Kreu Letërsi Bibliotekë Franz Kafka: Artisti i urisë

Franz Kafka: Artisti i urisë

E përktheu nga origjinali Fatmir Alimani

Interesi i publikut për artistët e urisë, në dhjetëvjeçarët e fundit është zvogëluar shumë. Nëse dikur më herët, ia vlente që të organizoheshin edhe spektakle të tillë, mjaft të mëdhenj, sot kjo është krejtësisht e pamundur. Ishin kohë të tjera. Atëherë i gjithë qyteti angazhohej për artistin e urisë, dhe nga një ditë urie në tjetrën, u shtua mjaft pjesëmarrja. Secili dëshironte ta shikonte atë, të paktën një herë në ditë. Në ditët e tjera kishte edhe të abonuar, disa prej të cilëve rrinin të ulur para kafazit të vogël me kangjella, për ditë të tëra. Për të shtuar interesin ndaj spektakleve organizoheshin edhe shfaqje nate me  flakadanë, për shtimin e efektit ndriçues. Në ditët e bukura,  kafazin e nxirrnin në një  shesh të lirë, dhe atëherë për fëmijët në veçanti, tregohej artisti i urisë. Shpesh, për të rriturit, ai nuk ishte asgjë tjetër veçse një shaka, në të cilën ata merrnin pjesë, vetëm, sa për modë, por fëmijët gojëhapur e të tronditur,  i jepnin duart njëri-tjetrit, si për t’u mbrojtur nga një gjë e padukshme.  Ata e përpinin atë me sy ashtu siç ishte, tepër i zbehtë, me një triko të zezë, me brinjë tmerrësisht të dala, përbuzës madje edhe ndaj një kolltuku të mundshëm,  i ulur drejt e mbi kashtë. Ai, nganjëherë iu përgjigjej pyetjeve me një shenjë koke të mirësjellshme, dhe me një buzëqeshje të sforcuar, ose rrinte  aty i kredhur i tëri në vetvete, pa u bërë merak për asgjë, madje edhe për tiktakun e orës, megjithë rëndësinë që kishte ajo për të, si i vetmi send në kafazin e tij. Me vështrimin e përhumbur përpara, me sy gjysmë të mbyllur, herë pas here, ai njomte buzët me pakëz ujë, me gllënjka, prej një gote të vogël.

Përveç spektatorëve të ndërrueshëm, ndodheshin aty edhe roja të përhershme, gjithnjë në grupe treshe, të zgjedhur nga publiku, që si për çudi, zakonisht ishin kasapë të ngarkuar që të përgjonin ditën dhe natën, artistin e urisë, që ai të mos arrinte të merrte ushqim me ndonjë marifet të fshehtë. Në të vërtete kjo ishte një masë formale, vetëm për të qetësuar publikun e gjerë, sepse të mirëinformuarit e kishin të qartë, që duruesi i urisë gjatë kohës së mosngrënies, nuk do të pranonte të merrte asnjëherë kurrfarë ushqimi, në çfarëdo rrethanash dhe shkaqesh, madje edhe sikur ta shtrëngonin atë me forcë,  e kuptonin këtë sjellje. Disa ekipe nate nganjëherë e dobësonin mjaft përgjimin e tyre deri në shthurje; ata uleshin në një qoshe larg kafazit dhe humbnin pastaj në një lojë me letra, me qëllimin e hapur, që duruesi i urisë të përfitonte dhe të mund të merrte diçka, fshehtas.

Për njeriun, që rrinte pa ngrënë asgjë tjetër nuk ishte më torturuese sesa këta roja. Ata e bënin atë pothuajse shpresëhumbur, dhe ai në këto raste, e kishte tmerrësisht të vështirë të duronte urinë. Nganjëherë, gjate kohës së shërbimit të tyre duke kapërcyer dobësinë e tij; ai këndonte aq gjatë sa mundej; për t’u treguar njerëzve sa padrejtësisht e vinin në dyshim ndershmërinë e tij. Por kjo nuk ndihmonte kushedi çfarë, sepse ata thjesht çuditeshin me aftësinë e tij për të kënduar dhe për të ngrënë, njëkohësisht.

