Kreu Letërsi Bibliotekë Visar Zhiti: Mes poezisë dhe kujtimit – Mary de Rachewiltz, bija e...

Visar Zhiti: Mes poezisë dhe kujtimit – Mary de Rachewiltz, bija e Ezra Pound

Nga të gjitha poetet që dolën nga labirintet e modernizmit letrar, Mary de Rachewiltz mbetet njëra ndër më të veçantat në Itali. Jo për shkak të famës së bujshme si bija e poetit Ezra Pound, – ndër më të mëdhenjtë e më shqetësuesit e shekullit XX – dhe e violinistes se njohur Olga Rudge, por më shumë për mënyrën e heshtur dhe dinjitoze me të cilën ajo ndërtoi një jetë të pasur shpirtërisht duke u shndërruar në një kujtesë të gjallë e kontradiktave, vuajtjeve, përkushtimit dhe bukurisë së thellë që letërsia dhe dashuria mund të përcjellin në shpirtin e njeriut.

Babai Ezra Pound u shfaq si vonë te ajo, bija, i ngarkuar me ndrojtje, por edhe me një ndjesi instinktive për të kuptuar thelbin e tij të vërtetë: një mendje e tejmbushur me dije dhe trazira,

Ndërkohë mamaja Olga Rudge mbeti gjatë gjithë jetës një grua e ndërlikuar, një dashuri e madhe që kishte sakrifikuar shumë për artin dhe për burrin që nuk mundi ta kishte të gjithin.

Një kartelë imja për poetin Ezra Pound (1885–1972)

…një nga figurat më të rëndësishme të modernizmit në letërsinë në gjuhën angleze. Poet, kritik dhe teoricien letrar amerikan, ai ndikoi thellësisht në zhvillimin e poezisë së shekullit XX.

Ezra Pound u bë udhëheqës i imagjinizmit, një rrymë që kërkonte pastërti gjuhësore dhe imazhe të fuqishme.

Ai mbështeti dhe bëri të njohur shumë autorë të tjerë si Robert Frost, T.S. Eliot, James Joyce, H.D. (Hilda Doolittle), Ernest Hemingway etj, që do të merrnin dhe çmimin Nobel.

Ezra Pound ndër të tjera ishte dhe kontroversal politikisht – në vitet ’30 dhe ’40 përqafoi disa ide të fashizmit italian dhe bëri transmetime radiofonike në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku kritikonte SHBA-në dhe mbështeste Musolinin. Për këtë, mbasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, në 1945 u arrestua për tradhti. E mbyllën dhe në një kafaz në Pisa, por u ngritën miq të tij nga e gjithë bota, pastaj e dërgua në SHBA, 12 vjet jetoi në një spital psikiatrik në Uashington D.C. kur ai u shpall i papërgjegjshëm mendërisht dhe u kthye sërish në Venecia, se aty vdisej bukur…

Dikur kam përkthyer dy poezi “të vogla: të tij, por treguese gjithsesi:

AGIM

E ftohtë si gjethet e zbehta e të lagëta

Të zambakut në luginë

Ajo u shtri ndanë meje në agim.

MARRËVESHJE

Po bëj një armëpushim me ty, Walt Whitman. –

Të kam urryer gjatë, vij si një fëmijë i rritur,

që ka patur një baba kokë-derr;

jam mjaft i vjetër tani për të bërë miq.

Ishe ti që theve drurin e ri,

tani është koha për gdhendje.

Ne kemi të njëjtin lëng dhe rrënjë,-

Le të bëjmë tregti bashkë.

Dhe një kartelë e violinists Olga Rudge (1895–1996)

…muzikante amerikane, e rritur dhe e edukuar në Evropë, me talent të jashtëzakonshëm dhe do të kishte një karrierë të ndritur në koncertet evropiane, sidomos në Itali dhe Francë.

U njoh me Pound-in në fillim të viteve 1920 në Paris. Megjithëse Pound ishte i martuar me Dorothy Shakespear, ai krijoi një lidhje të qëndrueshme dhe të thellë me Olgën që zgjati gjithë jetën e tyre. Në kohën e krizave të dyja gratë kanë jetuar dhe së bashku, por Olga i vajti Pound-it dhe n:e SHBA duke u kujdesur për të në vitet e vështira në çmendinë.

