Kreu Letërsi Bibliotekë Jon Fosse: Një tjetër emër (Fragment nga libri me të njëjtin titull)

Jon Fosse: Një tjetër emër (Fragment nga libri me të njëjtin titull)

Përktheu nga norvegjishtja Aristidh Shqevi

Shikoj nga vetja teksa qëndroj aty në këmbë me vështrimin te dy vijat që takohen në mes, njëra kafe, tjetra e purpurt, dhe e kuptoj se ato i kam pikturuar ngadalë, me një bollëk boje të trashë, dhe se boja ka rrjedhur, se në pikën ku vijat bashkohen, ngjyrat lëthuren bukur, dhe kam mendimin se nuk jam më në gjendje të vazhdoj ta shikojë këtë pikturë, e cila ka kohë që prehet në këmbalecin e piktorit, ndoshta prej dy javësh, ndaj tanimë më duhet ose ta ripunojë sërish me bojë të bardhë, ose ta lë në papafingo, në kanavetat ku mbaj piktura që nuk dua t’i shes, edhe pse atë mendim e kam shoshitur në mendje ditë për ditë, bie përsëri në mendime, kap telajon dhe e lëshoj sërish nga dora, duke kuptuar se, meqë e kam kaluar gjithë jetën duke pikturuar, me bojëra vaji mbi kanavacë, po, që kur isha djalë i vogël, nuk dua të pikturoj më, kurrë, sepse e gjithë kënaqësia që provoja dikur nuk ekziston më, dhe vazhdoj të jem në mendime, ndonëse u bënë dy javë që nuk kam pikturuar asgjë, madje bllokun e skicave nuk e kam nxjerrë as edhe një herë të vetme nga çanta e krahut prej lëkure ngjyrë kafe, e cila varet nga një stivë pikturash vendosur në një qoshe, ndërmjet derës së sallonit dhe asaj të dhomës së gjumit, dhe ma ha mendja, se dua ta heq qafe këtë pikturë, bashkë me këmbalecin e piktorit, dhe tubetat e bojë së vajit që ndodhen në këtë dhomë, e cila ka shërbyer si dhomë ndenjjeje dhe si studio pikture, dhe e tillë ka qenë që nga çasti kur Ales dhe unë filluam të banojmë këtu, shumë kohë më parë, sepse më ka futur një shqetësim të madh, dhe më duhet që ta heq qafe, ta largoj që këtej, edhe pse nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur me mua, por diçka ka ndodhur, patjetër, pavarësisht se ajo nuk ka rëndësi, mendoj dhe dëgjoj Åsleik-un që citon Kryqin e Shën Andreas, duke i theksuar fjalët, gjithnjë duke i mëshuar ato me një ton revoltues, dhe duke vërtetuar se edhe ai diçka di, ndaj ai shprehet në atë farë mënyre, me krenari, po, ai është i thjeshtë, i tillë është Åsleik-u, dhe kjo është fjala e saktë, i thjeshtë, dhe sërish mendoj me përshtypjen se atij i thashë se kisha ndërmend që, bashkë me të shkoja në Øygna për ta festuar Krishtlindjen me Motrën, siç ai e thërret atë, gruan që quhet Guro, në shtëpinë e saj, çka është, në të vërtetë, më e mira për mua, sepse po të qëndroj në shtëpi, pa shoqërinë e askujt, e vetmja gjë që do të bëj është të shtrihem në shtrat, ku, sipas gjasës, as mundimin për t’u çuar nuk do ta marr, nejse, mund të ngrihem për të mbushur një gotë me ujë, nëse kam etje, dhe pak ushqim, nëse ndihem i uritur, por veç këtyre, thjesht, do të shtrihem në shtrat, në dhomën e gjumit, pa e ndezur dritën aspak, dhe aty do të mbizotërojë një terr i plotë, megjithatë do të përpiqem të marr një sy gjumë, dhe nuk do ta vras mendjen për asgjë, sepse dua që gjithçka të jetë e zbrazët, po, pa shprehi dhe e qetë, po, e reshtur, po, e heshtur dhe e errët, ngaqë e vetmja gjë që dëshiroj të kem është qetësia, po, dua që kudo të sundojë një qetësi absolute, e cila të më kaplojë si bora, dhe të më mbulojë me një cipë të bardhë, po, dua që qetësia të bjerë mbi gjithçka që ekziston, përfshirë këtu edhe mua, po, edhe mua, dhe të më shndërrojë në diçka të padukshme, të kthejë çdo gjë në të padukshme, të zhdukë gjithçka, ndërkohë, vazhdoj të mendoj, dhe sigurisht të gjitha këto mendime do ta marrin  arratinë, bashkë me pikturat që zotëroj, dhe ato që më janë mbledhur në mendje dhe që më mundojnë, të gjitha kanë për të ikur, ndërsa unë do të mbetem i zbrazët, thjesht bosh, kësisoj do të shndërrohem në diçka të heshtur, në një errësirë të heshtur, ndaj, sipas gjasave, ajo që po përpunoj në mendje tani është paqja e Zotit, apo mos vallë nuk është ajo? ndoshta nuk ka të bëjë me atë që njerëzit e quajnë Zot? madje, sipas meje, të flasësh për Zotin është diçka e mundur, nëse kjo ka njëfarë kuptimi, sepse a nuk është Zoti diçka që ekziston, dhe jo diçka për të cilin mund të flasësh?

Exit mobile version