së shqipes, as krejtësisht e poezisë së saj moderne dhe, aq më pak, të asaj kombëtare, (që, në fakt, kjo e fundit, siç bën të ditur vetë, nuk është synuar nga përgatitësi në fjalë e që, në thelb, mund të jetë e kuptueshme, në konceptualitetin e lirisë absolute, “hyjnore”, -poetët çmohen baraz me profetët,- të krijuesit, – në këtë rast, të përgatitësit i cili, fare mirë, mund ta kishte saktësuar, në nëntitull, karakterin e botimit të tij, që në ballinë si “Antogji personale e poezisë së Shqipërisë”, meqenëse, vetëm këtë pjesë të poezisë shqiptare shtetërore njeh më mirë, siç shprehet dhe vetë, me kulturën e tij të kufizuar “estetike”, (sipas kriterit të përcaktuar prej tij, siç bën, gjithashtu, me dije, po vetë në “Pasthënie” të tij, i ashtuquajturi “laureati i poezisë shqipe”, duke mënjanuar kështu gjithë këtë polemikë të sertë.

 Ndërkohë që ironisë përtallëse e megalomane të këtij “antologjiku”, (në TvABC, 19 prill, 2023), se “ka lënë pa futur në këtë antologji të tij, poetët e Kumanovës, të Cërrikut e Rrogozhinës), mund t’i kujtojmë se poeti i Rrogozhinës, Xh. Tosku, nuk qëndron më poshtë se poeti lezhjan, R. Marku. Gjithashtu, nëse nuk janë lapsus-e, përçudnimi i emrit të poetit të njohur, të viteve ’60, Vehbi Skënderi, në Skënder Vehbiu, apo cilësimi i kritikëve të Antologjisë së tij, (duke dashur t’i ironizojë, e përçmojë, si të ngjashëm me mbikqyrjen shantazhuese të patronazhistëve të PS, në fushatat e saj elektorale), i cilëson këta krijues e intelektualë, si “patrozhanistë”, (ExLibris, 22 prill, 2023), reagimi nervoz i Markut do t’i ngjante një sjelljeje sharlatanizmi. Një “mbrojtje” në këto raste, edhe sulmi, edhe tërheqjeje, me aksiomat e njohura se ”një njeri, aq sa di bën”, “një krijues, (në këtë rast, poet, madje dhe laureat), atë ç’ndien estetikisht, përzgjedh”, atë ç’përjeton shpirtërisht, përmbledh në shqipërishte, po të shpreheshim me një leksemë lasgushiane, (në frymën e përjetshme të “shqipes poetike”), se “fola dhe shpëtova shpirtin”, etj.etj..

 3.Një trill “antologjik” poeti

 Vepra kulturore në fjalë, mund të shihet si një antologji personale e shijes vetjake estetike, “thjesht argëtuese, kënaqësimarrëse, kënaqësitrazuese të krijimit artistik”, (siç sugjeron vetë Marku në pasthënien e tij, “Një antologji e tjetërsojtë”), në ekstazën e krijuesit, si një përmbledhje ngazëllimore, lojcake, thuajse e qashtërsisë fëmijërore, e tingëllimit të bukur, të lirshëm, të melodishëm të shqipes estetike, si një kalamendje artistike e zbavitje relaksuese “të patëkeq” prozodike, jasht kanoneve e “apriorive”; si një ‘kapriçio” artistike, aventurë marramendëse perceptimi ekstatik, kuturisje poetike, si një pasion fantazist lirik “çmendurisht” i bukur, “ekzaltim të metafizikës e transhendentales të lirikës konceptuale”, (siç shprehet me këtë cilësim të fundit, Gëzim Basha, në Parathënien e tij, “Një antologji e munguar e poezisë shqipe”), si një shpallje e lirisë absolute të krijuesit, edhe kur përzgjedh në artin e poetëve të tjerë, larg çdo kriteri të ngurtë shkencor akademik, qëllimi pragmatist, parimi ideologjik, koncepti etatist, kanoni kombëtarist, veç kriterit ngazëllor estetik të së bukurës poetike, pra, një trill “antologjik” poeti. Dhe pse Marku e sheh një antologji si një akt kritik, botimi i kësaj që po shqyrtojmë është, në të vërtetë, një akt hedonistik, i kënaqësisë estetike të leximit poetik, “vlerash estetike, paraqitur si sugjerim, vë në dukje autori i Parathënies, në kohën tonë kaotike të dyndjes së pafre të amatorizmit dhe gjithfarë spekulantëve botuesish e shpërndarësish çmimesh letrarë honorifikë”.