Ai parapëlqente më shumë rojat e nate-ës, që vinin dhe uleshin përballë kafazit dhe në mungesë të një ndriçimi të mjaftueshëm bënin dritë me llambat që ua kishte dhënë organizuesi i shfaqjes. Kjo dritë e dhunshme nuk të bezdiste, sepse sidoqoftë, ai nuk do të mund të flinte kurrsesi; por ai gjithnjë mund të dremiste pakëz në çdo lloj ndriçimi e në çdo, orë, edhe në sallën e zhurmshme të mbushur plot e përplot.

Me këto roja ai ishte I gatshëm me shumë kënaqësi ta kalonte krejt natën pa fjetur aspak; të bënte shaka me ata, dhe t’u rrëfente atyre histori nga jeta e tij shtegtare, dhe pastaj të dëgjonte historitë.   Gjithçka e bënte vetëm për t’i mbajtur ata të zgjuar dhe për t‘u provuar përsëri e përsëri, se në kafaz nuk kishte asgjë të ngrënshme dhe, që ai e duronte urinë ashtu siç nuk do të mundte asnjëri prej tyre. Por ai lumturohej mjaft kur vinte e nesërmja dhe në llogarinë e tij; atyre u shërbehej një mëngjes shumë i pasur, dhe prandaj suleshin për të ngrënë me vrullin e njerëzve të shëndoshë që kishin kaluar një natë pune të mundimshme. Megjithatë, kishte njerëz që në shërbesën e këtij mëngjesi donin të shihnin një mënyrë abuzive për të korruptuar rojat, por kjo ishte diçka e zmadhuar më kot, sepse kur pyeteshin nëse dëshironin ata vetë ta kryenin shërbimin e natës pa mëngjesin e pasur, shtrembëronin hundët, dhe megjithatë mbeteshin ende te dyshimet e tyre.

Kjo nuk ishte veçse një pjesë e masës së dyshimeve mjaft karakteristike për ata që dinë vetëm të krekosen vazhdimisht. Por askush nuk ishte në gjendje të kalonte ditët dhe netët në mënyrë në vazhdueshme pranë artistit të urisë, askush nuk mund të verifikonte me sytë e tij pandërprerje dhe në një mënyrë krejt të paqortueshme; nëse ai nuk kishte ngrënë me të vërtetë asgjë. Këtë mund ta dinte vetëm vetë artisti, dhe rrjedhimisht, vetëm ai mund të ishte plotësisht një spektator i kënaqur me urinë e tij. Por, ai nuk ishte kurrë i kënaqur për një arsye tjetër. Ndoshta nuk ishte ligur aspak kaq shumë nga mungesa e ushqimit deri në atë gjendje, sa t’i bënte disa të parapëlqenin të rrinin mjaft larg nga kjo shfaqje që u ngjallte keqardhje dhe i bënte të paaftë për ta duruar vështrimin e tij. N të vërtetë, ai ishte ligur kaq shumë, vëtëm nga pakënaqësia öe veten. Vetëm ai dinte atë që nuk mund ta dinte asnjë i mirëinformuar, sa i lehtë ishte durimi i urisë. Kjo ishte gjëja më e lehtë në botë. Ai nuk e fshihte një fakt të tillë, por këtë pohim nuk ia besonte askush. Në rastin më të ë ai ishte modest, por përgjithësisht e gjykonin si të etur për reklamë, si mashtrues, që nuk provonte kurrfarë vështirësie në durimin e një urie të tillë, sepse dinte mjaft mirë ta lehtësonte detyrën e tij dhe gjithashtu kishte paturpësinë të pohonte gjysmën e të vërtetës.

