Kreu Letërsi Shënime mbi libra Kosta Nake: Gjurmime stilistike në udhën e poetit Agim Bajrami

Kosta Nake: Gjurmime stilistike në udhën e poetit Agim Bajrami

Poetin Agim Bajrami e kam ndeshur në udhë që vite më parë, por kam filluar të shquaj nuancat e zërit të tij të veçantë poetik pesë vitet e fundit nëpërmjet botimeve të tij të herëpashershme në shtypin periodik letrar.

Vëllimi “Balada të pambaruara” është stacioni i parë i një ndalese për një vështrim më të thellë dhe gjithë kohës u ndjeva sikur po kaloja ndanë një mjedisi të ëndërrt transformues me qiell, det, pemë që animazohen, me zogj që personifikohen, me vendbanime me njerëz të vështirë që ta trazojnë shpirtin me fjalën apo shikimin e parë, me heroin lirik që pëson metamorfozë sipas mjedisit ku ndodhet.

Në rrafshin strukturor libri është homogjen, me ndërtime strofike katërvargëshe, me një besnikëri të palëkundur ndaj rimave të alternuara me një kërkesë të brendshme për kadenca dhe muzikalitet, mision plotësisht i mundshëm për një poet që ka aftësi interpretative dhe ndjenjën e masës që rrallë i kalon gjashtë strofa për të përcjellë një mesazh.

Në rrafshin e përmbajtjes, paraqitja është e çlirët, ndoshta një përputhje me spontanitetin e frymëzimit dhe krijimit, gjithsesi lirizmi që karakterizon vëllimin në tërësi, ka dhe ishuj të dallueshëm me problematikën shoqërore të shtruar në hapësirën bashkëkohore, për familjen e sotme shqiptare me dramat e saj, për njerëz që kanë humbur orientimin dhe motivimin, me një kontrast të thellë mes varfërisë masive dhe babëzisë së një grushti individësh që kanë arritur të pasurohen brenda një nate.

Në tregun e zhurmshëm të krijuesve që pretendojnë që po fluturojnë mbi Pegas, Agim Bajrami është poet i vërtetë me fytyrën e vet të dallueshme dhe mund të veçohen disa tipare që ndeshen rregullisht jo vetëm brenda këtij vëllimi, por edhe në gjithë hullinë e botimeve të mëparshme.

Së pari, poezia e tij arrin të bëhet pasqyrë e një shpirti të ndjeshëm, delikat, të dhembshur dhe të bukur duke futur brenda universit të vet jo vetëm femrën e bukur e të dashur, jo vetëm njerëzit që janë përgjithësisht të mjerë, por edhe natyrën me gjallesat dhe bimësinë. Nuk është një vështrim nga lart apo nga afër, por një bashkëbisedim me gjithçka, duke i personifikuar, duke u dhënë sy, zë dhe frymë. Poeti zgjedh një pozicionim modest duke përdorur fjalën “ndoshta” ose shprehjen “nuk e di se si” dhe u largohet deklaratave të forta sikur di gjithçka, apo sikur ka rrëmbyer një varg-shpatë me të cilin do të ndryshojë botën. Kjo nuk e pengon të revoltohet kur ndodhet në një mjedis anadollakësh, apo kur përballet me masakrat mjedisore. Edhe pse poeti gjithandej duket i vetmuar, qasja e urtë dhe e matur tingëllon si mënyra më e pranueshme për të prekur zemra dhe arsye të tjera dhe për t’i ftuar në  përballje, ndërkohë që mjedisi shoqëror po bëhet egocentrist ose tërësisht shpërfillës ndaj fateve njerëzorë apo transformimeve që po i bëjnë botën dhe të ardhmen gjithnjë e më të pasigurt.

Gjithsesi, poeti i vërtetë ka brenda dhe filozofin që me një enumeracion metaforash të paraprira nga një anaforë në fillim të çdo strofe, hedh dritën e vet mbi terrin e objektit që ndodhet para tij fizikisht ose virtualisht. Nevoja për shpjegime të detajuara e kthejnë sakaq poetin në misionar dhe poezitë në disa raste marrin karakter sintezë si te “E keqja më e madhe” ku vendosen në një peshore që kërcet nga ngarkesat e pabarabarta: shiu që s’resht dhe qielli i mbyllur, largimi i së dashurës dhe gropa që la prapa, drita që fiket dhe terri që përhapet, fëmija që qan dhe askushi që afrohet për ta qetësuar, pema e prerë dhe vdekja.

