Kreu In memoriam Floresha Dado: A është përmbyllur studimi i identitetit dhe i psikologjisë së...

Floresha Dado: A është përmbyllur studimi i identitetit dhe i psikologjisë së vlerës të veprës së Ismail Kadaresë?

Shumë analiza cilësore nga kritika letrare, studime monografike, janë shkruar për krjimtarinë e Kadaresë ! Në botime të posaçme, në shtypin letrar e më gjerë, brenda dhe jashtë vendit (kujtojmë me mijra shkrime vetëm të shtypit botëror, francez e të tjerë…). Autori më i vlerësuar e i studiuar ! Duket sikur është thënë gjithshka…Nga ana tjetër, përkrah kritikës vlerësuese, mbizotëruese në mendimin e sotëm, shfaqen edhe sfiduesit që nuk e shohin autorin në krye të letërsisë moderne bashkëkohore. Krejtësisht e natyrshme. Sepse, siç dihet, është vetë thelbi i letërsisë artistike, si arti i përpunimit të fjalës, që sfidon vazhdimisht, në çdo periudhë dhe kategori lexuesish, që nxit mospërputhje ndijesish e përjetimesh artistike. Por, përballë dy kategorive të kritikëve dhe të lexuesve, vepra e I.Kadaresë mbetet vazhdimisht sfiduese, ‘manipuluese’ vlerësimesh, kryeneçe, e bindur në pushtetin e saj, sa të drejtpërdrejtë, aq edhe të fshehtë. Në tërësinë e vlerësimeve, analizave që i janë kushtuar, ajo shfaqet gjithnjë e më ‘e pakënaqur’, sepse në thellësitë e saj, në strukturat e brendshme kuptimore, mendimi artistik hapet e hapet, si një spirale, së cilës nuk ja shohim lehtësisht fundin. Korpusi artistik kadarean e ka vlerën e vet pikërisht te kurthi që, sado i vështirë, ka magjinë e tërheqjes së vazhdueshme të mendimit kritik…Interpretimi artistik, me një kompleksitet qasjesh, mbetet një horizont i gjerë, që, nga njera anë thellon njohjen e imagjinatës krijuese-filozofike të brendshme të veprave, nga ana tjetër zbulon aftësitë vëzhguese, thellësitë e vëzhgimit artistik të poetikës nga ana e kritikut dhe studiuesit letrar. Dhe, kur flasim për poetikën e prozës, të poezisë, apo të eseistikës së Kadaresë, kemi parasysh një makrostrukturë artistike, sa origjinale, aq edhe ‘të papërfunduar’ në kuptimësinë dhe filozofinë e brendshme. Qasja ndaj saj mbetet sfidë e përhershme e kritikës sonë letrare, një proces sa real aq dhe imagjinativ, që në thelb zbulon marrëdhënien specifike të autorit me lexuesin e gjithkohshëm si dhe tëçdo kritiku me vetë Kadarenë.

Kufijtë e interpretimit

Moment i rëndësishëm në interpretimin e çdo vepre të Kadaresë do të ishte se nga cili pikëvështrim kryhet leximi kritik. Duke qenë se kritiku dhe teksti letrar janë dy ‘krijesa’ komplekse, ato sfidojnë njera tjetrën, dhe kjo bën që aspekti gjuhësor, filozofik dhe psikologjik të jenë baza e interpretimit. Sigurisht qasjet janë pa fund, por një ndër aspektet më thelbësorë, i karakterit metodologjik, do të ishte fokusiminë boshtin organizativ të brendshëm: kush, realisht qëndron në plan të parë, realiteti apo reflektimi i autorit ? Sigurisht nuk janë të ndarë, por  në strukturën e brendshme kuptimore, në atë që nuk është lehtësisht e veçueshme, këto dy pikënisje janë thelbësore, sepse ka autorë që nisin të rikrijojnë realitete të caktuara për të shprehur qëndrimin e tyre, kurse Kadareja ka një qasje më universale, për realizimin e së cilës ndërton ‘realitete’ të caktuara. Një konceptim artistik i tillë bën diferencën midis një autori të zakonshëm dhe një autori, mendja e të cilit lëviz përtej realitetit. Zbërthimi i këtij tipari të poetikës artistike të veprës së Kadaresë është thellim specifik i kufijve të procesit krijues në shtresat e nënshtresat  e rrëfimit, kalim në një sistem superior, interpretim në rrethin e universit letrar, si pjesë origjinale e tij. Interpretimi do të kërkonte metodologjikisht dallimin midis kuptimit (autori) dhe interpretimit (kritiku), parë këto dy aspekte në plane të brendshme. Sigurisht asgjë nuk është e saktë, përfundimtare në raport me konvencionet interpretuese, por ajo që ka rëndësi është se interpretimi mund të konceptohet në disa plane : së pari për të identifikuar aspektet unifikuese të çdo vepre të Kadaresë, së dyti për të zbuluar se si pjesë të ndryshme formësojnë një tërësi organike, të ndryshme nga njësitë e tjera.