Ai ishte i detyruar t’i duronte gjithë këto gjëra të pakëndshme, me të cilat ai ishte mësuar me kalimin e viteve. Por brenda tij pakënaqësia vazhdonte ta gërryente, e megjithatë nuk kish ndodhur kurrë deri më sot, meritë që duhet t’ia njohim pa diskutim, që ta braktiste vullnetarisht kafazin, sado e gjatë që të ishte periudha e urisë.

Organizatori e kishte përcaktuar afatin më të gjatë deri në dyzet ditë, dhe kur kalonte kjo kohë, ai nuk toleronte asnjë zgjatje, as edhe në qytetet më të rëndësishme të botës, dhe sigurisht vetëm prej së mirë. Përvoja kish treguar se nëpërmjet një reklame të bollshme ishte e mundur të ngrihej interesi i një qyteti thuajse  gjatë dyzet ditëve por përtej këtij afati, publiku hiqte dorë dhe regjistrohej një ulje e ndjeshme e spektatorëve. Natyrisht, frekuentimi i spektatorëve pësonte ndryshime të vogla nga një qytet në tjetrin ose nga një vend te tjetri, por rregulli ishte i tillë, që nuk lejonte kapërcimin e dyzet ditëve.

Kështu, në ditën e dyzetë hapej porta e kafazit, e mbushur me lule, një publik entuziast mbushte amfiteatrin, një bandë ushtarake luante muzikën e saj.  Me dy mjekë hynin në kafaz për të marrë të gjitha masat e domosdoshme për artistin e urisë, i cili kishte  ndenjur kaq gjatë pa ngrënë. Rezultatet i njoftoheshin publikut me megafon dhe, përfundimisht, vinin dy gra të reja që ndjeheshin të lumtura sepse pikërisht ato ishin zgjedhur për këtë qëllim. Atëherë, ato përkujdeseshin duke e ndihmuar artistin të dilte nga kafazi dhe të zbriste disa shkallë që të çonin te një tryezë e vogël ku posaçërisht për një rast të tillë ishte përgatitur një ngrënie e zgjedhur me mjaft kujdes. Edhe në çast, si çdo herë, artisti i urisë rezistonte. Natyrisht, ai pranonte të mbështetej me krahët kockëdala tu duart ndihmëtare të zonjave të përkulura mbi të, por ai kundërshtonte të ngrihej. Përse e kishin ndaluar tani, kur nuk ishte vetëm e dyzeta ditë e urisë? Ai do të mundte të qëndronte edhe për një kohë të gjatë, të papërcaktuar përse atëherë e kishin ndaluar pikërisht kur ai nuk ishte ende në mesin e urisë së tij? Përse dëshironin t›ia rrëmbenin lavdinë për të qëndruar i uritur për një kohë edhe më të gjate? Jo vetëm për t›u bërë artisti më i madh i urisë i të gjitha kohërave, gjë që mesa duket i kishte arritur por për të kapërcyer edhe veten time  deri në papërfytyrueshme, sepse në vetvete ai ndjente një aftësi të pakufizueshme për të duruar urinë? Përse kjo turmë që hiqej sikur e adhuronte, kishte kaq pak durim me të? Meqenëse ai ishte i aftë ta duronte urinë edhe më tej, përse nuk e përkrahnin?

Ai ishte i lodhur dhe ndihej aq mirë i ulur në kashtë, ndërsa tani i duhej të ngrihej më këmbë dhe të shkonte për të ngrënë, gjë që thjesht në përfytyrimin e tij i ngjallte një neveri, të cilën detyrohej ta ndrydhte me vështirësi, nën vështrimin e ngultë të zonjave. Teksa ngrinte sytë, ai e zhyste vështrimin te fytyrat e këtyre zonjave kaq miqësore në dukje dhe kaq mizore në të vërtetë, dhe tundte kokën e tij tepër të rëndë për një qafë mjaft të dobët.

