Kreu Letërsi Bibliotekë “Labirinte dëshpërimi”, poezi nga Petro Çerkezi

“Labirinte dëshpërimi”, poezi nga Petro Çerkezi

Petro Çerkezi në dy vëllimet poetike “Ti më këshillon të blej një bilbil” dhe “Qiell barok melankolie”, botimet Neraida 2023, kurorëzon sukseshëm martesën e artit tradicional me atë modern, intimen me shoqëroren, të përditëshmen me mitin dhe modulon arqitekturën e melankolisë së një kohe absurde që ka dalë nga makthi skëterror, ku liria ende është një ëndërr e vagullt, një qelqnajë e krisur një “stinë e shpëlarë, qiell hidhnak pa ngjyrë, kohë pa kokë si somnambull që ka humbur orientimin drejt një Evrope të ftohtë mbuluar me mjegull. Përceptimi i realitetit poetik bëhet nëpërmjet së vërtetës jetësore.

Poezia e Çerkezit nuk është e pozave dhe theatralitetit. Kostumet ekstravagante të rymave moderniste, postmoderniste e sureale nuk i interesojnë poezisë së tij. Ajo që i interson poetit është sinqeriteti poetik, që ka madhështinë e burimit homerik me lirizëm të kthjellët dhe epicitetin e çdo kohe larg absurditeteve ireale. E vetmja modë është ajo që i urdhëron shpirti dhe projekton çasti. Çasti gdhënd atë që quhet përjetësi në art edhe kur koha është e pavolitëshme e antiart.

Këtë qiell barok e të rëndë plumb poeti përpiqet ta kthjellojë duke e shartuar mjeshtërisht me potpuritë brilante të ligjërimeve tradicionale popullore. Ky është bazamenti ku poeti ndjehet më i sigurt dhe i jep poezisë së tij dimensionin njerëzor, me një densitet e sensibilitet ndjenjash shpërthyese që të mbështjell si këmishë transparente mirësie dhe dashurie mesdhetare. Në çdo stil që shkruan arti i tij poetik është solid dhe pikturon murale kohore si mjeshtrat e artit të madh të ngjyrave. 

JANI MALO


Nga vëllimi “Ti më këshillon të blej një bilbil”

NË AEROPORTIN E ZOGJVE

Sonte do të fle në aeroportin e zogjve
Nuk e di në ç’pistë do të ulemi
Mund të jetë pista hënore
Mund të jetë pista argjendore e detit
Mos më pyet, nuk ka rëndësi
Një pistë e ëndërruar do jetë gjithsesi
Le të na çojë avioni në viset
Që ëndërruam kaq shumë unë e ti.
Mund të jetë projekti i takimit të parë
Ku shtruam piketa ndërplanetare në përjetësi,
Avionat uturojnë hareshëm
Zogjtë ligjërojnë dhe në gjumë, e shtrënjta ime
Vetëm zogjtë e njohin itenerarin
Nuk ka rëndësi si do jenë flatrat
Mund të jenë dhe si të Ikarit
Hëna nuk është kaq ziliqare e mprapsht sa dielli
Do na mbajë qielli i trandafiltë i ëndrrës.
Ku shkojnë këta zogj? Në ç’pistë do të ulemi
Ndoshta në Bruksel ndoshta në Evropë
Zogjtë bëjnë pikiadë u ngatëruam mes reve
Sytë u bënë qiell, qielli i pabesë ngjyrë plumbi
Avioni u drodh s’u ul në aeroport, ndërroi drejtim
Mos u tremb, mos u trishto e mira ime.
Jemi krijesa të mirësisë së universit
Një pistë e kaltër do na presë patjetër
Uturon avioni buçet deti i zemrës
Sonte do të flemë në aeroportin nderqiellor
Të zogjve. Nesër do të nisim sërish shtegëtimin
Hapu buzqesh larg trajektoreve iluzive, qielli im!


MUNGONTE

Lexova regjistrin, por ajo mungonte
Mungonte dora që shkroi një ekuacion të çuditshëm
Që barazohej me fjalën “TE DUA!”
Në një orë të lumtur të matematikës.

Emra të panjohur, sy kuriozë,
Vetëm ai ekuacion sundonte
Në regjistër, në dërrasën e zezë, në muret e bardhë,
Në sy, në duar, në dritaren magjike.

Kurse harabelat nën strehë, te dritarja,
Cicërinin shkujdesur si dikur
Refrenin e largët lumturor
Në pyllin e harbuar të adoleshencës.

Tej dritares një vajzë kreh leshrat
Me gishta trandafili ç’pasqyrë verbuese.
(Mos të lutem, mos!)

