Kreu Letërsi Bibliotekë “Ndërrova gjakun me një tiger”, cikël poetik nga Aleksandër Bardhi

“Ndërrova gjakun me një tiger”, cikël poetik nga Aleksandër Bardhi

Psherëtima e artë

Një psherëtimë e artë
u bë lule margarite
barit të ëmbël ku shkel këmba e Zotit,
Miqtë e mi të mërzitur,
miqtë e mi të drobitur
si shira province
horoskopeve të mot motit;

Më jepni ju lutem.
një xixë Ardenice
Ta ndez nga e para perëndimin e shuar,
dhe në ndodhtë ndryshe
Ju o murgj shpërndani
pak meshë të diele
me karafil të thërmuar!…


Harresa

Ndalu një çast
dhe dëgjo,
dëgjo thellë brënda vetes;

Bilbilat e gjakut këndojnë në gjumë
dhe në zemër të vdekjes.

Kujtoj babanë
që më thoshte dikur,
se harresa është
një kodër me kryqe.


Dritë

Kur s’dita nga t’ja mbaj
nga errësirat dole ti.

Në zemër të malit – dritë e qymyrtë
qielli – plumb
dhe hëna me shi.

Ndoshta atëherë kuptova
se drita e vërtetë e njeriut
është ai pikëllimi brilant
i diamantit të zi.


Rruga e milingonave

Eja – më thane – nga rruga e milingonave,

Prej andej shkohet
Edhe në shtepinë e bukës.

Ndërrova gjakun me një tigër

Piva ujin e magjive
uji u bë shkumë.

Ndërrova gjakun me një tigër,

T’u ula në gjunjë.


Bukë e ëmbël

Dikur e kishim frikë njëri tjetrin
Dhe ndoshta shkakun
as sot s’mund ta dimë
Dhe pse bukën e hanim nga e njëjta arë
dhe ujin e pinim nga pusi im.

Kaluan vite, sa vite kaluan
Unë ja tek jam, ja tek je dhe ti,
Gotën e helmit 
ti smund ta derdhësh
Gotën e mjaltit
unë smundem ta pi.

Po ara prapë
prodhon bukë të ëmbël,
Dhe pusi prapë
mbushet me ujë të ri.


Lule nate

Ndoshta ti kurrë
s’do mund ta dëshmoje,

se legjendat lindin
edhe nga një shkulmë gjaku
një mbrëmje të zakonshme
në gojën e shokut.

Sic mund të ndodh që ti
të mos e dish,

se lavdia është
thjesht një lule nate
diku aty pranë
poshtë  gurit të paemër.


Vetmi

Shpirt i pa shpirt.
Gjak i pa gjak.
Zë i pa zë.

Kërkon një gurë
të mbështetësh pak kokën,
Po ke frikë se s’do mundesh
të zgjohesh më.

Bokë e bardhë.
Heshtje e zezë.
Qiell i paemër;

Ti, bota
dhe një yll i vogël
si ajo pika e fundit
e gjakut në zemër.


Falja

Unë vetëm hesht
dhe pi lotin me gjak.

Kullon shpirti
trupi
eshtrat,

zëmra
pak e nga pak.

Ujku i gjakut
ulërin nëpër bark;

O pik e lotit,
O pik e gjakut,
O plumbi im i artë!


Fëmijëri

Ne i urrenim trenat e mesnatës
Se në fshatin tonë
asnjë nuk ndalonte,
Se kush kish thënë nën zë
se fajin e kish dielli
Që çdo ditë lindte
andej nga perëndonte.

Xhepat i mbanim gjithmonë me gurë
Unik në zemëratën tonë të vjetër
Po dielli sa zbardhte një faqe
të kodrës
Hidhej e diellëzonte
gjysmën tjetër.

Dhe ne ktheheshim kokëulur
në shtëpiat tona
Se dhe një gur i vockël
në burg mund të na çonte.    
Ishim të pafat.. Në fshatin tonë
Dielli lindte
andej nga perëndonte.