Dhe atëherë ndodhte, ajo që ndodhte gjithmonë, Organizatori vinte pa thënë asnjë fjalë, muzika e bënte bisedën të pamundshëm, ai ngrinte krahët boi artistin e urisë sikur po i lutej Qiellit të ulte një vështrimin mbi veprën e tij, aty mbi kashtë, mbi këtë martir të katandisur vërtet si mos më keq, por në një kuptim krejt tjetër. Ai e kapte atë nga shtati, që tani ishte holluar si një fije, me aq kujdes, sa të bënte të besoje që ishte fjala për një objekt veçanërisht të lehtë, dhe tinëz e tundte pak, saqë artisti i urisë me këmbët dhe pjesën e sipërme të trupit lëkundej tutje-tëhu jashtë vullnetit të tij, dhe më në fund, ua dorëzonte zonjave që tashmë ishin zbehur për vdekje.

Në këtë çast, artisti i urisë duronte gjithçka. Koka i binte mbi gjoks, si të ishte frenuar pas një rrotullimi të gjatë, me një mënyrë krejt të pashpjegueshme, barku i zgavrohej, ai shtrëngonte këmbët me gjunjë të ngjitur si prej instinktit të vetëruajtjes, dhe ato gërryenin tokën, që nuk ishte më toka e vërtetë që kërkonin, dhe krejt pesha e trupit të tij, që me të vërtetë ishte tepër e lehtë, mbështetej mbi njërën nga zonjat, duke e thirrur për ndihmë e duke gulçuar. Dhe ajo, meqenëse nuk e kishte menduar kështu këtë punë fisnike, zgjaste sa mundej qafën, për mënjanuar të paktën kontaktin e fytyrës me artistin e urisë. Pastaj, si nuk ia arrinte kësaj, edhe zonja tjetër më me fat nuk i vinte në ndihmë, por duke u dridhur, mjaftohej, duke mbajtur duart e artistit, të cilat tashmë ishin kthyer në nyje kockore fillonte të qante nën  qeshjet e kënaqura të sallës, dhe zëvendësohej prej një shërbyesi të gatshëm, që priste aty që prej një kohe të gjatë. 

Pastaj vinte ushqimi, dhe organizatori duke përfituar nga gjendja fare pranë pavetëdijes ku ishte kredhur artisti i urisë, me një mullosje argëtuese që duhet t›ia shpërqendronte vëmendjen, e bënte atë të përtypej pakëz. Pas pak sillnin edhe një bukë të thekur me gjalpë që gjoja vetë artisti ia kish shtënë në mend organizatorit. Banda muzikore shënonte kulmin e gjithçkaje me një të renë të fortë borije, kështu bëhej ndarja, dhe askush nuk kishte të drejtë të ishte i pakënaqur me atë çfarë kish parë, askush, përveç artistit të urisë gjithnjë vetëm ai.

Kështu, artisti i urisë jetoi me disa ndërprerje të vogla të rregullta pushimesh për shumë vjet nën një shkëlqim fasade, i nderuar nga e tërë bota, edhe pse ai vetë në të shumtën e rasteve kridhej në një melankoli, që zymtohej përherë e më tepër nga fakti se askush nuk dëshironte ta merrte seriozisht. Me çfarë mund ta ngushëlloje atë? Çfarë mund ta ngushëlloje atë? Çfarë e mbetej atij për të dëshiruar? Edhe po të gjendej ndokush që shprehte keqardhje dhe nëse ai dëshironte t’i shpjegonte që trishtimi mesa duket i vinte nga uria, mund të ndodhte veçanërisht kur periudha e urisë ishte mjaft e gjatë, që artisti i urisë të përgjigjej si i tërbuar duke lëkundur shufrat e kafazit si kafshë e egërsuar, për t’i tmerruar të gjithë pa përjashtim. Për raste të tilla, organizatori kishte një mënyrë dënimi që ai e përdorte me kënaqësi. Ai i kërkonte falje artistit të urisë para publikut, por megjithatë pohonte se justifikimi i vetëm i kësaj sjelljeje ishte gjaknxehtësia, që vjen nga uria e gjatë, të cilën njerëzit e nginjur nuk mund ta kuptonin menjëherë. Gjithashtu, ai përmendte edhe një pohim të artistit që kërkonte po ashtu një shpjegim, ku theksonte se ishte i aftë të duronte urinë edhe për një kohë shumë më të gjatë sesa deri tani.