Ky proces nuk qëndron në vetvete, por, në fund të fundit, do zbulonte vetëdijen dhe produktin intuitiv të autorit. Edhe pse ai është plotësisht i vetëdijshëm për kuptimin e veprës së tij, vështrimi kritik do thellohej në aspekte të pavetëdijes, për të zbuluar diçka më thelbësore në procesin krijues. Kjo qasje pak, ose aspak është prekur në studimet e derisotme.

Procesi i kufijve të interpretimit, duke qenë se ve përballë faktin objektiv ‘tekstin’ me aktin ‘subjektiv’, shtron natyrshëm edhe çeshtjen se deri në ç’shkallë vepra përcakton kuptimin e vet dhe deri ku kuptimi përcaktohet nga kritiku. Kjo është dilema dhe sfida më e madhe e analizave të veprës kadareane. Fakti që fjala artistike përmban në vetvetë një referim të dyanshëm : kushrrëfen dhe kujti drejtohet provokon në qasje më të thelluar vetëdijen/pavetëdijen  krijuese të Kadaresë, si dhe vetëdijen/pavetëdijen  perceptuese të vetë kritikut letrar.

Identiteti artistik

Pyetja më interesante që ka shtruar mendimi teorik është se çfarë mbetet në tekst mbas leximeve të shumta ? Ç’është thelbësore në këto përjetime artistike ? Kemi menduar se është e mjaftueshme të pranojmë se një kryevepër letrare është e pashtershme në lexime të vazhdueshme. Por, edhe kur flasim për veprat e Kadaresë mbetet një çeshtje e kaluar lehtazi, e pa thelluar në analizat tona dhe kjo është : cilat janë tiparet që përcaktojnë identitetin artistik të njerës apo gjithë veprave ? Aq më tepër kur jemi përballë interpretimeve të ndryshme ? Pra, kritika jonë letrare vazhdimisht ka patur si çeshtje themelore shpjegimin e vlerave artistike të veprave, ndërkohë që çeshtja e individualitetit të strukturës letrare mbetet një ndër aspektet më të vështira, kryesisht me qasje profesionale, që do të shpjegonte pothuaj tërësinë e tekstit. Sfida e përhershme është edhe më tej : tekstet letrare të këtij autori sa janë dhe ku janë struktura të përcaktuara, të fiksuara, me boshllëqe, që lexuesi mund t’i plotësojë? Këto boshllëqe ndihmojnë apo vështirësojnë kuptimin e identitetit të tekstit ? Dhe më tej : çfarë është brenda, e qëndrueshme në tekst  dhe në ç’masë është ndërhyrja, kontributi i kritikut ? Ky është një raport interesant që i vlen pikërisht përcaktimit të shkallës së identitetit të qëndrueshëm të veprës. Lind pyetja: mos vallë një strukturë e jashtme, e qartë, më e drejtpërdrejtë, thekson më tepër identitetin e tekstit ? Ndonëse, në vështrim të jashtëm,  identiteti i një vepre të Kadaresë është  ajo çka e bën një tërësi të unifikuar, thelbi i identitetit është më i thellë, ku strukturat e brendshme kuptimore janë ato që formësojnë tipare të dukshme të njësisë së jashtme. Kjo do të thotë se dallimi i një vepre të veçantë të autorit tonë nuk është thjesht e veçanta e dukshme. Gjithashtu,  po t’i referoheshim, Bartit mund të shtronim pyetjen : a duhet ta kërkojmë identitetin në diferencën e tij nga tekste të tjera ? (kjo qasje ndonëse duket se më shumë qëndron në planin e jashtëm, ka të bëjë me planin e brendshëm kuptimor). Këto dhe aspekte të tjera  do të thonë se veprat e Kadaresë janë aty, për të na kërkuar të zbulojmë në thellësi identitetin krijues të këtij autori, i cili zgjon lexuesin jo vetëm një herë, por në mënyrë të përsëritur. Identiteti artistik ka një brendi shumë të gjerë, që rrok tërësinë e aspekteve të strukturës ideoartistike, prandaj mbetet fusha kryesore e interpretimit letrar.