Ah, ç’u bënë ato krela, kaçube kaçurela
Luadh i harlisur
Që i krihte me krehër të argjendë hëna?

Lexova regjistrin. Dhjetra sy kuriozë
Veç mungonin ato sy,
Që më hapën një portë të ndritur
Në zemrën adoleshente të prillomajit.

Mungonte ajo doçkë që shkroi
Ekuacionin magjik në orën e matematikës
Uverturë të papërsëritëshme.
Mungonin gishta që luanin në tastiera vrullore
Mbi bangat piano të gjimanazit.

Lexova… mungonte,
Po zemra s’më tha kurrë t’i vë mungesë.


FRESKO HERBARIN E KUJTESËS

Mos më premto asgjë! Të lutem hesht!
Vur një gjethe të gjelbërt në buzë dhe hesht!
Vur një jasemin në xhepin e zemrës dhe hesht!
Na lodhi zhaurima e fjalëve
Na lodhi kjo erë kukuvajkë
Që fërshëllen në zgavrat e kalbura
Si vajtim mizor.
Hesht të lutem s’dua të dëgjoj asgjë.
Mos ja thyej lastarin mirësisë,
Mos e thyej kristalin në retinën e ditës. Mos!

Vetëm lermë të prehem
Në zemërgjerësinë e dritës
Nën strehën paqësore të syve të tu!
S’dua të dëgjoj këmbana të përzishme
Nga tempulli i rrënimeve
Jehona vajtimtare për humbje shpresash.
Mos më premto asgjë, hesht!

Lermë të shoh vragën e anijes
Tek humneron ndarjen,
Shaminë e kaltër të lamtumirës
Përcëlluar nga flaka e lotëve
Tek e vendos pranë jaseminit.

Vur dhe një bisk të gjelbër për unazë
Apo një violë të hajthme
Nga ato që qëndisje me fije hëne
Mbrëmjeve në pritje të dashurisë
Dhe kur të të djegë zjarr i mallit
Fresko herbarin e kujtesës.

Mos më premto asgjë, e di,
Shoh turbullimin e qiellit të syve,
Jemi mësuar me shtërngatat
Mos më premto, e di, brenda premtimeve
Vdesin ditët shkumëverdha nga dëshpërimi
Zogjtë kryqëzuan qiellin, mos i vështro
Mos e vështro braktisjen. Vdesin premtimet!


NDARJE

Në mëngjes dita ishte dhelëse, e qeshur
Vezullim shpresash që bilbilonin prej vesës.

Ti po vije madhështi sovrane, më hyje te gjiri
Nëpër rrugina të dehura të një dite prilli.

Në mesditë retina kristalore e syrit u thye
Me një shkrepëtimë të befasishme stuhie.

Në mbrëmje përmbytja e Noes kërcënonte botën.
Ti po ikje. Qielli kish parashikuar katastrofën.

Cili Zeus kishte mbjellë mes nesh farë rrufesh
Ti po ikje mes zikzake rrufesh mërie dhe resh.

Më kish mbetur në dorë një karafil i purpurt
Kujtim i përgjakur i një beteje të humbur.


PËLLUMBI I TEMPULLIT TË DODONËS

Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb.
Mblidhuni orakuj, mblidhuni fatthëna
Profetizoni kurbën e fluturimit.
Tremijë vjet të shkuara Uliksi u këshillua me orakujt
Për të gjetur rrugën e kthimit për në Itakë.
Në trajektoren e pëllumbit
Pëndëpërzhitur nga flakët e Trojës
Eneu shplekste fijet e fatit mes zhgënjimeve
Në gracka peripecish të pafundme.
Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb.
Sa pëllumba lëshohen nga podiume të larta
E stadiume olimpike,
Sa pëllumba pëndepërzhitur llangosur e nxirë
Si korba biblikë!
Sot si ta kuptosh dëshirën e perëndive,
Dëshirën e sundimtarëve si ta kuptosh?
Për të thënë dëshirat e thjeshta njerëzore
S’ka nevojë për orakuj,
As transkiptim profecish pëllumbash pendëbardhë,
S’ka nevojë për altarë e tempuj.
Le të pyesim zemrën, o ballkanas të vjetër,
Si ta kthejmë në pëllëmbë miqësie
Gadishullin e ashpër me emrin Ballkan.
Në tempullin e Dodonës lëshoj një pëllumb
Flatron e humbet nën qiellin e kuq.