Organizatori e lavdëronte fort ambicien e tij fisnike, vullnetin e mirë vetëmohimin e lartë, që gjendej sigurisht edhe në këtë pohim, dhe pastaj provonte të kundërtën duke paraqitur fotografi, që ndërkohë shiteshin, ku shihej artisti në shtrat në njërën nga të dyzet ditët e urisë, pothuajse i shuar nga pafuqia. Ky pohim me anë të cilit e vërteta kundërshtohej me vullnet apo pa vullnet, është mjaft i njohur tek artistët e urisë, por atij çdo herë ia ngrinte nervat dhe i dukej i tepërt. Ajo që paraqitej si shkaku i ndërprerjes së ditëve të urisë ishte, përkundrazi, pasoja! Kundër këtij moskuptimi, kundër kësaj bote të së pakuptueshmes, ishte e pamundur të luftoje. Si i ngjitur pas kangjellave të kafazit, ai i dëgjonte i etur fjalët e organizatorit, por kur arrinte puna te fotografitë, tërhiqej mbrapsht dhe ulej si duke rënë e duke psherëtirë mbi kashtë, dhe publiku i qetësuar mund të afrohej përsëri ta kundronte.

Nëse dëshmitarët e skenave të tilla do t’i rikujtonin ato përsëri disa vite më vonë, edhe atyre shpesh do t’u dukeshin të pakuptueshme. Sepse, ndërkohë çdo kthesë e njohur kastë ndodhur dhe gjithçka kish ndodhur thuajse papritur, dhe mund të kishte arsye të thella për këtë përmbysje të opinionit, edhe pse askush nuk ishte i interesuar për t’i kërkuar ato. Sido që të ishte, një ditë prej ditësh artisti i urisë, deri atëherë i përkëdhelur nga publiku, e pa veten të braktisur nga një turmë e mbushur me lakmi që vraponte në radhë të shtrënguara, drejt spektakleve të tjera. Organizatori dhe artisti i urisë e përshkuan edhe një herë tjetër gjysmën e Evropës, për të parë nëse kishin mbetur aty-këtu disa grimca të interesit të vjetër, por kjo ishte diçka e kotë. Spektaklet e urisë, si prej efektit të ndonjë komploti misterioz, provokonin kudo një neveri të vërtetë. Natyrisht, në të vërtetë kjo gjë nuk mund të vinte kaq papritur, madje tani edhe pse me vonesë, mund të kujtoheshin mjaft shenja paralajmëruese të mëparshme, për të cilat, nën vrullin e suksesit nuk ishte treguar kujdes i duhur dhe nuk ishin kundërshtuar me zgjidhje të dobishme. Dhe të ndërmerrje tani diçka kundër tyre ishte tepër vonë. Me siguri, interesi për artistët profesionistë të urisë do të rilindte herët a vonë, por ky nuk ishte një ngushëllim për brezin e sotëm. Dhe çfarë mund të bënte artisti? A mundej ai, pasi ishte duartrokitur prej mijëra njerëzve, të paraqitej tani një herë në vit në një barakë të vogël panairi? Të ndërronte zanatin? A nuk ishte ai tani mjaft i vjetër për t’i mbetur tepër fanatik mbi të gjitha, zanatit të tij? Kështu, ai u nda nga organizatori, nga bashkudhëtari i një karriere të mrekullueshme, u angazhua në trupën e një cirku të madh, dhe për të ruajtur ndjeshmërinë e tij nuk i pa fare kushtet e kontratës.

