Kreu Letërsi Bibliotekë “Fytyra në xham”, cikël poetik nga Virion Graçi

“Fytyra në xham”, cikël poetik nga Virion Graçi

1

Përhapen rrathët e dheut
Si faqja e lëmuar e liqenit
Nën goditjen e gurit të vogël
Hedhur nga Zoti.

Në liqen prehet trupi i djalit
Në thellësitë e dheut prehet
Trupi i vajzës. Zot. Përse?
Dashuria e tyre ishte e zakonshme. O Zot.

2

Vazhdova rrugën pa të dashurën.
Pemët më binin mbi supe
Gurët kilometrikë
Më bënin shenjë të vazhdoja.

Vazhdova. Diku pashë një urë
E hedhur tejpërtej mbi greminë
Aty poshtë, në fundin e saj të frikshëm
Midis gurëve të mbushur myshk e hije
E dashura ime mbillte trëndafila.

U hodha. Ngeca në ajër. I lodhur.

3

Kisha dalë të të prisja
Kur malli më kish qepur
Një këmishë të verdhë
Me lule të kaltra
Si flutura dëbore.

Të më kishe parë së largu
Do të kishe ardhur e vdekur dhe e qeshur
Mbi supet e udhëtarëve
Që zbrisnin nga treni .

4

Je rritur…U rrite…
Në pëllëmbët e mia rëndon shumë
Trupi yt dhe kënga jote.

Mora një vajzë më të vogël
Por gishtat më kishin ngrirë
Të gurëzuar.

Ti digjeshe në pëllëmbët e një burri.
Burri ishte më i madh se dashuria e tij.

5

Humbe në detin e kaltër.

U ktheva i qetë dhe i lumtur
Në stolin e vetmuar
Humbur në rërë.

U kujtova.
Ne asnjëherë nuk ishim puthur.

U bëra kështu pjesë e natyrshme
E detit. Në detin e Zi.

6

Pas meje vinte vajza që doja unë
Me djalin që do ajo.

Ktheva kokën përsëri
Pas meje vinte vajza që doja
Me djalin që do ajo.

Më vonë
Nuk i dëgjova më zërat e tyre.
Nata ishte plotësuar.
Ndeza një cigare.Nxitova hapat.
Mëngjezi mund të më hante edhe mua.

7

Të pyeta për emrin
Të kërkova adresën e shtëpisë
Të pyeta për orën.
Ora ishte tetë.
Mëngjes.

Në mesditë të kërkova përsëri
Ti mungove.

Ndala një vajzë tjetër. I thashë:
Më pyet për emrin, më merr adresën.
Më pyet për ditët e mia të rënda si gjyle.
Më pyet për orën moj vajzë e panjohur .
Më pyet se do të vdes tani dhe s’kam
Asnjë dokument në xhepat e xhaketës.

8

Të pashë mbrëmë.

Kishe dalë nga gjumi yt
Kishe hyrë në gjumin tim

Të bëra vend afër vetes
Të fola diçka në vesh .

Ti tunde kokën me mosbesim
U ktheve përsëri në gjumin tënd.

Thirra…thirra
Jeta ishte zgjuar
Tre orë para meje.

9

Shkelje pellgjet e vegjël
Pllakat e trotuareve thyer nga pranvera
Gjethet e vrara nga vjeshta
Rrugën tënde të përditshme shkelje, e dashur.

Në trotuarin tjetër të rrugës këlthisja.
Koha më mbështillej rreth qafe si gjarpër.
E dashur. Më beso.Ti ecje
Duke shkelur praninë time
Në rrugën tënde të varfër.

10

Fytyra jote shfaqet përkohësisht
Në pastërtinë e përkohëshme të xhamave.

Pastaj tretet në ngjyrat e errëta të perdeve
Dhe në tingujt e gëzuar të muzikës.

Fytyra jote e përkohëshme shfaqet përjetësisht
Në pastërtinë e përkohëshme të xhamave.

11

Ëndërroja dhe qeshja.

Aty ku ndahej dita me natën
Urreja. Atje ku ndahej nata me ditën
Dashuroja.

Për herë të fundit
Dielli u drodh i përgjakur.
Dashuria ime po nisej.

Për ku?

(1994)

Exit mobile version