LABIRINTE DËSHPËRIMI

Kish një solemnitet dhimbjeje në ecje,
Pengohej në çdo hap si kalë i grackuar.
Çapitej nëpër labirinthe dëshpërimi.
Rrinte përballë diellit dhe detit
Me një pasqyrë vigane përpiqej të bllokonte anijet,
T’i detyronte të ndërronin itenerar e të hynin në liman
Apo t’u vinte zjarr si Arkimedi anijeve armike,
Po të mos u bindeshin urdhërit të pasqyrave.
Kantatë e zjarrtë zemërimi frynte nga pasqyrat,
Ngrinte dallgë dhe i vinte zjarrin vetmisë.
Dëshmi e rrebelimit një mantenutë lakuriqe
Mbi supet e dëshpërimit, metamorfozë sirene kallpe
Që e mëkon shoqëria prostitutë.
Asnjë anije nuk hyri në liman,
As ankorë ylli nuk u var të puthte brigjet.
Të gjitha u bënë shkrumb, i gllabëroi mjegulla
S’mund t’i përkushtohesh flladit të ledhatimeve.
Të lodhi era, të lodhën anijet, që iknin deteve të botës,
Të lodhën pasqyrat si guri mundimmadh i Sizifit.
Të dëshpëron ky rrënim e varfërim i botës,
Që vret dhe biskun e fundit të dhëmshurisë.
Kish një solemnitet dhimbjeje në çdo hap,
Mblidhte rrezet në pasqyrë si Arkimedi
Bekonte detin t’i sillte anijen e Argonautëve
Me shpresën flamur t’i binte kryq e tërthor botës.


E SHITËM SHTËPINË

E shitëm shtëpinë.
Sytë e agut ishin të përlotur.
Hëna e mbrëmjes hodhi një vel të zi
Dhe u shëmb duke lënguar pas malit.
E shitëm shtëpinë. Shitëm atë pak pranverë
Që ruante të fshehur në sepet
Begatinë e vjeshtës që varrej në trarët e tavanit.
Zjarri i perëndimit më digjte sytë,
Mora një gur dhe e flaka me zemërim.
Qelqet e dritareve u bënë thërrime.
U thye pasqyra me kujtime të vyera.
Në dysheme kishin mbetur bërthamat,
Fruta gjysmë të ngrëna nga kopshti i gjitonit,
Me puthjet aguridhe të natës së shkuar
Dhuratë e mikes sime të parë, lamtumirë e hajthme.
Të tjerat lesh e li, makthe, zogj të vrarë.
Shtëpinë e shitëm.
Ngarkova dy hejbe me ngashërime,
Një të nënës, një timen,
Plagët e qershisë përskuqur në dritaren e shkallës
Pesë bohçe me re dhe me blegërima,
Merakun e babait me buzqeshje fajtori
Mbi samarin e shqyer të kalit të ëndrrës,
Një musandër me kotësira, një napë të harlisur
Nga lëndinat e lojrave të Shën Thanasit,
(Si gjithë djemtë fshatarë nostalgjikë)
Qeni m’u hodh në prehër më nguli kthetrat e kuisjes
Pranga pikëllimi që do më ndiqte pas 30 vjet.
Pemët e kopshtit erdhën më rrethuan një nga një
Si për ngushëllim në një ksodh.
Hartat e pikave në muret e odasë
Si hartën e llangosur të botës i vështrova gjatë
S’reshti kurrë së pikuari pikëllim në zemra
E nuk i ndërroi kurrë ngjyra e mavijosur e plagës
Të çarat në mure, gojë të hapura që ulërijnë
Plagë të mëdha nga bombardimet e luftës së fundit
M’u transplatuan të gjitha në gjoks, në kurm
Dhe në cirkovolucionet e trurit
E filluan të më therin. E shitëm shtëpinë,
Rrugës për në qytet gjëmonte e vetëtinte,
Thua se edhe qielli trazonte leshnajën e reve e dëneste
Për shkuljen dhe braktisjen.

Nga vëllimi poetik “QIELL BAROK MALANKOLIE”


MOS MË PYESNI…

Mos më pyesni për prejardhjen?
jam pjella e një toke traumatike
me flokë të pleksura me rrufe
dhe gjymtyrët me rrënjë mitesh.

Jam pika lotësh në qiell mërgate
dhe puthje nostalgjike argonautësh
në detin e përmalshëm të kthimit në ardhe.

Anija që u shfaq një natë me hënë
ishte Argoja me dru lisi nga Dodona dhe Nemerçka.
Një mijë sirena më ofruan puthjet e tyre
Të gjitha Kasandra pabesie dhe mallkimi.

Puthja e Judës më vrau, puthje dashurie jap.
Mos me shikoni sytë
atje fryn hi kohrash katastrofike.