Një cirk i madh ku është e mundur të punojnë njëkohësisht dhe si plotësim i njëri-tjetrit një sasi e panumërueshme njerëzish, kafshësh dhe aparatesh, gjithnjë mund të angazhojë edhe një artist të urisë. Natyrisht, këtu luajti rol edhe modestia e tij e plotë, dhe përveç kësaj në këtë rast të veçantë, u angazhua jo vetëm artisti i urisë por edhe emri i tij i famshëm që prej një kohe të gjatë. Por, nuk mund të themi se duke qenë një artist tashmë i vjetëruar dhe jo në formën e tij më të mirë, ai kish dashur të gjente strehë duke punuar në një cirk të qetë, sepse arti i urisë ka gjithnjë veçantinë sublime, të mos e humbë cilësinë e tij për shkak të moshës së artistit. Madje, artisti i urisë pohonte se ishte i aftë ta duronte urinë po aq mirë sa edhe më, gjë që ishte mjaft e besueshme. Ai shkonte deri atje sa të pretendonte që pikërisht tani ishte në gjendje ta çudiste plotësisht botën, me kusht që linin të vijonte këtë ndërmarrje sipas dëshirës së tij, të cilën ia pranuan pa ngurrim. Mirëpo te njerëzit e zanatit ky pohim shkaktoi vetëm një buzëqeshje. Ata e njihnin mirë mentalitetin e kohës së tyre. Pas deklaratave të nxituara, artisti më vonë do të detyrohej të harronte shpejt premtimin e dhënë.

Por, në thellësi, duke e vlerësuar situatën ashtu siç ishte, artisti i urisë e gjeti të natyrshme të vendosej me kafazin e tij jo pikërisht në mes të arenës së cirkut ku do të paraqitej numri më i shkëlqyer, por jashtë, pranë kafazeve ku mbaheshin kafshët r rralla, në një vend lehtësisht të dukshëm. Përreth kafazit të tij ishin vendosur pankarta plot ngjyra të gjalla ku ishte shkruar me shkronja të mëdha, çfarë mund të kundronin aty spektatorët. Dhe kur gjate një pushimi spektatorët nxitonin drejt vendit ku mbaheshin kafshët e rralla, nuk mund të mënjanonin aspak kalimin para artistit të urisë, prandaj ndalnin një çast para tij. Madje, mund të qëndronin ndoshta edhe më gjatë dhe më qetësisht për ta parë, por ata që arrinin mbas të parëve në këtë udhë ngushtë dhe që nuk e kuptonin përse nuk mund të shkonin më shpejt në drejtim të kafshëve te rralla aq të dëshiruara, e bënin të pamundur një kundrim më të gjatë e më të qetë. Prandaj, artisti i urisë, edhe pse i quante këto vizita si qëllim të ekzistencës së tij, fillonte të dridhej sapo ato fillonin. Ai i priste me një padurim të zjarrtë pushimet gjatë të cilave nisnin vizitat dhe ishte tepër i kënaqur nga vërshimi i turmës, deri sa u bind, – edhe përkundër kryeneçësisë së tij për të mashtruar vetveten, edhe kur pothuajse e njohu mirë problemin që nuk provohej nga përvoja, – se kjo turmë sot e mot dhe pa asnjë përjashtim, vinte këtu jo për të parë atë, por vetëm për kafshët e rralla dhe vetëm për ato. Sidoqoftë, ky vizion i largët mbetej gjithnjë më i bukuri. Sepse kur ata arrinin deri tek ai, përqark kafazit niste një shtrëngatë britmash e sharjesh ndërmjet dy grupeve, që reformoheshin e rinovoheshin pa pushim, të grupit të parë ku bënin pjesë ata që dëshironin të shikonin qetësisht duruesin e urisë jo prej një kureshtjeje intelektuale por prej kapriçiove dhe kapadaillëkut, që ishin për artistin edhe më shpejt të urryeshëm; dhe njerëzve të grupit tjetër, të cilët për një kohë të gjatë nuk mund t’i ndalte asgjë pa dëshirën e tyre, prandaj pjesëtarët e tij kalonin para kafazit të artistit tepër të nxituar, thuajse pa ia hedhur sytë, për të arritur në kohë te kafshët e rralla. Dhe nuk ishte ndonjë rast i lumtur e i shpeshtë, kur vinte aty një kryefamiljar, dhe ua tregonte me gisht artistin fëmijëve te tij, pa u shpjeguar aspak për çfarë bëhej fjalë aktualisht, por u rrëfente për ditët e dikurshme kur ai vetë shkonte të shihte të njëjtin spektakël, por në përmasa madhështore të pakrahasueshme me këtë të sotmin, dhe fëmijët rrinin aty të hutuar, pa kuptuar asgjë, sepse asgjë, as shkolla e as jeta, nuk i kishte përgatitur për këtë gjë: të durosh urinë. Çfarë kuptimi mund të kishte për ta diçka e tillë? E megjithatë, në shkëlqimin e syve të tyre hetues, shfaqej pa dashje, një kohë e re më e favorshme, që mund të vinte përsëri për artistët e urisë.