Psikologjia e vlerës

Boshti i përqëndrimit në këtë aspekt thelbësor, por dhe të vështirë të interpretimit, ka të bëjë me një shkallëzim më të sofistikuar, më sfidues lidhur me raportin e strukturave të brendshme poetike dhe strukturave psikologjike të interpretuesit Nga ana tjetër, kjo lidhet ngushtësisht me çeshtjen se si realizohet përjetimi i eksperiencës artistike të shkrimtarit, duke u mbështetur në hapësirën semantike të veprave? Marrëdhënia që kritiku ndërton, nga njera anë me thelbin e fjalës, si mbartëse e strukturave të shumta kuptimore; nga ana tjetër  me psikanalizën, si aspekti më i vështirë dhe më abuzues në zbulimin e psikologjisë së vlerës artistike dhe proceseve të brendshme misterioze të trillimit dhe imagjinatës krijuese të Kadaresë, është sa kompleks aq dhe e rëndësishme për t’u marrë në analizë. Psikologjia e vlerës ngërthen brenda vetes kombinimin e këtyre qasjeve ; nëpërmjet përmbajtjes së dukshme  do mund të zbulohej përmbajtja e fshehur, ajo që përbën thelbin e përfshirjes së lexuesit në emocionet e vlerës artistike. Vepra e Kadaresë jep mundësi të shumta të raporteve psikologjike që kritiku mund të ndërtojë, përmes interpretimeve të tij me tekstin, ndonëse është tepër e vështirë që të realizohet bashkëqasja midis psikologjisë së personazhit, të tekstit dhe të vetë kritikut.  Psikologjia e vlerës së veprës së Kadaresë  nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm  me konstatimin e situatave, përjetimeve emocionale, por shkon më thellë : për të zbuluar e interpretuar shkallën e përputhjes së përjetimeve të autorit me përjetimet e lexuesit. Shkalla e kësaj përputhshmërie është vlera themelore e veprave, sepse ajo kalon nga njohja e emocioneve të leximit, në rrjedhën e brendshme që lidhet me psikologjinë e autorit dhe kritikut. Pyetja qëndrore në gjykimin e krijimtarisë së Kadaresë do të ishte : pse vepra e tij  krijon vlera ? Kjo ndodh kur midis dy psikologjive, të autorit dhe lexuesit, rrjedha është e njëtrajtshme, e pandërprerë, kur arrihet një lloj përshtatjeje midis tyre. Kritika sigurisht nuk e ka të lehtë, sepse çdo aspekt psikologjik, i pakapshëm drejtpërdrejtë, ka vështirësi specifike, por të depërtosh në psikologjinë e vlerës së veprave të Kadaresë, është thelbi i kuptimit të tyre.  Sepse të kuptosh ç’është letërsia dhe të zbulosh vlerën e një vepre të caktuar, janë dy lloj qasjesh, ndonëse lidhen ngushtësisht me njera tjetrën. Raporti përbashkues dhe specifikues  i tyre në analizën kritike, ndonëse  e bën më të vështirë procesin interpretues, do të arrinte të depërtonte më mirë në kuptimin e aspektit psikologjik të vlerës. Zbulimi i psikologjisë së vlerës te veprat e Kadaresë  ka të bëjë me çeshtjen se pse x-vepër është e mirë, apo ku dallon një roman nga tjetri, në vlerat e tyre.

A ka lidhje midis psikologjisë së autorit dhe psikologjisë së vlerës ? Janë koncepte të ndryshme. Hetimet psikologjike ose problemet e Kadaresë, janë pak të rëndësishme për treguar se kjo, apo ajo vepër e tij është e mirë. Ato thjesht, ndonjëherë, mundet të na ndihmojnë për të parë pse autori zhvillon tipare të caktuara në veprën e tij. Ndërkohë marrëdhënia midis psikologjisë së autorit dhe psikologjisë së lexuesit bëhet shtrat i zbulimit të psikologjisë së vlerës, e cila përfshin elementë të tjerë të strukturës së brendshme kuptimore dhe shumësisë semantike të fjalës dhe ligjërimit tërësor. Nga ana tjetër psikologjia e veprës nuk ka të bëjë me renditjen, konstatimin e marrëdhënies midis aspekteve të psikologjisë së autorit dhe tipareve të veprës së tij, por me një plan tjetër, të padukshëm, emocional, që, siç thashë më sipër, përfshin brenda të njejtit perceptim autorin, tekstin dhe lexuesin. Është një marrëdhënie e pakapshme, që pavetëdijshëm ndikon në psikologjinë, përjetimet tona. Pra, në kuptimin më të thjeshtë, interpretimi i psikologjisë së vlerës së veprave të Kadaresë do të nisej nga parimi se shkrimtari mendon dhe ndjen me shpirtin e pasioneve njerëzore: hapja e një fushe specifike studimi mund të ishte pikërisht zbërthimi i kësaj lidhjeje jo të drejtpërdrejtë, por gati mistike, për të analizuar lidhjen midis imagjinatës së autorit dhe imagjinatës njerëzore, imagjinatës sonë që shfaqet në lexime të ndryshme. Ky aspekt mendoj se përbën një shtyllë të rëndësishme të kuptimit dhe vlerësimit të veprave të këtij shkrimtari të shquar.