Duke gjykuar si “antologjinë më të mirë atë që krijohet nga një lexues i rreshkur që në fëmijëri e që bëhet më vonë shkrimtar, teksa i bashkon kështu përvojës së kultivimit të shijes së leximit, kulturën dhe përvojën e krijuesit letrar”, Marku paraqet kriterin estetik si devizë, si manifest të tij artistik, në botime të këtij karakteri, duke synuar të hapë kështu një tjetër horizont perspektiv të gjykimit kritik.

Ndërsa Marku klasifikon në tipologjinë e botimit të antologjive poetike, që nga ato pragmatiste shkollareske e akademike e gjer ato të biznesit të sipërmarrësve botues, që printojnë pafund, për përfitime, përmbledhje antologjike me pagesa autorësh të panjohur, për të dalluar karakterin e antologjisë së tij estetike, ne shohim në tipologjinë e këtyre botimeve, antologji poetike të përgjithshme, ato tematike, rajonale e lokale si dhe antologji të opusit poetik autorial, për të cilat po bëjmë, në këtë rast, një parantezë të gjerë.

 Antologjitë poetike të përgjithshme individuale, (personale), që synojnë të shpërfaqin totalitetin hapësinor apo kohor historik të artit poetik të një gjuhe e kulture, paraqiten, përgjithësisht, me mangësi të theksuara; në rastin e parë, bie fjala, antologjia që përmendëm e kritikut A. Aliu, që përfshin poezinë shqipe të të gjithë trojeve të shqiptarëve, por vetëm në një gjysmë shekulli atë, të gjysmës së dytë të shekullit XX. Në rastin e dytë, antologjia që po kundrojmë, ajo personale, e poetit R. Marku, që merr përsipër të japë një pamje të bukurisë së poetikës shqipe që nga kohërat më të hershme të saj gjer në ditët tona, por vetëm në një pjesë të territorit shqiptar, atë të Republikës së Shqipërisë. Po kështu, antologjia individuale akademike e studiuesit R. Qosja, (1969), gjithashtu, paraqitet e ngurtësuar me kriterin e saj ideologjik e historik. Ndërkohë që antologjia më e mirë e poetikës shqiptare në shtrirjen gjithëhapësinore e gjithëkohore, (me gjithë ndonjë kufizim të lehtë ideologjik të kohës), mbetet vepra kolegjiale e një grupi bashkëpunëtorësh: poetë, kritikë, studiues e filologë, ndër më të spikatur të kohës, (D. Siliqi, Dh. Fullani, N. Jorgaqi, O. Myderrizi, R. Brahimi, Sh. Demiraj), nën drejtimin e Dh. Shuteriqit, një monument letrar i shqipes sonë poetike të traditës, “Poezia shqipe”, vëllimi I, (1965), në të cilin poezia shqipe nis me Lekë Matrengën dhe vijon me 52 poetë, deri te Mjeda, përfshirë dhe autorët anonimë të poezive të fuqishme: “Bendo Shapërdani” dhe “Zani i kasnecavet”.

 Vepra të shquara kolegjiale antologjike janë dhe ato për poezinë franceze, greke, ajo e poezisë turke të shek.XX, antologjia akademike e poetëve maqedonas, antologjia e poezisë moderne të Iranit “Trëndafilët e Persisë”, etj. si punë e përbashkët e frymëzuar, grupesh poetësh, shqipëruesish e redaktorësh filologë. Ndërkohë që shpërfaqen më pak të suksesshme antologjitë individuale (apo personale) si ato të Dritan Thomollarit për poezinë italiane, të shekujve XIX e XX dhe asaj të poezisë angleze të shek. XIX, të Rudi Bobratit për poezinë anglo-saksone,të shek. XX, të Simon Vakës, sërish për poezinë italiane që nga periudha e Rilindjes, të Artur Ballit për poetët romantikë anglezë e skocezë, (dhe ku bëjnë përjashtim dy antologjitë individuale të Aurel Plasarit: të poezinë spanjolle të shek.XX dhe të asaj rumune të shek. XX “Një flatër e një këmbë”).