Ndoshta, kështu thoshte ndonjëherë artisti i urisë, gjithçka do të ishte disi më mirë, nëse vendi i qëndrimit të tij nuk do të qe fare pranë kafazëve të kafshëve të rralla. Për këtë arsye, njerëzit e kishin të lehtë zgjedhjen, dhe as mund të pritej, që avullimi i kafazeve të rralla, paqetësia gjatë natës, sjella e copave të mishit të gjalle të caktuara për kafshët grabitqare, dhe ulërimat e tyre gjatë ngrënies, të mund t’i plagosnin fort dhe t’i angështonin ata për një kohë të gjatë. Të akuzonte drejtorinë? Ai nuk guxonte kurrsesi.

Por, ai u ishte mirënjohës mbi të gjitha, këtyre kafshëve për turmën e kureshtarëve në mes të cilës ndoshta një ose dy ishin për atë, dhe kush mund ta dinte në ç ‘skutë do ta fshihnin, po të dëshironte të pohonte që edhe ai ekzistonte, gjë që do t’u kujtonte atyre njëkohësisht, që ai ishte aty vetëm si një pengesë në udhën drejt stallës së kafshëve të rralla.

Natyrisht, një pengesë e vogël, një pengesë gjithnjë e më pak bezdisëse. Interesi që mund të tregohej për një artist të urisë, nuk ishte gjë tjetër veçse një çudi me të cilën përshtatemi, dhe kjo përshtatje i jepte artistit dënimin e rëndë. Ai mund ta duronte urinë po aq mirë sa mundej, dhe ai e bënte këtë, por asgjë nuk mund ta shpëtonte më atë, të gjithë kalonin anash tij. Të rrekesh t›i shpjegosh dikujt çfarë është arti i urisë? Kush nuk arrin ta ndiejë thelbin e këtij arti, nuk mund të kuptojë asgjë nëpërmjet shpjegimeve. Pankartat e bukura ishin njollosur dhe ishin bërë të palexueshme, ato i grisnin e hidhnin poshtë, dhe askush nuk kujtohej t’i zëvendësonte. Tabela e vogël, ku ishte shënuar shifra e afatit të durimit të urisë prej tij, që dikur ndryshohej çdo ditë me mjaft kujdes, ishte e njëjta që prej një gjatë, sepse pa javëve të para kjo punë kaq e vogël e kish lodhur dhe mërzitur personelin e cirkut. Por artisti ia doli ta vazhdonte urinë më tej siç kish ëndërruar ai dikur, dhe kësaj ia arriti pa mundim, saktësisht siç kish ëndërruar, por askush nuk vinte më për t’i numëruar ditët e urisë, askush. Madje, tanimë as artisti vetë nuk e dinte aspak sa ditë kishin kaluar dhe sa e madhe ishte ngarkesa e tij, prandaj zemra e tij u bë mjaft e rëndë. Dhe kur një bjerraditës qëndroi rastësisht para kafazit të tij, ai bëri humor me shifrat e tabelës dhe foli për një mashtrim, por kjo ishte gënjeshtra më e turpshme që mund të shpikte  indiferenca dhe ligësia e rrënjosur thellë, sepse mashtruesi nuk ishte artisti, i cili kryente ndershmërisht punën e tij, por bota që e mashtronte atë me anë të rrogës.