Filozofia e veprave

Termi përfaqëson një koncept shumë të gjerë…, por që, sigurisht lidhet ngushtësisht edhe me thelbin e letërsisë, si një krijim njohës, përgjithësues, ndonëse realizuar jo përmes teorishë e konceptesh, por përmes trillimit, figuracionit emocional. Zakonisht, edhe kur është interpretuar vepra e Kadaresë, vemendja e kritikës është ngushtuar në idenë e tekstit të lidhur drejtpërdrejtë dhe ngushtësisht me subjektin narrativ. Pse mendoj që koncepti i filozofisë së veprave të këtij autori mund të trajtohet në një plan më të brendshëm dhe më universal ? Sepse universi i fiksionit artistik në veprat e tij, duke qenë përtej trillimit thjesht argëtues, intrigës së zakonshme dhe të pazakonshme, kapërcen, në disa vepra, përjetimin e zakonshëm, njohjen e drejtpërdrejtë…Sigurisht çdo vepër ka filozofinë e vet, të lidhur me një kategori personazhi, ambjenti, në kohë e hapësirë, por një shkrimtar i madh, si Kadare, në disa vepra të tij i jep funksionit njohës përmasa universale. Përse lexuesi i huaj e ka lexuar dhe vlerësuar veprën e tij? Pikërisht kjo është një piketë e rëndësishme, për të depërtuar në psikologjinë jo thjesht shqiptare, por mbarënjerëzore, për të zbërthyer më në thellësi filozofinë universale që mbart brenda vetes vepra kadareane. Zbërthimi i këtij aspekti do të mund të zbulonte edhe filozofinë tonë mbi jetën, mbi historinë, mbi fatin e njeriut, si dhe standartet e lexuesit shqiptar, përballë standartit që dëshmon vetë autori. Përkthehen, botohen vepra t produkt thjeshtë imagjinatës apo të dukurive të zakonshme, shpesh me intriga interesante…Por ato i përkasin një lexuesi të një niveli ta caktuar, kurse vepra si “Kush e solli Doruntinën”, “Përbindëshi”, “Pallati i ëndërrave”, etj. i përkasin filozofisë universale, horizonti i tyre përfshin një rrokje më të thellë. Duke pranuar tezën se, në një kuptim, nuk është realja që preket në tekst, por tekstualizim i saj, një rindërtim i koduar në tekst, bëhet e qartë që horizonti ynë i vështrimit kalon në përmasa të tjera, për të kapur thellësinë e mendimit. Cila është pranëvënia apo diferenca që e përball fiksionin kadarean me karakterin e thellë universal ? Nëse qasja filozofike, në natyrën e letërsisë në përgjithësi, është konstatim i vjetër, interpretimi i veprave të veçanta mund ta zbulojë këtë tipar më kompleks në mënyrën unike të formësimit të brendësisë të një periudhe, të një ndjenje njerëzore, që, përtej realitetit shqiptar shkon drejt një hapësire më të gjerë…Thellimi në filozofinë e absurdit (“Viti i mbrapsht”), filozofinë e ringjalljes, të një botëperceptimi të ri për një botë me besë, për dëshirën njerëzore (“Kush e solli Doruntinën”), filozofia universale e mashtrimit (”Përbindëshi”) etj.etj. janë aspekte që i japin përmasa universale botës poetike të Kadaresë.

