Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anila Mullahi: Të kërkosh të vërtetën nëpërmjet imagjinatës (Romani i ri i...

Anila Mullahi: Të kërkosh të vërtetën nëpërmjet imagjinatës (Romani i ri i Besnik Mustafajt)

Besnik Mustafaj është një nga shkrimtarët më të mirë dhe nga ato më prodhimtarët në letërsinë bashkëkohore shqipe. Stili i tij i veçantë, teknikat e ndërlikuara rrëfimore, loja me kronotopinë i bëjnë veprat e tij të vlerësohen nga lexuesit dhe kritika letrare në mënyrë të veçantë.

Romani “Fati i marrë” është një roman i ndërtuar si një tekst që shkrim brenda tij tekste të tjera letrare dhe jo letrare. Shkrirja e prozës letrare me tekste intermediale është mënyrë e qëllimshme që shkrimtari vendos të hedhë poshtë, rrëfimin e zakonshëm, tradicional dhe për të krijuar një diskurs defamiljarizues, të ndryshëm nga ai i përdorur rëndom në letërsi.

Shkrirja në një tekst i  ngjarjeve nga e shkuara e largët, siç është koha e Skënderbeut me të largëtën më të afërt siç është shekulli i XIX, duke i përthyer në bashkëkohësi, nuk e bëjnë aspak konfuz lexuesin sepse shkrimtari i ka ndërlidhur këto kohë me një logjikë të brendshme. Shkrimtari mes ngjarjeve të kohëve të ndryshme, ka krijuar ndërlidhje të veçantë, me një fill të fshehtë që zbulohet gjatë leximit, si për të theksuar faktin se asgjë nuk ndodh rastësisht. Rrëfimet që këmbehen njëra me tjetrën në tekst, që në fillim duket se s’kanë lidhje mes tyre, gradualisht shpërfaqin një rrjet të qartë komunikimi.

Si paratekst i romani shërbejnë disa vargje të Naim Frashërit nga vepra “Istori e Skënderbeut”, të cilat do ti vijnë më vonë në ndihmë lexuesit për të kuptuar edhe titullin e romanit. Shkrimtari merr një fjalë nga vargu U ngrit fati i Shqipërisë dhe e bashkon me fjalët e fundit të vargut Duke rendur si i marri.

Më pas në roman, vjen rirrëfimi i romanit “Naltësimi i Iskanderit” të Benjamin Disraelit që është bërë duke ruajtur subjektin kryesor por duke e pasuruar me elementë të tjerë, ngjarje, personazhe, situata dhe mbi të gjitha me një stil krejtësisht të ri. Skënderbeu përveç se është një trim i madh shpërfaqet edhe si një njeri me ndjesi të forta emocionale, dashurie. 

Më shumë se rrëfehet për historinë e largimit të Skënderbeut nga ushtria osmane, tregohet për vizitën natën vonë në shatorren e të lavdishmit Huniad, biseda e tij me të, romanca e dashurisë platonike me vajzën e tij, princeshën Iduna të cilën do ta shpëtojë më vonë kur ishte robinjë.

Kjo histori e bukur dashurie do të pasohet shumë faqe më pas në roman me historinë e dashurisë së Disraelit, kryeministrit të ardhshëm të Anglisë me Hanën vajzën shqiptare që e paraqiti në Angli si një princeshë nga Orienti. Disraeli, një djalë i ri anglez, i impresionuar nga rrëfimet e shkrimtarit të madh romantik Lord Bajron ndërmerr një udhëtim në Shqipëri për të parë me sytë e tij këtë vend që ishte i mistershëm, por edhe i veçantë. Ashtu si Lordi i famshëm edhe ai do të mrekullohet me bujarinë dhe trimërinë e këtij populli, por po aq do të habitet me kokëfortësinë e tyre. 