Kështu, kaluan shumë e shumë ditë, dhe erdhi fundi. Një mbikëqyrës e vuri re një herë kafazin, dhe i pyeti shërbyesit, përse e linin të papërdorur këtë kafaz, plot kashtë të  kalbur brenda, dhe askush nuk dinte të përgjigjej, derisa tabela e vogël e shifrave i solli ndërmend, njërit prej tyre, artistin e urisë. Dhe pasi e lëvizën kashtën me purteka, e gjetën artistin aty.

Ti vazhdon të durosh urinë pa ndërprerje? – e pyeti atë mbikëqyrësi. – Kur do t’i japësh fund?

Falmëni për gjithçka, – pëshpëriti artisti me një zë aq të dobët, saqë vetëm mbikëqyrësi me veshë të ngjitur pas kangjellave të kafazit, e kuptoi.

Natyrisht, tha mbikëqyrësi, duke goditur ballin me gishtin tregues, që personeli të kuptonte gjendjen ku ishte katandisur artisti. – Natyrisht, që ne të falim.

Unë kam dashur gjithmonë që ju të admironi urinë time, – tha artisti.

Dhe ne  e admirojmë atë, tha mbikëqyrësi me një pamje mirëdashëse.

Po, por ju nuk duhet ta admironi, – tha artisti.

Epo mirë, nuk e admirojmë, – tha mbikëqyrësi. Por, përse nuk duhet ta admirojmë ?

Sepse unë duhet ta duroj urinë, unë nuk mund të bëj asgjë tjetër,

tha artisti.

Ja ku mësuam edhe diçka më shumë, por përse ti nuk mund të bësh asgjë tjetër ?

Sepse unë, – tha artisti i urisë, dhe ngriti pak kokën e vogël dhe vijoi të flasë.

Me buzë të mbledhura majuc mu te veshi i mbikëqyrësit, që të mos i shpëtonte asgjë, – sepse unë nuk kam gjetur kurrë ushqimin që do të më pëlqente. Po ta kisha gjetur, besomëni, nuk do të kisha dhënë kurrë një spektakël të tillë, por do të isha shqepur së ngrëni njësoj si ti dhe gjithë të tjerët.

Këto ishin fjalët e tij të fundit, por në sytë e tij të këputur shfaqej ende shenja e një bindjeje, edhe pse jo me të vërtetë krenare, që të vazhdonte urinë e tij.

Atëherë, vini rregull këtu! Kështu tha mbikëqyrësi, dhe pastaj e varrosën artistin e urisë, bashkë me kashtën.

Vendin e tij në kafaz e zuri një panterë në moshë të re. Ishte një çlodhje e vërtetë edhe për trurin më të mpirë, të shihje këtë kafshë të egër, duke u hedhur plot ngazëllim në një kafaz kaq përshtypjelënës, që kish qenë për një kohë të gjatë, i privuar nga jeta. Asaj nuk i mungonte asgjë. Shërbyesit i sillnin pa u menduar shumë, ushqimin që i pëlqente, madje dukej se panterës nuk I vinte aspak keq për lirinë e humbur, dhe mund të thuhej që trupi i saj i mrekullueshëm, i nginjur dhe krejt i shndritshëm, e mbante edhe lirinë me vete, duke e strehuar atë me sa duket diku në nofullat e saj, dhe nga gurmazi i shkumëzonte një afsh jetësor kaq i zjarrtë, saqë mezi mund të përballohej nga spektatorët. Por, ata e mposhtën këtë vështirësi, e rrethuan ngushtësisht kafazin, dhe nuk dëshironin aspak të shkëputeshin prej tij.

Exit mobile version