Uliksi transfuzionoi udhëtimet në venat e mia.

Në më gjetçi duke mbledhur guacka hënëzash të thërmuara
në ranishten e shkretë të Penelopës
është se po kërkoj monopatin e ëndrrës
një Itakë për të përndjekurit,
të çrrënjosurit dhe lëngimtarët!

Mos më pyesni,
Poseidoni i zemëruar më rrëmbeu rremat.


ABETARJA E PIKËLLIMIT

U vyshkën trandafilat në oborr, u vyshkën dhe zambakët
Ca lotë të njelmët rrodhën shpejt, qiell trishtimi.
Hirnosur horizonti, buzët dhanë puthjen e fundit,
Sytë lamtumirën, shigjeta vetëtimash
Skicojnë një arqitekturë peripecie, mërgimin.

I rëndë e rebel qielli vjeshtor,
Therëse kjo cingërimë dimri.
Ju lutem, ndaloni, mos e shfletoni kalendarin e kujtesës
Në fletët e tij, në xhepat e fshehtë gjaku ruan ende
Faqe të panjollosura në abetaren e pikëllimit.

Rruga për në Itakë kalon përmes skëterrës.


TETOR…

Përlotet dita. Leshnaja qiellore pikon shi të verdhë,
Pikojnë shi e diell flokët e tu, e dashur.
M’u mbush shpirti me pellgurina
Pasqyra qielli ku dynden kuajt e reve.
Toka e zezë e zezë, qielli plumb i rëndë
Një buqetë mbi varrin e tim eti loton dhe ajo.


MOS IK

Të lutem mos ik!
Po ike, do të japë shpirt kjo natë magjike
Dhe do të mjegullohen syt’ e agut.
Mos ik, buçet deti! Mos ik, shugullon pylli.
Lermë të shuaj etjen në oazin e freskët.
Nje yll përlotet. Një kukuvajkë lodërzon me fatin.
Shkundma rërën nga supet! Vij nga shkretëtira,
(Tirania e saj më shtyp si gurët e piramidave).
Shqyeje qiellin e vjetëruar, dëboJi makthet!
Sytë e sfinksit i përpiu nata, nuk na ndjekin më.
Qëndro ta pijmë me fund gotën e yllit të mëngjezit,
Të lutem mos ik!


NA KANË VËNË NË SHËNJË

Dikush ngriti armën dhe shënoi.
Tërhoqi këmbëzën. Një breshëri, dy, tre. Dikush ra.
Flaka përcëlloi ajrin. Përcëlloi fytyrën e turmës.
Mjegulloi diellin. Plumbi goditi në mish.
Ndoshta isha unë, ndosha ti, noshta çifti që puthej në park.
Gjaku skuqi mermerin, ra në asfalt, skuqi fasadën e horizontit.
Plumbi fërshëllen akoma. Bëri rikoshetë dhe u kthye.
Kaloi skajshëm dhe në zemrën tënde, e dashur.
Rivrau heronjtë. Vrau rrugën me emrin e tyre.
Na spërkati me gjak pejsazhet
Ku kishim lënë puthjet dhe vjeshtëroi befas,
Borëroi borë e zezë, shkretoi ditët akuarele
Që i ngazëllonin uvertura takimesh.
Bleruan dhe vdiqën pejsazhet.
Trandafili që mbaja ishte prej gjaku. Si të ta dhuroja?
Mëngjesi kish njolla gjaku. Plumbi fërshëllen akoma.
Endet, fërshëllen, ngulet në mish, në mur,
Në zemrën e një ylli, përgjak buzët e diellit
E s’mund të puthemi. Me ç’duar të të përqafoj?
Gjaku njollosi ditën, përgjaku vështrimet.
Plumbi na ndjek kudo. Ka vënë në shënjë dashuritë.
Na kanë vënë në shënjë dhe mua dhe ty, e dashur.
Gjethnaja e ditës dridhet prej ngashërimeve.


I IMITUAM TË GJITHA

Çdo ditë ndërrojmë maskat. Maska, maska, maska.
Altarë të përçudnuar adhurimi profetik
Aktorët i braktisën skenat dhe dolën në pjacë.
Rrugët u bënë pode teatrore. Sa shumë i lakmojmë maskaradat!
Gjer në vdekje, gjer në amshim.
Maskarada në treg, në shesh, në parlament
Ditët na u bënë Rigoleto gaztorë që nxjerrin gjuhën
E përqeshin tragjikisht vetveten.
I imituam të gjitha, verbuam sytë e ardhmërisë
Dhe nxjerrim flatra nga lumturia
Që jemi majmunë mrekullisht të devotshëm.