 Antologjitë poetike tematike, paraqiten përgjithësht, të sukseshme, edhe pse janë, në të shumtën e rasteve, individuale. Kështu, mund të përmendim antologjitë interesante të Anton Nikë Berishës për poezinë liturgjike shqipe apo për poezinë e sotme arbëreshe; apo antologjia për poetët shqiptarë mesjetarë të Anton Paplekës, antologjia interesante e poetëve të harruar shqiptarë, të Shpëtim Kelmendit, gjer te antologjia e bukur me ”Vargje për dashurinë” të poetit Mark Simoni, botuar në shkurt të këtij viti, (një muaj përpara publikimit të “Veshun me diell, mbathun me hanë”, mars, 2023), etj.

 Antologjitë krahinore, lokale e të komuniteteve të emigrantëve, që kanë rëndësinë e vet nga që përmbushin nevoja kulturore e shpirtërore të komuniteteve ku krijohen dhe shërbejnë, për autorë që përfaqësohen në to, si “plasdarme” të shpërfaqjes së tyre në antologjitë kombëtare. Kështu, bie fjala, antologjia e bukur e poetëve të Kukësit, e poetit Rexhep Shahu, botuesit të njohur të shumë antologjive, mes të cilave, atë poetëve të sotëm të Ballkanit, të poezisë moderne të Iranit si dhe të revistës së shquar “Illz”, të Klubit të Poezisë së Tiranës; “Zëra të një qyteti” të poetëve Ramazan Hushi dhe Josif Doja, të krijuesve të trevës së Kavajës, etj.; “Pelegrini” të shoqatës kulturore të emigrantëve shqiptarë në Greqi, të shoqatës së krijuesve shqiptarë emigrantë në Suedi “Papa Klementi”, etj., etj.

Antologjitë poetike të një opusi autorial, në të cilat, gjithashtu, si më të sukseshmet paraqiten ato bashkëpunime kolegjiale grupesh poetësh e shqipëruesish si ato për veprën e Shekspirit, Gëtes, Pushkinit, Eseninit, etj. Bën përjashtim vetëm fuqia gjenuine e artit poetik të Poradecit që përballoi më së miri, shqipërimin dhe publikimin e antologjive poetike për Hajnen, Mickieviçin, Petëfin, etj., ndërsa rast i veçantë, është ai i Sotir e Cacit, me antologjinë poetike të Hygoit.

 Të prekim, kalimthi, dhe çështjen e vënies së emrit të antologjistit, (hartuesit të antologjisë), megjithëse, në pamje të parë, pa kurrfarë rëndësie por, në një vështrim më të thellë, shenjon karakterin e botimit. Marku e paraqet antologjinë e tij si një vepër autoriale, duke e vënë emrin e tij, në një disenjim grafik (“të skalitur”) në krye të ballinës, sipër titullit të antologjisë në fjalë, “shenjim” si të ishte një vepër origjinale kur, në të vërtetë, është antologji, vepër e “sajuar” me krijime të poetëve të tjerë. Kur, prej shekujsh, në traditën e botimeve të tilla antologjike, emri i hartuesit të tyre vendoset poshtë titullit të antologjisë, me foljen e veprimit përpara dhe emrin përkatës të hartuesit, madje, me tipografinë e thjeshtë normale, pra: përpiloi, përzgjodhi, punoi, përgatiti, përmblodhi. Si, bie fjala, antologjia “Eni vjen prej Çamërie”, përpiluar nga: Ali Podrimja, (me vargje të 35 poetëve nga të gjithë trojet shqiptare për tragjedinë çame); madje, në antologjinë “ Poezia e bejtexhinjve” , emri i përgatitësit, Hajdar Salihu, që e ka pajisur përmbledhjen në fjalë, me një studim prej 100 faqesh, nuk është vënë në ballinë, as në faqen e brendshme por në krye të studimit, në faqen 5. “Antologji e poezisë malazeze”, zgjodhi dhe përktheu, Dimitrov Popoviq; antologjia e poezisë ballkanike, “Diell pa hije”, zgjodhi e shqipëroi: Ramadan Musliu ; “Antologji e poezisë botërore” , përktheu e përgatiti: Faslli Haliti, etj. etj. Këtë parapëlqim të Markut, (edhe në antologjinë e tij të poezisë botërore), për të paraqitur publikime të këtij lloji si vepra autoriale, nuk po duam ta shohim si shprehje të një egotike megalomane, por si një kurajo të tij të sugjerimit për të parë elemente të një lloj origjinaliteti, edhe në botime të këtij karakteri si: struktura, (kompozimi), shija subjektive e përzgjedhjes së autorëve dhe teksteve artistike, kriteri i veçantë estetik, në këtë rast, i këtij botimi antologjik, etj..