“Naltësimi i Iskanderit” luan rolin e hipertektit për romanin e Mustafajt, të cilin shkrimtari nuk ja lë në dorë lexuesi ta zbulojë gjatë leximit, por ai e referon hapur. Ritregimi është ndërtuar sipas gjedhes së romaneve historike romantike, nëpërmjet një intrige dysore mes luftës dhe dashurisë, por kjo shkrirje e vazhdueshme mes fateve të kombeve dhe jetës personale do të vazhdoj të shoqëroj edhe rrëfimin për jetën e Disraelit. Ky rirrëfim i romanit ruan të gjitha tiparet edhe të romaneve kalorësiake duke e shpërqendruar lexuesin e duke e futur në një botë të ndryshme nga ajo ku jeton.

Ndërlidhja e të shkuarës me të tashmen krijon një pakohësi të tekstit duke e bërë lexuesin të vëmendshëm pas çdo ngjarje që rrëfehet për ta ndërlidhur me atë të rrëfyer më parë, dhe me atë që do të rrëfehet më pas. Romani është ndërtuar si një ndërfutje e rrëfimeve të ndryshme në një. Shkrimtari ka zgjedhur të rrëfejë, por edhe të rirrëfejë sipas mënyrës së tij. Ai do të rirrëfejë në mënyrë e tij romanin e Benjamin Disraelit, duke ruajtur prej tij, por edhe duke shtuar e ndryshuar pafund, me qëllim për të krijuar parabola kuptimore.

Romani i Mustafajt është shumë tërheqës me stilin që rrëfen, por edhe me mënyrën sesi e nxit lexuesin të krijojë realitete distopike. Lexuesi mund të imagjinojë si do të ishte fati i Shqipërisë nëse do të kishin ndodhur disa gjëra ndryshe në historinë e saj. Si do të ishte fati i Shqipërisë nëse Skënderbeu do të ishte dashuruar me vajzën e Janosh Huniadit dhe të ishte martuar me të? Si do të ishte fati i Shqipërisë nëse Benjamin Disrael, kryeministri i Anglisë të ishte dashuruar vërtet me një vajzë shqiptare gjatë udhëtimit të tij real në Shqipëri? Nëse ndonjë nga këto ngjarje do të kishte ndodhur vërtet Shqipëria do të ishte ndryshe, dhe Mustafaj e paraqet këtë utopi në romanin e tij.  

Shkrimtarët postmodernistë e përdorin futjen e teksteve nga libra të tjerë të shkruar kohë më parë ose edhe nga bashkëkohësisë duke i ri funksionalizuar, duke i risemantizuar. Vepra e Disraelit duke u ritreguar në romanin e Mustafajt, edhe riafirmohet para lexuesit, të atyre që e kanë lexuar por dhe të atyre që nuk e kanë lexuar.

Në romanin “Fati i  marrë shkrimtari kombinon rirrëfimin origjinal të një teksti të njohur letrar, që është trillim, me disa rrëfime të tjera krejt të reja të tij, por që kanë një ndërlidhje organike me atë që shkrimtari e prezanton si një rirrëfim. Shkrimtari rrëfen fakte historike, ndërkohë në roman ai krijon edhe një historian që rimerr novelat e tij për të zbuluar të vërteta që vijnë nga historia.

 Personazhi D. D. ndërsa lexon novelën “Ura si vend i punëve të dreqit” i  shkrimtarit Besnik Mustafaj, vendos që të shkruajë prozën e tij e cila është ndikim prej dhe si një vazhdim i saj. Në kushte të tilla ai do ti kërkojë shkrimtarit lejë për të botuar prozën e tij që vinte gjithsesi si rrjedhim i novelës së shkrimtarit. Në roman shkruhet: “… në shënimin shoqërues ai më njoftonte shkurtimisht për lidhjen e prozës tij me novelën time dhe më thoshte se e kishte të nevojshme lejen time me shkrim për një përdorim të tillë, i cili nuk ishte një citim i zakonshëm për një historian. Përndryshe, sipas tij, në respekt të ligjit për drejtat e autorit, rrezikonte të akuzohej për plagjiaturë. Shkrimtari rrëfen në mënyrën e tij romanin e Disraelit ndërsa historiani D. D. Zgjedh të rrëfejë një prozë duke u nisur nga novela e shkrimtarit.

Romani “Fati i marrë,  mund të cilësohet si metafiksion historiografik, ku rrëfimi në të tashmen zhvendoset vazhdimisht në të shkuarën historike. Kufijtë mes historisë dhe trillimit nuk ekzistojnë sepse shkrimtari ka aftësinë që të krijojë besueshmëri artistike që e bëjnë lexuesin ta pranojë pa hezituar.