Në disa prej romaneve të tij autori e bën realitetin e së shkuarës më real dhe më imediat, bën që diferenca midis koncepteve tani dhe atëhere pothuaj të zhduket…kritika ndoshta mund të thellohet pikërisht në faktin se si shpirti i njeriut, jo vetëm shqiptar, është në vazhdimësi, një qasje e jashtëzakonshme filozofike, ajo prodhon iluzione të paqëna por thellësisht njerëzore; prandaj do të lindëte pyetja se  si krijimtaria e këtij autori sfidon filozofinë, duke e përfshirë atë ? Vëzhgimi i trillimit dhe distancës trillues-artistike do të ishte, padyshim, mjeti matës i karakterit filozofik të një vepre, i vlerës universale të saj.

Flitet për problemin e gjithkohësisë së veprave letrare; ndoshta në këtë konceptim do të duhej të dallonim raportet reale midis kohësisë së përjetimeve të pandërprera. A lidhet kjo me një sistem dyvlerësh ? Nga njëra anë  ideja e realitetit të problematikës shqiptare, nga ana tjetër filozofia e gjithërrokëshme, që rrëmben shpirtin njerëzor në çdo kohë e hapësirë ?

Fokalizimi

Është një ndër aspektet shumë të rëndësishëm të poetikës së çdo vepre letrare, për të cilin flitet shumë pak. Kështu ka ndodhur edhe në shkrimet kritike mbi prozën e Kadaresë. Fokalizimi, ose fokusimi, nuk është thjesht pikëvështrimi i një personazhi apo momenti në strukturën e veprës. Dihet se në veprat e këtij autori ngjarjet paraqiten përmes ndërmjetësimit të disa elementeve, por thelbësore është një lloj pikëqëndrimi, vënia në fokus, vatërzimi i një tipari thelbësor të një personazhi, apo një dukurie. Ky pozicionim i rrëfimtarit nuk është thjesht një vështrim, por përqëndrim, që mbart në vetvete një brendi të rëndësishme, thelbi i së cilës  shtjellon e shtjellon vazhdimisht rrjetën narrative. Në prozën e Kadaresë fokusimi mund të shihet si në dallimin midis atij që sheh dhe atij që flet, si në rastin kur narrator i realizon të dyja. Te “Kronikë në gur’ çdo gjë shihet me sytë e djalit-rrëfimtar, i cili shfaqet jo vetëm si objekti fokusues, që vëzhgon me përqëndrim të veçantë, por, njëkohësisht, tërthorazi bëhet edhe objekt fokusimi. Do të ishte interesante të analizohej se si në këtë roman gjuha jo vetëm përcjell perceptimet e personazhit (si fokusues), por njëkohësisht përmban shprehësinë e fëmijërisë (i fokusuar). Sigurisht fokalizimi duhet parë  si pjesë e brendshme e narracionit, por qartësisht i dallueshëm prej këtij koncepti shumë të gjerë. Kjo çeshtje lidhet ngushtë me përcaktimin e identitetit të narratorit, si koncept qëndror në zbërthimin e tekstit narrativ që nuk mund të identifikohet me procesin e fokusimit. Në studime dhe artikuj të ndryshëm aspekti i fokalizimit nuk është përfshirë sa duhet në analizat narratologjike, duke lënë paksa mënjanë këtë element shumë të rëndësishëm të realizimit të strukturës kuptimore. Në këtë drejtim ndoshta mund të shkohet më thellë, me qëllim që në korpusin prozaik të Kadaresë mund të dallohen lloje të ndryshme të fokusimit, të jashtëm (“Kronikë…”) ku personazhi kryen edhe rolin e fokusuesit edhe të narratorit, ku perceptimi dhe historia bëhen të njëkohshëm.  Duke e parë fokusimin si një proces psikologjik, që varet nga mosha, statusi i fokusuesit, në vepra të Kadaresë mund të hetohet një rrjet kombinimesh, pikëvështrimesh të objekteve që fokusohen. Mund të vëzhgohen edhe fokusime të brendshëm, për shembull te “Pallati i ëndrrave”, ku fokusimi është brenda ngjarjeve të pasqyruara… Vepra e Kadaresë jep mundësinë e zbulimit dhe interpretimit të llojeve të ndryshme të fokusimeve, si për shembull psikologjik, perceptual apo ideologjik, apo fokusim të fiksuar, të ndryshueshëm dhe shumëplanësh…Akti artistik i fokusimit organizohet në mënyra të ndryshme në vartësi të pozicionit të rrëfimtarit dhe sidomos të specifikës dalluese të tij. Me

interes do të ishte edhe interpretimi i niveleve të fokusimit, që lidhen me momente të caktuar të zhvillimit të personazheve. Gjithsesi mendoj se vëzhgimi i këtij aspekti narratologjik nuk është trajtuar sa duhet në kritikën tonë, duke qenë tepër i rëndësishëm në realizimin e strukturave kuptimore të veprës kadareane.