Anafora e dekretuar që në titull “dua ta mbaj mend/ dua ta kujtoj”, te poezia “Katër peisazhe nga atdheu” radhisin problematikën shoqërore motin brutal, sherr vulgar të fqinjve, mbrëmjen pa hënë, natën me ankth.

Te poezia “Dimër” anafora “s’po më lë kohë ky dimër” vë në rresht: të mendoj për ty, të të ndiej brenda vets, të takohem me ty, të të shkruaj ca radhë, të ndërtoj një parajsë për ty.

Te poezia “Pesë mendime me radhë në një mbrëmje dimri”, siç paralajmëron edhe titulli, anafora “s’është e drejtë” krijon një tablo me një çift që s’rresht duke u puthur, me një lule zambaku që mbijeton në acar, me librin që porsa është botuar dhe nipin që po vizaton një diell abstrakt.

Poezia lind si një mungesë e pazëvendësueshme, si një zbrazëti që duhet mbushur, si një fjalë e pathënë që duhet të përcillet te dikush, prandaj tiparin e dytë të artit të tij poetik e përbën zgjedhja e ndërtimeve mohore me folje që paraprihen jo vetëm nga pjesëzat mohuese, por shpesh edhe përforcohen me fjalë të tjera paraprijëse si “asgjë”, “askush” ose “aspak”, me emra që paraprihen nga parafjala “pa”, me pjesë të bashkërenditura kundërshtore që prihen nga lidhëza “por” dhe mund të përforcohen edhe nga fjalë pasuese, si “kurrsesi”, “në asnjë mënyrë”, etj. Këto ndërtime mohore shërbejnë si projektor i fuqishëm për të ndriçuar një ndjesi, shqetësim dhe nganjëherë mund të ngërthejnë brenda vetes një pohim: Nuk mund të them… s’ia harroj… s’diskutohet… s’mund t’i lija përballë… s’jam penduar (Refuzim). S’mbaj mend… s’harrohet lehtë… s’na i hodhi sytë… (Ardhja e një vajze në qytetin D.). S’di si më gjete (Mesditë!). Nuk di ç’na shtyu… s’kish njerëz të gjallë… nuk mund t’ju them… nuk ishin hije… shpirtin s’kish mundur  t’ia qetësojë… (Shtëpia e hijeve). Mos guxo nesër të mos vish…. Duroj gjithfarë marrëzish/ por jo mungesën tënde… s’na duhen dëshmitarë… (Mos guxo nesër të mos vish). Nuk di të them… s’e shpjegoj dot… s’gjeta forcë… (Takim me ty). S’ju mbaj mëri dhe s’ju mërzitem… asnjë nuk bëj me faj… nuk është kollaj…(Korrik). Lejlekët s’do vijnë më… pa zërat e tyre një lagunë nuk është lagunë… peizazhet pa ta s’do ngjanë si pikturë… (Nekrologji për lejlekët e lagunës). Dielli s’është aty… po dhe në s’daltë, nuk na prish punë…(Në mungesë të diellit). S’matem dot me idiotët… me ta s’ka fjalë…mos u lodh… ata nuk dëgjojnë nga ai vesh… s’u fshihesh dot…(Edhe një herë për idiotët). Askush s’vjen më… s’dimë se ç’bëjmë… s’kam guxim t’u rri përballë… (Kishë e braktisur). S’mund të pranonte kurrsesi… s’ishte thjesht një fjalë goje… ta mbetej pa një mik…(Rekuiem për fanarin e portit). S’e thirra unë… s’njihja kënd…askënd s’kisha zili… s’ka gjë se fjalët s’ia kuptoja…(Një zog në tavolinën time). Unë s’di të ketë pasur… s’di nga i vjen kjo… s’mund t’i them që s’jam i tillë… (Mëri). Nganjëherë mohimi mund të jetë intesiv duke pushtuar gjithë strofën: “Pastaj mos thuaj që s’të thashë/ Dhe mos më shih me kaq qortim/ Unë s’kam ndërmend të kthehem mbrapsht,/ As bëhet fjalë për një rikthim.” (Pastaj mos thuaj që s’të thashë).  “Ndryshe s’do të mbetej ky petal… Ndryshe mbi buzë nuk do mbaja/ një puthje zjarr… Ndryshe s’do dashurohesha me ty…  (Kur u njoha me ty).