Ndërkaq shkëlqimi intelektual dhe artistik i këtij çifti e përshkoi jetën kulturore të shekullit XX dhe nga ana tjetër duke mbetur një marrëdhënie e errët dhe komplekse, e ndikuar nga tensioned familjare dhe zgjedhjet politike të Pound-it…

Nga lidhja e tyre lindi një vajzë…

Mary de Rachewiltz:  një fëmijëri mes izolimit dhe dashurisë

Fëmijërinë e kaloi në Tirolin Jugor, larg nga prindërit e saj biologjikë, për shkak të natyrës së fshehtë të marrëdhënies të tyre. U rrit në një fermë të thjeshtë alpine nga një familje fshatare, pa e ditur fillimisht prejardhjen e saj të jashtëzakonshme. Mary përthithi gjuhën dhe jetën e malësisë si një pasuri e thellë jete. Ajo mësoi të donte natyrën dhe librin para se të mësonte që ishte vajza e një poeti që kishte tronditur letërsinë moderne.

Gjuha e saj e parë ishte ladinishte – një dialekt alpin.

Kur u bë adoleshente, nëna e saj, Olga Rudge, filloi ta afrojë më shumë me botën e saj dhe atë të babait. Mary u shpërngul për të jetuar pjesërisht me të në Venecia dhe me Ezra Pound-in në Rapallo.

 Mary studioi gjuhë, letërsi dhe u edukua në një frymë shumëgjuhëshe e kulturore. Ajo u përfshi natyrshëm në jetën intelektuale të prindërve, sidomos në botën e poezisë.

            Në Kështjellë…

Mary u martua me Boris de Rachewiltz, një egjiptolog italian, me të cilin pati dy fëmijë. Ata jetuan në Kështjellën mesjetare Brunnenburg në Tirolin Jugor, të cilën e restauruan dhe e bënë strehë për studiuesit e Ezra Pound-it dhe një qendër kulturore, ku vijnë dhe shumë studentë nga bota, sidomos amerikanë, që hulumtojnë letërsinë moderne.

Aty Mary krijoi një mjedis ku letërsia, historia dhe jeta bashkëjetojnë. Në mënyrë të ngjashme me një murgeshë të kulturës, ajo ka ruajtur arkiva, letra, kujtime, por mbi të gjitha ka ruajtur njerëzoren që zakonisht mungon kur flitet për poetët e mëdhenj.

Ajo do të shkruante disa vepra, por më e njohura është “Discretions” (1984) – një kujtim i thellë, shpesh poetik dhe i matur, ku rrëfen jetën e saj me dy prindërit e jashtëzakonshëm. Nuk i fsheh vështirësitë e të qenit “vajza e një gjeniu”, por i trajton me qetësi dhe mençuri. Libri është një dëshmi e rrallë për historinë kulturore të shekullit XX nga brenda.

Mary do të përkthente babain, “The Cantos” nga anglishtja në italisht, një punë e jashtëzakonshme për nga vështirësia gjuhësore dhe përgjegjësia letrare. Në këtë përkthim, ajo është dhe bijë dhe besimtare e një trashëgimie që shpesh e ka lënduar, por që ajo ka zgjedhur ta mbrojë me dinjitet.

Poezia si përkujtim dhe çlirim. Grua, jo hija e…

Në vend që të mbetet thjesht “vajza e Ezra Pound-it”, Mary zgjodhi të jetë zë. Një zë që nuk bërtet, por që mbetet. Në poezinë, përkthimin dhe kujtimet e saj, ajo nuk kërkon të madhështojë, por të ruajë.

Ajo është një pasardhëse e butë e modernizmit që i dha njerëzimit aq shumë, por që harroi shpesh përkujdesjet e duhura për jetët.

Poezitë e Mary de Rachewiltz nuk synojnë të jenë manifestë letrare. Ato janë intime, të përmbajtura, të përshkuara nga një lëvizje disi e ngadaltë dhe e ndjeshme që here pas here të kujton stilin japonez se sa eksperimentet radikale të babait të saj.

Në një poezi të saj “Roses”, Mary shprehet: I remember / and the remembering / has become / a kind of owning. Këto vargje zbërthejnë filozofinë e saj letrare: kujtesa si mënyrë për të përvetësuar atë që nuk e kemi pasur dot në jetë – dashurinë, fjalët, praninë e munguar. Po ashtu është një formë proteste e heshtur ndaj harresës dhe zhdukjes, një mënyrë për të ruajtur me delikatesë atë jetë që gjithmonë mbati e ndarë ndërmjet të dukshmes dhe të fshehtës.