Fjala brenda sferës së bashkëveprimit dialogjik.

Ky aspekti do të ishte më interesanti i specifikës ligjërimore të Kadaresë. I vëzhguar në nivelin dhe thellësinë që përfaqëson studimi i fjalës brenda njësisë së bashkëveprimit dialogjik, do të krijonte një kuptim më të gjerë për vlerat ligjërimore dhe zbulimin e një raporti specifik që autori ynë ndërton me lexuesin. Fjala, duke qenë komunikim i drejtpërdrejtë, realizon vlerën më të madhe të saj në bashkëveprimin që mbart brenda vetes dhe  midis dy aktiviteteve komunikues.  Nëse teorikisht është thënë se letërsia është ‘praktikë e gjuhës’, në veprat e Kadaresë kjo praktikë është shumë interesante, por jo e studiuar sa duhet. Në ç’aspekt ? Në  atë që dialogjizmi shfaqet së brendshmi, i padukshëm, në çdo ligjërim individual; në të vërtetë ai është më shumë i brendshëm, i nënkuptuar, sesa i drejtpërdrejtë apo i orientuar qartë. Sipas Bakhtin-it ‘marrëdhëniet dialogjike mund të përshkojnë së brendshmi të folurit, madje brenda fjalës individuale, për aq kohë sa dy zërat përplasen dialogjikisht’.Vepra e Kadaresë do ta provokonte studimin letrar duke hapur një fushë të gjerë e shumë të pasur, ku mund të hetohet se sa gjuha e veprave të tij u shërben dy folësve në të njëjtën kohë dheshpreh njëkohësisht dy synime të ndryshme: synimin e drejtpërdrejtë të personazhit,që është duke folur, dhesynimin përthyes të autorit. A ka në prozën e tij brenda ligjërimit dy zëra, dy kuptime ? Ky është një aspekt thelbësor në përcaktimin e identitetit të veprës, sepse, siç dihet, gjuha e romanit nuk është një element që ka si qëllim thelbësor thjesht të përcjellë një ngjarje, por është vepra ajo që përfaqëson vetë gjuhën, se çdo vepër është strukturim fjalësh, fjalish, që kanë ekzistuar më parë por që rishfaqen në trajta e funksione të reja. Është pikërisht gjuha e Kadaresë që, në shtresat fjalore përcakton individualitetin e autorit.

Zbulimi dhe kuptimi i specifikave identitare të procesit gjuhësor të këtij autori, ndihmohet edhe nga teza sosyriane, sipas së cilës gjuha në letërsi zhvillohet mbi dy principe themelore: ai i zgjedhjes (pranimi i ngjashmërisë) dhe ai i kombinimit (rregullat e vazhdimësisë). Studimi i kombinimit të këtyre dy vlerave shprehëse do t’i jepte një perceptim të ri sistemit ligjërimor, pasurive dhe befasive që i përcjell lexuesit. Krijimtaria e I.Kadaresë është ende një mister në zbulimin e tekstit si praktikë e përdorimit të kodeve të ndryshme ligjërimore, dhe sidomos në dukurinë e komunikimit brenda të njejtës strukturë fjalore. Ajo mbetet e pafundme në zbulimin ligjërimor, përmes të cilit vetëdijshëm, por dhe intuitivisht, krijohen shtresëzime të brendshëm, origjinale dhe të paparashikueshëm.