Së treti, ka një shkëmbim të ndërsjelltë të raporteve që ekzistojnë mes njeriut dhe natyrës, një vëzhgim i një dukurie natyrore që do të përmbyllet me një paralelizëm nga jeta shoqërore; një problem shoqëror do të shkarkojë një pjesë të ngarkesës së vet edhe mbi mjedisin që e rrethon. Përroi e pret poetin i përmalluar “dhe po nuk shkova, psherëtin”… (Pak fjalë për uikendet e mia). Poetin e kish thirrur deti… (Më kish thirrur deti). Mali ka “dy-tre re mbi ballë e vetull…” (Meditim pranë malit të vetëtimave). Pema që i kanë ikur zogjtë, ka një “fytyrë të mërzitur dhe ca rrathë pagjumësie te sytë,” por nuk pajtohet me gjendjen dhe “i lyp qiellit t’ia kthejë cicërimat…” (Vetmi peme). Një pemë tjetër përkuli degët “dhe diç më tha me qesëndi…” (Ngushëllim ikje). Bajamet mbajnë zi për Bardh Maliqin… (Baladë elegjike për tre poetë sarandiotë). Era nuk i jep përgjigje poetit për ndërprerjen e fluturimit të zogjve… (Fluturimi i zogjve me pupla të murrme). Klithma e erës tregon se diçka nuk shkon… (Në mungesë të diellit). Nga kumbulla e vrarë “pika gjaku pikojnë mbi asfalt…” (Vrasja e kumbullës së kuqe). Poeti flet “me qiellin mbushur me yje/ dhe me ca lule në livadh…” (Nesër). Poeti ka parë “një pulëbardhë duke qarë… (Lot pulëbardhe). Nganjëherë animizimi dhe personifikimi mund të bashkëjetojnë si te poezia “Fshat” ku kishës nga poshtë i kanë dalë rrënjët, kurse nga lart trupi i është kërrusur e shtrembëruar.

Poezitë shpesh përmbyllen me një proces transformues për vetë poetin. Ai dhe lumi jo vetëm qëndrojnë së bashku, jo vetëm llomotisin së bashku, por lumi ia del ta bëjë poetin të ndihet pakëz lumë… (Ode dashurie për lumin e fëmijërisë sime). Poeti është i sigurt se ka lënë gjurmë të thella në letrat shqipe, prandaj ai nuk do të jetë “asnjëherë një kohë e shkuar…” (Nesër). E dashura ka ikur, po kalendarët e mallit kanë marrë emrin e saj… (Ajo). Ajo është aq larg, sa poeti s’mbërrin dot atje… (Fantazi). Poeti mund ta tolerojë dimrin për pasojat që sjell në shëndetin e tij, por jo për kërcënimin vdekjeprurës ndaj zogjve… (Refuzim). Poeti nuk mund të jetë i qetë, kur fqinjët përfshihen në një sherr banal. (Katër peisazhe nga atdheu).

Metaforat e panumërta dhe gjetjet poetike si ajo e poetit të mbështjellë me mërzi, e xhaketës së vjetër, heronjtë që nga varret shkulin flokët, vajza që laget në shi sepse e ndjen si gishtërinjtë e të dashurit, kryqet që dridhen mbi altar, pranvera që vjen me një dallëndyshe, dielli dragua, tryeza që ka këmbë prej malli dhe mbulesë prej reje, etj. janë dëshmi e talenti të lindur dhe një vëzhguesi të vëmendshëm.

Baladat, edhe pse në një numër të kufizuar, ia kanë dalë të përcaktojnë titullin e krejt librit. Ato paraprihen nga “Baladë e munguar për Janinën” që evokon disa figura të njohura historikisht, peneli kalon mbi portretet e tyre duke theksuar detaje domethënëse: Vasiliqia që rri mbyllur pas vdekjes së pashait, Thanas Vaja mustaqegjatë, Frosina e bukur dhe veziri që e ndjek me zemëratë se poeti s’këmbeu asnjë fjalë me të. Balada tjetër shfaqet para se të mbyllet perdja dhe sjell dhimbjen për kolegët që janë larguar nga jeta.

Exit mobile version