Mary de Rachewiltz është vetë poezi e heshtur, e vështirë për t’u parë “me sy të zhurmshëm”, por e domosdoshme për t’u ndjerë. Ajo është urë e gjallë që bashkon dy brigje: atë të dhimbjes dhe të shpëtimit, të historisë dhe të dashurisë, të fjalës dhe të poezisë… pra të artit, dramës historike dhe fisnikërisë shpirtërore.

Sot:

Jeton në Itali, në Tirolo, province e Bolzano-s (Trentino-Alto Adige). E njohin dhe respektojnë për qetësinë dhe jetën,

Mbas pak javësh, në 9 korrik, do të jetë 100 vjeçe. Adhurues të saj e studiues, profesorë, poetë të rinj, po përgatisin botime, homazh për shekullin e saj, gjithë poezinë, ajo shkruan në italisht dhe në anglisht, po dhe një antologji në gjuhët që është përkthyer, donin të përfshihej dhe shqipja dhe një nga bashkëpunëtorët e kësaj nisme, poeti Paolo Pera, ma kërkuan mua ta kryeja.

Dhe ja, 10 poezi të saj dhe për lexuesin e “ExLibris”-it. 

MARY DE RACHEWILTZ: 10 poezi

je

O Zot, nëse ka për të ardhur,
bëj që të jetë i butë
dhe bota që mbyllet për atë që e ka parë,
të jetë e mëshirshme.
I paepshëm do të jetë lulëzimi në mua
sepse kam parë.
S’ka rëndësi kur sytë të jenë të shuar,
buzëqeshja e zbehur dhe këmbët e pasigurta,
por kursema mundimin e zemërimit.


Le të vijë

Shpirtrat e të vdekurve, pulëbardhat
të gjallë pushojnë
mbi dallgët gri,
shpirtra të dashuruarish, mbi Lete.
Fluturoni nga dashuria ime dhe i thoni:
larg tij sytë e mi
kanë marrë ngjyrën metalike
të detit. Le të vijë!


Kinuta

Nga ty nuk dua lajme,
dua letra plot dashuri!
Kinuta – Kinuta – Kush
ka guxuar të ngatërrojë intrigën
e dëndur të mendimeve tona, kush?
Kush guxoi të pasqyrohet
në kupën e sake-së?


Trëndafila

Nuk ishin të miat
ata trëndafila
vetëm i shikoja
teksa vareshin
përmbys
duke u tharë.

Por kujtoj të kuqen e tyre
formën
teksturën
kujtoj
si do të shkërmoqeshin
po t’i prekje.

Kujtoj
dhe kujtimi
është bërë
një lloj zotërimi.


Hëna

Hëna ngrihet ngadalshëm, –
llambë argjendi e zbehtë,
lundron në qiellin e natës
ndërsa toka dëgjon.

Heshtja është përqafim i butë,
mban sekretet e ëndrrave,
të dashurisë së mbetur e pathënë,
dhe të kalimit të kohës.


Heshtje

Në heshtjen midis fjalëve
është një botë e padukshme,
një vend ku zemrat flasin
pa dhënë asnjë tingull.

Dëgjo me kujdes,
heshtja do të tregojë ty
atë që zëri më i lartë
nuk mund ta shprehë.


Kopshti Dimëror

Gjethet e ngrira poshtë këmbëve,
kopshti fle nën dëborë
duke pritur puthjen e ngrohtë të diellit
të zgjojë ngjyrat dhe një herë.

Dimri është një artist i durueshëm,
pikturon bardhë në çdo degë,
deri sa pranvera t’i japë frymë jetës
sërish në kanavacen e tokës.


Jehona

Jehona e së shkuarës
pëshpërit mespërmes sallash,
kujtime të palosura kaq mirë
si letra të vjetra në një sirtar.

Flasin për dashuri dhe humbje,
çaste që s’u harruan kurrë,
duke mbajtur rëndesën
e gjithçkaje që ka qenë një herë.


Një Letër

I shkruajta një letër detit,
e palosa me kujdes,
duke shpresuar që dallgët të mbartnin
fjalët e mia për tek ty.

Por deti është i heshtur,
misteret e tij i mban thellë
dhe unë pres në qetësi
të më vijë një përgjigje.


Roje Nate

Nën sytë vëzhgues të yjeve
qëndroj vetëm dhe dëgjoj
rrahjet e zemrës së natës,
të vazhdueshme dhe të qeta.

Bota po fle,
por mendimet e mia bredhin lirshëm,
vallëzojnë me hijet
deri sa vjen agimi.

Exit mobile version