Ikona

Sa herë e krijova ikonën e tim Zoti
Aq herë e kam thyer krejt i pakënaqur,
Erru me fytyrën e ëngjëllit të dhëmbshur
Ndritu me buzëqeshjen e armikut të dashur.

Dhe ende s’di ç’ndjej
mallkim apo faj
Që jastëkun mëngjeseve
shpesh e gjej të lagur.!…


Një tregim i vogël nga lufta

Me tytën e pushkës
tërhoqi degën e mollës.
Futi dy kokrra në xhep
dhe iku.

I ati e ndoqi vëngër
nga dritarja,
si kaçakun e uritur
që ha bukën e hasmit.

Pas ca ditësh
zbriti nga mali djali tjetër,
i vogli.

Babai e shkundi gjithë mollën nga rrënjët,
në yll të sabahut.
I dha për shokët
dhe për komandantin.

Një ditë lufta mbaroi.

I vogli u kthye nga lufta
pa duar.

Të madhit
një natë i hodhën prangat
pse kishte luftuar
kundër fitimtarëve.

Molla ish bërë
pronë e shtetit të ri.

Vetëm babai
do të rronte gjatë;

Me atë farën e zezë
të mollës në fyt
dhe atë zilkën e ngjirur
të kollës së thatë.


Tingull këmbane

Koha zero.
Dielli shkurdisi orën e fatit
Peligorga e zezë
këndoi mbi kryq.

Druaj
Pse ta fsheh
mu verbua syri
Thashë, më përpiu
gremina e një ylli.

Ç’më bënë të druaj
lehtas ta prek
atë cipëzën e gjirit
tënd të argjëndtë;

Aty ku fermoi
gjeth’ i parë i botës
dhe fleta e fundit
e librit të shënjtë!…


Hija e tjetrit

Më zuri nata
te një stan i vjetër.
Dele të urta,
barinj të verbër.

Gjithë natën klithte
një sorrë gjaku,
Qentë kuisnin
për pak zinxhir më tepër…


Hapat e ditëve

Po kthehen shirat
nga rruga e gjatë
të bëjnë gjumin
e rëndë të zjarreve.

Unë rri e dëgjoj hapat e mi
Në rrugën e gjatë lindje-perëndim,
Po akrepat e diellit seç kanë
ca klithma
Tek bien mbi ujra
e digjen si thëngjinj…


Territoret e mia

Humbjet janë
territoret e mia.

Thellë në errësirë
luanët qajnë në gjumë.


Heshtja

Heshtja është guri
ku rrëzohen vetëtimat.

Nëna që pa gdhirë
mbush prehërin me to
dhe ndez gjymtyrët
e trupit tim.

Drita e tyre
është zëri im.


Ata të dy

Ata të dy gjithmonë janë lutur
që një ditë prej ditësh
të vdesin bashkë.
Shpirtërat të shkojnë
në kopështet e Zotit
Njeri – thëllëzë
tjetri – fazan i artë.

Kaq, vetëm kaq. Vdekjen bashkë.
Një herë lutet ajo
dy herë lutet ai,
Po Zoti qesh e ju dërgon nga lart
Pak errësirë për dashuri.


Shi

O, shi i vogël
që guget mbi çati;

Ajo muzikantja e verbër
që luan Vivaldin nëpër natë,
dikur ka qënë
një pikë shi.

Shi, o shi i vogël
që këndon mbi çati!..


Këngë

Ika dhe do kthehem prapë
N’ato vise marrëzie,
Ku skifter’ e pëllumba bashkë
Bëjnë luftra dashurie.

Ku askush s’bën llogari
C’gjak u derdh, c’troje  humbi;
Vetëtima dhe ylbere
Bëhen kryq mbi valë lumi.

Atje gdhij nëpër netë
Te një breg, në zgavër lisi,
Ku digjet vetë ndër vete
Si thëngill, një hënë dimri.

E një ditë prapë do kthehem
N’ato vise marrëzie,
Ku shkumbon një lum’ balade
Me bëm’ e gjëma dashurie.


Identitet

S’jam luftëtar,
aq më pak hero.

Netëve thyej buste
nëpër rrugë e sheshe,

Mëngjeseve gdhihem
i martirizuar.

Exit mobile version