Qasje gjenetike

Mbetet një aspekt i anashkaluar, që dëshmon një raport të diskutueshëm midis  kritikës dhe sociologjisë. Vështrimi i veprave të Kadaresë në kufijtë e origjinës së saj, qoftë individuale, qoftë sociale, do të na nxiste për të hetuar lidhjen e strukturës së veprave të tij (“Dimri i vetmisë madhe”, “Koncert në fund të vitit” e të tjera)  me strukturën mendore të pozicionit dhe grupit shoqëror të shkrimtarit, sepse në veprat e tij mendimi dhe realiteti përbëjnë një tërësi…Ne nuk mund ta mohojmë se veprat e këtij autori rrjedhin nga vetëdija dhe mendimi social i tij. Vizioni i këtij autori të madh mbi realitetin shqiptar, duke qenë individual, mbart me vete edhe një vetëdije të re të shoqërisë, të momentit të kohës. Prandaj qasja gjenetike nuk ka të bëjë thjesht me hetimin e origjinës sociale, por me një tërësi faktorësh që ndikojnë së brendshmi në intuitën dhe vetëdijen e autorit. Nëse në veprat e tij hasim pikëpamje të karakterit përgjithësues, universal, është metoda gjenetike që u jep kuptim ideve dhe pothuaj gjithë strukturës mendore të autorit. Lidhja midis strukturës mendore të tij dhe strukturës ligjërimore narrative është, pa dyshim, një hetim jo i kollajtë, por tepër i rëndësishëm për të depërtuar në origjinën e formësimit letrar. Thelbin e kësaj qasjeje do të mund ta shihnim jo thjesht në aspektin se sa i pasqyron autori realitetet shqiptare (ky do ishte thjesht një sociologjizëm vulgar), por në konstatimin e si aspekte të tilla të vetëdijes krijuese, si letërsitë e ndryshme, teoritë filozofike, njohjet kulturore autentike dhe botërore, trashëgimitë kulturore etnike e ballkanike, etj. etj. lidhen me njera tjetrën dhe kanë ndikuar në procesin e të menduarit dhe imagjinatës krijuese në veprat e autorit.  Qasja gjenetike do të mund të aplikohej jo për të gjetur vartësi apo shkakësi të drejtpërdrejtë të autorit, por për të ndjekur zhvillim të tyre në horizonte origjinale krijuese, do të mund të provonte distancën që krijuesi vendos me dukuritë sociale që mbështesin veprat e tij. Është e vërtetë që vetëdija e shkrimtarit tonë i ka paraprirë vetëdijes së shoqërisë në kohën e botimit. Një qasje e tillë, ndonëse do të qëndronte në planin poetik, krijon një raport shumë të rëndësishëm me lëvizjen e mendimit dhe ndjeshmërisë historike. Kjo qasje në plan të gjerë zbulon vlerën themelore të intuitës krijuese të autorit, duke i dhënë një shtrirje më të gjerë identitetit në kuptimin e brendshëm të veprave.

Mendoj se kjo metodë studimi, ndonëse e nënvlerësuar, do të ishte shumë interesante për të depërtuar në strukturën e mendimit të Kadaresë, çka do të ndihmonte për të interpretuar shumë aspekte të poetikës së brendshme të veprave.

Qasje krahasimtare

Në vështrim të parë duket më e përdorura tek  studiuesit tanë, madje më e lehta, por koncepti i metodës krahasimtare nuk i referohet thjesht përqasjes, ndikimit apo huazimit, por shpreh një përmbajtje më të gjerë metodologjike, përtej planit të sipërfaqshëm. Është shumë interesante pikëpamja që i jep një shtrirje të gjerë konceptit krahasimtar për t’u thelluar në procesin e vazhdimësisë së letërsisë së madhe. Pra është ideja që  kjo metodë krahasimtare të hapë rrugën për të provuar jo thjesht ndikimet dhe afërsitë, por aspektet më të thella që e afrojnë por dhe e dallojnë Kadarenë krahasimit me autorë të mëdhenj të letërsisë botërore. Kjo metodë nxitet nga orientimi metodologjik se si mund të hetoen lidhjet e fshehta, përtej ngjashmërive, ndikimeve, rimarrjeve…për të shkuar në thellësi të  origjinalitetit të metaforës kadareane. Metoda krahasimtare  mund të ndalet në raportet e veprës së Kadaresë me mitologjinë ballkanike, kjo jo thjesht si konstatim, por thellim në filozofinë e përjetimeve krijuese artistike e ideore të autorit, si përpjekje për të shkuar drejt thellësive, drejt intuitës së brendshme të Kadaresë. Synimi ynë mund të jetë edhe prirje për të zbuluar lidhjet e pavetëdijes së autorit me herojtë e largët, të një bote imagjinare dhe me autorin magjik, të panjohur të baladave shqiptare e ballkanike. Kjo qasje shkon drejt kuptimit të zhvillimit të brendshëm të vetë letërsisësi proces i vazhdueshëm marrëdhëniesh dhe zhvillimesh të reja. Kuptohet, pra, ç’përmasë të re shkencore merr kjo metode studimi, përtej “thjeshtësisë”, në dukje, të aplikimit të saj, përtej reduktimit në skematizëm konstatimesh të marrëdhënieve të dukshme, çka ndodh jo rradhë në kritikën dhe studimet tona.