MIKEJA SEÇ FSHIN SHTËPINË

Mikeja seç fshin shtëpinë
Me nje degëz trëndelinë.

Mikeja seç fshin odanë
Me një degëz manxhuranë.

Fshije mike e fshije yll
Se do të presësh bandillë.

Mikeja seç rri në portë
Më një degëz borzilok.

Borzilok e manxuranë
Në avlli ca lule ranë.

Mblidhi, mike, mblidhi,
Seç t’i rrëzoi bandilli.

Sevda, trandafil me erë,
Më hodhe magji në derë.

Bobo, ç’t’i bëj kësaj zëmre,
U bë gur nëpër kalldrëme.

Mikeja seç fshin kalldrëm,
Herë me lotë e herë me këngë.


SHIU I PARË

Shiu i parë vërshoi katarakt në zemrën e tetorit,
Ngjyrosi me ngjyra ylberore kanavacën e natyrës,
Akuarele fantastike koktej gurgulluan
Në hartografi ligjërimesh të zogjve migratorë.
Shiu i parë ndezi zjarre në mangallin e pyjeve,
Na rrëmbeu ombrellën, na lau me të puthura,
Njomi horizontin e buzëve përtharë nga afshe behari,
Trandafil i purpurt premtimesh false.

Grija e qiellit rrokulliset shtëllunga leshi,
Shkelim dhe ndjejmë marramendje hyjnore.
Vjeshta shtroi gjethet qilim pendesë
Nën tingujt bubullues të kambanës qiellore,
Retë e bardha kope qëngjash, paralajmërim stuhie,
Vajtoca që akumuluan kuje shirash
Në sytë e tu ku mbrëmëson dhimbja,
Një rrufe shqyejti mishin e qiellit, kulloi arin e ditës
Dhe u lidh kordhele në leshnajën bjonde.

Përndezi gishtat e mi flakroi unaza në ajër,
Ndezi buzët e përthara të shpresës,
Kafshoi me dy gojë mollën e Adamit
Dhe ra të flerë në shtrat shkrepëtimash pasionante.
Shiu i parë, puthja e lakmuar në të çarat e tokës,
Dielli i parë, ylber harlisës, qepalla nazike,
Sy të përlotur, vreshta të rënduara si gra shtatzana,
Vila diellore makiazhojnë rrudhat e dhimbjes.

Shiu i parë çmbështolli qefinë nga sepetet,
Hapi një shteg për tek fëminija, shaloi kuaj asganë,
Shpalosi shami vallesh, ngriti ankorat në anijen e mallit,
Vrulloi gjakun në venat e stinës.


NË TELAJON E DITES VERORE

Piktori trazonte ngjyrat në paletë,
Frutiera mbi tavolinë
Vezullonte si kupë ngjyrë mjalti,
Vogëlushja mbushte kovën me det
Dhe stërkala të kaltra buzqeshjeje,
Mikesha e piktorit mbushte bujarisht telajon
Me një mollë gjysëm të kafshuar në dorë,
Mjellma e bardhë vallëzonte mbi valë.

Piktori ngjyente penelin,
Frutiera rrezëllonte diellisht,
Vogëlushja stërkalonte hareshëm,
Mikesha kish pjekur frutin e buzqeshjes,
Piktori trazonte ngjyrat,
Deti ngjitej valë-valë në paletë,
Bashkohej me rrahje zemre në kanavacë.

Peneli kompozonte telajon e horizontit,
Frutiera me diell, kova me det,
Frut i pjekur i buzqeshjes, molla gjysëm e ngrënë,
Mjelma e bardhë e ëndrrës, shtrati erotik
Trazoheshin e gatuheshin dashurisht
Dhe derdheshin mjeshtërisht
Në telajon e ndritur të ditës verore.


NË BREGDETIN E SHKRETË

Në bregdetin e shkretë
Selvitë si tufë e zezë bagëtish
Kullosin dhimbjen.

Këtej u nisën dje ata
Si argonautë të rinj,
Varur në një direk shprese
Me imazhin e Itakës në sy.

Çfarë po përtyp, o det me nofulla vigane?

Deti u mbush me gropa,
Shpalos qefinë të pafundëm,
Valët ulërijnë,
Shkulin leshrat
Si gra fatzeza që i preu
Më dysh drapri mortor.

Sa dashuri të humbura, vajtojnë?
A e dini ç’kohë është?
Koha kur je në vigjilje feste
Dhe kthehesh kufomë.

Në bregdetin e shkretë
Selvitë e zeza kullosin dhimbjen.

Exit mobile version