 Pohimi i Markut, në polemikën e tij ndaj valës kritike (ExLibris, 24 prill) se ka përfshirë në antologjinë e tij, 95% të poezisë më të mirë shqipe, bie poshtë lehtësisht, ngaqë në këtë përpilim të tij nuk janë përfshirë 50% e poezisë më të mirë të modernitetit shqip të shekullit XX, të trojeve, të diasporës arbëreshe dhe diasporës së re të emigracionit si dhe 15% e poezisë së re moderne të Shqipërisë shtetërore, duke mbetur kështu, përmbledhja në fjalë, vetëm me 30% të kësaj shqipje poetike. Gjë që duhej ta pasqyronte, me nëntitullin, që në ballinë: “Antogji personale e poezisë shqipe të Republikës së Shqipërisë”. Dhe jo ta paraqesë me përcaktimin pretencioz, gjithëkohor e gjithëhapësinor, me kontekst të një dinjiteti të lartë kulturor të botimit, (që kërkon të parathotë dhe disenjimi i bukur grafik i paraqitjes artistike të librit), si “Antologji e poezisë moderne shqipe”.

 Të vijmë tani, në përmbyllje, me objeksionet tona: Një antologji e dinjitetit të poezisë shqipe krijohet jo nga sipërmarrës të biznesit botues, me pagesa autorësh të panjohur që përfshihen në botime të tillë për të patur një emër; as përmes antologjish mediokre e vanitoze amatorësh e diletantësh për çertifikata on-line “unionesh botërorë poetësh” e dëshmi (jo) penaliteti; as nga sipërmarrje institucionesh shtetërore e akademike dhe as nga sipërmarrje personale individuale poetësh, ashtu, siç “ia do qejfi i vet”, “mideja” apo “shija vetjake estetike”, por përmes një pune kolegjiale poetësh, eseistësh letrarë e filologësh, që nis me inspirimin e një poeti, i cili mund të ftojë për punë të frymëzuar, poetin e spikatur të çdo brezi krijuesish në Shqipëri, troje e diasporë, ose poetin e spikatur në çdo shtet të shqiptarëve apo ku jetojnë shqiptarë. P.sh. në një sugjerim të parë, më vijnë ndër mend, poetë, si: Luljeta Lleshanaku, (Shqipëri), Ag Apolloni, (Kosovë), Agim Vinca, (Maqedoni), Haxhi Shabani, (Mali i Zi), Skënder Buçpapaj, (emigracion, Zvicër), Mario Belici, (Kalabri); eseistët: Agron Tufa, Primo Shllaku, gjer tek më të rinjtë, Alisa Velaj. (Sigurisht, aq sa mund të afrohen në këtë bashkëpunim fisnik).

 Apo, sipas brezave, çdo poet përzgjedh ato krijime dhe autorë të shquar të brezit të tij të kohës së re, në shtetin e tij dhe në trojet shqiptare e diasporën arbëreshe e të emigracionit, duke nisur, bie fjala, me Natasha Lakon e brezit të viteve ’60, e duke u ngjitur në vitet ’70 e deri në ditët tona, me Sabri Hamitin, Ilirian Zhupën, Arian Lekën, Arben Idrizin, Niko Kacalidhën, Zef Skiroi di Maxhion, Resul Shabanin, Milazim Krasniqin, Sali Bashotën, Nurie Emrullain, Plator Ulqinakun. Kuptohet, 6 – 7 prej tyre që mund të ofrojnë bashkëpunim në një grup pune kolegjiale. (Theksojmë, që janë emra të sugjeruar, thjesht, individualisht, që mund të jenë dhe të tjerë. Thelbi është kolegjialiteti i një veprimi publik kulturor e artistik, meqë veprimi personal, vetjak, siç pamë në këtë parashtresë, në të shumtën e rasteve, në botimet e këtij lloji, ku shpërfaqet shpirti i një populli, del i pasuksesshëm).

 Duke patur kështu, përmes një antologjie të tillë kolegjiale krijuesish të spikatur, një tablo mozaikale të vlerave artistike, në kulmimet e tij klasike dhe të modernitetit, nëpër kohëra e hapësira të tij, të verbit lirik shqip.

Exit mobile version