Qasje intertekstuale

Kjo çeshtje shtron para kritikës kuptimin e letërsisë në marrëdhënie me letërsi dhe forma të tjera kulturore, madje edhe në kontekstin e studimeve ndërdisiplinare. Kjo do të thotë që dhe krijimtaria e Kadaresë do të studiohej duke njohur sistemet, kodet, traditat e krijuara nga vepra paraardhëse. A do ja vlente që kjo krijimtari të analizohet edhe në prizmin interesant të intertekstualitetit , i cili shënon një vështrim të ri të kuptimit të veprave,  si rrjedhim edhe të individualitetit të shkrimtarit ? Cila do ishte arritja thelbësore e kësaj qasjeje të re ?  Ka akoma shkrime ku ky aspekt i interpretimit të letërsisë barazohet me nocionin e metodës krahasimtare. Por ndryshimi thelbësor ka të bëjë jo thjesht me krahasim ngjashmërishë, apo huazime personazhesh e motivesh, jo thjesht me ndikim letrar por me një tipar të brendshëm të thelbit filozofik e historik të letërsisë, me lëvizjen që realizon ajo nëpër vepra të periudhave të ndryshme historiko-letrare.Dihet se në disa vepra të Kadaresë (p.sh.“Përbindëshi”) përqasen në përmasa e marrëdhënie të ndryshme, motive apo personazhe të letërsisë së antikitetit dhe më gjerë… A duhen kuptuar thjesht rimarrje ? Këto nuk janë ndikime, por ajo që do duhej të sqarohej do të ishte: në ç’përmasa kuptimi i tyre është “brenda” dhe “jashtë” tekstit.  Sigurisht një shkrimtar i madh, si Kadare, me intuitën e vet ndërtonkuptimin më shumë brenda, çka bën dallimin me autorë të tjerë, të çdo lloj letërsie. 

Kritika e specializuar ka dhënë modelin e zëvendësimit të nocionit ‘ndikim’ me nocionin e ‘intertekstualitetit’; çka do të thotë se kalohet nga një huazim aspektesh të modeleve, tek një konceptim origjinal i marrëdhënies së veprës me krijimtari të trashëguara. Ajo që mund të tentojmë të provojmë është se sa veprat e Kadaresë janë një proces i pavarur, por edhe sa janë lëvizje midis teksteve. Sigurisht kjo qasje nuk është e lehtë dhe drejtpërdrejtë e konstatueshme, megjithatë i jep një shtrirje tjetër interpretimit të korpusit kadarean. Metodologjikisht do të kishim një qasje sipas dy konceptimeve: në raportin horizontal, ku romanet e Kadaresë i përkasin autorit dhe lexuesit, si dhe në raportin vertikal, sipas të cilit çdo vepër ka marrëdhënien e vet me korpusin letrar të mëparshëm. Kështu, në mendimin tonë kritik do të vinte më i shtjelluar interpretimi intertekstual i krijimtarisë së këtij autori si mënyrë tjetër leximi, që s’duhet të identifikohet as me medodën krahasimtare as me atë gjenetike.

***

Nëse do bëja një tipologjizim të  interpretimeve që janë bërë rreth veprës së I.Kadaresë  mund të dalloj : metodologjinë strukturore, që studimin e romaneve të Kadaresë e fokuson në  ndryshimin dhe lëvizjen e  strukturave semantike; metodologjinë shkakore dhe të origjinës, që interpretimet i  lidh me shkaqe historike e sociale, me ndikime të ndryshme letrare e joletrare; dhe metodologjinë  receptive, e cila, ndonëse vlerëson aspektin e ndryshimeve në format letrare, përqendrohet te roli i lexuesit. Vlera e këtyre qasjeve qëndron në faktin se ato konfirmojnë marrëdhëniet specifike që mund të ketë çdo kritik e studiues me vetë letërsinë. Prandaj, shtylla themelore në të gjitha qasjet e kritikës së sotme do të ishte kuptimi i thelbit të filozofisë së interpretimit letrar.

Një teoricien ka thënë : ‘arti është më i madh se interpretuesi i tij’. Asnjë kritik nuk do të mundëte të zbulojë në mënyrë të plotë dhe shterruese tërësinë e vlerave të korpusit artistik Kadaresë. Ne mbetemi vetëm tentativa të pjesëshme. Sigurisht, ka standarte të koncepteve dhe vlerave artistike dhe interpretim ynë nuk mund të jetë amatorizëm. Ama, jemi të vetëdijshëm, rreth horizontit të gjerë poetik të veprës  së tij. Mbetet i papërfunduar ! Prandaj I. Kadare, si çdo autor i madh, është sfidë e përhershme për studimet tona letrare.

Exit mobile version