Rrëfimi i historikes nga lloji i shkrimit faktografik, ku tregohen rreth ngjarjeve më të rëndësishme të historisë, gërshetohet me shkrimin letrar, kur rrëfimi realizohet në formën e kujtimeve dhe impresioneve të një udhëtimi, të një rrëfimi të bërë gojarisht, të një bisede joformale etj. Michael Riffaterre shkruan se: “Ndërtekstoria është shquarja, nga ana e lexuesit, e raporteve ndërmjet një vepre të dhënë dhe veprave të tjera, që e kanë paraprirë apo pasuar. Këto vepra të tjera përbëjnë intertekstin e së parës”.

Personazhet e romanit duket se janë duke kërkuar të vërtetën historike, por në një mënyrë të re. Biografi B. J do të shqiptojë frazën “e vërteta historike sipas imagjinatës” duke artikuluar edhe mënyrën sesi shkrimtari ka zgjedhur të shpërfaqë të vërtetën e tij, atë në mënyrë artistike. Në kërkim të së vërtetës është një përkthyes, një historian, një biograf dhe një shkrimtar të cilët jetojnë në një kohë, por në vende të ndryshme. Kërkimi i të vërtetës së këtij fati të marrë, i bën ata të ndërlidhen njëri me tjetrin.

Ata që janë në kërkim të së vërtetës, jetojnë në bashkëkohësi, por atë e kërkojnë atë në të shkuarën. Largimi nga “temporaliteti narrativ” realizohet nëpërmjet një prej formave të anakronisë, nëpërmjet analepsave, nëpërmjet larghedhjes në të shkuarën. Kërkohet e vërteta dhe gjatë romanit zbërthehet çfarë i shkakton ajo personazheve, përshkruhet i gjithë ankthi që i shkakton ajo atyre që e kërkojnë. Nëpërmjet kërkimit të së vërtetës në roman vijnë e bëhen personazhe të tij, figura historike si Skënderbeu e Janosh Huniadi, por edhe kryeministrat anglez Disrael e Çërçilli, por Besnik Mustafaj është gjithmonë në kërkim të së vërtetës sipas imagjinatës.

Gërshetimi i vazhdueshëm i historikes me individualen, është realizuar nga shkrimtari për të krijuar enigmën dhe përpjekjen për zgjidhjen e saj jo të artikuluar, por kërkuar në nëntekstin e veprës.

Teksti i shkrimtarit është krijuar në dukje të parë si një rrëfim tradicional, por brenda tij kemi shtresime ndërtekstore  të krijuara me qëllim të qartë nga autori që e bëjnë atë të afrohet ndaj tekstit modern. Ndërtekstorsia e romanit krijon romanin e tipit palimpsest, shumështresore. 

Fragmentarizmi i narracionit krijohet nga ndërfutja e teksteve të ndryshme që sjellin rrëfime të ndryshme, por dhe nga fragmentarizmi i kohës dhe hapësirës. Rrjedha anakronike e rrëfimit e prish linjën rrëfimtare të njëtrajtshme që mund të jetë e rëndësishme për romanin tradicional, por tek romani modern ai krijon një ritëm të përshpejtuar rrëfimi. Zhvendosja në kohë dhe në hapësira të ndryshme krijon fragmente që shpesh lidhja kuptimore e tyre është nëntekstore dhe është lexuesi ai që krijon një realitet kohor dhe hapësinor të ri, atë që vjen nga vepra moderne e postmoderne.

Romani “Fati i marrë” është një vepër që lexohet me shumë kënaqësi sepse loja e ndërfutjes së disa rrëfime njëra me tjetrën si dhe loja me kohën e bëjnë lexuesin të përfshihet edhe ai vetë madje të përdorë edhe imagjinatën e tij për të kuptuar zbërthimin dhe gjetjen e fijeve që i ndërlidhin mes tyre këto histori që përbëjnë fatin e një kombi, një fat shumë interesant edhe kur është i marrë.  

Exit mobile version